Albspirit

Media/News/Publishing

Një ftesë nga miku im, fotografi Asllan Krasniqi

Eden Babani, Bruksel

Ftesa

Këto ditë mora një ftesë nga miku im, fotografi Asllan Krasniqi. Më ftonte nga Kosova, të isha i pranishëm në ceremoninë e hapjes së një fotoekspozite në  Rahovec.

Mes të tjerave, në ftesë shkruhet:

“24 fotografi, më 24 mars, në përkujtim të 24-Vjetorit të bombardimeve të NATO-s dhe në 24-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, me tematikën “RUSIA JO –  NATO, PO“.

Në ftesë shkruhet edhe se fotoekspozita përkon me 60-vjetorin e fotografisë së parë të Asllan Krasniqit.

Për arsye që merren me mend, nuk pata asnjë mundësi të udhëtoja drejt ngjarjes me katër 24-a. Do të ishte rast që zor se do të më vijë tjetër herë.

22 vjet më parë

Për herë të parë në jetën time, rrafshnaltën e Kosovës martire dhe malet që e rrethojnë, i kundrova nga dritaret e avionit në dimrin e vitit 2001. Emocionet ishin të papërballueshme. Sa më shumë ulej avioni, aq më shumë shtoheshin ato. Gjatë udhëtimit me autobus drejt Prizrenit, erdhën e u frynë si me qenë lumë i furishëm, i mbushur tej e tej.

E sapodalë nga lufta, Kosova dergjej nga plagët. Era e barutit ndihej ende. Gjurmët e luftës i hasje kudo, me gjithë se mundoheshin të fshiheshin nën një shtrese të trashë dëbore.

Shtëpi të djegura ose të shkatërruara prej ushtrisë serbe dhe bandave paramilitare të Milosheviçit… Shtëpi të tjera në ndërtim e sipër, mbi kulmin e të cilave valonte lirshëm flamuri ynë kombëtar… Rrugë të dëmtuara prej bombave dhe prej zinxhirëve të tankeve të pushtuesit serb. Anash tyre, ishte sajuar një pllakë përkujtimore me një emër e dy data. Në mungesë të luleve, një fjongo kuqezi.

Asokohe, mbahej në Prizren Kuvendi i Parë i Lidhjes Shqiptare në Botë, ku isha delegat edhe unë, sikundër dhjetëra bashkatdhetarë nga të katër anët e botës. Një ndër kujtimet e mia më mbresëlënëse të atij dimri, përpos shumë e shumë të tjerave, është ai i 17 janarit, ditën që vinte nga Tirana përmendorja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, vepër e skulptorit Janaq Paço.

Organizatorët e Kuvendit, vëllezërit Kuzhnini,  me qëllim që ne, delegatët, të shoqëronim përmendoren nga Qafë Morina, në Prishtinë, vunë autobusë. Një rast i rrallë, për secili prej nesh. Të gjithë ndiheshim fatlumë e krenarë për atë ngjarje të madhe të historisë sonë kombëtare, për atë udhëtim të gjatë mes përmes Kosovës.

 

Shënimet e mia për 17 janarin 2001, marrë drejt e nga ditari

…Gëzimi dhe krenaria kanë shpërthyer në mënyrë të papërshkrueshme anekënd Kosovës këtë ditë të ftohtë dimri. Por cikna dhe era brisk që zbret prej lartësive, nuk i ka penguar kosovarët të lënë shtëpitë e të marrin udhët e rënduara prej dëborës së ngrirë. Do të përcjellin një ngjarje të pangjarë deri më sot.

Përgjatë rrugës Prizren – Prishtinë, s’ ka të mbaruar vargu i malësorëve që kanë  rënë qyteteve enkas për t’ u përshëndetur me Fatosin e Krujës, emrin e të cilit nuk e kanë pas bjerrë asnjë çast nga kujtesa dhe me emrin e të cilit u kanë bërë ballë historikisht hordhive armike.

Në Rahovec, Suharekë, Shtime, kudo ku parakalon përmendorja e bronzte dhe pas tij, vargu i pafund i automjeteve që e ndjekin, njerëzit janë mizëri. Të pangopur ende me lirinë e sapofituar ata s’ po i ngopen dot as Skënderbeut, të mirëseardhurit për herë të parë në Kosovën e çliruar, bash aty ku pati pritur pushtuesit hipur mbi kalë e me shpatën zhveshur shqiptarisht. Dhe ata kanë fatin të përjetojnë paksa më gjatë lumturinë e përshëndetjes me të, për shkak të ndalesave të shumta. Telat e linjave elektrike që kalojnë nga njëra anë e rrugëve të ngushta, në tjetrën, duhen ngritur me hunj, pa të kalojë kamioni me monumentin.

Ato i ngrenë ushtarë të UÇK- së hipur mbi kamion. Pushkët në njërën dorë, duket sikur ata mbrojnë Heroin nga ndonjë sulm i papritur. Me dorën tjetër, ngrenë telat që të mos prekin përkrenaren.

Mua më ngjan sikur Heroi ynë Kombëtar është ringjallur sot në Kosovë. Pas 533 vjetësh, Ai i përshëndet krenar kosovarët. U uron atyre rrugë të mbarë drejt ndërtimit të së ardhshmes. Garant për këtë, është shpata e tij, betimi për Komb e Fe…

 

Shkurt për fotoekspozitën, sipas korrespondencës me Asllanin

Siç e thashë edhe në fillim, fotoekspozita ngërthen 24 fotografi. Ato janë ekspozuar për herë të parë dhe janë fiksuar në një pëlhurë speciale 25 m e gjatë dhe 1 m e gjerë.

Fotoekspozita është vendosur në parkun qendror “Toni e Mici”, dy luftëtarë të UÇK-së, rënë dëshmorë gjatë luftës. I pari, Xhelal Hajda (Toni). I dyti, Selajdin Mullabazi (Mici).

E theksova këtë fakt domethënës, për t’ i përshëndetur së largu dhe atdhetarisht, organet drejtuese të Komunës së Rahovecit. Ju lumtë, për gjithçka bëni në shërbim të Çështjes sonë Kombëtare.

* * *

Edhe dy fjalë për biografinë e Asllan Krasniqit në përvjetorin e 63-të të fotografisë së tij të parë.

Lindur në Tygjeç të Kosovës, më 10.10.1945, Asllani jeton në Belgjikë, që prej vitit 1967. Veprimtarinë si fotograf, e ka filluar më 1963, përpara se të përfundonte shkollën e fotografisë në Lubjanë. Asohere, djaloshi amator ka fiksuar në celuloid refugjatët e parë kosovarë, të cilët, pasi strehoheshin në Maqedoni, niseshin drejt Turqisë. Më pas, Krasniqi përfundoi edhe kursin e Artit të Fotografisë në Paris. Që prej vitit 1970, si fotograf i pavarur, ka shëtitur në shumë vende të kontinentit të vjetër, në Amerikë dhe në Azi, me qëllim krijimin e një fototeke të pasur.

Së fundi, edhe qershia mbi tortë.

Asllan! Unë po e ngre një vodka, për shëndetin tënd dhe për miqtë e tu të Rahovecit. Vodka, sepse këtu më mungon rakia e rrushit.

Ti, atje, mes vreshtash pafund, mos harro të ngresh një shëndet për mua dhe për botuesin e shkrimit. Po deshe, e lëmë edhe Te Fadili. Si thua? Atje mund të puqemi e të bëhemi sofër e vërtetë…

Please follow and like us: