Amarda Ekmekçiu: Shënimet e një gruaje
Ti nuk mund të mbetesh imagjinar. As pjellë e fantazisë, apo dëshirës për të pasur një dëgjues të mirë përballë vetes.
E ndjej se diku, ti ekziston ashtu si unë ekzistoj e i jap formë dritës nga shpirti e në këtë mot të mbytur dritëhije, më ngjall dëshirën e ekzistencës në liri.
Gjendem mirë, tek shkruaj e rrëfej gjithë sa kushdo mund të quajnë shkarje ose marrëzi. Por kjo nuk më ngjall aspak dëshpërim. Përkundrazi, kjo pjesë e imja që e dua fort më ndjek ngado. Dhe ulem të shkruaj përsëri.
Po të tregoj se shumë herë më është dashur të përfshihem në forcën e madhe që kanë vogëlsirat e rutinës, mendësitë e njerëzve që fati i sjell në rrugën tonë, për një qëllim të caktuar. Sjelljet e tyre fshehur mirë pas hipokrizisë së shkëlqyer, e cila serviret si pjesa më e mirë e mundshme e asaj që nuk janë.
Më është dashur të hesht. E më pas të largohem për të respektuar kufinjtë e lirisë sime.