Albspirit

Media/News/Publishing

Krijimtaria, pema më e begatë e jetës dhe veprës të Halil Ramës

 

 

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë Shqiptarë;

Kryetar i SHKA “Labëria”, Dega Tiranë

 

  • Krijimtaria intelektuale e Halil Ramës është “Testament historiko-kulturor”, ku dominon Mëmëdheu si për çdo shqiptar, sepse “Atdheu fillon nga familja”, ku Shqipëria dhe kombi shqiptar është trashëgimi brezash në shekuj. Është evident, sepse emrat e huaj u vendosen fëmijëve si një manovër “për të ngritur statusin e familjes dhe për ta bërë më të butë procesin e integrimit”, edhe pse kjo është një diritëshkurtësi, pasi shqipja është një nga gjuhët më të vjetra dhe më unike në Europë

 

Shkrimtari i mirënjohur Halil Rama ka një të kaluar pasionante në shërbim të kombit. Krijimtaria është pema më e begatë e jetës së tij. Seria e botimeve sa vjen e plotësohet dhe bëhet tepër e larmishme në të 23 librat e tij, që janë mbushur me ngjarje, personazhe dhe mesazhe; jetë artistikisht që të lënë mbresa.

Shprehja latinë, “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”, qartëson dhe kthjellon atë që shumëkush ka shkruar e folur për Halil Ramën, për fushën e veprimtarisë letraro&publicistike, sikurse janë penat e Profesor Shaban Sinani, Prof. dr. Skënder Kodra, Prof. Bujar Kapexhiu, Prof. Dr. Fatmir Terziu, Dr. Selman Mëziu, Dr.Hajri Mandri, Dr.Fejzulla Gjabri, si dhe vlerësimet që i kanë bërë Shpendi Topollaj, Andon Andoni, Shefqet Meko, Sakip Cami, Naim Berisha, Namik Selmani, etj.

Libri më i fundit i tij “RILINDJA E EMRAVE”, i sapo botuar nga Shtëpia botuese prestigjioze “NACIONAL” (themeluar dhe drejtuar me kompetencë e profesionalizëm nga poeti, publicist dhe analisti i mirënjohur Dr.Mujë Buçpapaj) është pjesë e talentit, imagjinatës dhe produkt cilësor i “Mjeshtërit të Madh” Halil Rama.

Ai e ka titulluar “Rilindja e emrave” (Esse & Refleksione & Kritikë letrare). Ky libër formëson edhe më shumë personalitetin artistik të një shkrimtari që nuk i përket më zonës krahinore të “Nandë Maleve të Dibrës”, por tashmë është formësuar si një shkrimtar që ka në zemër shqiptarizmën, idealet dhe interesat kombëtare.

 

Kolorit letraro-artistik tek vepra “Rilindja e emrave”

 

Në veprën më të fundit letrare të shkrimtarit tashmë të njohur Halil Rama “Rilindja e emrave”, në të 230 faqet e librit gjen jetën, njerëzit, atdheun, finesën kulturore, krenarinë dhe dashurinë mëmëdhetare, përmes temash që të trokasin në mendje dhe zemër si: “Domosdoshmëria e mposhtjes së ‘dimrit” demografik’, që pulson me jetën e popullit dhe që shoqërohet me ‘Rilindja e emrave’, problem ky, i madh kombëtar, që ka filluar të mirëkuptohet nga shqiptarët në trojet etnike dhe në diasporë. Kur dëgjon e shikon emërtime sinjifikative “Krenar për emra shqiptarë”, dhe që në thelb ngjall shpresë e dëshirë që prindërit e fëmijëve t’i referohen historisë së kombit shqiptar duke i trashëguar pasardhësve të tyre historinë e kombit tonë edhe përmes rilindjes së emrave, identiteti i kombit shqiptar nuk vdes kurrë.

Autori, i ndjeshëm, e lejon mendimin të “bredhë” i lirë në trojet etnike për të gjetur të mirat e trashëguara shekujve. Dhe emri është gjetja e parë që është themeli i identitetit kombëtar. Nuk është e rastit që akademiku Rexhep Qosja, i mëshon faktit se: “emrat janë pasuri e madhe kombëtare, mbajnë vulën e traditës, zakoneve, kulturës, psikologjisë, botëkuptimit, historisë dhe filozofisë popullore”.

Autori i bën autopsi epokave të vendosjes së emrave, dhe në një farë mënyre i bën thirrje pjesës së pandërgjegjësuar për të qëndruar thellë në tabanin kombëtar, për të frenuar fenomenin e emrave shqiptarë si “shartesa e nënshartesa të kombeve, llojeve e racave të ndryshme”, që kërkojnë përkthyes për t’i kuptuar. Nga ana tjetër një vlerë e madhe që duhet përkrahur janë emrat e shqiptarëve të Kosovës që janë shembull i traditës, i vlerave të popullit tonë, që duhet përshëndetur dhe përgëzuar si një trashëgimi kulturore e atdhetarizmit ilirikodardan.

Tendenca e emrave të huaj manifestohet jo vetëm te fëmijët, por edhe te institucionet private, lokalet, e deri te emisione televizive, një tendencë pa fre e papërgjegjëshme e shoqërisë shqiptare, por edhe e kabineteve qeveritare në këto tre dekada vjet që nuk kanë treguar vëmendje për këtë fenomen që e gërryen pa mëshirë çështjen e identitetit kombëtar. Është koha për t’i thënë “ndal” një fenomeni që asnjë atdhetar me zemër shqiptare nuk e dëshiron. Ndonjë shkon pas trendit gjoja “euro-amerikan”, dhe që harron pasojat. Alarmi me emër “Rilindja e emrave” është më se evident.

Krijimtaria intelektuale e Halil Ramës është “Testament historiko-kulturor”, ku dominon Mëmëdheu si për çdo shqiptar, sepse “Atdheu fillon nga familja”, ku Shqipëria dhe kombi shqiptar është trashëgimi brezash në shekuj. Është evident, sepse emrat e huaj u vendosen fëmijëve si një manovër “për të ngritur statusin e familjes dhe për ta bërë më të butë procesin e integrimit”, edhe pse kjo është një diritëshkurtësi, pasi shqipja është një nga gjuhët më të vjetra dhe më unike në Europë. Ndërkohë që autori thotë me fakte se, “shqipja është shumë e pasur, plot ngjyra dhe të jep mundësi të përzgjedhësh emra të mirë, ndërsa ruan gjithashtu traditën, identitetin, kulturën, historinë që është një rojtare e kujtesës sonë kombëtare. Identiteti kombëtar duhet mbrojtur me çdo kusht, me çdo sakrificë”.

Në pjesën “Ezopi i Dibrës, Hazis Ndreu”, Halil Rama është qibar në përzgjedhjen e referencave ku vijnë korifenjtë e letrave shqipe, Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, Kolë Jakova, Drago Siliqi, Agron Tufa, etj., që e kanë quajtur “Ezopi i Dibrës”, “Burri i Odës Dibrane”, “magu”, i cili me prekjen e tij magjike e ngre peshë zemrën e çdo shqiptari”. Fakt është se këngët e  Hazis Ndreut, janë këngë të krenarisë kombëtare, të njohura jo vetëm në metropolin shqiptar, por edhe në Stamboll, Ulqin, Shkup, Kërçovë, Strugë, Prishtinë, etj, një krenari kombëtare si simbolika më e mirë e festivaleve kombëtare e ndërkombëtare.

Për “Memoriali i eksodit të dibranëve” duhet të të shkojë mendja dhe të bëhesh një i trupëzuar me historinë e Dibrës dhe të jetosh me hallet njëshekullore të dibranëve, të atyre  mijëra familjeve të Dibrës së Madhe, që i shpëtuan gjenocidit të dëbimit të serbëve një shekull më parë, që ecën për ditë e netë të tëra në këmbë, dhe gjetën kryeqytetin e trungut mëmë, Shqipërisë, të mikëpritur bujarisht nga tiranasit, për ata që formuan edhe “Rrugën e Dibrës”, “Mëhalla e dibranëve”, “Komuniteti dibran i Tiranës”.., për ata që e bënë Tiranën, më të bukur, më të mençur dhe më punëtore. Dibranët e Tiranës, janë 110 vjeçar në Tiranë, dhe nuk e kanë harruar kurrë mikpritjen bujare dhe bamirëse të tiranasve. Por ata shkruan dhe lanë një epope të “luftës 9 vjeçare të “Nandë Maleve të Dibrës”. Kryengritja ishte shumë e suksesshme, sepse zgjoi kombin shqiptar nga identiteti për ruajtjen e trojeve kombëtare. Dhe kjo lëvizje pati karakter ndërkrahinor dhe ndërshtetëror.

Halil Rama di të depërtojë në analet historike e dokumentare për të sjellë të vërteta historike që lidhen me kolonelin Von Laffer, kryetari i Komisionit Ndërkombëtar të Kufinjve lindor, nga Struga në Kukës që raportonte: “Dibra, ishte një qytet me rreth 45 mijë banorë, e që llogaritej qyteti i katërt mbas Shkodrës, Prizrenit, Janinës dhe Korçës..”.

Të vërtetat historike nuk ka histori të kamufluar që mund ti mbulojë. Dielli nuk mbulohet me shoshë! Autori me ndjeshmëri atdhetare gjen vendin të ngrejë çështjen “Pse mungon një nga ‘Nandë Malet e Dibrës’ në memorialin e Gjoricës” dhe nuk lejon injorimin e historisë, pasi “Lufta e Gjoricës e korrikut 1844 kundër ekspeditës osmane të komanduar nga Hajredin Pasha është e famshme në histori, 400 vjet pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut”. Depërtim në histori përmes “Nandë Malet”  e Dibrës, një ‘shtet’ brenda shtetit është jo vetëm një kujtesë, por edhe një thirrje për të kthyer vështrimin tek ato vlera që e mbajnë të përbashkuar unitetin kombëtar, tek vlerat e shumta të përbashkimit, kjo edhe për ata pak “të harruar” pas botës së madhe të globalizimit, të “barazitizmit të vlerave”.

Të gjalla dhe frymëzuese në libër vijnë edhe profili i ikonës së këngës epike dibrane Qerim Sula, i cilësuar si “zëri kushtrimor i lavdisë shekullore” me interpretimin mjeshtëror si askush të këgës epike “ Na k’nojn pushkët nër kulla”;  “Dritan Çelaj, me 400 tabllo jetësore në galerinë e arteve”; “Xhavid Nimani – Ish normalisti që drejtoi për shtatë vite Kosovën si krahinë autonome”; “Muharrem Gjoka, krenari dibrane në metropolin shqiptar- Promovues i vlerave etnokulturore dhe atyre të LANÇ-it”; “Proza dhe poezia e Shefki Karadakut, si model për letrarët e rinj”; “Zhgënjimet dramatike të tranzicionit shqiptar në novelën “Viza amerikane” të Shefqet Mekos”; “Tri veçori në prozën e Vasil Premçit”; “Vepra Letrare e Astrit Gjunkshit në tri dimensione”; “Lura dhe personalitet e Lurës në një vepër enciklopedike”,  dhe më tej disa reportazhe pikante dhe që kanë material të bollshëm informativ, historik dhe kulturor si: “Bulqiza në 75 vite, minierë dhe qytet”, “Bulqizë, fabrika e pasurimit,  gjeneratore kryesore e prodhimit të kromit”; “Tri rrugë në Tiranë me emrat e personaliteteve të OBVL”, që u kushtohen Gjeneral Rrahman Parllakut, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, Liri Belishovës, gruas që sfidoi diktaturën, Edip Ohrit, legjendës së Aviacionit Shqiptar; “Muzeu “Klodian Tanushi” kushtuar “Heroit të Paqes”, Klodian Tanushi, emri i të cilit i është vendosur Shkollës së re në Qasarakë, te Fresku”; “Përjetësimi i kryekomisar Artan Cukut”; “Kadri Cani, zë dinjitos i elites dibrane – ndër sipërmarrësit më të suksesshëm”, si dhe “Bledar Kaca lartëson emrin e Ansamblit “Kuvendi” etj.

Këto janë shkrimet e një libri plot kolorit e vlera të shkrimtarit të mirënjohur Halil Rama, këtij intelektuali të përkushtuar, erudit dhe të kulturuar, që me ndershmëri dhe plot ngjyrime letrare, ka kontribuar në saktësimin e historisë, i ka dhënë dimension krijimtarisë, ka arritur të kontribuojë bindshëm në rritjen e ndjenjës së dashurisë për vendlindjen, ja ka shtuar krenarinë Dibrës dhe shqiptarisë, ka kontribuar në përpjekjet për bashkim kombëtar, i prirjes për ta respektuar njeri-tjetrin si shok, mik e vëlla, i ka dhënë vlera mbi të gjitha shqiptarisë, si një publicist dhe shkrimtar i mirënjohur. Halil Rama është mjeshtër i profilit, me personazhe që skaliten në memorie dhe mjeshtërisht ja ka dalë që të ngjitet në kolanën e 23 veprave të rëndësishme të lexuara dhe me vlerë për Dibrën dhe për Shqiptarinë.

 

Porteti i Atdheut i gdhendur në bedenat e historisë, kulturës

 

Janë më shumë se katër dekada krijimtari, pasion dhe përgjegjësi para lexuesit të shkrimtarit Halil Rama. Ai e filloi me pasion punën 43 vite më parë si  Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës së Muhurrit me 1980, për të mbrritur deri gazetar e drejtues në organet qëndrore të shtypit dhe autor i 23 librave të preferuar nga lexuesi dhe të promovuar bujshëm.

Dhe së fundi, kur ende nuk është tharë boja e shkrimit të një vepre të re: “Rilindja e emrave” -Esse & Refleksione & Kritikë letrare, që mban vulën e mesvitit 2023.

Kushdo ka lexuar veprën letrare të shkrimtarit Halil Rama gjen në një farë mënyre vetë jetën e gjithësecilit prej nesh, gjen njerëzit, jetën, gjurmët e pashlyera të fateve krahinore, të trevave atdhetare e patriotike, gjen krahinën e vet në një dimension të veçantë.

Faleminderit i nderuar Halil për këtë pruerje me vlerë për lexuesit shqiptarë!

Please follow and like us: