Frederik Ndoci: Pse na mallkoi historia?
Sepse Ilirët s’u bënë kurrë popull, por mbeten fise! Sepse Ilirët s’formuan një shtet, një perandori të vetme, por formuan disa shtete! Sepse Ilirët dhe shtetet e tyre s’qenë në unitet luftarak përballë pushtuesve të Perëndimit dhe të Lindjes! Sepse Batoja tradhëtonte Baton! Sepse shteti ilir lidhte aleance ushtarake me shtetin armik për të luftuar shtetin tjetër ilir! Sepse ilirët s’deshnin të bëhen gjeneralë e perandorë të Ilirisë, por bëheshin gjeneralë gjakatarë dhe perandorë katilë të Romës dhe Bizantit!
Pse na mallkoi historia?
Sepse Ilirët kurrë nuk u ngritën të tërë në kryengritje antiromake, por fis pas fisi! Sepse kur Ilirët e veriut u ngritën në kryengritje në vitin 156 p.e.s., fiset e tjera ilire bënin sehir! Sepse fiset ilire zgjoheshin vonë, ngriheshin njeri pas tjetrit në kryengritje antiromake dhe asnjëherë përnjëherësh dhe të bashkuar!
Pse na mallkoi historia?
Sepse Ardianëve dhe Pleuratëve u dilte gjumi i robërise romake në vitin 135 p.e.s. dhe ashtu të përgjumur shpërthenin në kryengritje! Sepse Dalmatëve u dilte gjumi në vitin 78 p.e.s. Sepse Pirustët zgjoheshin nga gjumi i robërisë në vitin 54 p.e.s. Sepse Panonët zgjoheshin në vitin 16 p.e.s. dhe në vitin 12 p.e.s. Sepse Dalmatët zgjoheshin përsëri në vitin 12 p.e.s., por pasi ishin kënaqur duke fjetur plot 66 vjet dhe pasi ishin kënaqur duke soditur se si gjakosen fiset e tjera ilire, vëllezërit e tyre të nënës, të gjakut e të gjuhës! Sepse disa fise ilire nuk u zgjuan kurrë nga gjumi i robërise romake, bizantine e sllave derisa u asimiluan! Sepse edhe atëhere kur u doli gjumi përnjëherësh shumicës së fiseve ilire dhe shpërthyen kryengritjen e viteve 6-9 të erës sone, ngriti krye tradhëtia, iliri tradhëtoi ilirin, kurse luftën e fitoi ushtria romake!
Pse na mallkoi historia?
Sepse Arbëreshët ishin pasardhësit e Ilirëve! Sepse Arbëreshët, porsi Ilirët, nuk donin të kenë vetëm një Arbëri të përbashkët, të bashkuar, por donin shumë principata arbërore! Sepse Arbëreshët mezi pritën që të tërhiqet perandoria romake nga Iliriku, që të jenë të lirë për të luftuar në mes veti për principatat e tyre: për ara e livadhe, për male e kodrina, për burime e bashtina…! Sepse kapedanët arbëreshë nuk luftonin për liri, por për pasuri! Sepse në çdo majë mali e kodre, në çdo qytet e fshat delte nga një kapedan dhe pasi rrethonte me gardh prej thuprave të shelgut një copë tokë të plaçkitur e të tharë nga armiqtë pushtues, duke rrahur gjoks, bërtiste: “Unë jam prijësi, kjo është Arbëria”!
Dhe kështu, kapedan pas kapedani e princ pas princi shtoheshin principatat arbërore, shtoheshin “Arbëritë”, kurse Arbëria s’formohej kurrë, Arbëria nuk çlirohej kurrë!
Ngrihej pastaj mbi gërmadhat e perandorisë romake perandoria bizantine dhe i shembte përtokë, me një goditje shkelmi, gardhiqet e shelgut që rrethonin principatat familjare të princërve të vetëshpallur arbërorë!
Binin princërit nga froni, por nuk shuhej ambicia e tyre për ringjalljen, jo të Arbërisë, por të principatave të tyre familjare! Disa princër vriteshin me shpatë në dorë, disa merrnin në sy botën, disa arratiseshin maleve, disa të tjerë shndërroheshin në vasalë, në mercenarë e shërbëtorë të pushtueseve për një gradë!
Pse na mallkoi historia?
Sepse pa u tharë ende në letër vula e Besëlidhjes së Lezhës, Nikollë e Pal Dukagjini ia kthyen shpinën Gjergj Kastriotit – Skënderbeut! Sepse Moisi Golemi, nga lakmia e zilia, tradhëtonte Skënderbeun dhe në krye të ushtrise osmane sulmonte Arbërinë, popullin e vet dhe ushtrinë arbërore të Gjergj Kastriotit! Sepse Hamza Kastrioti, nga lakmia e xhelozia, tradhëtonte xhaxhain e vet dhe arratisej e kthehej në ballë të ushtrisë armike për të nënshtruar Arbërinë, për të mposhtur Gjergjin!
Pse na mallkoi historia?
Sepse princërit arbëreshë s’ishin fare në unitet politik e as luftarak në luftë të përbashkët kundër robërisë osmane! Ata luftonin, hapur e prapa shpine, njeri-tjetrin! Ata luftonin për zgjerimin e principatave të tyre, jo për çlirimin e Arbërisë!
Principata arbëreshe luftonte kundër principatës tjetër arbëreshe, duke lidhur aleancë herë me Venedik e herë me Turqi, herë me mikun e herë me armikun, për interesa të ngushta të princërve feudalë! Aleance e vasalitet me armikun për të luftuar vëllaun, për të nënshtruar principatën tjetër arbërore!
Skënderbeu luftoi për një çerek shekulli rresht për të çliruar Arbërinë, por s’e çliroi dot! Ai mundi vetëm të çlirojë dhe të zgjerojë pak principatën e Kastriotëve, përafërsisht Shqipërine e sotme të Mesme! Skënderbeu nuk mundi ta çlironte e ta bashkonte Arbërinë, sepse Arbëria ishte dy herë e pushtuar dhe dy herë e copëtuar: prej perandorisë osmane dhe prej kapedanëve e princërve arbërorë! Ushtritë osmane Skënderbeu i theu dhe i shpartalloi me dhjetera herë, por princërit dhe principatat arbërore nuk mundi t’i bashkojë dot! Ata nuk e deshnin unitetin, nuk e deshnin bashkimin, nuk e deshnin çlirimin! Ata nuk e dëshnin Arbërinë e bashkuar, të lirë e sovrane! Ata e deshnin Arbërinë e copëtuar në disa principata të robëruara e vasale të Turqisë, me të vetmin kusht, që ata të ishin princër të atyre principatave! “Princër” nën bajrakun e Turqisë! Dhe kështu, luhej vallja e moçme iliriane në truallin e Arbërisë: princër e principata në dyluftim dhe në armiqësi të përhershme me njera-tjetrën!
Pse na mallkoi historia?
Sepse princërit egoistë e ziliqarë arbëreshë nuk e përkrahën ushtarakisht Skënderbeun! Sepse Lekë Dukagjinit vonë i ra ndër mend që të shkulë leshrat e tij për vdekjen e Gjergj Kastriotit! Sepse edhe pas vdekjes së Skënderbeut princërit dhe principatat arbërore nuk u bashkuan kurrë në luftë të përbashkët kundër pushtuesve osmanllinj!
Sepse princërit dhe kapedanët arbëreshë i trashëguan bajraktarët dhe pashallarët shqiptare! Sepse principatat arbërore i trashëguan pashallëqet shqiptare! Dhe lufta e brendshme për pushtet, dominim e pasuri në mes të bajraktarëve, pashallarëve dhe pashallëqeve shqiptare vazhdoi! Vazhdoi copëtimi i Shqipërisë! Vazhdoi avazi i vjetër i shqiptarëve, vazhdoi edhe robëria e Shqipërisë!
Pse na mallkoi historia?
Sepse Pashallëku i Shkodrës nuk i ndihmonte Pashallëkut të Janines! Sepse Ali Pashë Tepelena luftonte kundër Sulit! Sepse Pashallëku i Janinës luftonte kundër Pashallëkut të Shkodrës, të Vlorës, të Beratit, të Delvinës, të Elbasanit, të Kavajës…! Sepse pashallëqet e pashallarët shqiptarë luftonin kundër njeri-tjetrit! Sepse nuk bashkoheshin pashallarët dhe pashallëqet shqiptare! Sepse sëpari luftonin për vete, pastaj, shumë pak, për Shqipëri! Dhe s’fitonin as pashallarët, as Shqipëria! Dhe fitonte armiku, vazhdonte robëria!
Pse na mallkoi historia?
Sepse shqiptarët kurrë nuk u ngritën në luftë çlirimtare si një popull i bashkuar dhe nën një komandë të vetme ushtarake! Sepse shqiptarët luftonin me rend: posa shuhej në gjak një kryengritje në Veri të Shqipërisë, shpërthente tjetra pas disa muajsh apo vitesh në Jug! Sa shuhej një kryengritje në Kosovë, kërciste tjetra në Shqipërinë e Mesme! Shuhej një kryengritje shqiptare në Karadak, shpërthente pas një kohe tjetra në Pollog! Sa shuhej një kryengritje antiturke në pranverë, shpërthente tjetra në vjeshtë, por në krahina të ndryshme të Shqipërisë!
Sikur bënin gara bajraku me bajrak e krahina me krahinë se cila po ngrihet më shpesh në kryengritje, se cila po e mban më gjatë frontin e luftës! Sikur po bënin luftë se cili është më shqiptar se shqiptari, por shumë pak e shumë rrallë u shkonte ndërmend se si t’i bashkojnë armët dhe forcat luftarake për çlirimin jo të një fshati apo krahinë, por për çlirimin dhe bashkimin e gjithë Shqipërisë!
Kur luftonte një pjesë e Shqipërisë, tjetra bënte sehir! Gjakosej e digjej një krahine shqiptare, tjetra shikonte nga maja e malit tymin dhe flakën mbi shtëpitë e kasollet e krahinës fqinje dhe s’lëvizte dot nga vendi! Kur më vonë digjej krahina fqinje që kishte bërë sehir, krahina e djegur kohë më parë, jo vetëm që nuk i ndihmonte, por s’kish kohë e forcë nga plagët e marra armike, as që të bëjë sehir se si po digjet krahina fqinje!
Dhe kështu rradhiteshin shekujt e robërise shqiptare: kryengritje pas kryengritjeje krahinore, djegije pas djegijes, gjakosje pas gjakosjeje, sehir pas sehiri… por kurrë bashkim, kurrë çlirim, kurrë liri!
Pse na mallkoi historia?
Sepse shqiptari mbeti shqiptar kapedan e princ, shqiptar bajraktar e pashá, shqiptar egoist e karrierist, shqiptar mendjemadh e lokalist, shqiptar mercenar e tradhëtar!
Sepse Abdullah Pashë Dreni tradhtoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit! Sepse kryengritësit shqiptarë të Kosovës nuk e dëgjonin Hasan Prishtinën! Sepse shqiptarët nuk e donin sulltan Reshatin, por e donin sulltan Hamitin! Sepse shqiptarët nuk luftonin për pavarësi, por për autonomi! Sepse Ismail Qemali zbriti në Durrës kur ¾ e Shqipërisë ishte e pushtuar nga greko-sllavët! Sepse pavarësia e Shqipërisë u shpall në Vlorën e lirë, por në Shqipërinë e pushtuar! Sepse Esat Pashë Toptani ishte kundër Ismail Qemalit! Sepse Shqipëria e copëtuar i kishte dy qeveri: njërën në Vlorë e tjetrën në Durrës! Sepse Shqipërisë nuk i pëlqenin dy qeveritë dhe qeveritarët e saj dhe thërriste gjermanin princ Wid! Sepse shqiptari, ndër shekuj, nuk ishte mësuar që ta qeveris dhe komandojë shqiptari, por i huaji!
Pse na mallkoi historia?
Sepse shqiptarët toleruan që armiqtë turko-sllavë ta dëbojnë Ymer Prizrenin, që ta burgosin Abdyl Frashërin, që ta varin Sulejman Vokshin, që ta vrasin në pabesi Dedë Gjon Lulin e Mehmet Shpendin, që ta vrasin me tadhti Ramadan Zaskocin e Haxhi Zeken, Çerçiz Topullin e Isa Boletinin!
Sepse shqiptarët e bënë revolucionin demokratik të Qershorit ’24 dhe po “shqiptarët” e prishën atë! Sepse zogistët luftonin kundër demokratëve fanolistë! Sepse Fan Noli nuk e dëgjoi Bajram Currin!
Pse na mallkoi historia?
Sepse Balli Kombëtar dhe Fronti Nacionalçlirimtar nuk u pajtuan e nuk u bashkuan në luftë të përbashkët antifashiste! Sepse shqiptarët partizanë dhe shqiptarët ballisto-zogistë luftuan kundër njeri-tjetrit! Sepse shqiptarët e Shqipërisë nuk u bashkuan me partizanët e Kosovës! Sepse Shqipëria dhe Kosova e bënë luftën antifashiste ndaras! Sepse partizanët shqiptarë iu besuan tepër partizanëve jugosllavë! Sepse komunistët shqiptarë më shumë ishin internacionalistë se sa nacionalistë! Sepse ideologjia internacionaliste në Shqipëri dominoi mbi ideologjinë kombëtare! Sepse ideologjia komuniste e hodhi Shqipërinë në prehrin dhe kthetrat e armiqve shekullore të saj!
Pse na mallkoi historia?
Sepse bijtë e Shqipërisë u bënë perandorë e gjeneralë të Perandorisë Romake e Bizantine, por asgjë të mirë nuk i dërguan nënës së tyre – Ilirisë, përveç ekspeditave gjakatare të legjioneve ushtarake romako-bizantine!
Sepse bijtë e Shqipërisë u bënë pashallarë e sadrazemë të Perandorisë Osmane, por përveç ekspeditave ndëshkuese ushtarake, asgjë tjetër nuk i dërguan nënës së tyre të robëruar – Shqipërisë!
Sepse bijtë e shquar të Shqipërisë nuk ishin të gjithë patriotë, por shumë prej tyre ishin plangprishës e egoistë, të cilët punuan për armiqtë dhe pushtuesit e Shqipërisë!
Pse na mallkoi historia?
Sepse Shqipëria lufton për ekonomi, Kosova për pavarësi, Maqedonia shqiptare – Ilirida për autonomi, kurse shqiptarët nën Serbi – Kosova Lindore dhe ato në Mal të Zi – Malësia e Madhe luftojnë për ekzistencë kombëtare! Sepse shqiptarët ende i kanë shumë princër e principata, shumë bajraktarë e bajraqe, shumë pashallarë e pashalleqe!
Pse na mallkoi historia?
Sepse shqiptarët e humbën Shqipërinë ilirike! Sepse shqiptarët s’e bashkojnë Shqipërinë etnike! Sepse shqiptarët mohojnë Çamërinë! Sepse shqiptaret po e humbin Iliridën! Sepse shqiptarët po e mohojnë Kosovën Lindore! Sepse shqiptarët nuk e kujtojnë Malsinë e Madhe! Sepse është e përçarë Shqipëria londineze! Sepse kur greko-sllavët hartojnë hapur plane për copëtimin e Shqipërisë, shqiptarët kryqëzojnë duart e thonë: “Bëje zot ëndërr”!
Pse na mallkoi historia?
Sepse shqiptarët kanë shumë armiq dhe tepër pak miq! Sepse shqiptarët ishin tepër internacionalistë dhe luftonin e vriteshin për lirinë e shteteve fqinje! Sepse shqiptarët janë përsëritës të pakorrigjueshëm të gabimeve të mëdha historike të paraardhësve të tyre!
Pse na mallkoi historia?
Sepse shqiptari që në kohë të moçme e kish dhe i mbeti në gjak tradhëtia, zilia, lakmia, egoizmi, karrierizmi, mendjemadhësia, bajraktarizmi, lokalizmi,…!
Sepse shqiptari edhe sot lufton i ndarë, i copëtuar dhe i përçarë! Sepse shqiptari ende e tradhton shqiptarin! Sepse shqiptari ende e lufton shqiptarin! Sepse ndër shqiptarë ende është më e fortë ndjenja e karrierizmit se ndjenja e atdhetarizmit! Sepse shqiptarët ende nuk luftojnë për Shqipëri, por për kolltuqe e principata moderrne!
Pse na mallkoi historia!
Sepse ende s’janë zhdukur esat toptanët e zogollianët! Sepse ende s’janë ngritur në këmbë avni rrustemët! Sepse bota ka arritur deri në Hënë, kurse shqiptaret ende falin e s’falin gjaqet! Sepse shqiptarëve u mungon urtësia, guximi dhe forca! Sepse shqiptarët ende nuk e meritojnë bashkimin kombëtar, sovranitetin dhe lirinë!
Pse na mallkoi historia?
Sepse shqiptari nuk ka fé shqiptarinë! Sepse shqiptarët as nuk kanë qenë as nuk janë në unitet e pajtim kombëtar! Sepse shqiptari është gjumash i madh dhe i del gjumi kur bëhet tepër vonë! Sepse shqiptari është mburravec, është i fjalëve të mëdha e i punëve të vogla! Sepse patrioti nuk është patriot, demokrati nuk është demokrat dhe revolucionari nuk është revolucionar! Sepse shqiptari së pari duhet të luftojë me “shqiptarin”, pastaj me armiqtë pushtuesë! Sepse shqiptari është romantik e jo realiste! Sepse shqiptari është anarkist e nihilist! Sepse shqiptari është besnik ndaj të huajve dhe i pabesë ndak shqiptarit! Sepse shqiptari e ka braktisur Besën Shqiptare! Sepse Besa e Burrëria për shqiptarin sot nuk kanë vlerë, ai ato i ka shndërruar në relike muzeale dhe jo në frymëzim për veprim!
Pse na mallkoi historia?
Sepse shqiptari mbeti “shqiptar”, prandaj edhe Shqipëria mbeti “Shqipëri”! Sepse Shqipëria ndahej e copëtohej pandërprerje, epokë pas epoke: nga shtetet ilire në principatat arbërore, nga pashallëqet shqiptare në vilajetet turke dhe nga vilajetet turke në banovinat, obllastët dhe pokrajinat sllave!
Ndarje zinxhir, por kurrë bashkim! Mallkim, mallkim dhe prapë mallkim! Përçarje, përçarje dhe vetëm përçarje! Robëri, robëri dhe përsëri roberi!
Pse na mallkoi historia? Pse? Pse? Pse?
Pse? Sepse! Pse? Sepse! Pse? Sepse!
Pse, pse na ndoqi fati i zi në vazhdimësi, nëpër histori, në pafundësi?!
O Zot! O djall! O shqiptar! A ka fund?!
Mallkim, mallkim dhe prapë mallkim! Përçarje, përçarje dhe vetëm përçarje! Robëri, robëri dhe përsëri robëri!