Albspirit

Media/News/Publishing

Fenomenologjia e Politikës Shqiptare sipas Faik Konicës

 

Melsen Kafilaj, studiues

Faik Konica (1875-1942)

Achtung!

Ky artikull përmban fjalë dhe imazhe sensitive të cilat dëmtojnë rëndë Injorancën, Dallkaukllëkun Politik, Arrivizmin Proverbial dhe Sarafët e Interesit Kombëtar. Këshillohet që t’i rrinë larg Pleqtë-Çiliminj, Militantët me zemër të dobët, “Doktorët (Ph.D.-të) me tesera partiake të Universitetit të Zullulandit” dhe “Gishtagoret Facebookiane të Gubernës”. Autori i veprës dhe ai i artikullit nuk mbajnë përgjegjësi penale për pasojat e tij post-lëçitëse.

Në Provintzën tonë, ashtu si në çdo cep tjetër të botës me të njëjtin emër dhe rank ekziston një mentalitet i lashtë homicid që këdo që thotë të Vërtetën e mbërthejnë nëshkëmb, e zënë me gurë deri sa të jap firomën e fundit, e kryqëzojnë, e syrgjynosin dhe më e keqja nga të gjitha e vrasin kolektivisht me harresë. Një prej formave të mësipërme do ti ndodhte edhe Faik Konicës, personit me “Beretta M1934” tek koka (për ata që s’dinë të këndojnë kartë dhe i mësojnë gjërat vetëm duke i parë si Ikonat), një erudit dhe një intelektual par excellence i cili gjatë gjithë jetës i këshilloi shqiptarët sesi “të vrisnin mëndjen” dhe jo ti derdhnin gjakun vetvetes apo tjetrit, duke e përbuzur katërcipërisht këtë akt barbar. Por në një vend në të cilin jeta e Kurmit ka vlejtur gjithmonë më tepër se jeta e Mëndjes dhe kur kjo e fundit është trajtuar përherë si ndonjë çikërrimë, akti i thënies të së Vërtetës me zë të lartë në Agora është cilësuar gjithmonë njëheresia graviorapër Ne shqiptarët; akt që meriton linçimin dhe harresën.

Konica, i cili ndryshe nga aradha e“Intelektualëve-Partizanë” të cilët kanë thurur “Epopenë e Popullit Tonë në vargje”, duke e glorifikuar Shqiptarin e lindur para Adamit si më të mirin, më të bukurin, më të përsosurin dhe më të zgjuarin e Dheut ka vënë buzën në gazteksa e ka dëgjuar këtë gomarllik me brirë dhe pasi ka heshtur cazë ka kumtuar: “Pa daleni njëherë, o të uruar! NE nuk jemi omfalosi i Botës”! Pikërisht, të treguarit të gjërave Vulgut ashtu siç janë, dmth “troç” dhe jo si në Kohën e Perëndive apo të Heronjve, plot imagjinatë poetike por pa refleksion, siç do të shprehej Vicodo ta bënte Konicën tonë “të urryer”, “ekscentrik” (sipas një kritiku marksist) dhe aspak “popullor”. Konica asnjëherë nuk do t’i binte kavallit bukolik të Romantizmës për të magjepsur pas vetes Gjindjen por klarinetës së Dennerit; kjo e fundit përherë e qartë (clarus-lat) në tingujt e saj realist.

I rehabilituar fare vonë në Atdhe, ky njohës me themel i Psyche-s dhe Botëkuptimit Shqiptar do të ishte gjithashtu një vëzhgues i mprehtë dhe një zhbirues i thellë i fenomenologjisë së politikës shqiptare. Vëzhgime tepër të vyera, të cilat këta të fundit as nuk i këndojnë nëpër librat e tij dhe as nuk i nxënë mend. Le t’i marrim me radhë disa prej këtyre konstatimeve.

  1. Mbi Kultin e Adhurimit të Individit në politikë

Duke konstatuar që Shqiptarët kapen më tepër pas Individëve specifikë sesa pas Çështjes Kombëtare apo Interesit Kombëtar (diçka që ndodh edhe në ditët tona) dhe e adhurojnë Njëshin sikur ta kishin Perëndi, Konica shkruan tek “Albania”: “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët.Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”.

  1. Mbi mungesën e Idealizmës dhe Vizionit politik të Udhëheqësve tanë

“Populli im humbet për mungesë vizioni”- thotë Libri (βίβλος). Duke përsijatur mbi këtë fenomen politik recidiv të çdo kohe Konica konkludon: “Me një njeri pa qytetari, pa fuqi mendore dhe pa idealizmë në krye të Shtetit, shpresa jonë për një Shqipëri të zhvilluar në shëndet e bukuri është një shpresë e humbur”.

3.Mbi Hajninë politike dhe zaptijellëkun

Hajnia, si mjet mbijetese siç u shpreh njëherë Budi shpirtbardhë është një fenomen proverbial ndër shqiptarë. Po aq e lashtë është edhe hajnia politike. Për këtë fenomen që s’ka shumë nevojë për koment, Konica shkruan: “Qeveritarët tanë s’janë veçse një gang (bandë-shën. im) hajdutësh dhe sodomitësh që e rrjepin dhe e çnderojnëpërditë Popullin”. A nuk janëtë tillë edhe sot?!

4.Mbi partitë politike

Partitë politike mbijnë përditë si puna e kërpudhave pas shiut në Shqipëri. Sipas raportit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2023 na rezulton se janë 132 të tilla. Pra shumë herë më tepër se spitalet (54) dhe bibliotekat publike (12 të tilla) në vend. Për këtë “shumim folesh matrapazësh dhe dallaverexhinjsh” ja se si shkruan Konica tek “Dielli” 100 vjet më parë: “Pamë këto ditë një provë tjetër të themelimit “të dy partive të reja”. Asnjë nga këto dy parti s’ka ndonjë gjë të re brënda, as njerëz të rinj, as parime të reja; njerëzit janë ata që kemi njohur edhe më parë në disa partira të tjera… the same old damned thing; një grup njerëzish që nuk i lidh as një e shkuar e përbashkët as dashuria për një ideal të përbashkët por vetëm ca inate dhe interesa të çastit. Ky themelim (i cili do të mbetet themelim në kartë vetëm) i dy partive të reja të cilat janë pa kokë,pa trup dhe veçan pa frymë nuk është gjë tjetër veçse një lodër fjalësh-një ndryshim etikete, ndryshim që Shqiptarët pas zakonit të tyre e quajnë përparim”.

5.Mbi fryrjen e Administratës Publike me militantë dhe të paaftë

Nëse mendoni që Administrata Publike aktuale ka një legjion militantësh dhe një tabor të tërë “robotësh” dhe “ekspertësh”, mos u habisni. S’keni parë dhe dëgjuar gjë akoma! E kemi “traditë” që nga themelimi i Shtetit të Parë Modern Shqiptar që më 1912-tën. Dhe tradita vazhdon pa ndërprerje nga njëra qeveri në tjetrën pavarësisht ideologjisë apo ngjyrës së flamurit partiak. Ja fjalët në mur të Konicës: “Në politikën e brëndshme, “guvernat” që morën fuqinë, në vënd që të afronin e të mblidhnin elementët e mirë të përndarë tutje tëhu, këta të fundit i mprapsnë dhe thirrnë nga të gjith’anët e botës Shqiptarët më të prishur nga karakteri, me pak fjalë njerëz të turpit e të litarit.Në vënd që të pakësonin numrin e memurëve dhe rrogën e tyre dhe të zgjidhnin më të zotët e vendit, përkundrazi ndodhi e kundërta; numri i memurëve u rrit shumë herë më tepër se në kohën e Turqisë po ashtu ju rritën edhe rrogat”…

  1. Mbi drejtimin e Politikës së Jashtme dhe emërimet e Ambasadorëve nëpër botë

“Çudirat” me emërimet e Ambasadorëve apo abuzimet me këtë post i cili pasqyron dinjitetin e Shtetit në shkallën më të lartë vazhdojnë edhe një shekull më pas. Mbi këtë fenomen, Konica në 1923-shin e largët do të shkruante: “Një shëmbull të bukur të mënyrës me të cilën drejtohet politika e jashtme e Shqipërisë e gjejmë tek fakti i çuditshëm ndonëse jo i papritur që “guverna” e Tiranës dërgon në Beograd një Ministër të Klasit të Parë ndërsa në Romë një Ministër të klasës së parë! A kemi të bëjmë me budallenj apo me zuzarë? Pa dyshim me zuzarë. Xhepi, Inati, Qejfi dhe jo kuptimi (…) me mendimin e së Nesërmes rregullojnë politikën e jashtme të Shqipërisë”.

  1. Mbi humbjen e Besimit Publik tek Politika Shqiptare

Besimin publik, sociologu britanik Russell Hardin e definon si një marrëdhënie të veçantë ndërmjet dy palëve në lidhje me një veprim apo një varg veprimesh që kanë të bëjnë me të Mirën Publike (Common Good). Ja sesi e shpreh këtë humbje të besimit publik të Shqiptarëve te politika Konica ynë: “Po pse të humbim kohën? Populli u dënd me gënjeshtra prej klikës së natës dhe të turpit. Ka humbur besimin tek politikanët.Dhe Populli s’ka faj se politikanët nuk e meritojnë aspak këtë besim. Politikanët janë tallur dhe vazhdojnë ende që të tallen me të.Ai është lodhur me të njëjtët njerëz dhe të njëjtat fytyra të cilët ndërrojnë partitë e flamurin por jo natyrën e tyre prej zuzari të errësirës duke i vënë kështun kazmën Shqipërisë. A ësht’ e drejtë që qetësia, zhvillimi, jeta e një Kombi të vihen në rrezik nga një bandë vagabondësh pa ndërgjegje”?

Si përfundim, mund të themi që këto konstatime të Konicës mbi Politikën janë të çmuara jo vetëm për përshkrimin e detajuar të fenomeneve dhe aftësinë e tyre dritëhedhëse, por gjitha shtu shërbejnë edhe si intruktore të mira për të Ardhmen. Sepse, siç do të shprehej edhe profesori i Konicës në Harvard, George Santayana “kush nuk mëson prej gabimeve të së Shkuarës është i destinuar që ti përsëris ato edhe në të Ardhmen”. Gabime të cilat një Popull me mëndje dhe zemër të fjetur si ne vazhdon që t’i përsëris edhe 100 vjet më pas…

Please follow and like us: