Cikël poetik nga Avdush Canaj
TË SHTUNËN ÇEL BUKURIA
I them të premtes
shtrëngoje kalin mirë
e ik me vrap të erës.
E kam shoqe të mirë
s’më hidhërohet fare
vjen e shtunja, e lumja
në flatra të haresë
sjell Arien e Orikun
të m’i pikëlojnë vargjet
me buzëqeshjen e faqeve.
Të shtunën çel bukuria
në shtëpinë tonë.
NJË GJETH
Me këmishë të vjeshtës
një gjeth
fluturoi qiellit
ta shoh botën
si zogu.
GISHTI I DITËS
Ti krekosesh si kacagjel
se je i madh
e s’e ke parë asnjëherë
gishtin e ditës.
Unë e kam parë sot
më trokiti
në dritare të gjumit
dhe u fsheh
pas fustaneve të qershive.
E dëgjova mirë
kur i tha harabelushit për mua
sa qenka rritur Ani.
Si të mamit
e kishte unazën.
PAPRITUR
Një puthje
Më erdhi papritur në klasë.
S`ishte si e motrës
As si e vëllait
Pak më shumë ishte.
Përtej çokollatës
E pat ëmbëlsinë.
S`ka kutpim
Ta tregoj fshehtësinë.