Cikël poetik nga Embro Zholi
Eci
Eci në trotuar
S’jam vetëm
Me mua buzëqeshjet e shokëve
Me mua, ëndrrat për jetën.
Vij
…Vij pra nga fisi
Që brez pas brezi është marrë me bujqësinë
Ndoshta dikuj i mbetet hatri
Pse unë lëvroj poezinë.
Vij në fshat
Për fshatin dhe njerëzit ti më mësove t’i dua
Ata të mirë, të thjeshtë, të uruar
Më merr malli dhe shkoj
Më besoni se e ndjej kur iki pa ju takuar.
Pranë shtëpisë tënde
Kur kaloj pranë shtëpisë tënde
Qeni larman më derdhet si i marrë
Dhjetra metra lë vrapin unë
Dorën vë në buzë nga të qeshurit, iki pa e parë.
Sa herë e thirre ‘Larushin’ e çmendur
Që mua dhëmbët të mos m’i hapte
Po ai këpuste zinxhirin me dhëmbë
Kur unë të thërrisja: Mira hajde!
Më parë ‘Larushi’ qe i mirë
Ai atë natë u egërsua me mua
Që nën erën e trëndafilave të mbushur plot
Të thashë me gjithë zemër: Mira të dua!
Meditim fëmijërie
Kujtoj fëmijërinë si fëmijë
Dhe qesh kur shikoj fëmijën time duke pirë
A thua se edhe unë kështu
Kam pirë në gjoksin e nënës sime të mirë.
Mall
Iki andej
Malli më djeg
Për njerëz, vende, lumenj
Për bukurinë
Për erën e ëmbël të tokës
Për bagëtinë.
Për mëngjesin e skuqur me diell
Për natën e mbushur me yje.
Për ujin e kristaltë të urimeve
Për takimet…
Jam larg
Dhe në largësi më mbytin kujtimet.
Vitet që ikën
Vitet që ikën, ikën
Nuk kthehen më
Ndërsa për ty shënuan gjithçka
Për mua asgjë.
Vitet që ikën, ikën
Nuk dua të kthehem ndonjëherë
Por shpesh kur kujtoj ato
Pëshpëris: Na ishte njëherë.
Vajzave
Jo thjeshte se unë jam larg
Dhe shkruaj për ju nga nostalgjia
Duhet të më besoni vërtet
Jeta ime s’ka kuptim pa ju të dyja.
Shoqes së fëmijërisë
Që atëhere
Kur luanim me të njëjtën lodër
Unë të dija vërtet
Se të kisha motër.
S’e mbaj mend
Se ku flije ti, shoqja ime
Ndaj s’kisha si të të thoja
Ec e fli në shtëpinë time.
Tani që ti je në shkollë
Dhe unë në shkollë, siç deshi nëna
I shkruajmë letra njeri-tjetrit:
E dashur motër, i dashur vëlla!