Ardita Lajçi-Gjocaj: KU ISHE TI?
Kushtuar femrave të dhunuara, në luftën e fundit.
Trim i prapaskenave,
që në fushebetejë tjetërsohesh?
Ku ishe ti…?
Atëherë kur rënkimi im ra në vesh të shurdhër,
e nuk kisha një dorë fati të më përkëdhelë,
kur mizorisht u çnjerëzua dinjiteti im?
Me njolla gjaku ma përlyen vellon e pafajsisë,
ëndrrat mi grisën, shpirtin ma kanë vra.
Thërrmija shpirti u coptuan para këmbëve,
u bënë copë-copë.
Me forcën e fundit çava mjegullat e fatit,
në rrugët e shpresës u zvarrita këmbadoras.
Gjurmët e plagëve në trupin tim,
si hije do t’më përcjellin deri në amshim.
Ti, demon i ferrit tim,
më vret dita-ditës ngapak,
më poshtëron më shumë se ç’jam poshtëruar.
Si krimb gjurmon plagëve, që kurrë nuk u mbyllën.
E sheh, kam vdekë brenda gjymtyrëve të gjalla,
jam lodhur nga indifërenca jote,
mezi mbaj dhe lëkurën time.
Ti, mund t’i dëgjosh rrahjet e zemrës,
por s’mund t’i kuptosh dhimbjet në kraharor
që m’kanë rrënuar shpirtin, deri në gërmadha.
M’kanë shndërruar në grimcë pluhuri pa jetë,
që veç sillet nëpër erë.
Ndër damarët ku rrjedh jeta, ndiej veç dhimbjen.
Si qiriu shkrihem e tretem, e djeg veten dalëngadalë.
Më le ndër të fshehta monopate të harruar,
pas mjegullës mortore,
atje ku do t’tretem, e hi do t’bëhem.