Albspirit

Media/News/Publishing

Nduke Ukaj: Terr…

 

Natë! Shikoj diçka që nuk përkon me terrin

dhe ky mospërkim më hap horizonte.

Është terr, si në fillimet e kohëve

e veshët i kam hapë që të dëgjoj

buçimën e një zëri,

një zëri që vjen nga misteret e kohëve

dhe flet me një gjuhë që e kuptojnë të gjithë:

“lë të bëhet drita”.

 

Dhe drita lë të bëhet,

e njerëzit të kundrojnë sa i bukur është një çast dritë,

kur jeta zhvishet nga terri dhe shfaqen livadhet plot lule,

e qielli bëhet fushë e pafund,

spektakël për zogjtë dhe retë e lumturisë.

 

Por diçka të rëndësishme mund të mësohesh edhe në terr:

se zhurma e paqartësisë mund të shndërrojë në terr,

në një tokë të djegur,

prej së cilës nuk sheh lulishtet fatit të gatuara për ty.

 

Në terr nuk ndihen hovet e gëzimit,

që të çlirojnë trupin nga pushtet i natës.

Në terr nuk dallon asgjë, e as hijen tënde,

as sytë e butë që mund të jenë diku afër

duke kërkuar, duke prit,

duke vuajt për sytë e tu plot dritë.

 

Megjithatë në terr e mëson se

të shpëtosh prej pushtetit të tij,

asgjë nuk të duhet më shumë se drita,

ajo dritë e vogël që bie në zemër të errësirës,

si kandili që e mbajnë duart e forta

brenda një dhomë të zhytur në terr dhe trishtim.

Please follow and like us: