Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Rikard Ljarja, njeriu i dëborës

 

Ai  mbeti i tillë, si “Njeriu i Dëborës”, me shpirt e zemër njeriu në kujtesën e gjithkujt që do ta shihte në ekran, edhe paskëtaj në 20 filma të tjerë që pasuan rrjedhshëm. Dhe miku, kolegu e regjisori i tij Mevlan Shanaj, në një film-homazh për të, do të zbulonte edhe mirësinë e tij të thellë, atë “njerëzoren” që është e duhet të jetë gjithmonë në botën vetiake të artistëve të ngjajshëm me Rikard Ljarën, njëhershëm edhe dramaturg e shkrimtar, piktor, muzikant e kultivues lulesh.

Në kërkim të vetvetes

Lindi në Shodër, “ditën e gënjeshtrave”, më 1 prill 1943, bile në “kohë lufte”, për të thënë të vërteta të mëdha të jetës, si edhe për të sjellë si artist i Kinemasë e i Teatrit me qindra shfaqje e filma artistikë, me mjeshtrinë e një krijuesi emblematik,-gjurmëlënës, aqsa banorët e këtij qyteti të kulturuar thonin me shaka e dashni se “në shpiat tona kina edhe Rikardin”!

Qysh në moshën 6 vjeçare prindët e tij, teksa kishin vën re si Rikardi kishte “vesh muzike” e çuan në rrethin muzikor të mësonte pianon. Më pas do të mësonte edhe fagotin, duke tërhequr vëmendjen e kompozitorit Prenk Jakova, i cili e aktivizon në orkestrën  e drejtuar prej tij. Në rrethinat e qytetit të Shkodrës frekuentonte njëherësh edhe mjediset e piktorëve, ekspozitat e tyre, po edhe sallën e Teatrit “Migjeni”, për të ndjekur shfaqjet e Teatrit Profesionist që do ta tërhiqnin si me magji, aqsa do të merrte pas edhe artistët e teatrit kur jepnin shfaqje për fshatin. Lindi kështu dëshira që të aktronte edhe ai. Një shkëndi që do kthehej “në flakë” e Riku do vraponte drejt Tiranës të konkurote e të fitonte , për t’u bërë disa vite më vonë edhe aktor e regjisor i Teatrit “Migjeni”, aktor e regjisor i filmave  të Kinostudios sonë edhe i Televizionit njëherësh. Një nga aktorët më të preferuar të filmit artistik dhe të atye filmave që nisi të xhirojë Televizioni ynë i sapo krijuar. Me interesa të gjëra interpretuese, i pa lodhur, nga filmi në film. Si artist pasionant që ishte. Lexonte ndërkohë literaturën profesionale të përkthyer, po edhe vepra letrare të autorëve tanë e të huaj. E, një ditë prej dite, teksa pija një kafe me shokun e tij të klasës së aktrimit, kritikun Mexhit Prençi , ai më bëri të ditur së Rikardi ka shkruar edhe një roman shumë interesant, që e bëjnë atë të jetë tërheqës edhe si shkrimtar. Ndërkohë e emërojnë si Drejtor Artistik të TVSH-së, që do ta mbanin aty disa vite dhe pastaj e dëbuan, duke i prerë edhe rrogën, pasi kishin “mbushur” kohën e qindra emisione televizive  (plus pagën e njerëzve inertë që punonin aty, duke përfshirë edhe Drejtorët Partiakë)! Absurditete që do të ndodhin, mjerisht, me një artist të madh, (që doli “i tepërt në organikë!”), protogonistin e disa filmave që edhe sot e nderojnë Shqipërinë!

Në Teatrin “Migjeni”

Interpretimet e tij të para në Teatrin e Qytetit të vet ishin po në ato drama të njohura të repertorit teatror të kushtëzuar nga politika e ideologjia e kohës. Por Rikard Ljarja u emërua në Teatrin “Migjeni” në vitin 1966 dhe pati fatin e mirë të angazhohej fillimisht nga një regjisor i talentuar e me kërkesa pedagogjike, sikundër qe Esat Oktrova, i cili s’kishte shumë kohë që ishte diplomuar në Institutin Teatral të Moskës, si edhe nga regjisori me kërkesa të larta aktrimi, Serafin Fanko, që kishte kryer dy vite në Institutin kinematografik të Barandovit në Çeki dhe dy vitet e tjera, në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Moisiu” me pedagogët më të mirë profesonistë Andrea Malo, Kujtim Spahivogli e Mihal Luarasi. Kështuqë, edhe aktrimi i tij do të “ecte në këto shina”. Sidoqë, në vitet 60-70 e 80, repertori i atij teatri qe i përfshirë nga disa drama të së drejtës kanunore, ende të një patetizmi, si edhe nga dramat e politizuara të Fadil Paçramit, pa u ngjitur dot në skenë asnjë dramë e huaj, me përjashtim të një dramatizimi të Oktrovës të romanit të Nikollaj Ostrovskit “Si u kalit Çeliku”, ku Rikardi qe angazhuar me rolin dytësor të Serjozha Penzhukut. Megjithatë do të binin në sy disa vlera interpretuese më realiste, tek ky aktor me predispozita të mira fizike, me konceptimin e natyrshëm e organik të personazheve në ato drama të realitetit të ashpër të malësisë së veriut të autorit Fadil Kraja, si edhe me një të folme të pa influencuar nga kantilena e deklamacioni. Kjo prirje aktrimi , do të spikaste të Rikardi, aqsa do të vihej re edhe nga kineastët e rinj që menjëherë do ta “rrëmbenin” në filmat e tyre..

“Rikardin e karaktrizonte thjeshtësia, bukuria e gjuhës që vinte nga zëri kumbues e i mrekullueshm,-më shprehet aktoria e regjisoria e këtij teatri Merita Smaja. – Sa shumë dijeni kishte! Rrezatonte me kulturën e tij. Ndërsa në skenë të inponohej. Gjithashtu të mahniste me mënyrën si punonte, si përgatitej për rolin e si krijonte figura të vërteta. Unë pata fatin të luaj në skenë përkrah tij te komedia tragjike e Stefan Çapalikut “Shën Gjon Kryepremi”. Këtu pashë aktorin e vërtetë e njeriun e thjeshtë e të dashur. Bisedat me të ishin si një shkollë jete e të treguara nga Rrikardi, ktheheshin në filma. Kishte një “bagazh jete që nuk mbaronte kurrë. Rikard Ljaria ishte aktori dhe njeriu që nuk harrohet  kurrë”!

Midis 380 filmave…

Menjëherë pas realizimit të suksesshëm të filmit “Komisari i Dritës” errdhi një planfikim (i çmendur, nga lartë!) që Kinostudio të prodhonte 14 filma në vit, gjë që krijoi një shushatje të përgjithshme, me pamundësi reagimi. Ishte “Urdhër Partie”! Dhe, njeri nga aktorët më të përshatshëm për të interpretuar “personazhet pozitivë”, “njeriun e ri”, “komisarin” “Sekretarin e Partisë”, midis kësaj “sasie prodhimi” filmash, për “mobilizimin e masave punonjëse”, me skenare të këtij “modeli”, do të ishte edhe Rikard Ljaria, me trupin e tij të pashëm, me zërin e ngrohtë, me natyrësinë e rrallë që zotëronte  në aktrim. Kjo u duk qartë që me filmin “Komisari i Dritës” në vitin 1966, i cili u xhirua nga dy regjisorët më të mirë të kohës, nga Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, sipas një skenari të Llazar Siliqit, kur qe ende e freskët vepra e mësuest Ndrec Ndue Gjoka, i cili hapi 40 shkolla në Malësinë e Madhe dhe që u vra, duke “shpënë atje Dritën e Partisë”, sikurse shkruhej nëpër gazeta… Ky ishte edhe mesazhi që duhej të përcillte në ato rrethana, sipas poemës së Siliqit.

Mirëpo të dy kineastët e rinj do t’i jepnin një frymëmarrje njerëzore, me atë kumt që përcillte mësuesi i thjesht tek shkonte në ato shkolla fshati që u ngjanin kasolleve dhe vocrrakët e mjerë e të leckosur, “zogjve të etur” për dritë e dije. Mbetej në ekran e fiksuar ajo ecja e tj nëpër gryka e rrëpira malesh, veshur me një kapotë ushtarake, ngjeshur me një pushkë në krahë, me iluzionet e nje poeti romantik e me vështrimin nga një e ardhme më e mirë. Kjo atmosferë romantizmi, sikur krijonte atë notë humane që e “shpëtonte” filmin nga propoganda komuniste, edhe pse s’kshin ç’bënin kur, sipas skenarit, do të “hynin” edhe  diversantët  e njerëzit e fesë dhe do ta vrisnin atë! Kjo “vdekje e heroit”, sado e dhimbshme që shprehej nga aktori Ljarja e nga kineastët, do të shprehte përsëri ato “porosi partiake” që jepte Partia Komuniste. Filmi do të qe kështu një “pjellë” e atij realiteti politik që imponohej në të gjithë vëndin, pra edhe mbi artistët e filmit.

Të kësaj natyre do të ishin një sëri rolesh nga Rikard Ljarja, si në filmat pasardhës: “Dueli i Heshtur”, ku shquhej një i ri trim i quajtur Skënder Guri që përfaqësonte vigjilencën revolucionar (1967), nje i ri ilegal, Perlati, në filmin “Ngadhnjim mbi vdekjen”, që përcjell orientimet e Partis Komuniste gjatë luftës (1967), “Kur zbardhi një ditë” me personazhin e komisarit (1971), “Shtigje lufte” gjithashtu (1974), “Rrugica që kërkonin diell” me Gaqo tipografin e partisë (1975), “Në fillim të verës” me të dërguarin e Qarkorit të Partisë (1975), “Ilegalët” me Tostin, po ashtu, në vitin 1976, “Radiostacioni”, me figurën e komandantit partizan (1979) dhe në të tjera filma, thuajse me skenare  të njëllojtë e me personazhe të përafërt, të mbarsur me idealizmat e botkuptimet revolucionare, ku sado me aftësi ineterpretuse që të ishte aktori (në rastin tonë Rikard Ljarja), zor se do nxirrnin gjë në dritë. Do të kishte njëfarë përjashtimi një i ri i asaj kohe si Skënder Guri, me frrymë dashurie për vatanin e për motovedetën ku punonte për buken e gojës, që anija të devijonte në brigjet përballë e në të tjera duar, e gjitha kjo si një rrethanë psikologjike, që e bënë atë të reflektoj e tu kundërvihet dezertorëve në këtë “Duel të Heshtur”, ku ai do te triumfonte në saj edhe të një interpretimi bindës prej aktorit Rikard Ljarja. Po nëpër filmat e tjerë uniformiteti do të ishte i pashmangshëm. Dhe, që të ishte vetvetja, shkroi vetë skenarin e një filmi, duke ju kërkuar ndjesë që nuk e mbaj mend titullin, me peronazhin kryesor që e interpretoi po vet, ku Kryetari i një Koopertive që do anatemohej nga të dyja drejtimet, (nga lartë e nga poshtë!), do të ishte njeriu që duhej, sipas vetë Rikardit, njeriu që e “djeg veten“ për të tjerët që di edhe ta dëgjojë të mirin e ta falë edhe të keqin, me kompleksitetin e njeriut ideal.

Triumfi

Një nga filmt më të bukur, më realist e më jetëgjatë të kinematografisë Shqiptare, errdhi 8 vite më mbrapa se Rikard Ljarja të shfaqej në ekranin e kinemasë, si kishte lënë mbrapa edhe “përvojën” krijuese të 10 filmave të tjerë. Qe viti 1973, teksa regjisori  Viktor Gjika, së bashku edhe me skenaristin Vath Koreshi e “shkelën me këmbë” gjithë veriun e Shqipërisë, në kohë të mirë e të keqe, në shi e në dëborë, mes malesh e rrëpirash, në gjetjen e imazheve të një filmi që ishte brënda “kontureve” të frymëzimit të tyre, ende pa e shkruar atë! Thelbi i skenarit do të ishte komunikimi me njerëzit në kushtet e vështira e në terrenet malore, pikërisht atje, në ato majëmale, kur dikur komunikimi bëhej me folës majëgrrykash të Iarta. Dhe kur skenari qe gati (në vitin 1974) e quajtën “Rrugë të Bardha”. Po mesazhi i tij universal do të qe: Drama e mirënjohjes, që përfundon tragjikisht, si akt i një sakrifice vetmohuese për njerëzit që na rrethojnë, duke mohuar edhe vetveten, Pra, një vepër e madhe fisnikërie, që ka në brëndësi shpirtin njerëzor e figurën e “njeriut të ri” që aq shumë kërkohej në atë kohë edhe nga propoganda partiake. Por që kineastët, kishin “gjetur” edhe figurën e tretë që do i përjetonte këto ide, me aktrimin e tij, Rikard Ljarjen, i cili tejkaloi çdo parashikim të tyre, po edhe të publikut. Ai na dha nje HERO, sa të thjeshtë, aq edhe tragjik, që pranon edhe të vdes për të tjerët, që ata të kenë me njeri-tjetrin komunikimin e dashurisë, të mirësisë e të nevojave më elementara të jetës. Një personazh të vërtetë, që nuk mburret, nuk këlthet për ato që bën, që as e shkon fare në mëndje dekorimin, bujën e radiove e të gazetave. E shikon disa herë ketë film dhe duket sikur je ti ai, sikur je me të nëpër udhë e ëndërrime. Në monologun e tij te brendshëm, duke ecur nëpër dëborë, duke u ngjitur nëpër shtylla, duke lidhur telat e ngarkuara nga ngricat e akullta, teksa flokët e borës e mbulojne edhe atë, do të ngjante si një figurë qiellore! Sado poetike e kartolineske ë të duket kjo, duhej një aktor potencial si Rikard Ljaria që ta realizonte. Çdo sekondë me vdekjen pranë, me fërgëllime zemre sa dëgjon zërin e së dashurës, përtej telave që e pret të vejë… Vibron jeta, dashuria e vdekja nëpër tela… Për aktorin Ljarja, gjithçka dukej e bardhë, e shtruar nga dëbora e qiellit, larg syve të njerëzve, pa e parë askush, duke dëgjuar vetëm zërin e tij dhe fërshëllimën e erërave, duke ndjerë ngrohtësinë e rrëmbave të gjakut të tij që pulson. Dhe këmbëngulja, durimi, vetmia e akti sublim i tij mbaron këtu, majë një shtylle telefoni që përcjell mijëra zëra njerëzish të tjere, si të ishte vetë Jezu Krishti i mbetuar midis tokës e qiellit, gjersa të vijnë njerëzit me flakadanë e ta marrin heroin e tyre, të ngrirë, po të pavdekshëm. Një film tashmë i Rikardj Ljarës, i Viktor Gjikës e i Vath Koreshit, që të tre, me shpirtin e tyre qiellor… Qoftë edhe vetëm me këtë film, Rikard Ljarja do ta ngrinte veten në shkallët më të larta të TRIUMFIT.

Ndryshimi

Ndryshimi që do të dukej në personalitetin krijues të Rikard Ljarës, qëndronte në afrimin gjithmonë e më tepër nga vetja, nga interpretimi realist, nga njerëzoria dhe vërtetësia. Le të ishin skenaret më të dobët, përbrenda ideologjisë e politizimit të pashmangshëm të regjimit, ai do të pranonte të lozte këndej e tutje personazhe ndofta më të vegjël, po me botë ca më të madhe se e roleve e të personazheve te ashtuqujtur”pozitivë” e “negativë”.

I këtillë do të ishte me Llukën e filmit “Në pyjet me borë ka jetë” (1978), me Xha Telon në filmin “Pranverë e hidhur” (1985), me Andrean në filmin ”Në prag të jetës” (1985). Me mjekun e filmit psikologjik “Rrethi i Kujtesës”, me skenar të filmit modern nga Roland Gjoza e Esat Mysliut e me regjinë e Mysliut në vitin 1987. Si edhe me filmin po kaq origjinal “Fletë të Bardha”, me skenarin e poetes e dramaturges Natasha Lako e me regji të Mevlanit, ku do ta shihnim përfundiimisht Rikard Ljarën plotësisht tek vetvetja, edhe si njeri, edhe si personazh, edhe si personalitet shoqëror. Ky njësim a unifikim i lumtur, do të ishte i jashtëzakonshëm tek personazhi i shkrimtarit Emir që ishte shkruar për këtë njeri (artist e shkrimtar bashkë), përbrenda trazirave të kohës, atëhere kur revolta e  heshtur u bë edhe më evidente e filmi do krijonte hutim e çensurë (si njëherë e një kohë!), që mbahej ende “në fijen e perit” dhe do ta ndalonte  shfaqjen e krijuesve konseguentë, sikudër ishin: Çifti Shanaj e i madhi Rikard “Zëmër Luani”, që nuk do të tërhiqeshin më nga ana e “tatëpjetës”!

Shkrimtari dhe lulet

Aktori i madh Rikard Ljarja, që kishte hyrë tashmë në çdo familje shqiptare, do të shfaqej me modesti e po kaq interesant e i mëvetshëm edhe si shkrimtar, me disa romane, që ai i shkruante paralelisht me kohën që degradonte vazhdimisht dhe i mbante në tryezën e tij, me “limë në dorë”, duke i përsosur, sikundër bënte Fidja i lashtësisë mbi mermer, duke e krijuar përsosmërinë e femrës mbi mermer, si edhe Mikelanxhelo, kur “krijoi” të gjallë Davidin nga mermeri e pastaj e goditi me çekan që të fliste!

“Ky personazh shkrimtar,- më thotë tani aktor-regjisori e miku i tij Mevlan Shanaj,-bsikur qe oguri i shkrimtarit tashmë në jetë. Kam qënë lexuesi i parë i prozës së Rikut e mund të them se jo e admiroj, porse nuk gjej tjetër afër veprimit krijues, të vendosur në fushën e letrave, krahasuar me çdo njeri nga komuniteti ynë që rreket të merret me shkrime! Rikard Ljarja është një prozator i shkëlqyer nga më të veçantët. Aftësia e tij komunikuese është mbresëlënëse, jo vetëm përmes ekranit, por tashmë edhe me shkrimin. Dijet, kultura dhe informacioni gjithpërfshirës në çdo fushë të jetës e bëjnë një artist të shumëanshëm, përfshi edhe muzikën dhe pikturën. Janë befasuese dhuntitë dhe modestia e tij. Rikard Ljarja ështe pioner i  kinemasë moderne shqiptare. Ai futi interpretimin qytetar në ekranin shqiptar”.

Pasi drejtori i dikurshëm i TVSH-së në vitin 2002, një personazh partiak, i preu rrogën artistit të madh, ai e “punësoi veten” në baçen e shtëpisë e u mor me kultivimin e luleve dhe me përfundimin e romaneve të tij. E, kur guxoi që ta botonte të parin prej tyre (“Në një humbëtirë këndej rrotull”), e kaloi kohën e tij të çmuar duke mbjellur qepë, hudhra, tulipanë e trëndafila. Dhe kur e pyesnin lexuesit e parë se kur do ta botonte romanin e dytë, ai përgjigjej me modesti: Nuk botoj më se kam frikë nga vetja!

Dhe këta “rreth e rrotull” po e harronin gjithmonë e më tepër “NJERIUN E DËBORËS”, heroin e vërtetë të asaj kohe të errët…

(Nga libri në proçes botimi, “BREZI I ARTË I AKTRIMIT”, Tiranë. 2024).

Please follow and like us: