Politikanët tanë peshkatarë
Andon Dede
Dihet tashmë nga të gjithë se peshkatarët dhe gjuetarët janë nga njerëzit që gënjejnë më shumë, por përgjithësisht i kanë “gënjeshtra të badha”, pra pa zarar. Po të qenë të vërteta gjithë sa thonë ata, rrezik të ishin shfarosur tërë kafshët e egra dhe peshqit e detit.
Por ne kësaj here do të merremi me peshkatarët dhe jo pa qëllim. Në librin që të shkul së qeshuri, “Tre veta në një varkë, pa llogaritur qenin”, të autorit të njohur anglez Xherom Xherom, ka një episod të tillë me peshkatarët. Në klubin e tyre ku mblidhesin, kthenin ndonjë gotë e kuvendonin apo dhe përpiqeshin të gënjenin njeri tjetrin, lart, në një vend të dukshëm ishte vendosur një peshk i madh, me sa duket i ballsamosur. Kur vinte ndonjë peshkatar plak dhe e shihte se rreth e rrotul tij nuk kishte ndonjë të brezit të vet, duke hedhur vështrimin nga peshku, niste e tregonte se si e kishte kapur atë e ç’mundime kishte hequr. Bukur fort. Ata që e dëgjonin kënaqeshin dhe i kthenin buzëqeshje mirënjohëse për kënaqësinë që iu dha. Por, për çudi, kjo nuk ndodhi vetëm me një peshkatar, por dhe me shumë të tjerë. Autorësinë për kapjen e tij të mundimëshme, here-herë edhe të rrezikëshme, po e merrnin shumë veta dhe ecë e gjej të vërtetën. Por, kjo nuk prishte shumë punë, madje frekuentuesit e klubit, mbase ndjenin dhe kënaqësi me këto rrëfime që iu servireshin gratis në variante të ndryshme, kohë pas kohe.
Por një ditë, dikush që kishte dëgjuar tashmë variante nga më të ndryshmet, nuk duroi dot më dhe me pak mundim, u kacavjer në mur dhe e preku me dorë peshkun e shumëpërfolur. Kur ç’të shihte: ai qe plastik dhe jo i ballsamosur siç pretendonin tërë ata që gjoja e kishin kapur atë. Që nga ajo ditë, merret vesh, mori fund dhe “saga” e kapjes së tij.
Po ç’lidhje ka kjo me politikanët, në përgjithësi, dhe me këta tanët, në veçanti, mund të më pyesë dikush që po lexon këto radhë, dhe jo pa të drejtë. Unë mendoj se i lidhin shumë gjëra: ndërsa të parët gjuajnë peshq, politikanët “gjuajnë” zgjedhës, vota, biznese të leverdisëshme dhe një tok favore e përfitime të tjera që ua mundëson karrikja ku janë ulur apo statusi që kanë zgjedhur, se ata nuk janë budallenj që të ushtrojnë atë profesion për idealizëm, për t’i shërbyer atdheut, popullit e më the të thashë. Kanë dhe plot ngjashmëri të tjera, por nuk po zgjatem në to por po ndalem tek karakteristika më thelbësore e tyre: gënjeshtra. Besoj se nuk ma kundërshton dot njeri, si për të parët dhe të dytët. Se kush gënjen më shumë, është tjetër problem por, për nga vlefshmëria e gënjeshtrave që lëshojnë dhe pasojat e tyre, puna ndryshon. Ndërsa të parët, siç e thamë që në fillim, lëshojnë para e mbrapa “gënjeshtra të bardha” e pa zarar, për të dytët nuk mund të themi dot të njëjtën gjë. Ata nuk gënjejnë ashtu kot, sa për t’u mburrur, por e llogarisin çdo gjë që thonë, me një synim të caktuar.
Kthehemi tek realiteti ynë i kohëve të fundit. Ç’po vihet re tani, pas miratimit të Reformës, “revolucionit” të 21 korrikut apo “Çlirimit të dytë të Shqipërisë”, siç u vlerësua me zë të lartë, nga shumë syresh? Politikanët tanë/peshkatarë, herë vetë e herë me trumbetuesit e tyre, po bëjnë ç’është e mundur që të “përvetësojnë” autorësinë e kësaj reforme: një pjesë e komentatorëve apo dhe vetë politikanëve ia dedikojnë miratimin e saj dy ambasadorëve të njohur tashmë nga i madh e i vogël në Shqipëri për ecë e jaket e tyre të përditëshme, nga selia e një partie në tjetrën; të tjerë pohojnë me zë të lartë se pa Ilir Metën miratimi unanim nuk do të qe arritur. Një pjesë tjetër vënë në dukje se pa këmbënguljen e Bashës do të kishte përfunduar krejt ndryshe nga drafti që u miratua, ndaj, sipas tyre, ai i meriton dafinat… e kështu me radhë. Kurse kryeministri ynë i nderuar, duke sakrifikuar modestinë e tij tipike, as që e vë në dyshim se është pikërisht ai autori i këtij “revolucioni”, siç e quajti vetë, ashtu siç ka deklaruar edhe për shumë e shumë arritje të tjera të mandatit të tij, si përherë duke “sakrifikuar” modestinë, nga që nuk e ka zakon që të mburret e t’i bjerrë gjoksit edhe për gjëra që nuk i takojnë, siç veprojnë shumë kryeminstra të tjerë që bëjnë protagonistin edhe për sukseset në sporte, paçka se nuk i lidh asgjë me to.
Kaq doja të ndaja sot me ju, lexues i dashur. I vetmi shqetësim imi tani është që e shumëpërfolura “reformë” të na dalë reale e jo plastike, si ai peshku i librit që rrëfyem më lart. Ishallah!
NY, 25 korrik 2016