Albspirit

Media/News/Publishing

PO SHKON BOTA DREJT TIRANISE NDAJ SHTYPIT?

 
Avokat Brikena Bogdo
Më 10 maj 1933, Hitleri ndërmorri një fushatë djegie librash. Dija prodhon libra, librat prodhojnë liri, liria prodhon demokraci, tmerrin e diktatorëve. Diktatorët nënshtrojnë me padije, hijen e zezë të njerëzimit. Për Samuel Adams, politikan, filozof, një nga themeluesit e SHBA-ve, nuk ka gjë më irrituese, të bezdisshme, të tmerrshme për tiranët, se shtypi i lirë.
A po shkon bota, drejt tiranisë, ndaj shtypit? Po. Rruga që po ndiqet, drejt këtij fenomeni? Shtetëzimi i drejtpërdrejtë, ose i tërthortë, me mjete të jashtëligjshme, siç ndodh në Shqipëri. Shtetëzimi prodhon politizim, politizimi prodhon çensurim, çensurimi prodhon skllavërim të medias, praktikë e provuar tashmë në rrgjimet komuniste. Por fatkeqësisht, këto metoda po tentohet, të implementohen edhe në Europën Perëndimore
Në raportin vjetor për lirinë e shtypit, Reporterët pa Kufij, kanë hedhur sërish alarmin, se qeveritë dhe autoritetet publike po fusin gjithnjë e më tepër hundët tek informacioni. Ata raportojnë, se ka rënie të mbështetjes për autonominë e medias dhe rritje të presionit, nga shteti dhe aktorët e tjerë politikë, ndaj medias.
Për këtë organizaë, që monitoron shëndetin mediatik, në botë, vihet re një imimtim spektakolar i metodave represive ruse, në të gjithë Europën Lindore dhe Azinë Qëndrore. Një reaksion ka patur Italia, që ka humbur 5 pikë, në klasifikim, për shkak se një parlamentar ka tentuar të blejë AGI-n agjencinë e dytë më të madhe të lajmeve, pas ANSA-s. Problemi është se janë në lojë edhe fonde publike. Sipas reformës, së hartuar në korrik të vitit 2023, 65% e bilancit të agjencive të shtypit, fituese të bonuseve nga viti 2017, mbulohet nga fonde qeveritare. Agjencia AGI ka lindur në vitin 1950, por u ble nga ENI në vitin 1956, mund të llogarisë kontribut shtetëror mbi 3 miliardë euro. Lidhur me shitjen e AGI-t, në vitin 2023, plasi një betejë politike dhe sindikale, pasi partitë e opozitës, sulmojnë ministrinë e ekonomisë, sepse sipas tyre, edhe kjo agjenci ashtu si dhe RAI është në varësi thuajse shtetëore. Për këtë arsye sindikatat dhe gazetarët kërkojnë garanci te një grup të ri botuesish. Lidhur me këtë çështje është ndezur edhe vëmendja e Komisionit Europian. Rreziku mbetet ai i vendosjes së një sistemi më pak pluralist.
“Liria e medias po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garant, autoritetet politike”, ky është alarmi që hedhin organizatat jo qeveritare. Për mendimin tim personal, çështja që ngrenë këto organizata është krejt e gabuar, pasi kërkojnë garanci nga autoritetet qeveritare, të cilat i përkasin një krahu politik. Median ato e shohin si një mjet për të arritur pushtet dhe mbajtur pushtet. Kjo kërkesë, për garanci nga organet e pushtetit, e organizatave joqeveritare, është utopi.
Pavarësia e mendimit, që sjell pavarësi shtypi, pavarësi mediatike, vjen nga njerëz të pavarur njerëz të lirë, përtej interesave politike, ekonomike, të pushtetit. Kjo është thembra e Akilit, pika e kthesës, apo ajo që do të bëjë diferencën midis një shtypi të lirë dhe të varur, nga pushteti, financimet private, apo shtetërore, pra në balancë, e lirë, apo e varur.
Reporterët pa kufij, lindur në vitin 1985, me qendër në Paris, e njohur nga ONU, ka hartuar “Indeksin botëror mbi lirinë e shtypit 2024”. Në ditën botërore të lirisë së medias u kërkua vëmendje për fenomenin, që qeveritë po intensifikojnë kontrollin në rrjete sociale dhe internet, duke limituar aksesin, bllokuar akauntet, apo mesazhet, ku kalojnë informacione. Në vendin e 162-të është Rusia, ku të gjitha mediat e lira janë konsideruar “organizata të padëshirueshme”dhe është e nënshtruar nga censurë ushtarake. Shqipëria për mendimin tim nuk duhet të hynte fare në këtë klasifikim, pasi media më shumë se 90%, është e censuruar.
Koncepti “media shtetërore”, në mënyrë latente, herë-herë dhe të dukshme e brutale, herë të tjera po depërton edhe në Europën Perëndimore, Itali Francë, Gjermani. Është elita e këtyre vendeve që po e bërtet këtë fenomen, ajo elitë që e kërkon lajmin e vërtetë dhe median e lirë (95% e popullsisë tjetër e zhytur në përditshmërinë e halleve dhe krizave social-ekonomikë e shëndetësore, e merr informacionin ashtu si pushteti, ia servirin në tabaka, pa e kërkuar, pa e përpunuar). Këtë qasje dhe psikologji të turmës e përdor pushteti, për të servirur informacionin e gatshëm, të përpunuar tashmë, në zyra shtetarësh. Kjo është arsyeja që informacioni i vërtetë ndalohet që të shkojë në një masë të gjerë popullsie. Kjo është arsyeja, që të gjitha shtetet, qoftë edhe ato perëndimore, po synojnë dhe po tentojnë të implementojnë në media financimin shtetëror, apo media, si në Itali, të financuara në përqinde të lartë, nga shteti. Elita franceze sot është tejet e shqetësuar me atë çka po ndodh dhe ndërhyrjen e hapur të presidentit Macron, në media. Në Gjermani, mediat kanë marrë ngjyrimin e mediave në kohën komuniste, ku gjithçka ështe rozë, apo kuq, me lajme vetëm pozitive dhe suksesesh, duke i lënë gjithmonë e më pak vend lajmeve antiqeveritare dhe anti-pushtet.
Në një vend demokratik, në principet e demokracisë liberale, liria e komunikacionit, ku hyn liria e informacionit, nuk është aksesor, por element i domosdoshëm. Edmund Burke e konstituoi kështu pushtetin e katërt: “ Janë tre pushtete, por në galerinë e gazetarëve, qëndron një pushtet i katërt, më i rëndësishëm se të tjerët”. Në shoqëritë moderne, ku sistemi i komunikimit luan një rol deciziv, është kushti esencial, pa të cilin nuk mund të ketë, as liri, as demokraci.
Liria e medias është një iluzion i pastër , kur qeveria zotëron dhe manaxhon të gjitha fabrikat e letrës, shtëpitë botuese dhe vendos çfarë do të publikohet – shkruan Ludvig Von Mises, i cili vazhdon, “një liri shtypi mund të ketë vetëm aty, ku është pronë private e mjetetve, që prodhojnë. Vetëm në vendet socialiste, ku burimet dhe makineritë e shtypit, janë shtetërore, nuk mund të diskutohet liri e shtypit. Aty vendos qeveria çfarë do të publikohet”. Me këtë logjikë, kur shohim në Ilali që një pjesë e medias financohet nga shteti 65%, këtu fillon pika e rënies, në dëm të lirisë së shtypit. Çfarë mund të themi, në Shqipëri, ku askush nuk ka informacion, se sa dhe si financohen mediat audio-vizive dhe të shkruara. Kjo lë të kuptosh që financimet e paligjshme janë shumë të larta. Gazetarë të BIRN-it për Shqipërinë, denoncojnë për pronarë mediash që marrin leje ndërtimi. Çfarë mund të presësh, në darkë nga edicionet e tyre të lajmeve? Në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të bjerë në çensurë, apo në rrugë të tërthortë në autoçensurë.
Raporti shtet privat po shkatërron median e lirë. Pse shteti sot kërkon të fusë hundët, në pushtetin e katërt, që është media? Doktrinat më komplekse politike dhe institucionale, analizat më të rafinuara të teorive ekonomike, bëhen nul, nëse opinioni poublik nuk arrin të ketë informacion.
George Mason, një nga themeluesit e SHBA-ve ka nënvizuar: “Liria e shtypit është një mburojë e lirisë dhe nuk mund ta limitojë veçse një qeveri despotike. Me këtë logjikë të gjitha qeveritë, që po tentojën të fusin hundët në lirinë e media, me të gjitha mënyrat, po kalojnë në despotizëm.
Guri themeltar, në rrugën e vështirë drejt lirisë së shtypit, është libri “Aeropagitica”, shkruar nga John Milton, 1644, për të mbështetur të drejtën e fjalës së lirë dhe protestës, përpara parlamentit, kundër institucioneve të çensurës së shtypit. Titulli i librit, rrjedh nga fjalimi i Ciceronit, në 355 p.k. për të mbështetur kthimin në pushtet të Këshillit të Aeropagos, në mënyrë paralel,e kthimin në pushtet, të popullit.
Suedia mbahet për vendin që vendosi ligjin e parë për lirinë e shtypit, regjistruar nga parlamenti, në vitin 1769. Për filizofin liberal dhe parlamentarin finlandez Anders Chydenius, ky ligj paraqet themelet më të forta të një organizimi të lirë të një shteti. Ai barazon lirinë e një shteti me lirinë e shtypit, duke mos i ndarë nga njëra, tjetra. Pa lirinë e shtypit, edukimi dhe sjellja e mirë do të ishin shkatërruar. Në pak vite në mendime, në sjellje, në fjalime, pa këtë liri, do të errësohej e gjithë liria jonë, në pak kohë. Në klasifikimin për vendet me lirinë më të lartë të shtypit 2024, është Norvegjia, e ndjekur nga Danimarka e Suedia. Jo më kot, këto vende, gur themeltar për traditën e lirisë së medias, ende sot janë në krye të klasifikimit.
Publikimet e para ishin në fillimet e 1600-ës, një herë në javë, apo 20 ditë. Në vitin 1660 do të dilte gazeta e parë e përditshme në histori e quajtur Leipzig, që më pas u shndërrua në Leipziger Zeitung. Pra media ekziston prej 400 vitesh dhe është e pafalshme që të diskutohet ende liria, apo jo e saj. Madje, duke u ndërgjegjësur për fuqinë e saj, pushtetet po tentojnë që ta skllavërojnë gjithnjë e më shumë. Por ka një ligjësi natyrore e forcës së të kundërtave dhe reaksioneve zinxhir. Një tentativë skllavërimi do të ndiqet nga lëvizje të forta për liri. Fakti që po zgjerohen gjithnjë e më shumë portalet, rrjetet sociale, sado që do të tentohet që të bllokohen (si po ndodh në Shqipëri, por sigurisht edhe më gjerë), përsëri do të jetë e pamundur që të kontrollohen të gjitha, në çdo qelizë, në çdo sekondë. Një liri e fituar një herë, nuk mund të skllavërohet më kurrë, përveçse do të gjejë rrugë dhe kanale të reja shpërthimi dhe çlirimi. Oazet e lirisë kanë qenë po kaq të fuqishme sa tentativat skllavëruese të pushteteve diktatoriale. Koha po e tregon që forca e mendjes që po zhvillon forcën e teknologjisë, do të ecë në progresion të zhdrejtë me forcën e pushteteve diktatoriale dhe skllavëruese. Historia ka treguar, që mbas diktaturave të forta, kanë shpërthyer lëvizjet më të fuqishme për liri.
Të paktën 100 gazetarë të vrarë në Gaza, në përpjekje për të treguar tmerret e luftës izraelito-palestineze. Jo më pak se 1000 reporterë të larguar nga Rusia, pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë. Media mund të shndërrohet në trukim të pushtetit, por edhe i vendos reporterët në rreshtin e parë të rreziqeve për jetën. Rajoni më i rrezikshëm për mediat mbetet ai i Lindes së Mesme, Afrika e Veriut, ndërsa është e rrezikuar sot në Argjentinë, Kinë, Greqi. Greqia ka tensione me përgjimet e gazetarëve nga ana e shërbimeve sekrete, si në rastin e vrasjes së kronikanit Jorgos Karaivaz, në vitin 2021.
Please follow and like us: