Mimoza Bici: Ndryshe marr frymë
Monolog
Si dallgë shtrat detit
Gishtat rrëshqasin turpit
Ashtu lehtë si valë
zhytem harresës thellësi
e kur kam mall
dallgë përplasem shpirtit tim.
Gishtërinjt çjerrin
tingujt e mbytur
tek i fundit
shndërron detin shtrat të trëndafilt.
Rrotullimit mes tyre
flokët shkëmbejnë yjet me pulëbardhat
Gjinjtë pëlcasin një botë të tërë
E hapat lajmërojnë këdo
Se dikush ka etje për të..
Çdo syri përpirë
buzës tharrë rënkoj
Gjithë bota është e imja
Askush nuk më çel sa ti
Ashtu mister
më solle një botë me trëndafila
trupin grimcuar petalesh.
Mjafton një të mbaj mbi duar
forca ime mbledh gjithë qenien tënde
Aroma e mishtë spirale drithëruese
duke lëvizur gjymtyrët.
A mund të shpik ndokush këtë shpejtësi drite
ta përpijë në sekondë duke bashkuar trupit tjetër e ndez aromën e mishtë?!
Po ndodh
Pasthirrma të zbehta hapin dyert e hekurta
Shembin sytë më të mprehtë
Vdis brenda meje
të jetosh i lumtur jetës tënde
Sa herë të kesh makthe
tek unë vdis!
Bëj dashuri me frymë si dikur…
Dikur dashurohej me frymë
trupat eksploruan ngjizjes
lindën vdekjen…
Unë tashmë
jam Dikur
ke gjithë botën për eksplorim shijim
Vdis brenda meje të jetosh i lumtur
Sa herë të kesh makthe
tek unë vdis.
Vetëm ti hap portën e trënfafiltë me frymë
kur bota avancon teknologjinë me forcën e hekurt e shpejtësinë e dritës
Askush nuk të sjell më shpejt tek unë si unë
teksa kërkon veten ku humbe, mos humbe,
ish ëndërr a vajza që sapo bëre seks një mrekulli ku nuk mundesh jo vetëm ta harrosh
por pret mundësinë e re kur do mundesh, si do mundesh
vetëm kjo gjendje të mos mbaroj.
Nuk qaj lehtë
Nuk ke përse të më duash kështu
duke mos qenë ashtu
Nuk kam përse të të dua ashtu duke mos qenë kështu
Kur kam mall
dallgë përplasem shpirtit tim
Askush nuk të sjell më shpejt tek unë si unë
Vdis brenda meje të jetosh i lumtur
Sa herë të kesh makthe tek unë vdis
Më solle një botë të trëndafiltë
Petalet janë të tuat
tashmë jam frymë…
Tiranë, qershor 2024.