Albspirit

Media/News/Publishing

Dy ese nga Astrit Lulushi

 

Jeta

 

Pas një rrëzimi, njeriu është në ngjitje malit të lartë. Ka më shumë se gjysmë milioni njerëz që jetojnë në mbarë botën të cilët janë të moshës 100 vjeç e lart. Falë përmirësimeve në kushtet e jetesës, ushqimin dhe kujdesin shëndetësor, thotë shkenca – apo dorës së Zotit, thotë feja – numri i njëqindvjeçarëve është rritur ndjeshëm dhe vazhdon të zgjatet.

Në vitet 1960, kishte vetëm rreth 20, 000 njerëz që jetonin një shekull. Kjo moshë, është larg nga kohët kur figura biblike, Adami, Noa e të tjerë, jetonin mbi 900 vjeç. Atëherë askush nuk i falej shkencës – ajo as që ishte – por dhuntisë së Perëndisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë numrin më të madh të njëqindvjeçarëve, rreth 100, 000 persona. Në fakt, deri vonë, Japonia ishte vendi i personit më të vjetër në botë, Kane Tanaka, i cili vdiq në vitin 2022 në moshën 119-vjeçare.

Njeriu më i vjetër i të gjitha kohërave (mosha e të cilit është dokumentuar) ishte Jeanne Calment, një superqindvjeçare franceze me një jetëgjatësi prej 122 vjetësh e 164 ditësh.

Mënyra se si njëqindvjeçarët arrijnë të jetojnë për kaq shumë vite ka pushtuar prej kohësh imagjinatën e publikut.

Ata shpesh pyeten për stilin e tyre të jetesës, sekretin e jetëgjatësisë dhe mençurinë që kanë mbledhur në vitet e tyre të avancuara. Megjithatë, përgjigjet e tyre priren të jenë po aq të ndryshme sa edhe jetët që kanë jetuar:

Nëse pyesni se cili është çelësi i vetëm më i rëndësishëm për jetëgjatësinë, ata thonë se është shmangia e shqetësimit.

Jeta është ajo që bëjmë, gjithmonë ka qenë, gjithmonë do të jetë.

Lumturia qëndron në momente dhe ndërkohë nuk je as i vetëdijshëm; vetëm më pas e kupton se si ishe. Kur kujtojmë të kaluarën, zakonisht zbulojmë se janë gjërat më të thjeshta – jo rastet e shkëlqyera – ato që në retrospektivë japin shkëlqimin më të madh, thoshte Bob Hope.

E rëndësishme është të jetosh në të tashmen – e djeshmja ka ikur, e nesërmja nuk e di nëse do të vijë. Njeriu duhet ta marrë atë që vjen, me të qeshur. Gjysma e suksesit në jetë vjen nga përpjekjet për të gjetur se çfarë dëshiron të bësh vërtet.

Kuptoni ndryshimin e kohërave – mos qëndroni kurrë të mbërthyer në të kaluarën. Gjithmonë ka diçka për të cilën mund të shqetësohemi. Sekreti është të ngrihemi mbi të dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për ta tejkaluar. Nëse përpiqeni të jeni të sjellshëm me njerëzit, do të jeni në rrugën e një jete të mirë.

 

Jetët paralele

 

Shumica e historive që dimë nga bota e lashtë kanë ardhur gojë më gojë – deri në epokën kur jo vetëm disa filluan të shkruanin e lexonin. Homeri nuk e shkroi Iliadën e Odisenë, por e transmetoi si rapsod, derisa dikush u kujtua ta hidhte në letër. Koleksion i famshëm i ‘jetëve’ të Plutarkut përmban 23 çifte biografish, secila e përbërë nga një biografi greke dhe romake për një figurë kryesore historike, e ndjekur zakonisht nga një krahasim, që nxjerrë përfundime për arritjet e mëdha, virtytet morale ose dështimet e personave të diskutuar.

Një nga tekstet më të njohura të antikitetit, me një reputacion ‘më të shitur’ që në kohën romake – shekulli i dytë – Jetët Paralele të Plutarkut është jo vetëm burim informacioni për temat e biografive, por edhe për jetën dhe kohët e botës klasike. Jetët paralele u botuan nga Plutarku në fund të jetës së tij dhe duket se janë rezultat studimeve shumëvjeçare.

Plutarku shpjegon në paragrafin e parë të Jetës së Aleksandrit se ai nuk merret me shkrimin e historive, por me eksplorimin e ndikimit të personazheve në jetën dhe fatet e njerëzve të famshëm.

Pas vdekjes së Aleksandrit, gjeneralët e tij i ndanë tokat e pushtuara. Me këtë, ligjëruan pushtetin dhe shtrinë kulturën tyre në skajet më të largta. Ata folën dhe përhapën gjuhën e tyre, që sot quhet ‘greqishte e vjetër’ (pavarësisht se çfarë gjuhe ishte), me të cilën filluan të shkruheshin librat e lashtë, si Bibla për shembull. Autori përpiqet të provojë se e kaluara më e largët krenohet me njerëz të veprimit dhe arritjeve që mund të konkurrojnë me heronjtë më të fundit.

Dorëshkrimet kryesore të mbijetuara datojnë nga shekujt e 10-të dhe të 11-të, me botimin e parë të vërtetë që u shfaq në Firence në 1517. Çifti i parë i jetëve, Epaminondas–Scipio Africanus, nuk ekziston më dhe shumë nga jetët e mbetura janë të cunguara, ose seksione që janë ndryshuar nga shkrimtarët e mëvonshëm. Me rëndësi kryesore është Jeta e Aleksandrit, një nga pesë burimet dytësore të mbijetuara për Aleksandrin e Madh, i cili përfshin anekdota dhe përshkrime të incidenteve që nuk shfaqen në asnjë burim tjetër. Po kështu, biografia e Numa Pompilius, një mbret i hershëm romak, gjithashtu përmban informacion unik që nuk gjendet askund tjetër në tekstet e lashta.

Plutarku është kritikuar për mungesën e tij të diskriminimit të arsyeshëm në përdorimin e autoriteteve dhe gabimet dhe pasaktësitë pasuese në tekstin e tij, por ai shpëton shumë citate nga veprat e humbura, ndërkohë që rastësisht ofron një sasi të madhe informacioni të vlefshëm, duke mbushur boshllëqe të shumta në njohuri historike të gjetura gjetkë.

Që nga lashtësia, Plutarku është shquar për stilin konçiz dhe të gjallë të shkrimit të tij, duke përcjellë një ndjenjë ngrohtësie në portretizimin e tij dhe seriozitetin moral dhe entuziazmin me të cilin ai analizon disa ngjarje dhe personazhe më të rëndësishme të botës antike.

Biografinë mbi një figurë historike greke, Plutarku e pason nga një biografi për një figurë të ngjashme romake, duke dhënë natyrën ‘paralele’ të veprës. Homologu i dukshëm j Aleksandrit është romaku Jul Cezari.

Please follow and like us: