Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Miho: Adil Çarçani – njeriu, luftëtari, udhëheqësi

Ish Kryeministri i Shqipërisë, për 10 vjet, me aq kontribute gjatë karrierës së tij, në fund të jetës ishte pa asnjë pasuri, pa librezë në bankë dhe njëkohësisht pa shtëpi… 

Nga Astrit Miho

Në foto: Student, në inagurimin e Uzinës Tirana, me dy vajzat Teutën dhe Lidën, me grup inxhinierësh në ceremoninë e fillimit të Hidrocentralit të Fierzës, me bashkëshorten Hava Çarçani, Kyeministër dhe Partizan..

Kush ishte Adil Çarçani?

Personalitet e shquara politike dhe shoqërore mbahen mend jo vetëm për veprat që bëjnë dhe gjurmët që lënë në jetë, por edhe për qëndrimet dhe marrëdhëniet që krijojnë me njerëzit dhe shoqërinë. Ata gjykohen për kohën që jetojnë dhe gjurmët që lënë pas.

Një i tillë pa dyshim ishte Adil Çarçani.

Ai ishte një njeri i ndershëm, atje ku shërbeu, gjatë karrierës së tij, ashtu siç ishte, në punë tregoi vetëm ndershmëri. Por që në fillim themi të metat edhe dobësitë e vetësistemit të kaluar që rëndojnë edhe mbi Adil Çarçanin, – ish Kryeministrin e Shqipërisë. Mendojmë dhe themi se ai sistem ishte vetë një regjim dhe me një pushtet absolut në ideologji, i cili kërkonte edhe nga njeriu më i thjeshtë apo me pushtet, të zbatonte një vijë të pandarë, se çdo gjë ishte e varur nga politika, për vetë kohën, ashtu ishin të ndarë, të dy kampet Lindje–Perëndim. Nuk diskutoj për Luftën e Ftohtë, nuk diskutoj për kohën kur Shqipëria ishte e mbyllur dhe e izoluar totalisht, por ishte Shipëria që ngriti për herë të parë Universitete dhe u zhvillua, ndërtoi vepra që nuk mund, as të krahasohej më, me të kaluarën e mëparshme. Ishte Shqipëria ajo, që doli vetë nga Traktati Varshavës. Unë diskutoj personalitetin, figurën dhe vlerat e një -ish Kryeministri të Shqipërisë, flitet për një personalitet me vlerat e tij më njerëzore, aftësitë, zgjuarsia, kur ai bëri një karrierë të gjatë, duke filluar që prej moshës 22-vjeçare, ai dha kontribut për Atdheun e vet. Ai arriti me punë deri në majën e piramidës së drejtimit të shtetit, por Adil Çarçani u lind, u edukua, punoi me përkushtim për Atdheun e tij, vdiq si patriot, njeri i ndershëm dhe askush nuk duhet të mendojë ndryshe. Ai ishte një njeri që dëgjonte dhe fliste kur do të merrej vendim. Ai dallohej në profesionin e tij, ishte një ekonomist i mirë, shkolluar për ekonomi-financë në një universitet të ish BRSS, njihte mirë gjuhët e huaja, fillimisht Frëngjishten dhe Italishten dhe më pas Rusishten dhe Anglishten…

Kush ishte origjina e familjes të Adil Çarçanit?

Lindi në fshatin Fushëbardhë të rrethit Gjirokastër në 5 Maj 1922. Për Adil Çarçanin fëmijëria ishte e vështirë, për arsye se babai i tij, Haki Çarçani vdes në Janinë, kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Nëna e tij Sabrie, me origjinë nga fshati Nivicë i Kurveleshit të Labërisë, bashkë me djalin dhe vajzën u kthyen nga Janina, tek ish shtëpia e tij në Fushëbardhë dhe rritet nën kujdesin e Sabries dhe të xhaxhallarëve në Çarçanaj. Adil Çarçani doli nga një familje dhe një fis me emër të madh, një fis i shquar për kulturë dhe atdhetarizëm. Ai ishte një personalitet që do të kujtohet, se doli pasardhës, nga njerëzit e shquar për kulturë dhe trimëri të nxjerrë brez pas brezi, nga fisi i madh i Çarçanëve të Fushëbardhës. Ky fis është i vendosur në një lagje të veçantë në Fushëbardhë, mbas rrapit madhështor që ngrihet në qendrën e fshatit; shtëpitë e tyre historikisht, iu ngjajnë shtëpive të trashëgimisë kulturore shqiptare, me kulla tipike që tregojnë jetëgjatësi në vite, me mure guri të skalitur mirë, lartë kanë emblemën dhe janë të rrethuara me mur në lartësi.

Fisi i Çarçanëve ka një histori të gjatë në preardhjen e vet, rrënjët e tij shkojnë larg në histori, janë të formuara nga dy degë, nga ku sot është ky fis. Një degë e fisit është se Çarçanët janë nipa të kapedanit Patriot Çelo Picari dhe së dyti ata janë me prejardhje nga fisi i madh i Kapedanëve Gjika të Qeparoit, të ardhur dhe të vendosur në Zhulatin e vjetër historik dhe më vonë në Fushëbardhë. Pikërisht nga ky fis, ka pasur njerëz të arsimuar dhe të shkolluar jashtë shtetit, në Lindje apo në Perëndim. Gjyshi i tij Nexhip Çarçani, mbas shumë përpjekjeve në vite dhe në vazhdimësi kur Kombi Shqiptar ishte nën sundimin e gjatë Otoman, arriti që të hapte Shkollën e Parë Shqipe në Fushëbardhë. Ai solli nga Stambolli më 1907, Abetaren e Parë Shqipe dhe menjëherë filloi mësimin me grupin e parë të nxënësve. Gjithashtu xhaxhai Selaudin Çarçani, kreu studimet për drejtësi në Stamboll dhe ishte një nga figurat më të shquara në studimet psikologjike shqiptare. Nga ky fis gjithmonë kanë dalë figura të shquara, komandatë e patriotë, intelektualë që kanë kontribuar për lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në librin e shkruar nga Dr. Parim Çarçani me titull “Çarçanët e Fushës”, në faqen 127, ndër të tjera shkruan “…Çarçanët ishin shqiptarë Ortodoksë që përqafuan Bektashizmin si një urë pajtimi midis Islamit dhe Kristianizmit. Ishte kjo një zgjidhje pragmatike e bërë nga vetë Thanas Çarçani, i pari i fisit të Çarçanëve, që ishte i lindur në një familje Ortodokse… Karakteristikë e Çarçanëve është se ata kanë qënë përkrahës të Nacionalizmit Shqiptar në epokën e Perandorisë Osmane, në shekullin e XIX dhe në fillimet e shekullit të XX. Kjo tregohet si me pjesëmarrjen në luftrat patriotike si Rakip Çarçani – Zhulati, në luftrat patriotike shqiptare kundër zgjedhës Otomane 1840 – 1845 si dhe në betejen e Lëkursit – Sarandë, në shkurt 1878 nga Bako Çarçani… Pikërisht kjo është origjina nga rrjedh Adil Çarçani.

Fisi i Çarçanëve të Fushëbardhës kishte plotë prona dhe pasuri të mëdha, nën Rrëzomë, Finiq, Delvinë edhe në Sarandë, por shkolla dhe edukimi i tij bënë që ky djalë i ri të drejtohet tek e reja, tek ndryshimi. Ai u frymëzua nga idetë përparimtare të Rilindjes sonë Kombëtare dhe në Gjimnazin e Shkodrës u bashkua me Qemal Stafën, fillimisht ishin bashkë në Shkodër, më vonë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Ai tregoi zgjuarsi të veçantë duke kontribuar për një të ardhme përparimtare, se ajo ishte rruga e vetme e së ardhmes, për një ndryshim të madh, për një rend të ri shoqëror. Ai rend do të ishte rendi i barazisë shoqërore, rendi kundër varfërisë dhe prapambetjes së gjatë e të shumëvuajtur nga Populli Shqiptar. Adil Çarçani ishte një idealist dhe burrë trim, atëherë kur në vitet më të vështira Atdheu vuante nën pushtimin fashist, ai në fshehtësi punoi kryesisht në Tiranë, ku aktiviteti i tij ishte shumë aktiv kundër dogmës së fashizmit. Atij nuk iu tremb aspak syri nga dhuna e egër fashiste, por në vazhdim të aktivitetit të tij, menjëherë u inkuadrua me fillimin e lëvizjes të Formacioneve Luftarake Partizane me detyra të larta komanduese, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Shkollimi i dha dije, ishte drejtimi për në jetë

Ai fillimisht u regjistrua në liceun Francez të Gjirokastës, ashtu siç quhej liceu Franko – Zvicerian (sot gjimnazi Asim Zeneli). Ky lice kishte të gjithë stafin e pedagogëve, shtetas francezë. Gjimnazisti i ri, Adil Çarçani banoi në lagjen “Palorto” tek miqtë e prindërve të tij, në shtëpinë e intelektualit gjirokastrit Baftjar Dobi. Stafi francez kishte një kërkesë dhe një kulturë franceze, ku në mësim kishte si gjuhë të huaja, Frëngjishten dhe Italishten. Ai në këtë lice do të mësonte vjershat e rilindësve tanë shqiptarë, Naim Frashërin, A. Z. Çajupin, Mjedën, do të studionte për patriotët Çerçiz Topullin e Petro Nini Luarasin, do të njihej edhe me shkrimtarë të mëdhenj francezë si La Fonteni, Viktor Hygo, etj. Rruga ishte e mirë, por liceu francez fatkeqësisht nuk zgjati se mbretëria do ta mbyllte dhe më vonë mbasi vdes edhe drejtori në Francë, Adil Çarçani do të vazhdojë shkollën me bursë në një gjimnaz tjetër, në atë të Shkodrës. Në këtë gjimnaz ai njihet me gjimnazistin Qemal Stafa, bashkëthemeluesin e Grupit të Shkodrës Vasil Shanton dhe me plotë pjesëtarë të tjerë në grupin e të rinjve të gjimnazit, me luftëtarë e antifashistë gjatë viteve 1938– 1942, kanë marrë pjesë gjerësisht në Grupin Komunist të Shkodrës. Ky grup ishte me një aktivitet të shtrirë në Tiranë, Gjirokastër dhe në qytete të tjera të Shqiperisë. Edukimi ndikoi që të njihte akoma më shumë relitetin, gjendjen e rëndë të mjerimit, zemërimin dhe revoltën popullore ku rinia kishte idenë dhe objektivin për ndryshimin e sistemit shoqëror, atë të zgjimit dhe çlirimi nga pushtimi i huaj italian. Me shokët e gjimnazit të Shkodrës ai lidhet ngushtë me Qemal Stafën dhe formohet plotësisht se kauza për atë, do të ishte një kauzë e vërtetë, për një jete të re, tek e nesërmja. Tek ai ndikuan idetë e reja përparimtare të Qemal Stafës, ku virtytet dhe cilësitë e shqiptarit ashtu si i përshkruante Qemal Stafa në esenë e tij: “E vjetra shëmbet, kohët po ndryshojnë. Një jetë e re po lulëzon gërmadhash”. Kjo shprehje ishte himn e shpresë, që do të ruhej si një kujtim i gjatë, për gjithë jetën e tij. Ai u bë burrë në moshë të re, së pari njeriu duhet të jetë njeri, në jetën e tij, kushdo duhet që të tregojë vlera; ai e mendonte se në karakterin e tij, përveç trimërisë, i duhej të tregojë vlera edhe urtësi në komunikim, të jetë fjalëpak dhe punë… një detyrë ishte, çlirimi i Atdheut nga zgjedha e fashizmit.

Punët dhe detyrat që ka kryer Adil Çarçani

Adil Çarçani, që herët në rininë e tij është dalluar se kishte aftësi të veçanta në rolin drejtues si dhe në mënyrën e komunikimit me njerëzit. Njerëz të tillë sot duhet të kujtohen me respekt. Gjatë jetës së tij ai ka punuar dhe drejtuar në detyra të rëndësishme të shtetit, si politikan i përiudhës së sistemit të kaluar ka qenë i zgjedhur për 41 vjet Deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë dhe nga 1960 – 1991 antar i Byrosë Politike. Ai për merita të larta, dy herë ka marrë Titullin e Lartë “Hero i Punës Socialiste” gjithashtu, ai ka patur edhe Titullin e Lartë, “Hero i Popullit”. Në luftë, në rolin drejtues, ai ishte zv. komisar i Çetës “Çerçiz Topulli” 12 Dhjetor 1942, në fshatin e lindjes, Fushëbardhë. Pastaj zv. komisar i Batalionit “Baba Abaz”, në Zonën e Parë Operative Vlorë – Gjirokastër-Mallakastër. Në Janar deri Mars 1944 u caktua përgjegjës politik i Br. VI Sulmuese “Hero i popullit”. Në Mars deri në Nëntor 1944 ishte zv. komisar dhe komisar i Br. VIIS. Nga Nëntori deri në Prill 1945, komisar i Divizionit 4 Sulmues. Mbas çlirimit, ai do të mbajë postin e Komisarit Politik të Qarkut të Durrësit dhe më vonë, në atë të Shkodrës. Në 1952 – 1960 është Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në vitin 1959 – 1965, Ministër i Ministrisë së Industrisë së Rëndë dhe Minierave dhe më vonë Zv. Kryeministër, për një kohë të gjatë 1965 – 1981. Nga viti 1981 – 1991, ai kryesoi pesë qeveri si Kryeministër i Shqipërisë. Kontributi i – ish Kryeministrit apo i çdo njeriu, në çfarëdo kohë qoftë, historia e ka vlerësuar, me të mirat që ka bërë, apo me të këqiat që ai ka shkaktuar, por sot njerëz të veçantë apo politikanë, vetëm ata dinë çdo gjë, të shkruajnë historinë dhe te flasin sipas interesit të tyre dhe përpiqen të errësojnë çdo gjë të kaluar. Të kritikosh është më lehtë se të punosh… Dihet se ardhmja do të bëhet më e mirë dhe shqiptarët do ta shkruajnë historinë e tyre, ashtu si ka qenë dhe çdo gjë do të vendoset vendin e merituar.

Ai është nder i Fushëbardhës

Për Fushëbardhën është krenari që nga ky vend doli një Kryeministër. Ishte nder për çdo fushëbardhas kur do të prezantohej: jam nga Fushëbardha. Të gjithë e kujtojnë se biri i tyre do të vinte shpesh në Fushëbardhë, ai takohej edhe me çdo njeri të thjeshtë, ulej gju më gju me bashkëfshatarët atje tek rrapi madhështor në qendër të fshatit, çmallej me njerëzit, do t’i takonte të gjithë me radhë, pyeste për çdo familje si ishin dhe çfarë halle apo ndonjë problem që mund të kishin. Aty nga gëzimi vetë fushëbardhasit improvizonin dhe thurnin vargjet, ku i këndonin birit të tyre më të shtrenjtë, në këngën labe… Shkrep moj valle mbi stërrallë/se tek Rrapi në Fushëbardhë/biri i fshatit na ka ardhë./Na qesh buza gëzon xhani/komisar Adil Çarçani/që lindi në këto gurë/fshatin se harroi kurrë/…

Ai çdo vit takohej me krahinën e Kardhiqit, në festën e themelimit të batalionit partizan “Asim Zeneli” në 7 Gusht 1943, ku ai kishte qënë edhe partizan i këtij batalioni, shkonte në çdo grup të fshatrave të krahinës, takohej pezemërsisht, duke transmentuar thjeshtësi dhe dashamirësi. Ai ishte Kryeministër, por shumë njerëzor. Ai kishte shumë detyra për të zgjidhur dhe shumë punë, por nuk harronte të jetonte edhe me hallet e njerëzve… kujtohet një zonjë grua nga Fushëbardha. Nënë Gazja sëmuret dhe operohet në Spitalin e Tiranës, Adil Çarçani i vajti në spital dhe u interesua për shëndetin e saj dhe ajo mbasi doli nga spitali, i duhej në vazhdim kujdesi i mjekut, për këtë ai e mori për dy javë në shtëpinë e vet. Ai ishte një familjar i mirë, çdo vit me raste të festave ose në përvjetore, priste në familjen e tij, pa dallim çdo fushëbardhas, atë e dallonte thjeshtësia dhe vlerat njerëzore. Atë e deshën të gjithë, se ishte një udhëheqës, njeri i thjeshtë e fisnik. Ai nuk ishte hakmarrës apo tendencioz, vlen të përmendet edhe kur vajza e tij nuk bashkëjetonte më me ish burrin e vet, ai shkoi për ngushëllim tek shtëpia e -ish dhëndrit për vdekjen e babait të tij. Ai asnjëherë nuk ka patur asnjë përfitim nga detyrat shtetërore. Me ndërrimin e sistemit u arrrestua dhe në vitin 1994, u dënua me 5 vjet burg, së bashku me të gjithë udhëheqjen e mëparshme, me akuzën “shpërdorim detyre” e “genocid”, që ishte ishte pa baza dhe një masë krejtësisht politike. Ai në këtë kohë ishte 75 vjeç, në një gjëndje të rëndë shëndetësore, i sëmurë, u la në arrest shtëpie. Ai jetonte në banesën e shtetit. Gjatë kësaj kohe, ecejak, me disa valixhe në dorë, pasi disa here i ndërruan banesën dhe më në fund jetoi tek shtëpia e vajzës. Në muajin Tetor 1997, iku nga kjo botë, ish Kryeministër i Shqipërisë, pa asnjë pasuri, pa libreza në bankë dhe njëkohësisht pa shtëpi. Ky personalitet që ka kontribuar gjatë gjithë jetës së tij, edhe në detyra të rëdësishme në drejtimin e Shtetit. Ai la një emër të mirë dhe është nder i Fushëbardhës, ku për respekt dhe kujtimin e tij, në një vend të dukshëm, vetë fushëbardhasit do ta lartësojnë me një statujë ose përmendore.

Fushëbardhasit kujtojnë birin e tyre

Adil Çarçani mbante lidhje të ngushta me Fushëbardhën, ai e shprehte këtë dashuri në plot takime me njerëz bashkëfshatarë apo në raste vizitash, festash e përvjetore. Ai tregonte dashuri për vendlindjen, ku kujtonte me mall, emrat e vendeve, të gjitha fiset me radhë, gjithashtu. Ai ishte treguar i gatshëm për këdo fushëbardhas, banorë të krahinës së Kardhiqit apo të Rrëzomës, që mund të kishte ndonjë problem dhe të mos e kishte lënë pa e zgjidhur, pa paragjykuar se bir i kujt të ishte, apo çfarë biografie të kishte, por edhe mos marrëveshje apo tendenca të kohës që kishin ndodhur midis njerëzve, ai i sheshonte problemet, edhe për padrejtësitë që bëheshin, revoltohej dhe e rehabilitonte brenda fshatit. Fushëbardhasit i kujtojnë shumë mirë problemet e vetë kohës. Ai vinte në vendlindjen e tij, vinte tek shtëpia ku ishte lindur dhe kaluar vitet e fëmijërisë, në rininë e vet. Ai ishte shumë i thjeshtë, ulej e bisedonte thjesht me bashkëfshatarët e tij, diskutonte për çdo problem apo hall që mund të kishte ndonjë familje, i pyeste të gjithë. Interesohej për shkollën, për qendrën shëndetësore, si funksiononin dyqanet, kinemaja, muzeumi i fshatit, etj… Adil Çarçani iu tregonte se në krenohemi me plotë djem e vajza, të këtij fshati që vazhdojnë shkolla dhe universitete, ne kemi edhe njerëz të talentuar, kemi shkrimtarë e poetë, kemi kuadro që kudo dallohen, shumë të tjerë janë profesionistë të ingranuar në gjithë Shqipërinë…

Në atë kohë, fushëbardhasit kujtojnë se në plot burimet dhe në çezmat e mëparshme të fshatit, pati mikrobe, epidemi dhe sëmundje infektive, ajte uji u bë i dëmshëm për njerëzit, ku pati edhe të shtruar në spitale. Në vitet 1980 – 1982 në fshat erdhi uji i ftohtë, ujë nga mali i Fushëbardhës, një ujësjellës i gjatë 4 km, nëpërmjet një terreni mjaft shkëmbor. Burimi ishte larg në një ujëvarë, lartë në mesin e shkëmbit në mal, atje afër një vendi të pashkelur nga asnjë njeri deri në atë kohë. Ai burim ishte në një grykë të vështirë, në mesin e shkëmbinjve, në Grykën e Honit të Piriut, kështu quhet. U bë studimi dhe projekti, kjo vepër është drejtuar nga vetë Adil Çarçani. Pikërisht kjo vepër madhore ishte një mrekulli e vërtetë. Ky ujësjellës u bë për një kohë shumë të shkurtër, në çdo familje vajti çezma, uji i ftohtë mali, ishte me të vërtetë një ëndërr shekullore, kur të gjithë fushëbardhasit e kujtojnë shumë mire atë ditë…

Gjithashtu, Fushëbardha, në ato vite u kthye në një kantier të madh pune. Çdo familje do të kishte pjestarë që të punonin në këto kantiere. U bënë disa rrugë që shërbenin si njyje lidhëse e shfrytëzimi për kërkime gjeologjike për ndërmarrjen e Gjeologjisë dhe për ndërmarrjen pyjore, kur pak më vonë u vu në shfrytëzim edhe miniera e fosforiteve, e cila furnizonte me mineral Uzinën e Superfosfatit të Laçit për prodhimin e plehrave, për pasurimin e tokave bujqësore, në të gjithë Shqipërinë. Po kështu Adil Çarçani porositi që ndërmarrja pyjore të pyllëzonte me pisha, kodrat dhe gjithë luginën gati 5 km në hyrje të Fushëbardhës si dhe mbjelljen e plotë me dru frutorë. Ashtu u bë. Sot pishat janë lartësuar, janë bërë shumëvjeçare dhe i japin një bukuri të veçantë të gjithë rrugës që të shpie në këtë fshat malor, 300 metra mbi nivelin e detit, një fshat mjaft i bukur, i cili është plotësisht 360 gradë i rrethuar nga malet, i ngjan një amfiteatri të vërtetë dhe në mes të tij është Fushëbardha. Këtë amfiteatër, në mes e përshkon një lumë me një zall shumë të bardhë, prandaj nga kjo pamje e ka marrë emrin edhe vetë fshati të quhet Fushëbardhë. Ky amfiteatër me male, fshati me histori të dikurshme kishte 5 kisha, me kishën më të madhe të Shën Marisë, që edhe sot quhet Shën Mëri, ka përballë Qafën e Priftëve, vendi kur pushtuesit osmanë i masakruan priftërinjtë. Poeti fushëbardhas Zeqir Cama e përshkruan me këtë metaforë Fushëbardhën: “Borërat një nga një kanë në emrin tënd/ jelekbardhajetëgjatë, eshtërzëna argjend/zalli mes përmes,prehet pa andralla/si një shall i lashtë, feks në shtatë mëhalla… Reliev i thyer valë – valë/djepi që më tundi/Fushëbardhë”.

Sot edhe të huajt që shkojnë në ndonjë bujtinë atje në Fushëbardhë, thonë se jemi të mahnitur nga vendi dhe mikëpritja. E duam këtë miqësi dhe do të vijmë përsëri në Fushëbardhë… E në këto vizita e takime kujtohet e do të kujtohet me respekt burri i shquar i këtij fshati, Adil Çarçani.

.

Please follow and like us: