Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi: KARNAVALI I NËNTORIT NË PALLATIN E KONGRESEVE

KARNAVALI I NËNTORIT NË PALLATIN E KONGRESEVE. FESTIMI I LIBRIT FIKTIV, SI OBJEKT SPEKTAKLI DHE DEKORIMI OSE FESTIVALI I PSEUDO-LEXIMIT, PËR ATA QË NUK LEXOJNË!

Një mendim i lirë nga Skënder SHERIFI

Miq dhe mikesha të nderuar, ngaqë e pata përjetuar vjet në Nëntor 2023, gjatë 4 ditëve, si një i ftuar anarshist dhe ilegal, Panairin e Librit vjetor të vjeshtës në Tiranë, desha për t’i ndarë disa përshtypje personale dhe intime me ju, të cilat janë natyrisht krejt subjektive dhe vlejnë aq sa vlejnë, por unë, as nuk them që e kam mirë apo me të drejtë dhe nuk ia imponoj idetë e mia askujt. Çdokush i vlerëson përmes analizës së tij brenda një lirie të plotë. Pikë!

Por unë për vetën time isha aty vjet me librin tim “WELCOME TO PARIS”, së paku një vepër e vërtetë prej 900 faqesh dhe me një përmbajtje kulturore, e cila nuk e ka sot për sot, objektivisht asnjë vepër letrare apo artistike e botuar në vitet e fundit në Tiranë… dhe nëse eventualisht gaboj, më thoni pra mua, e cila, me titullin dhe autorin e saktë… se m’intereson realisht?

Dhe gjatë atyre 4 ditëve, në realitet askush nuk më ka ardhur për ta lexuar seriozisht atë vepër, edhe pse mi morën afërsisht 25 libra, por më tepër për arsye show dhe spektakli, sesa për ta studiuar. Do me thënë, e pava qartë që askush nuk e kishte mendjen reale për t’iu futur seriozisht letërsisë si art, por për t’u dukur trendi, fashion, ngaqë ishte një ngjarje vjetore me përmasa kombëtare, e mbireklamuar nga të gjitha televizionet e vendit… Natyrisht, që publiku shqiptar shkonte për ta vizituar Pallatin e Kongreseve, gati mekanikisht, si një lloj detyre shkollore, apo sa për t’u argëtuar, për ta kaluar kohën, në vend se me shëtitur kot e pa qëllim apo për t’u zhagitur nëpër kafe. Bile, aty do shohim njerëz dhe eventualisht ndonjë personalitet të njohur, të cilin e kemi pa nëpër ekranet shqiptare, por pa e ditur saktësisht për çfarë?

Si artist, si shkencëtar, si aventurier, si trafikant, si politikan? Jo por qenka një fytyrë e njohur simpatike apo antipatike! Ndoshta mund t’i flasim, mund ta bëjmë një foto selfie me të, mund ta pyesim sikurse shumica prej gazetarëve apo animatorëve tanë nëpër disa emisionë, sa për t’i mbushur programet…

– Por zotëri Sherifi: kush jeni, me çka po merreni saktësisht dhe përse keni ardhur në Tiranë?

– Sinqerisht nuk e di as vetë se kush jam, as me çka merremi… me siguri me dallavere dhe uzurpim sikurse ju. Shes konserva qumështi në shesh dhe kur kam një disponim mendor, luftoj me fjalë, ide dhe me vargje, e muzikalizoj gjuhën shqipe dhe franceze, sa për qejfin tim. Kur ngelem si kloshard pa asnjë lekë në xhep, ia kërkoj ndonjë humanisti të rrallë, një favor sa për sevap. Dikush preket shpirtërisht dhe e ndihmon një UFO.

– Por a i duhet kujt gjithë ajo punë?

– Jo, absolutisht askujt! Jam dinauzori i fundit i këtij modeli në Jurasik Parkun shqiptar. E kam ngatërruar gjeografinë, epokën dhe shekullin. 

– A i ke shkruar ti vetë gjithë këto libra, zoti Sherifi?

– Jo, një kushëri afrikan, porse i kam firmosur unë, si plagjiator.

– Por paska shumë faqe, kush i lexon këto… e për çka flet vepra?

– Nuk e di as vetë… kanë ardhur me tonelata fjalë nga kozmosi dhe janë futur direkt nëpër fletë, pa na pyetur fare. Autori ngelet misterioz, një lloj fuqie enigmatike… por është dashur një dorë njeriu për t’i shënuar.

– Asgjë, nuk po kuptojmë, por po na dhimbesh shumë, që e ke bërë gjithë atë mundim. Po ta marrim një libër sa për humanitet, e sa kushton?

– Sa një picë tek Juvenilja, por pasi kam ngelur pa drekë, mund të ma paguani edhe mua, përkundër një fotografi në tavolinë… Por mos ma merrni librin kot, nëse nuk e keni mendjen për ta lexuar, se është gjynah!

– Por libri është për t’u shitur more i shkretë. A je shkrimtar apo çka dreqin je? A jeton prej veprave të tua? Sepse, ne e kemi për me të ba nder dhe për ta futur në bibliotekën tonë, tek vila e re 3 katëshe të cilën e kemi ndërtuar para 6 muajsh. Do figurosh në sallonin tonë, me Migjenin, Agollin, Ben Blushin, Tupjen, dhe si me u ba i bukur, i pasur, Don Zhuan, i ri, dinamik, atraktiv, sensual, erotik, me 10 leksione? Plus, e kemi edhe një kujtim me ty në fotografi… Të kemi pa në televizion dhe po na dukesh po ashtu simpatik edhe në jetën e përditshme. A fiton shumë lek me gjithë këto libra?

– Jo, prandaj, po mendoj për t’u konvertuar në kanabis dhe kokainë në pleqëri. Se deri tani kam ardhur si Shënkolli, i cili iu dhuronte bombona dhe çokollata kalamajve me 6 dhjetor, ose si Dervish Luzha i Tropojës dhe kam shqepur tash 34 vite libra falas nëpër Shqipëri dhe Kosovë, të cilat askush përpos 5 përqind ekspesione nuk i ka lexuar. Dhe i thashë vetes: pse mos me u ba edhe unë “Mushk” si gjyshi im i Holivudit zoti Clint Eastwood, në filmin “The Mule” ngaqë Poezia, Filozofia dhe bota e shpirtit kanë marrë fund me Elon Muskin, botën teknologjike dhe inteligjencën artificiale. Dhe aty, fatkeqësisht, nuk mund të hyj tani!

Merreni veprën falas, nëse ju përshtatet për sallonin tuaj dhe hupëni e mos të ju shoh më për së dyti! Pra, nëse më kanë lexuar me pak përkushtim dhe seriozitet dy persona gjatë Panairit të Librit, kjo është një rekord. Kurse ata të rrallët që e kanë lexuar, sikurse miku im Ilir YZEIRI, Mevlan SHANAJ, Osman SHEHU, Kastriot RAMOLLARI me disa shokë, e kanë konsideruar si vepër emblematike kult për kulturën shqiptare. Atëherë, çka kam për t’ju thënë, nëse jam së pari 100 përqind i sinqertë me veten time dhe pastaj me ju?

Për mua personalisht, Panairi i Librit i Tiranës, ka qenë objektivisht sipas konstatimit dhe përjetimit tim, një maskaradë groteske e paparë, një lloj teatrologjie, komedie njerëzore, tamam lojërat e cirkut të Jul Çezarit, por kinse kushtuar letërsisë, me një alibi kulturorë në sfond. Ndërsa, unë, në realitet, e kam pa një ngjarje puro komerciale, ku çdo gjë predominon në plan të parë, reklama, show, spektakli, televizionet, tregëtia, shitja, marketingu, publiciteti, por në asnjë mënyrë “kultura autentike e thellë dhe e pasur, apo letërsia si art, si botë, si zbulim i ri”.

Pra, Pallati i Kongreseve ishte Teatri, Arena, ku vinin njerëzit e publikut për të shëtitur nëpër korridore apo stenda, për ta kaluar kohën e tyre, për ta takuar sa për show dhe hajgare ndonjë autor, për t’u fotografuar me të apo mes veti, sa për të dëshmuar që isha në panair… (a po e shihni se edhe unë po shkoj ku ka kulturë, së paku në plakatat e hyrjes… ku e ke të shkruar fjalën libër).

Pastaj, dikur ndonjëri prej tyre, do të thotë mbi 90 përqind patjetër, dilnin të shtyrë nga një refleks automatik i tipit Pavllovian, një farë auto-sugjestionimi mekanik, me një qese plastiku të mbushur me libra… por shumica prej tyre, hajgare të kota… sesi me u ba kështu dhe ashtu, si me korrur sukses në biznes, në seks, në plazh, sesi me u ba miliarder, sesi me kuzhinuar, sesi duhet me u veshur, sesi duhet me humbur peshë, ose libra për t’ua mbaruar qejfin fëmijve të tyre, me përralla, me vizatime, sa për të thënë (a po e shihni sesa prindër të kujdesshëm dhe të mirë jemi!) etjera? Ose vepra sa për dekor, porse asnjë gjë nuk u lidhte me artin apo me botën letrarë në realitet.

Do me thënë ishte një sfilatë gjigante, një hapening LIFE, një show dhe një spektakël, i skenarizuar brenda një prapasfondi biznesi dhe tregëtie, diçka     e orkestruar mjaft profesionalisht mbi alibinë e Librit dhe të Letërsisë me një ose 2 emblema sa për sy dhe faqe… Kush e krijon evenimentin me prezencën e tij në panair: Garcia Markezi, Borgesi, Le Clezio, Michel Houellebecq, Ohran Pamuk, Douglas Kennedy, Patrick Modiano, Annie Ernaux?

Jo, por e krijon Blendi Fevziu dhe Ermal Mamaqi… autorë madhorë! Do me thënë, jemi në logjikën evidente: bukë dhe lojëra, show dhe spektakël.

Mund të thuhet që Panairi i Librit vjetor i Nëntorit në Tiranë, pavarësisht sesi e paraqesin dhe sesi e stërfryjnë dhe e propagandojnë të gjitha mediat shqiptare, (dhe aty mund t’i thuash vetës – po a mos i kanë blerë të gjithë) e celebron ose e feston LIBRIN, por vetëm si objekt tregëtie, biznesi apo dekori, si objekt konsumi, sa për ta larë një lloj faji moral ndaj kulturës… Tani na duhet bile 1 herë në vit, për ta blerë ndonjë libër, sa për ta rikthyer në vendin e duhur ndërgjegjen tonë njerëzore. Pra, konkretisht, festohet 4 ditë me një masë vizitorësh të pabesueshëm në një pallat, sa që kishe për të thënë: – Waou, po ky popull qenka gjenial dhe po e don aq shumë letërsinë, po lexojshin me entuziazëm, qenkan fansa të artit dhe të kulturës. Super!

Kurse në realitet është një mashtrim dhe një iluzion kolosal. Jemi në Panairin e librit, në idenë fiktive të librit, në spektaklin dhe inskenimin e librit, si objekt komercial, duke luajtur me konotacionin që ka fjala ‘libër’ për gjithë ata që nuk e lexojnë fare, porse e blejnë dhe e konsumojnë, së paku gjatë panairit. Kjo është analiza ime dhe dëshmia e ime, të dashurit miq dhe mikesha!      

–  Po qysh ashtu zotëri Sherifi, je i vetmi që e shpreh atë mendim, o burrë! – Po e di dhe po më vjen keq, por për mua kjo është e vërteta ime. Nëse nuk jeni dakort, ma faktoni që e kam gabim me argumentet tuaja. Dakort! Unë e kuptoj shumë mirë, që ky nuk është aspak narracioni apo propaganda zyrtare, sesi i është paraqitur ky eveniment (dhe është tamam një eveniment i madh dhe i suksesshëm, ngaqë publiku vjen në masë të madhe për ta shijuar… pra, unë them bravo për gjithë atë aspektin teknik dhe organizativ), por ka një dallim të madh, për mos me thënë një kundërshtim radikal gjigant, sesi i është paraqitur Opinionit Publik shqiptar, (jo po e celebrojmë librin si art dhe si kulturë) dhe se çka është në realitetin objektiv (diçka krejt tjetër: pra, një show puro komercial dhe publicitar, me prekstin e librit si zhanër letrar dhe artistik… sepse, aty çdo gjë mund të jetë prezente, përpos letërsisë)!

Mirëpo, kur e thotë shteti me versionin e tij zyrtar dhe vijnë të gjithë qeveritarët për ta inauguruar panairin, sa për show dhe komunikim të mbrendshëm, me një narracion të filtruar dhe të parapërgatitur siç duhet, dhe kur e afirmojnë 24 orë në 24 të gjithë mediat televizive gjatë 4 ditëve, të njejtin narracion publicitar të veshur me fjalën “art dhe kulturë” si mund ta afirmon anarshisti Skënder Sherifi të kundërtën?

Natyrisht, që kundër shumicës absolute, nuk mund të deportojë as të dëgjohet ai mendim, sa do që mund të jetë i vërtetë. Dihet që do jesh automatikisht i humbur. Nuk mund ta kesh ti me të drejtë kundër 95 përqind të opinionit zyrtar dhe mediatik të oborreve!

Mirëpo, ua kam thënë disa herë, o miq: unë jam ekspesion atipik dhe vij nga ajo liria e lirë franceze e viteve 1960-70, ku nuk kam përjetuar asnjë limit, asnjë kufizim dhe asnjë censurë. Dhe tani, kur e shoh për 1 orë kohë prezencë, e lere më 4 ditë… sesi funksionon në praktikë ky lloj panairi, mbi të cilën logjikë apo filozofi dhe sesi reagon konkretisht publiku që e viziton, nxënsat e shkollave që vinin aty sa për t’u argëtuar dhe profesorët e tyre,   sa për ta shlyer brenda një alibi kulturore, 1 apo 2 orë mësim pedagogjik dhe pastaj sjellja e njerëzve nëpër stenda dhe korridore: ti e kuptojshe se çka është duke ndodhur? Je një autor logjikisht i konsideruar si serioz dhe me vlera origjinale, i ulur 4 ditë nga 8 orë në një karrigë të Ioneskos, i cili nuk intereson absolutisht askënd, po flas si jexues, porse ju dukesh simpatik gjithë atyre që të kanë parë në ekran gjatë emisionëve… dhe pikë! Si mund ta mashtrosh veten pastaj, kur e përjeton ti vetë gjithë atë komedi burleske, patetike, por edhe tragjike për në aspektin kulturorë. Kur e sheh që 90 përqind e publikut vetëm shetit dhe argëtohet brenda panairit, ose del me një çantë plot me libra komplet të kota, të cilat nuk lidhen fare me letërsinë, bile nëse janë për fëmijët e tyre, prapë e mbushin një fuksion real të caktuar. Ose blejnë libra pa e ditur as vetë sepse mekanikisht sa për t’i futur në raftin  e bibliotekës së tyre në sallon, afër televizionit, sa për t’u dukur intelektualë të shkolluar, por të cilat natyrisht nuk i lexojnë. Atëherë, do rrahi shuplakat dhe do them bravo, super! Unë, nuk mundemi personalisht për t’u pajtuar me rrenën, uzurpimin, falsifikimin, mitomaninë, inskenimin permanent, komedinë.

Na vijnë njerëzit, mediat, organizatorët me shifra, me statistika dhe na thonë që këtu në Shqipëri lexohet në masë me kaq përqind… që gjatë panairit na erdhen kaq mijëra veta dhe na u shiten kaq mijëra libra. Dhe kur çdokush i përsërit këto informata për mua tendencioze dhe mashtruese, ngaqë e deformojnë komplet realitetin objektiv dhe lidhjen reale që ka populli ynë me kulturën, me artin, me librin… porse e maskojnë me shifra dhe stastistika anekse. Kur çdokush që është pak serioz, e di shumë mirë, që tek ne në Tiranë, apo në Prishtinë, askush ose pak kush lexon realisht, bile as studentët e universiteteve, as pedagogët e tyre, përpos çka lidhet me fushën e tyre profesionale. Kur dihet që sallat e teatrit janë gjysma thatë, dhe në ekspozita pikture nuk vjen askush. Çka ma kanë thënë mua vetë, njerëzit e profesionit?

Kështu, që unë i them vetës dikur: okay, e dua jashtë mase Atdheun tim dhe i respektoj pa asnjë dyshim të gjithë bashkatdhetarët e mi, e kam atë parim dhe atë besnikëri që nga lindja, e kam brenda natyrës sime dhe pikë. Mirëpo, pse duhet ta mashtrojmë veten së pari, dhe pastaj njëri-tjetrin me gjithfarë mitomanie dhe dezinformimi flagrant? Pse duhet për t’i thënë për interes “të zezës, e bardhë”? Pse duhet të marrim pjesë pa nevojë dhe në një mënyrë aq groteske dhe absurde, në gjithë këtë komedi, teatrologji, lojë rolësh, sa për t’u dukur kinse kështu apo ashtu… çka në realitet nuk jemi?

Dhe aq më tepër, çka unë nuk mund ta kuptoj: pse merr pjesë në këtë cirkus rrenash dhe në këtë spektakël të auto-mashtrimeve, vetë shtresa mediatike e vendit, dhe shtresa universitare, logjikisht e konsideruar si intelektuale?

Sepse, atëherë, problemi është më i rëndë dhe më i thellë, dhe për mua tepër shqetësues në realitet. Ngaqë, aty jemi në fushën e etikës profesionale, të logjikës racionale që lidhet me inteligjencën, e cila bazohet në argumente reale, të cilat na e faktojnë një të supozuar të vërtetë… Jemi pra, në fushën e shpirtit, të kulturës, të autenticitetit, të sinqeritetit, të psikologjisë, të anës morale, rigoroze, shkencore, pra të seriozitetit dhe kredibilitetit, nëse i themi vetes me plot të drejtë: që jemi elita e këtij Kombi dhe ata që po e formojnë këtë Rini studenteske shqiptare për të ardhmen. E kemi atë përgjegjësi!

Por dakort, o miq: po si mund të qendron ai objektiv, nëse ne fillimisht e pranojmë rrenën, e mbështesim të pa vërtetën, dezinformimin evident?

Kurse, logjika e shëndoshë do ishte për t’i denoncuar dhe për t’u prononcuar ashtu siç duhet dhe siç është realiteti objektiv i yni. Sepse, përndryshe, do humbim tek gjeneratat e ardhshme, herët apo vonë, çdo besueshmëri dhe çdo kredibilitet me plotë të drejtë.

Ju uroj çdo të mirë, dhe shpresoj që kjo dëshmi personale do t’ju shërbejnë për t’i vlerësuar pak ndryshe disa ngjarje dhe evenimente të cilat po zhvillohen në territorin tonë dhe për t’i analizuar nën prizmin e së vërtetës së tyre objektive. Unë mund ta pranoj pa problem një “komedi gjigante komerciale, nëse më paraqitet si e tillë”, por jo me ma shitur si të ishte ngjarja kulturore e vitit, apo si të ishim në botën e Plejadës të Gallimard-it, në Paris, ndërsa jemi në një cirkus popullor gjigant, ku ka me mijëra libra përreth si dekor.

Bruksel, 15 Nëntor 2024.

Please follow and like us: