Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Hirushja e një populli, yll, grua, nënë!

Ah moj Nicë legjendare! Flas me duart e tua, me këmbët e vogla që kishe aq frike se mos t’i vrisja kur i fërkoja, me sytë e tu, që për çdo çast më thonin lamtumirë, se ka ardhur koha, por unë që besoja në forcën e shpirtit tënd nuk mund ta pranoja, më dhimbte shumë të të shihja asht por dhe të mbaja me shpresë shtrënguar fort pas meje. Si dikur në Teatrin Popullor, ku filloi aktiviteti yt, tek Opera e Vjetër, sot Instituti i Lartë i Arteve, ku u rrita duke rendur kudo me një shpatë prej druri, që marangozët e skenës e kishin bërë enkas për mua. Aty ku më puthje sytë me makjazh e më dukeshe tjetër e me ndiqje pas si flutur e përdëlluar. I duhej Shqipërisë së vogël një Pallat Opere i madh , jo aq sa Scala, që të të nxinte në të, jo për një teke mbreti, por që të vërshonin në gjirin e tij breza të tërë, mbarë Shqipëria, të ndjenin një melodi në kërcimin tënd si burrneshë e brishtë, të shikonte muziken të shdërohej në trup. Fara dhe filizi që u mboll aty atëherë, eshte bërë lis, sa rrënjët nuk ia gjejnë e as e presin dot. Se ndryshe as do ish në atë pak që ka mbetur sot. Edhe pse mbyllin sytë ta shohin. U ngrit dhe më lart së Teatri Popullor, që më së fundi e prishën me turp për pesë pare të qelbura! E mbrojti sa mundi bastionin e saj dhe kur e shkelën me mospërfillje. Ndoshta, edhe aty ku gëlon grykësia, nuk i lë ta prekin gjënë që ti e kishe dhuratë të shejtë dhe e fale, se si e tillë vetëm do duhej të falej e ndahej me këdo. Arti ngulet thellë, dhemb dhe skalit padashur karaktere njerëzish.

Doje të vdisje në skenë! Ma the sa herë në dëshpërim e mall, por ti Zoja-Jetë e jona e more skenën me vete kudo që shkoje. Ti vallëzoje me mua në park, vrapoje në majë të gishtave me nipërit e tu, bëje ushtrimet çdo ditë deri dy muaj para se të ikje. Dhe kur këmbet t’u prenë nuk thashe kurrë nuk mundem, “Nuk kam fuqi,” por le të ecnim dhe ca, edhe disa hapa të tjera, siç bënje piruetat dhe fuetetë, sa frymën e mbaje për të më shqetësuar. U fike si një qiri, kur nuk kish më dritë të jepje. Me mendje te kthjellet, me duar e këmbë, fisnike trupdrejtë. Kur s’mundeshe, kur vuaje të qëndroje ulur, bëje shaka me ne! Si nuk u ankove apo afashve një herë … Dora e vogël u shkëput se nuk shtrëngonte dot të mbahej në levë, të ngrihej mbi puantet e grisura në majë të tyre! Nëntë ditë pa ty e mira e mrekullueshmja jonë. Hirushja e një populli që të deshi dhe të do aq shumë. Nder në ballin e tij të zhuritur për dije dhe kulturë, që ende rreket te gjejë veten! Ishe mbi kohën tënde, je për të gjithë kohërat që do vinë, përjetësisht e pastër dhe e pacënuar, YLL, GRUA, NËNË!

Please follow and like us: