Teodor Osoja: Fetë shkojnë e vijnë, por ne shqiptarët këtu do të jemi, përjetësisht!
I dashur Rexhep.
Në vijim të diskutimit tonë të fundit, po të shkruaj këtu, vëlla, lidhur me sa folëm atje, sepse ai është një grup diskutimesh me tjetër objekt, për gjuhën shqipe. Ne jemi shqiptarë mbi të gjitha dhe kemi parë shumë fe këtu. Fetë, apo besimet shkojnë e vijnë vëlla, por ne këtu kemi qenë, e këtu do të jemi, përjetësisht!
Në parantezë, po të bëj të ditur që unë nuk do të përdor fjalën Allah (arabisht), por vetëm Zot (shqip). Allah = Zot (kumt 100% i plotë). Shumë të paditur kujtojnë se kur i thonë Zotit Allah, e dallojnë veten nga besimtarët e feve të tjera. Në fakt bëjnë një gabim të madh. Së pari Allah i thonë Zotit edhe arabët myslimanë, edhe arabët e krishterë. Së dyti ka vetëm një Zot, një Krijues të Madh, të Vetëm, Universal! Pra nuk ka nga një Zot për çdo besim fetar.
Kjo puna e gjuhës që dallon fenë, nuk ka ka asnjë bazë, përveç dogmatizmit në besim. Në vetvete fjala besim e ka dogmatizmin të brendashkruar. Dmth ti, apo unë, dmth ne, në përgjithësi besojmë çfarë na thonë. E marrim si të dhënë të pandryshueshme çfarë kanë thënë, apo kanë shkruar të tjerët. Besimi nuk është mendimi yt, por i tjetrit, që tek ty rrënjoset si i dhënë dhe i pandryshueshëm. Kjo është dogmë, vëlla!
Ne jemi shqiptarë. Si shqiptarë, kemi gjuhën tonë. Eh, çfarë kanë hequr të parët tanë, për të folur shqip në kisha!
Që të kthehemi në kohën kur në kishat shqiptare filloi të flitej shqip dhe njerëzit filluan të kuptonin çfarë thuhej, më thuaj ti a nuk do ta kuptonte dot Zoti, nëse sa më poshtë do të thuhej shqip:
“Nuk ka Zot tjetër përveç Zotit” (“Ilahe illallah” (إله إلا الله))?
Natyrisht që Zoti e kupton, sepse Ai ja tha Moisiut (Musait) që ta shkruante këtë si Urdhëresën e Parë, 35 shekuj më parë, 15 shekuj para lindjes së Muhamedit!
Pra në thelb gjërat nuk na qenkan të ndryshme!
Por le të kthehemi te ajo që na mbeti në mes qeparë. Edhe këtu kemi diçka që duket e ndryshme, por në fakt nuk është aspak e ndryshme. Më the që myslimanët nuk e pranojnë Trininë e Shenjtë. Në fakt, për mua koncepti i Trinisë së Shenjtë ekziston, pavarësisht nga fakti që e kuptojmë, jemi të ndërgjegjshëm për praninë e konceptit në fjalë, apo jo. Është thjesht mënyrë qasjeje.
Trinia e Shenjtë nuk është ndarje në tresh e Zotit, por çdo element i Saj, është vetë Zoti. Prandaj kur të krishterët thonë që Jezu Krishti (Profeti Isa) është Zot, kjo nuk do të thotë që Ai është Zot, por që Zoti është Jezu Krishti (Isai), që foli e veproi në emër të tij e në këmbë të tij, Në Kuran shkruhet që Isai do t’i shfaqet prapë njerëzve, për Gjykimin e fundit… Çudi! Përse Jezu Krishti (Isai)?
Ta shkoqisim pak më tej.
Të krishterët thonë 1-Ati (pra Zoti), 2-Biri (Jezu Krishti) dhe 3-Shpirti i Shenjtë.
Myslimanët thonë Zoti. Por si ju është shfaqur Ai njerëzve? Njësoj si edhe të krishterëve, në tri mënyra të pranuara nga islami, si:
1-Zoti (që të krishterët e quajnë edhe At meqë ishte Ati i Jezusit (Isait)), 2- Kurani-Libri i Fjalës së Shenjtë (nëse për të krishterët Zoti zbriti të Birin për të përcjellë Fjalën e tij, për myslimanët Fjala e Zotit zbriti nëpërmjet Kuranit) dhe 3-Shpirti i Shenjtë (që nuk ka nevojë për shpjegim sepse është pothuajse koncept i përbashkët për të dyja fetë, me pak ndryshime, sepse islami e pranon të zbritur nga Zoti te Profetët. Pra në thelb është e njëjta gjë (me ndërmjetësinë e Profetëve, apo jo, bëhet fjalë për Frymën e Zotit të zbritur tek njerëzit)).
Pra, e njëjta gjë, por e parë nga dy kënde të ndryshme, nga dy dritare të ndryshme, të së njëjtës shtëpi.
Do të isha i lumtur nëse ne, vëlla, nuk do të rrinim të pllaquriteshim në cekëtina interpretimesh fetare, që për mua në thelb janë e njëjta gjë, por do të ndërgjegjësoheshim që ne shqiptarët ekzistojmë para feve monoteiste dhe ngrihemi mbi dallimet midis tyre. Zoti na ka krijuar këtu. Ne kemi qenë këtu edhe kur këto fetë e reja monoteiste janë shfaqur e do të vazhdojmë të jemi këtu, pavarësisht tyre.
Unë besoj në Zot, vëlla, jo në fe! Dekarti thoshte “Cogito, ergo sum”, që do të thotë “Mendoj, pra ekzistoj”. Pra, unë mendoj me atë mendjen që më ka dhënë Zoti. Të gjithë duhet të mendojnë me mendjen që ju ka dhënë Zoti e jo me mendjen e të tjerëve. Të mendosh me mendjen e të tjerëve do të thotë të mos mendosh, por të besosh.
Ne jemi shqiptarë vëlla! Unë nuk gjej dot fjalë më të goditura për të shprehur thelbin tonë, se sa ato të Vaso Pashës “E mos shikoni kisha e xhamia, Feja e Shqiptarit, është Shqiptaria”. Mendoj që ka thënë gjithçka, për ne shqiptarët, me një fjali të vetme, edhe sikur ta shkëpusësh nga vargjet e tjera!
Vaso Pasha ishte një njeri i ndriçuar!
Ai foli!