Eva Vatoci: Femra është rikthyer. Me zë, zjarr dhe kujtesë
Dhe jo, nuk është rikthyer për të kërkuar vendin e saj. Është rikthyer për ta rimarrë atë që kurrë s’duhej t’i merrej. Është rikthyer për ta kujtuar botës se dikur, shumë përpara se historia të shkruhej nga burrat, bota u rrit mbi duart e grave. Në kohën e matriarkatit, ku forca nuk matet me muskuj, por me mençuri, me intuitë, me përkujdesje dhe me fuqi të butë që ndryshon gjithçka pa pasur nevojë të bërtasë.
Sot, jemi në një epokë të çuditshme. Ku burrat janë lodhur së qeni burra dhe kanë filluar të na imitojnë ne. Na kanë marrë gjuhën, gjestet, ndjeshmërinë madje edhe fustanet. Kanë veshur lëkurën tonë, por nuk kanë shijuar peshën e saj. Nuk është fustani ai që të bën femër. Nuk është rimeli, nuk janë buzët me shkëlqim, as hapat në taka të larta. Është përballja. Është durimi. Është zemra që thyhet e përsëri dashuron. Është përballimi i çdo shikimi që përpiqet të të ulë, çdo fjalë që të thërret “më pak” dhe prapëseprapë, ti qëndron, ngrihesh e ndriçon.
Femra është rikthyer, jo për të qenë “e barabartë”, por për t’i kujtuar botës që nuk ka qenë asnjëherë më pak. Është rikthyer për t’u ulur jo në fund të tavolinës, por në krye, aty ku dikur dhimbjet e saj u konsideruan dobësi. Ajo nuk kërkon më leje për të ekzistuar. Nuk kërkon më miratim për të qenë e fortë, e butë, e bukur, e egër, të gjitha në të njëjtën kohë.
Burrat kanë imituar për aq kohë sa kanë harruar si të jenë vërtet burra. Sepse në përpjekje për të sunduar, harruan si të duan. Në garë për pushtet, harruan që pushteti nuk vjen me frikë, por me ndikim. Dhe kush ndikon më shumë se një grua që ngrihet nga hiri i një jete që s’e kurseu?
Gratë nuk janë kthyer për t’u hakmarrë. Janë kthyer për t’u kujtuar. Dhe kur kujtesa zgjohet, bota nuk ka më vend për frikacakë të veshur me guxim të rremë.
Ne nuk kërkojmë të na japin më fustanet mbrapsht. I kemi tejkaluar. Ne i veshim zemrat tona si fustane tani. Dhe ato nuk mund t’i mbajë askush tjetër përveç nesh.
24 prill 2025.