Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: Miku i pizmosur

Tregim

një nga kryqëzimet, afër qendrës së Tiranës, diku aty afër monumentit të Skënderbeut, u këmbyem me një nga bashkëpatriotët e mi. U mata t’i flisja, por ai uli sytë i turbulluar dhe rrëshqiti me shpejtësi anash, gjarpëroi në atë mënyrë sikur ishte drejtuar për nga urgjenca e spitalit.

Si janë kështu disa njerëz, si ndryshojnë kaq shpejt?! Vras mendnjen çfarë borxhi i kam këtij njeriu?! E kujtoj kur një vit më parë më ftonte për kafe. Më mori shënim numrin e telefonit. Fliste papushim. Më lavdëronte shkrimet e botuara në shtyp dhe më thoshte me plot gojën se jam një nga burrat e shquar të krahinës sime dhe një tregimtar shumë i zoti. Gjithë krijimtarinë time duhet ta përktheja në anglisht që ta njihte bota mbarë. Pse, mos janë më të mirë ata që kanë fituar çmimin “Nobel”, më thoshte. Dhe sinqerisht, mua më përkëdhelej sedra. Apo nuk jemi mendjemëdhenj ne labërit. Uleshim me orë të tëra dhe ai më pyeste me hollësi për jetën në Kanada, klimën, të ardhurat, llojet e popullsisë dhe ligjet e emigracionit. Më pyeste me kë jetoja unë personalisht, çfarë kushtesh kishte apartamenti im, etj.

– Po ku vijnë mysafirë, ku i vini të flejnë? – pyeste ai si pa të keq.

Unë si një naiv i lindur, ia shpjegoja të gjitha çfarë donte të dinte. Sikur unë të isha kanadez, pas çdo pyetje do t’i thoja: “Ky është biznesi yt, të pyesh e të hysh në kaq shumë imtësi, aq tepër të interesojnë përgjigjet e mia?! Mirëpo unë jam shqiptar njëzetekatër karat, jo vetëm kaq, por në fshatin tim ne dimë gjithçka për kushëriun, për fqinjin, madje edhe për ata të fshatrave pranë. E kemi këtë huq, duhet të kemi informacion të hollësishëm për atë tjetrin. Duhet të jemi të përgatitur si për kohë lufte. Nuk ka rëndësi nëse së bashku kemi gjaksi ose jo. I tregoja mikut tim me shumë dëshirë gjithçka pyeste, për aq sa njohuri kisha unë për këto lloj temash që atij i interesonin aq tepër. Herë-herë më ngjante si një sherif që kishte përballë një kriminel dhe ai duhet të depërtonte thellë në jetën time. E de, se mos unë jam ndonjë njeri i rëndësishëm, le të ngjante si të donte, nuk bëhet gjaku ujë. Jemi një racë, një fis e një farë. Pse të mos i tregoja?! Ja, po të bëjmë ADN, në një farë mënyre biem kushërinj me njëri-tjetrin.

U ktheva në Kanada, në qytetin ku banoj për më shumë se një dekadë dhe bashkëpatriotin tim sikur e kisha harruar. Më kishte dalë nga mendja, mirëpo nuk më kishte harruar ai. Po citoj në ligjëratë të drejtë fjalët e tij të lëshuara me një frymë:

– Vëllaçko, djali im ka marrë vizë kanadeze dhe është nisur për aty. Ti e di se kur mbërrin në kufirin tuaj, duhet të japë një adresë se ku shkon.

– Eshtë i mirëseardhur, – iu përgjigja unë entusiast.

– Jo, mor jo, thjesht të mbushë një formular, dava burokracie. Nuk të biem ty në qafë.

– Nxirr kalemin e shkruaj, – iu përgjigja, – Ja adresa.

– Telefonin tënd unë e kam, por më mungon ajo e uruar adresë e banimit.

Ia dhashë hollësisht, edhe kodin… Më falënderoi dhe fjalën “vëllaçko” e përsëriti nja dy-tri herë.

***

Prita një ditë, një muaj, dy, tri…Asnjë telefon tjetër. Sa mirë, do jetë rregulluar djali i Hasanit, se kështu quhet, nuk i nevojitem më unë, mendova. Nuk ke cfarë i bën, interes është kjo dynja nga njëri kontinent në tjetrin.

Po nuk mbaron këtu historia. Tamam kur duheshin edhe shtatë ditë të mbusheshin gjashtë muaj nga telefoni i fundit i Hasanit, më bie përsëri numri i tij prej Tiranës së largët.

– Vëllaçko, e strehon ca ditë tim bir në apartamentin tënd, derisa të rregullohet me letra?

Desh m’u muarr fryma. Nuk di, u përgjigja mirë apo keq, por i fola kështu:

– Jo, nuk mundem, gruan e kam të sëmurë, me tension, (nuk e gënjeva) nuk pret dot mysafirë. Djali të vazhdojë të strehohet aty ku ka qëndruar gjashtë muaj me radhë dhe thuaj atij mikut, ose mikeshës, të zërë një avokat të licensuar dhe të vazhdojë procedurat e emigracionit. Jam i bindur se yt bir ka pasur një vizë vizitori 6-mujore dhe është kujtuar shumë vonë. Kur folëm së bashku në Tiranë unë t’i kam shpjeguar me hollësi ligjet e emigracionit, po ty të është dashur vetëm adresa ime….

Vazhdova të flisja edhe më gjatë duke menduar se bashkëpatrioti më dëgjonte matanë, por ai e kishte mbyllur telefonin. Dhe ja tani ku dredhoi edhe rrugën. Papa, çfarë inaçinj të mëdhenj janë këta të krahinës sime!

Eh, një mik i pizmosur më pak nga jeta ime.

Please follow and like us: