Albspirit

Media/News/Publishing

Donika Tahirsylaj Alidemi: 16 Qershor – ditë e zezë

Një vit pa ty, Babi.

Ah… sa shumë e refuzoja me ardhë këtu.

Me të pa në këtë vend, kur unë ende të kërkoj në çdo cep të jetës…

Pres një thirrje.

Pres zërin tënd. Pres humorin tënd.

Pres ndonjë shenjë që ti je ende diku, pranë.

*

Qielli më ra, dheu mu shemb – atë ditë e çdo ditë pas saj.

Një vit… dhe ende nuk e kam pranuar.

Ika nga çdo gjë, vetëm që të mos më thoshin:

“A u mërzite për Babin”?

*

Isha në fazën e mohimit – e jam ende.

Sepse ti nuk ishe vetëm baba.

Ti ishe shtylla. Urtësia. Fjalët që më mbanin në jetë.

Ti ishe drita që më kthjellonte kur çdo gjë tjetër errësohej.

*

Po provoj, Babi…

Po provoj me e shndërru dhimbjen në forcë.

Po mësohem me buzëqesh kur përbrenda po qaj.

Po mësohem me u duk e fortë kur jam e copëtuar.

*

Po jetoj me mungesën tënde si me një plagë të butë që s’mbyllet…

Por edhe si me një amanet që më shtyn me ec përpara,

me qetësinë dhe burrninë që ti kishe.

*

Dhe Shqipëria…

Ah, Shqipëria m’u bë një pjesë e imja që s’ma heq kush më.

Mbeti shpirti yt aty ku ti e doje shumë.

Ma fute në palcë edhe mua, pa më pyetur.

E unë, pa e kuptuar, e ndjej vendin tënd si të ishte i imi.

Sepse aty je ti.

Në çdo gur, në çdo erë, në çdo mëngjes buzë detit.

*

Nuk e dija që Durrësi ishte lamtumira jonë…

Qesha me ty, e s’e dija që po qanim për herë të fundit.

Prej asaj dite, s’jam kthyer kurrë njësoj.

*

E tash, me kalimin e ditëve, kuptoj dhe diçka që s’e kam ditur më parë…

Ma le amanet Deçanin.

Me lidhe me njerëz që nuk i njihja, por që ti i kishe në zemër.

Isniqin, Deçanin, gjithë Dukagjinin…

Ti paske dasht me ma lënë rrugën tënde.

Tash e kuptoj pse më çove aty – pa fjalë, por me qëllim.

*

Me e ndërtu lidhjen time me tokën që ti e doje fort…

Si me dasht me m’i lanë rrënjët e tua, që të mos humbasin.

*

Ti shkove… e me vete ma more gjysmën e shpirtit.

Tash po ec me gjysmën tjetër.

*

Por e di që më sheh.

E ndjej, kur më bie shpirti dhe më ngre diçka që nuk shihet.

Je ti.

Zëri yt pa zë që më thotë:

“Ti mundesh Donikë”.

*

Ti nuk je më trup, por je gjithçka brenda meje.

Je forca ime kur nuk kam asgjë tjetër veç lodhjes.

Je rrënja ime.

*

Gjithmonë e vogla jote do te jem…

Pusho në heshtje… unë në dhimbje… Babi im!

Please follow and like us: