Irena Dragoti: Kapërcim
Kishte zbardhur…
Ishte ora e vrapit!
Teksa hap dualitetin e dyerve,
u meka në prag.
M’u thye në sy një rreze dielli,
sa një krismë dashurie.
*
Rrezja luan me jetën e saj
të njëditshme
Flak piklat e fundit të vesës,
mbi habinë time.
Pse unë jam aty, ajo kapërcen si britmë
barazpeshën e humbjeve.
*
Më përqesh!
Duket sikur më thotë:
-Nuk i numëroj ditët!
Dhe kur vdes është njëjtë
si të kem përballë një pasqyrë,
që kthen pas gjithë buzëqeshjet
Udhëtoj turravrap pa arritur kund.
Fati im është ai që krijoj.
me gjërat që më ndodhin rastësisht!
*
Dil në dritë! – i them
Ajo më përbuz…
Shoh etjen e saj për të mbyllur ciklin,
mbi konstanten e fytyrës sime.
Pastaj vrapoj përrreth lagjes, për një orë
Si hija që ndjek kulmin e saj, në një planet
ku rrezja jeton më shumë se një ditë
…Në pol…
*
Drita e jetës lind nga errësira,
që lëmë pas vetes…