Irena Dragoti: Mungesë
Kërkoj një vend, si qiej maji,
ku dallandyshet ngrenë çerdhet,
me sy që shohin nga njeriu.
*
Kërkoj një diell , në formë qeshjesh
që lind çdo ditë si një kujtim
i gjithçkaje që humbet…
*
Kërkoj një zemër
që vajton për një milingonë
e në funeralin e saj me pëllëmbët e faljes
hedh fjalët që nxijnë nga zemërimi.
*
Po barku i botës është shterp
rrit mungesa,
përdiell pamundësinë,
si kasolle e braktisur
që ende strehon
kalimtarë të rastësishëm,
…në hall…