Ndue Ukaj: Stina e horrave
Dikur, në atdheun tim, frika na shtrëngonte
si telat me gjemba në duar,
por ne e ushqenim gjuhën me fjalë të ngrohta.
“Ata i kanë armët, ne i kemi fjalët”,
thoshte prijësi ynë i dalë prej librave.
Ne besonim te fjalët e mira dhe
i shqiptonim si uratë mbrëmje.
*
Erdhi stina e lirisë dhe pavarësisë.
Por njerëzit shpejt u ngopën.
Filluan të fryjnë erërat e forta të urrejtjes.
Erërat i lëkunden i shkundën njerëzit
dhe fytyrat e tyre u shprishen.
Njerëzit filluan të ndërtojnë
shtatoren e viçit të artë, është mesia, çirreshin
dhe vallëzonin si të dehur përreth saj.
*
Dhe u shfaq stina e tmerrshme e harresës,
formuar prej horrash.
Gjuha e re ishte formuar me acid
dhe shkrumbonte kopshtet e porsambjella.
Errësirë e madhe. Mjegull.
Mendime të pa distiluara.
Njerëzit e humbën shijen e lirisë,
humbën udhët. Të trullosur çirreshin.
Kjo stinë është e gjatë sa një shekull.
Me shkronja të helmuara.
Me gjuhë të helmuar.
Me flamuj të helmuar.
*
Një pranverë shterpe porsa u tret në pa kthim.
Sivjet nuk ka të korra, pranvera i ka troshitë shpresat.
Se ata që predikuan për lule, kopshte,
ndukën gjithçka, ndukën egërsisht, natën, ditën,
qenie të eksituar për shkatërrim,
shkelmuan gurët e këndit, ata gurët e lirisë.
Se ata besojnë se gënjeshtra i bën të lirë.
Po, njerëzit kanë humbë dëshirën për ta ujit fatin.
Bien kambanat e mërzisë,
si për një meshë të paralajmëruar morti.
Mes gropave të çelura në udhët tona, ndonjëri ofshan:
“Ne na përfaqëson emri dështim”.
E në mes turmës së çmendur,
ndonjëri i ngjan atij zërit që bërtet në shkretinë:
“Ne e valëvisim flamurin e nënshtrimit,
u nënshtrohemi zuzarëve, budallenjve,
që dalin prej nesh si qengja veshur me lëkur ujqërish”.
Se historia jonë është plot lukuni ujqish.
Se liria e barkut,
njerëzit i nxit t’ia ngulin sytë mjegullës.