Albspirit

Media/News/Publishing

Frederik Rreshpja: Testament

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
I mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur
Peshqit fluturonin drejt çerdheve te yjet.
Në vend të borës binin zogj në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, shëmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!

Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave,
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrani i djalërisë,
I mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
Dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
Të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!

*

Por, kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe ,
Se unë kam patur miqësi me çdo dru.

*

Në stinën kur bien gjethet
Do të bien edhe sytë e mi.

*

Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Post scriptum

Frederik Rreshpja lindi në qytetin e Shkodrës ndërsa rrënjët familjare i kishte nga Dukagjini. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ndoqi në shkollën “29 Nëntori” në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta i kreu në Pedagogjiken e Tiranës.

Pas përfundimit të studimeve rikthehet në Shkodër për të punuar edhe si specialist i kulturës. Gjatë jetës së tij ai krijoi shumë poezi dhe drama të cilat spikatën jashtëzakonisht shumë dhe u vlerësuan nga lexuesit si dhe nga kritika e kohës.

Mësohet se poezia e parë e shkruar prej tij i qe kushtuar s’ëmës, Files – siç e quante. Boton përmbledhjen poetike “Rapsodi shqiptare” më 1967, vitin tjetër “Tri përralla për fëmijë” dhe “Trimi i fshatit Bardhë”, ndërsa “Eranda” më 1969. Pastaj vjen romani “Zëri i largët i kasolles” më 1972 dhe dramat “Ëndrra e tokës” dhe “Trofta hutaqe” më 1973, për t’iu rikthyer sërishmi poezisë me përmbledhjen “Në këtë qytet” po atë vit.

Poezia “Topi fushor” hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës pa botuar ende ndonjë përmbledhje.

.