Sakip Cami: Lufta e Dibrës kundë serbëve në 1920
105 vjet më parë
FINALIZMI I NJË QËNDRESE LUFTARAKE 9-VJEÇARE TË POPULLIT DIBRAN
Asnjë krahinë tjetër nuk ka zhvilluar një qëndresë të tillë 9-vjeçare kundër serbëve për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Dibra nuk u pajtua me vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë dhe të vetë Dibrës dhe u kundërpërgjigj me forcat e veta, me armët e veta, derisa ia arriti që t’i detyronte ushtritë serbe të tërhiqeshin jashtë kufijve të vitit 1913. Populli dibran e ka shprehur këtë qëndresë luftarake 9-vjeçare që nga nëntori i vitit 1912 deri në shtator të vitit 1920 në këngë: Në tan’ Evropën ka shkue fjala/ Qe nandë vjet luftojmë me krajla./ Populli.
Në vitin 1920, e gjithë Shqipëria ishte në luftë. Luftonte Vlora, Shkodra, Luma, Dibra dhe Stebleva. Qershori, korriku, gushti dhe shtatori për shqiptarët ishin muaj lufte. Në Vlorë luftohej kundër italianëve, në Koplik e Shkodër luftohej kundër malazezëve, në Dibër dhe në Lumë luftohej kundër serbëve. Por Dibra nuk e pati përkrahjen qeveritare të qeverisë së Sulejman Delvinës, ashtu siç e pati Lufta e Vlorës dhe ajo e Koplikut, për vetë vështirësitë e saj dhe zhvillimin e tyre në në të njëjtën kohë.
Kuvendi i Arrasit, gusht 1920
Për këtë, dibranët u detyruan të mbledhin Kuvendin e Arrasit. Me urgjencë nënkolonel Ramiz Dibra, senator i Dibrës, Ramiz Daci dhe Jashar Erebara vijnë nga Tirana në Dibër për të marrë pjesë në kuvend në fshatin Arras, ku morën pjesë të gjithë krerët: Ramiz Dibra, (i biri i Iljas Pashë Dibrës), Elez Isufi, Isuf Xhelili, Ismail Strazimiri, Dine e Izet Maqellara, Ramiz Daci, Jashar Erebara, Shaqir e Dine Dema, Destan Puca, Dine Hoxha, Dan Cami, Selim Noka, Murat Kaloshi, Avdi Kaloshi, Riza Lusha, Dervish Lusha, Selë Bajraktari, Haxhi Noka, Selman e Hakik Mena, Llan Destan Ndregjoni, Kurt Spata, Dik Spata, Ali Pira, Mustafa Kurtishi, Serdar Feta Beu, I brahim Gjoci, Gjon Doci, Daci i Kalisit, Lita i Polshtanit si dhe përfaqësues nga paria e Matit, në të cilën bisedohej çështja e një aksioni kundër Serbisë, pa vënë në dijeni Qeverinë. Qëllimi i këtij aksioni, ishte të detyrohej Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene të tërhiqej në kufijtë e 1913 dhe, përveç kësaj, të lirohej edhe qyteti i Dibrës, përndryshe dibranët do të luftonin deri në arritjen e objektivit të tyre. Në Kuvendin historik të Arrasit, veç të tjerave, u vendos që të zgjidhet një komitet luftarak drejtimi për organizimin dhe bashkërendimin mes fshatrave e krahinave për veprime të përbashkëta, të njëkohshme, të kryengritësve popullorë kundër garnizoneve serbe të përqendruar në tërë trevën e Dibrës. Më 13 gusht kuvendi i Arrasit zgjodhi Komitetin e mbrojtjes së Dibrës me anëtarë: Ramiz Bej Dibra, Ramiz Daci, Dine Maqellara, Jashar Erebara, Isuf Xhelili, Ismail Strazimiri, Riza Lusha, Destan Puca, Dulejman Çela, Rushit Sina, Shaqir Dema, Dan Cami, Osman Lita, Llan Destani.Komandant i komitetit luftarak për drejtimin e kryengritjes u zgjodh Elez Isufi.
U diskutua mbi koordinimin e forcave në një shtab të përbashkët dhe u caktua Elez Isufi si komandant i përgjithshëm. Kuvendi bashkoi malësorët luftëtarë dhe i dërgoi mesazhin gjeneralit serb: “Do të lini kokën në trojet tona”. Furnizimi me armatim dhe municion si dhe me ushqim i forcave kryengritëse u bë nga vetë fshatrat. U vendos data e kryengritjes dhe u caktuan sektorët e vendosjes së forcave. Dine Hoxha lajmëroi komandantin jugosllav që ta lironte Dibrën shqiptare, por ai iu përgjigj: “Kjo i është lënë Jugosllavisë dhe nuk e lirojmë. Në rast se sulmoni, dijeni mirë se do t’ju presim me armë. Ushtria ime përbëhet prej 13000 vetave”.
Jo 13 000 veta, por edhe 13 milionë ushtarë po të keni, ne e kemi da mendjen me ba pushkë, se me duar në brez nuk do të rrimë”!
Përgjigjja flakë për flakë e Dine Hoxhës e hutoi për një çast komandantin jugosllav. Por nuk vonoi shumë dhe serbët, që nga Lisi i Trenës bombarduan me top kullën e Dine Hoxhës në Muhurr dhe postën shqiptare të xhandarmërisë në Luzni. Forca ushtarake serbe kaluan Drinin dhe hynë në Luzni.
Serbët organizuan një mësymje të madhe për të marrë nën zotërim të gjithë Dibrën deri në Mat. Dhe për këtë kishin bërë ndërhyrjen e parë. Ishin futur në thellësi të kufirit të vitit 1913 dhe ishin përhapur në formacion luftimi.
Ushtria serbe përbëhej nga gjashtë batalione që vepronin në Dibër të Poshtme, një batalion që vepronte në Grykë të Madhe dhe dy batalione që vepronin në Steblevë. Komanda madhore serbe i kishte vendosur forcat në dy skalione dhe një rezervë në prapavijë.Skalioni parë ishtë përhapur nga Shkeka e Shumbatit në Salbastër,Ostush, Gjoricë, Smollik, Steblevë.Skalioni dytë ishte përhapur nga Kalaja e Dodës në Kastriot, Kodër e Kabajve në Peshkopi, Kodër e Pollozhanit, Llasen, Lisi i Trenës, Kodrat e Maranicës. Rezerva e komandës serbe ishte në Dibër të Madhe
Veleshica oshëtiu. Korabi buçiti. Drini shtoi ujët deri në samar të kalit. Elez Isufi zbrazi pesë herë pushkën dhe dha kushtrimin. Kushtrimi i tij u pasua nga kushtrimet e të gjithë fshatrave Ujë e M’ujë, Reç e Dardhë, Kastriot, Muhurr, Luzni, Grykë e Vogël, Grykë e Madhe, Bulqizë e Gollobordë. Më pas erdhi përballja e armatosur. Pas pushtimit të Luznisë nga serbët, luftëtarët dibranë morën detyrë pastrimi në mënyrë totale të këtij fshati nga forcat armike. Kështu, vetëm dy ditë para kryengritjes së përgjithshme, më 13 gusht 1920, u zhvilluan luftime të ashpra mes ushtrisë serbe dhe forcave vullnetare dibrane. Aksioni luftarak u zhvillua në Rrafshin e Myrtajve dhe në të gjithë teritorin e Luznisë. Për të organizuar sulmin mbi Rrafshin e Myrtajve dhe spastrimin e Luznisë nga serbët, si dhe për të shkuar në ndihmë të Postës së Xhandarmërisë, u caktua Dine Hoxha. Pasi u njoh mirë me terrenin dhe venndodhjen e forcave armike, së bashku me Liman Xhanin nga Muhurri, Hysen Manin nga Shqarthi dhe Llan Destanin (Ndregjoni) nga Lukani, major Dinja hyri fshehurazi në bisedime për sulmin e ardhshëm mbi serbët, me pjestarët e postrojes serbe që ndodhej në Majën e Arapeve, e cila përbëhej nga luznakë e katërgrykas.
Kryengritja filloi në mëngjesin e datës 15 gusht 1920. Vetëm 24 orë përpara sulmit, shtabi kryengritës dibran, pati dërguar lajm në komandën ushtarake të forcave serbe në vendin e quajtur Llasen, ku e njoftonin atë komandë se brenda 24 orëve duhej me doemos të linte pozicionet dhe së bashku me trupat, të kalonte matanë kufijve të Shqipërisë së vitit 1913. Komanda serbe, ndonëse kishte dijeni rreth përgatitjes së një lëvizjeje popullore, nuk parashihte rreziqe, duke menduar se raporti i forcave të saj me ato shqiptare, ishte gati 4 me 1. Përballë këtij raporti, ekspertët e komandës ushtarake serbe në Llasen, parapanë si mjet më me avantazh për ta, fillimin e betejës. Nga ana e vet, komanda ushtarake e kryengritësve dibranë duke llogaritur me gjakftohtësi të gjitha rrethanat, mundi të organizojë disa luftime model ku ndërthureshin elementët e Luftës Popullore me trimërinë tradicionale dibrane. Ata në mënyrë perfekte planifikuan të parin sulm në garnizonin e Shumbatit ku ishin përqendruar forcat kryesore serbe dhe ku pozicioni gjeografik i favorizonte së tepërmi ata. Duke vendosur përballë garnizonit të Shumbatit, luftëtarët më të armatosur, të komanduar prej Sufë Xhelilit, shtabi dibran kërkonte goditjen e fuqishme dhe të menjëhershme. Në këtë mënyrë rrugëkalimet e mundshme të forcave serbe të ushtrisë së rregullt kontrolloheshin rreptësisht prej kryengritësve të tjerë. Ndër masat e marra prej kryengritësve ishte edhe largimi i banorëve të fshatrave Shumbat, Kala e Dodës, Maranicë, Llasen, të cilët përbëheshin më së shumti prej grave dhe fëmijëve që nuk mund të bënin rezistencë të armatosur.
Kur në agun e 15 gushtit u dha kushtrimi: “O burra mbi shkja”, kryengritësit dibranë, nga 15 – 70 vjeç, u derdhën në sulm të paparë ndaj forcave pushtuese serbe. Stuhia dibrane, e mpleksur me shiun dhe mjegullën e maleve, i gjeti në befasi trupat serbe që gjithsesi nuk besonin të sulmoheshin në front dhe nga të gjitha krahët. Por mençuria e luftëtarëve dibranë kish bërë të veten. Ata ishin të bindur se vetëm kështu, në kohë të keqe, në mënyrë të beftë dhe në sulm nga të katër anët, mund të shporrnin prej trojeve të tyre, armikun shekullor. Të paepur drejt sakrificës sublime, në emër të lirisë së shenjtë të trojeve atërore. Kryengritësit e fshatit Çidhën, me të dëgjuar të shtënën e parë të pushkës u hodhën përmes tymit dhe krismave të armëve dhe mjegullës, nëpër valët e lumit Drin. Kjo manovër e guximshme, bëri që trupat serbe anës Drinit të Zi, të lënë menjëherë pozicionet e tyre dhe të largohen për në Fushë-Çidhën. Por edhe aty, brenda 3-4 orëve, mbërriti stuhia e kryengritësve dibranë. Nën thirrjet: ”T’i kapim me dorë shkjetë e pabesë”, luftëtarët dibranë të fshatrave Ujë e M’ujë mundën të zbrapsin dy kompani të ushtrisë së rregullt serbe të armatosur më së miri dhe të ndihmuar edhe nga topat e artilerisë së lehtë. Më tej, këta trima vihen nën komandën e Sufë Xhelilit dhe mësyjnë pozicionet e reja të serbëve në vijën: Kodra e Ostushit – Salbastër”.Përballë skalionit të parë serb u renditën në pozicione e shkrepa bijtë e Dardhës e të Çidhnës. Vendimtarja për fitoren ishte Qafa e Trojakut, ndaj atë e zunë me shpejtësi malsorët dibranë. Përballë tyre komandantët serbë me dylbi e revolverë. Në anën tjetër të Lumës në Qafën e Kolesjanit po përsëritej historia e vitit 1913.-Kujdes Qafën e Trojakut, përsëriti Elez Isufi. Aty më vini një skuadër me dhjetë burra të sprovuar dhe dhjetë arka me municion, nga një arkë për shoq.Befas u shfaq kumandari i ushtarëve serbë i hypur në kalë.-Gjuani mbi kumandarët, -urdhëroi Elez Isufi. I pari gjuajti Mersim Ndreu dhe drejt e në kraharor të oficerit serb.Kështu bënë të gjithë luftëtarët. Oficerët dhe ushtarët serbë britnin me të madhe nga krismat, plagët dhe tmerri që po shihnin me sy. Nuk e kishin menduar kurrë kështu një pritë si kjo. Dibrën do ta kalojmë lehtë se janë të papërgatitur, të rraskapitur nga uria dhe lufta e gjatë, kishin menduar ata.Serbët u kundërpërgjigjën me zjarr mitrolozësh. Një mitroloz po i grinte malë sorët dhe nuk po i linte me ecë përpara. Një nënoficer serb kishte zënë një pozicion të volitshëm luftimi ku i shihte të gjithë si në pëllëmbë të dorës.- Muleni burra dhe e zini atë shteg, -urdhëroi Elez Isufi. Brahim Gjoçi ju vërvit malit e shkambit dhe sa hap e mbyll sytë e zu pozicionin e serbit dhe ja mbylli grykën mitrolozit të tij.Në ndihmë të Elez Isufit dhe në përgjigje të thirrjes së tij me kushtrim kishin ardhur qindra e mijëra malsorë me pushkët e veta dhe municionin e vet që e kishin ruajtur si sytë e ballit në hatullat e shtëpive. Serbët u thyen. Lanë në fushën e luftimit qindra të vrarë e të plagosur dhe qindra robër. Dikush nga malsorët tha që t’i vrisnin robërit se janë serbë dhe po t’i lëshojmë do të shumohen edhe më shumë.
-Jo, tha Elez Isufi. Robërit do t’i dërgojmë me rregull në Peshkopi dhe mandej do t’i nisim për në Serbi. Kështu e do rregulli i luftës. Pjesa më e madhe e ushtrisë serbe, e cila u largua nëpërmjet Grykës së Radikës, u ndoq prej Elez Isufit me trimat e vet deri në afërsi të Mavrovës i ndihmuar në këtë rast edhe prej banorëve shqiptarë të Maqedonisë. Murat Kaloshi, një nga prijësit e kësaj lufte u plagos në këto luftime. Sipas burimeve serbe, numri i përgjithshëm i kryengritësve shqiptarë që kryen mësymjen mbi trupat jugosllave e mercenare më 13-15 gusht 1920, arrinte në 4000 vetë dhe ishin nën komandën e Ramiz Dacit, Elez Isufit, Dine Hoxhës dhe Dine Maqellarës, kurse fshatarët vendas, të cilët ngriheshin në kryengritje me afrimin e kolonave kryengritëse, komandoheshin nga paria e tyre: Murat Kaloshi, Selim Noka, Mustafa Kurtishi, Serdar Feta Beu, etj. Serbët dispononin 100 topa të mëdhenj e të vegjël, 7 regjimente, përveç forcave të tjera ardhur nga Prizreni.
Në agimin e 15 gushtit, u sulmua në mënyrë të menjëhershme vendkomanda e trupave të ushtrisë serbe, në vendin e quajtur Llasen. Disa qindra kryengritës të fshatrave të Melanit, Dohoshishtit, Dovolanit, Grevës etj, iu afruan vendkomandës serbe në 200- 300 metra dhe duke përfituar nga shiu dhe terreni, mundën të organizojnë një sulm rrufe. Shtabi serb, ndonëse dispononte të gjitha armët dhe mjetet, nuk mundi t’i bëjë ballë kryengritësve dibranë. Duke patur në dispozicion trupa dhe mjete speciale në natën e 15-16 gushtit, ai mundi të organizonte një koridor tërheqjeje duke lënë mbrapa dhjetra të vrarë e të plagosur, si edhe një sasi të konsiderueshme të municionit luftarak.
Serbët bënë një raprezalje të pashembullt në Dovolan. Pushkatuan 19 vetë. I lidhën me një litar. Shpëtoi vetëm Sejfulla Qosja që kishte mbetur i plagosur. Mbetën të vdekur Bajram Nuredini, Allaman Veseli, Rakip Selmani, Mersim Qosja, Seit Uka, vëllezërit Sali e Haxhi Selmani, Sadulla Laçja, Selim Laçja, Selman Shabani, babë e bir Bajram dhe Rustem Tema, Shaban Rexha, Haxhi Koxhaxhiku, Islam Qosja, Qerim Uka, Dik Jashari. Hoxhën Haxhi Kovashica e therën me thika. Serbët dogjën edhe mbarë fshatin e Dovolanit. Serbët i mbështetnin francezët, në aspektin ndërkombëtar dhe atë ushtarak. Në kodër të Qenokut vranë Nuz Tunën, Xhafer Daten dhe Ibrahim Bushin. Edhe varrimi i tyre u bë po aty ku u vranë, sepse ishte e pamundur që të transportoheshin kufomat pranë familjeve të tyre.Ndërkaq, në agun e 15 gushtit 1920, kryengritësit e Bulqizës dhe ata të Steblevës, u bashkuan me rreth 250 ushtarë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në krye të të cilave ishin atdhetarët dibranë Shefki Shatku dhe Hysni Dema.Vija tokësore Bulqizë-Zerqan, e cila ishte fortifikuar prej trupave serbe, në orën 8-të të mëngjesit ishte pothuaj në duart e kryengritësve. Ata nën thirjen karakteristike “”besë a besë, ndoqën këmba-këmbës armikun duke i hequr atij mundësinë për t’u organizuar. Të nesërmen forcat serbe u detyruan të tërhiqen përtej kufirit politik të vitit 1913. Më 16 gusht, në mëngjes, filloi kryengritja në Lugjapravë-Shumbat prej Sufë Xhelilit: tek Ura e Lushës, prej Dervish Lushës e Murat Kaloshit; në Cap të Brezhdanit, prej Dine Hoxhës; në Grykë të Vogël, prej Demajve e Dan Camit.Në këto luftime do të shkëlqente edhe një herë trimëria dhe mençuria e gjeneralit me shajak, Elez Isufi. Ky vetë, në krye të 300 kryengritësve do të ndiqte hipur në kalë krejt luftimet. U jepte zemër luftëtarëve të lirisë, jo me fjalë por duke u dalë përpara serbëve me trupat e veta dhe duke luftuar si rrallëkush në ato vise.Në mesnatën e datës 16-17 gusht 1920, trupat serbe ishin larguar pothuaj plotësisht prej kufijve të shtetit amë duke lënë pas disa qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur.Forcat e komanduara nga Elez Isufi dhe Suf Xhelili kapën edhe disa robër e robina serbe, por i trajtuan ata sipas ligjit të luftës. Atë që bënë serbët ndaj shqiptarëve, ato vrasje e masakra, le të jenë turpi dhe e keqja e tyre që do t’i shoqërojë ndër shekuj, ishte shprehur komandanti i përgjithshëm i kësaj lufte Elez Isuf Ndreu. Mijëra malësorë dibranë dhe qindra të tjerë dëshmorë dhe martirë me jetën e tyre mbrojtën trojet tona amtare. (S.Cami, gazeta “Telegraf”).
UDHËHEQËSIT E KRYENGRITËSVE NË LUFTËN E DIBRËS[1]
(12 Anëtarët e Shtabit Luftarak të Luftës së Dibrës)
Qëndresa luftarake 9- vjeçare kundër serbve për mbrojtjen e territoreve shqiptare është epope e pavdekësisë së kombit tonë. Prijësat dibranë, të mençur nga natyra nuk u pajtuan me vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë dhe të Dibrës së tyredhe tonës. Prijësat dhe luftëtarët u kundërpërgjigjigjën me forcat e veta, me armët e veta, derisa ja arriti që t’i detyronte ushtritë serbe të tërhiqeshin jashtë kufijve të vitit 1913. Populli dibran mençurisht këtë qëndresë luftarake 9 -vjeçare nga nëntori i 1912 deri në dhjetor 1920 e ka gdhendur në këngë: “Në tan’ Evropën ka shkue fjala/ Qe nandë vjet luftojmë me krajla”.
Në luftën e Dibrës që u luftua në mënyrë energjike nga gjithë prijësat, luftëtarët dhe populli. Prandaj dhe lavdia i takon mbarë popullit, ndërkohë që edhe prijësit kanë vendin e tyre në historinë e triumfit ndaj gjithë pushtuesve.
- Elez Isufi, shqipja e Korabit, ishte dhe mbeti një flakadan lirie në breza
Elez Isufi prijës i parisë dibrane, plaku i randë i maleve, shqipja e Korabit, plaku i famshëm, filozofi me kësulë të bardhë, mendimtari i madh, diplomati i pashkollë, gjenerali me shajak, kreshniku i maleve të Dibrës, ballina e kombit, atdhetari i flaktë, njeri me cilësi të mbinatyrshme, patriot e atdhetar i flaktë, “flakadan lirie që frymëzoi breza të tërë luftëtarësh për çështjen e madhe të kombit shqiptar, burrë dibran me karakterin e shqiptarëve të hershëm e më atdhedashuri të fortë që nuk i’u përul as forcës brutale dhe as arit të huaj”. Elez Isufi u bë korifeu i qëndresës popullore në epopenë e luftrave 9-vjeçare kundër një armiku nga më të tërbuarit e më mizorët i shqiptarëve. Shkriu gjithë pasurinë e tij për interesat kombëtare. U dogjën tri herë kullat e tij, në 1913-ën, në 1918-ën dhe në 1921-in, u internua dhe u burgos familja e tij, u përgjakën burrat e konakut të tij, por ai nuk u thye, as u gunjëzua, as u përkul. Elez Isufi nga fillimi i vitit 1916 e deri në tetor 1918, me përjashtim të një vizite në Vjenë, ku u dekorua nga Kajzeri, kohën tjetër qëndroi në Sllovë. Me dekret të 28.1.1916, Franc Jozefi, perandori i Austro-Hungarisë dekoroi Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhërit të lartë “Franc Jozef-Orden”, me dekoracion lufte. Arkivat dhe historia do flaës me fletë të ndritura për ngjarjet e mëdha, ku 4 muaj Elez Isufi në dimrin e egër të 1921 qëndroi në shi e në borë në malet e Lurës me malësorët besnikë të Reçit e Dardhës dhe të mbarë Dibrës duke treguar një trimëri të jashtëzakonshme në mbrojtje të vatanit dhe nuk i lejuan sërbët të kalojnë kufirin. Elez Isufi u dekorua për merita të veçanta lufte nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me titullin e lartë. Fakt është se në pallatin perandorak kishte vënë këmbët me baltë mbi qilimat persianë të salloneve aristokrate një malësor me rroba shajaku, me opinga lëkure. Pa I dridhur qerpiku ai i drejtohet Perandorit, duke iu drejtuar përkthyesit që mos t’ia ndryshojë fjalët në komunikim, se shqiptarët janë vrarë me osmanët, se ai u kishte kërkuar nizamë e taksa; ishte vrarë me ushtrinë sërbe se kishte kërkuar të bëhej zot shtëpie e të mblidhte taksa e ushtarë e se kështu do të vritej me të gjithë ata që janë të këtij soji. Elez Isufin e plagosën më 16.12.1924 bashkë me nipin e tij trim Sufë Xhelilin. Elez Isufi 63 vjeçar vdiq nga plagët e luftës më 30.12.1924. Edhe pse pa shkollë, Oda Dibrane, u bë auditor i “Universitetit të Dibrës” dhe fusha e luftës e pajisi me dijet e një akademie universitare për trimëri si dhe e armatosi me strategjinë e një gjenerali. Historia gdhendi në kujtesën e popullit fjalën e tij të urtë që ndante kanune, shëronte plagë e afronte njerëz.
2. Ramiz Daci, prijës i luftës së përbashkuar të “nëntë maleve” të Dibrës
Ramiz Daci ishte lindur në një truall atdhetar në vitin 1883 në Dibër të Madhe. Pinjoll i shquar i Fisit dhe familjes Daci të fshatit Zogje dhe qytetit të Dibrës. Shkollën fillore dhe atë gjysëm të mesme i bëri në Dibër, ndërsa maturën dhe Shkollën e oficerëve e mbaroi në Stamboll. Gjuhën shqipe e mësoi nga atdhetari Said Najdeni. Oxhaku i tyre shquhej për pushkë, sofër e besë. Studimet i vijoi në Stamboll në shkollën ushtarake që ishte krijuar që më 1834. Revolucioni xhonturk i 1908-ës e gjen me shërbim në Rekë. Në këtë periudhë filloi edhe aktivitetin e tij publicistik në interes të kombit shqiptar. Ishte ndër të parët që u vu në shërbim të Qeverisë së Vlorës. Ramiz Daci ka qenë shoqërues i Vehbi Dibrës në shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28.11.1912. Më 1913 u rreshtua në llogoret e popullit kundër pushtuesit të ri serb. Ka qenë kurdoherë kudo ku luftohej kundër serbit për nëntë vjet rresht. Ai ka qenë pjesë e ideatorëve për kuvendin e gushtit 1920 të Arrasit. Ramiz Daci senator i Senatit të dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27.3.1920 deri më 20.12.1920, njëherësh edhe prijës në Luftën e Dibrës. Ai ishte një nga organizatorët kryesorë të kuvendeve dhe luftrave edhe si një prej prijësave të luftës së përbashkuar të “nëntë maleve” të Dibrës. Ramiz Daci u zgjodh jo thjesht anëtar parlamenti por anëtar i senatit, dhomës së lartë të Parlamentit Shqiptar në Kongresin e Lushnjës. Ai ka qenë senator i Senatit të Parlamentit Shqiptar nga 27.3.1920–20.12.1920. Ramiz Daci, më 7.8.1920, ishte në Arras ndër organizatorët e një kuvendi me pjesëmarrjen e 3000 vetëve, ku shprehën krenarinë e Luftës së Vlorës kundër italianëve dhe shprehën gatishmërinë për të mbrojtur me të gjitha mjetet tokat dhe atdheun e tyre. Nën drejtimin e prijësave si Ramiz Daci dhe të tjerë drejtues luftarakë dibranë, bazuar edhe në gazetën “Ushtima e maleve”, nr 28, datë 12.7.1990, “..në luftimet e datës 15.8.1920, kishte 1000 të vrarë nga serbët dhe 2000 të plagosur..” dhe episode luftarake ku spikat drejtimi i prijësave dibranë janë me dhjetra në luftën nëntë vjeçare për sovranitet kombëtar. Ramiz Daci në kuvende dhe në beteja ishte krahas prijësave të tjerë si: Ramiz Bej Dibra, Dine Bej Maqellara, Izet bej Maqellara, Selman Alia, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri, Selë Bajraktari, Shaqir Dema, Dine Dema, Riza Lusha, Dervish Lusha, Dine Hoxha, Selim Noka etj.
3.Dine Bej Maqellara (Nasufi), prijës në luftën nëntë vjeçare antiserbe
Dine Nasufi ishte lindur më vitin 1875 në Maqellarë në një ambjent patriotik e luftarak. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Dibër. Një oxhak i shquar për të fisëm, anëtar i klubit “Bashkimi” më 1912 të Dibrës. Pjesëmarrës në luftime më 21 qershor 1912 duke drejtuar çetën e Fushës. U shqua në kryengritjet kundër serbëve dhe për këtë serbët ja internuan familjen e tij në shtator 1920 në Manastir. Në maj të vitit 1912 është anëtar i Komitetit Nacional të Dibrës, organ ushtarak kundër pushtuesit turk së bashku me Elez Isufin, Izet Maqellarën, Shaqir Jegenin, Ismail Strazimirin, Sherif Langun, Eqerem Camin etj. Dine dhe Izet Maqellara kanë organizuar rezistencën kundër serbve, bullgarëve, nemces etj, sidomos në luftimet 9 vjeçare kundër serbve 1912-1920. Dine Bej Maqellara dhe paria e Dibrës i dërguan qeverisë së Durrësit një notë për delegacionin që do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes të Parisit më 17.3.1919 në të cilën u kujtojnë se Dibranët janë në trojet e tyre që prej 6000 vjetësh. Në Kongresin e Lushnjës zgjidhet senator. Dine Bej Maqellara ka qenë deputet i Parlamentit Shqiptar nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Ka vdekur në vitin 1928. Në vitin 1992 është dekoruar me urdhërin e Lirisë të klasit II-të.
4.Dine Dema i lindur përkomb e atdhe, senator e parlamentar
Dine Dema është lindur në fshatin Homesh të Dibrës në familjen e shquar të Demajve. Paraardhësit e tij Mete Dema, komandant i dibranëve në ndihnë të Ali Pashë Tepelenes dhe Hazis Dema, komandant i Fisit dhe Malit të Grykës së Vogël ishin frymëzimi patriotik i Dine Demës. Në fillim të Shekullit XX në kryengritjet antiosmane 1908-1912 dhe më vonë në kryengritjet antiserbe 1912–1920. Fisi “Dema” kishte tre çeta nga shtatë çeta që vepronin në territorin e Dibrës, Çeta e Mersim Demës, Çeta e Shaqir Demës dhe Çeta e Dine Demës. Në Parlamentin e Parë pas Kongresit të Lushnjës Dine Dema zgjidhet senator, ndërsa nga nga 27 mars deri më 20 dhjetor 1920, Dine Dema, zgjidhet deputet i Parlamentit Shqiptar. Dine Dema dhe gjithë prijësat dibranë të shquar për mençuri e kuptuan më së miri se kryengritja dhe lufta ishte zgjidhja më e drejtë prandaj dhe Xhulian Ameri, tek “Bijtë e Shqipes”, shprehet “Në kryengritjet shqiptare, dallimi midis palëve kundërshtare kishte karakter gjeografik dhe grupazhi, më tepër se një karakter opinioni apo rendi shoqëror”. Kujtesa historike dibrane e ka rregjistruar si një ndër prijësit më të spikatur luftarakë në luftën kundër ushtrive serbe, por dhe si një politikan i mençur që punoi fuqishëm për çështjen kombëtare shqiptare.
5.Ismail Strazimiri luftëtar, prijës, patriot, por edhe histograf dibran i spikatur
Ismail Strazimiri ishte lindur më 1868 dhe u burrërua shumë shpejt duke u kthyer në një patriot, influencues dhe veprimtar i spikatur i lëvizjeve kombëtare në zonën dibrane. Emri i tij lidhet me disa nga ngjarjet kryesore të kësaj periudhe si aktivist i lëvizjes “Përparim dhe Bashkim”, kontribues në Kongresin e Dibrës të vitit 1908, ose kongresi i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Ai mbështeti fuqishëm idenë e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë dhe luajti rol deciziv në administratat e paqëndrueshme deri në fundin e Luftës I Botërore. I tërhequr më pas nga jeta politike ai shkroi një nga dëshmitë më origjinale të kësaj periudhe mbi rolin e dibranëve në historinë shqiptare. Jeta e tij do të mbyllej në moshën 75 vjeçare më 1943, duke përkrahur partizanët, përkrahje që i kushtoi atij dhe jetën duke vdekur me pushkë në dorë në mbrojtjen e Dibrës. Ismail Strazimiri do të mbetej me arritjet dhe kontradiktat e tij, si një provë e proçesit të gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt krijimit të një shteti shqiptar. Ai në kujtimet e tij, shkruan për rolin e dibranëve për liri dhe pavarësi si bejlerët e Maqellarës, Dine Bej Maqellara, Izet Bej Maqellara, Fiqiri Dine; Ramiz Daci, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri (Dibër), sheherlinjtë e Dibrës së Madhe grumbulluar në Tiranë, Elbasan e Peshkopi: Myftiu i Dibrës Vehbi Dibra (Agolli) e Hafiz Sherif Langu, Abdurrahman Dibra e Shefki Shatku, Izet Dibra (Shatku) e Faik Shatku, vëllezërit Selim e Riza Rusi, Zenepe Çoku (e shoqja e Dervish Himës) e Aziz Menzelxhiu, Hasan Ballanca e Sheh Latifi, e patriotë të tjerë dibranë: Kadri Fishta e Eqrem Cami, Ibrahim Xhidri e Abdullah Tërshana, Ibrahim Jegeni e shehlerët e Peshkopisë, etj. Dibra e cila ndodhet në “kërthizë” të trojeve shqiptare dhe tepër e vrullshme në historinë kombëtare ka lënë gjurmë historiografike në të gjitha ngjarjet madhore të kombit, sikurse prijësat si Strazimirët dhe oxhaqet e mëdha prijësa kanë shkruar epokë historie të triumfit ndaj pushtuesve. Ismail Strazimiri shkruajti më 1931 një libër kujtimesh për periudhën 1910-1931, ku prezanton në mënyre kronologjike faktet historike nga këndvështrimi i një dëshmitari të kohës, që titullohej “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”. Akademiku Shaban Sinani thotë se, “..në këtë libër gjenden shumë të vërteta të rezervuara prej studimeve historiografike deri më sot, nga droja se mos historia kombëtare mos po bëhet jo aq kombëtare, nga vetë karakteri monumentalizues i historiografisë tradicionale, nga presionet që ushtrohen mbi historishkrimin për shkak të protagonizmit të zgjatur nga koha në kohë. Në këtë kontekst, le të çmojmë kurajën e një njeriu që e deshi shumë Shqipërinë, e deshi deri në dhimbje, nuk arriti “ta shohë zonjë” si shumë e shumë idealistë të tjerë dhe u përpoq që edhe me fjalën të shërojë dhe të mos përsëritet pjesa e keqe e së shkuarës”. Në këtë punim nuk mund të lëmë pa përmendur vlerësimin e Profesor Kristo Frashërit: “..Tjetër figurë e respektuar dibrane që jetonte në vitet e monarkisë ishte Ismail Strazimiri(1868–1943). Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike. Mori pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në vitet e fundit të sundimit osman. Mori pjesë gjithashtu në Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e vendit nga zgjedha turke dhe më pas kundër synimeve të shovinistëve serbë. Përkrahës i Revolucionit të Qershorit. Më 1931 botoi librin e tij “Kujtime historike mbi lëvizjen kombëtare në Qarkun e Dibrës”. Qëllimi i botimit ishte të shpaloste kontributin e popullit dibran në luftën për liri, pavarësi e zhvillim.
6.Dine Hoxha – plaku i zgjuar i Dibrës, i mbiquajtur “Sokrati pa shkollë”
Dine Hoxha ose Hajredin Hazis Hoxha është lindur në një familje me tradita të thella patriotike dhe luftarake. Dine Hoxha ka qenë një ndër udhëheqësit kryesorë të forcave vullnetare dibrane, një drejtues i spikatur luftarak në luftën në Shkodër dhe për Shkodrën, që zgjati 6 muaj, ku edhe dhanë jetën 114 luftëtarë të paepur dibranë. Dine Hoxha ka vijuar më tej të përballet me pushtuesit serbë në përballjen e gjatë nëntë vjeçare veçanërisht në krye të forcave të Muhurit për t’i dalë zot vatanit. Ai është udhëheqës i luftës së Skërtecit, i betejës në Shkallët e Deshëve, në betejën e famshme të Lumës, në Qafën e Kolesianit, në rezistencën e Arrasit. Dine Hoxha protestoi energjikisht bashkë me 112 burra me peticion në Shkodër kundër veprimeve të Fuqive të Mëdha. Në 1925 hapi shkollën në Muhurr e në Luzni. Edhe në rrugën e Kavajës ka ndërtuar Xhami që edhe sot e kësaj dite thirret “Xhamija e Dine Hoxhës”. Dine Hoxha shpesh është bërë edhe objekt i shtypit të kohës, për rolin që Dine Hoxha (Hajredini) kishte në Oborrin Mbretëror shqiptar. Nëse gjatë regjimit të Ahmet Zogut, mjaft nga gazetat e pavarura shkruanin për njerëzit që i qëndronin pranë si “dallkaukët e kombit”, “sahanlëpirësit”, “servilët”, “mjeranët e politikës”, për Dine Hoxhën shkruanin me shumë rezerva dhe me vlerësime të tilla të kujdesshme si: “Dibrani mendjendritur”, “Sokrati pa shkollë”, “Mbreti këshillohet nga plaku i zgjuar i Dibrës”, etj. Janë të njpohura debatet dhe përgjigjet në debate që Dine Hoxha dinte të bënte me çdo kategori mbretërore, ministrore apo mbretërore, si me Kontin Çiano, që la mbresa jo vetëm tek të pranishmit, por zgjoi kureshtjen edhe tek të huajt, si më 14.8.1920, me gjeneralin serb, por edhe me nënën e mbretit Zog si dhe me vetë A. Zogun. Për veprimtari të shquara është dekoruar me urdhëra e medalje të shumtë si “patriot i shquar i çështjes kombëtare, udhëheqës i malësorëve kundër pushtuesve osmanë dhe serbë”. Kjo është vetëm një përmbledhje e shkurtër për prijësat e Dibrës, si një trevë e “gatuar” me mençuri, trimëri dhe atdhetari, prandaj edhe është përjetësuar në vargje: “Djemtë e Dibrës djemtë e malit, të luajnë kapakun e ballit!”. Prandaj përshkrimi i disa figurave do të lërë një boshllëk për shumë të tjera. E megjithatë gjykuam për kohën, vendin Dibrën, pse jo të dy Dibrat, jo vetëm në kuptimin e qyteteve, por gjithë trevën e “Maleve” e më tej për kontributin në lëvizjen kombëtare shqiptare në shekuj, ku me Dibër, kuptojmë një copëz Shqipëri, një copëz e truallit kombëtar, një vend ku zemereku dhe busulla kombëtare ka qenë gjithmonë e orientuar nga atdhetaria. (Prof. Zaho Golemi)
Nënkolonel Ramiz Dibra, anëtar i Shtabit luftarak të Arrasit, i biri i Iljas Pashë Dibrës, (1877-1951)
Atdhetar demokrat e antizogist. Mori pjesë aktive në luftën për ruajtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Ishte një ndër organizatorët e luftës së armatosur të filluar në gusht 1920 kundër pushtuesve jugosllavë, për çlirimin e territoreve të shtetit shqiptar në verilindje të vendit. U aktivizua në lëvizjen demokratike antifeudale të viteve 1921-1924 dhe në Revolucionin e Qershorit 1924. Mbajti qëndrim antizogist dhe si i tillë mori pjesë në kryengritjen e Fierit 1935. (Uikipedia)
Riza Lusha , anëtar i Shtabit Luftarak të Arrasit në gusht të vitit 1920
Riza Vesel Lusha lindi në vitin 1881 në fshatin Arras të Çidhnës, në një familje me tradita të shquara atdhetare. I ati i tij, Vesel Lusha, organizoi e udhëhoqi çidhnakët në luftë kundër masave shtypëse e reformave të taksave të perandorisë osmane në vitet 30 të shekullit të XIX dhe në betejën e Drinit në Nëntor 1844, kunder forcave shtypëse të Hajredin Pashës të udhëhequr nga Agai i nenet maleve të Dibrës, Sale Demir Alia, ku malësorët, të mbledhur në kuvendin e maleve të Dibrës, kishin dhënë besën për mbrojtjen e lirive të drejtave të tyre.
Disa nga të parët e tij, si Vesel Lusha, Demir Lusha, Staf Lusha, etj, jo vetëm në krahinën e Çidhnës në Dibër, por edhe më gjerë janë shquar si udhëheqës ” rebel “, kundër masave shtypëse e reformave të taksave të perandorisë osmane.
Në muajt shkurt-mars 1912, Riza Lusha mori pjesë në kryengritjen e malësisë së Çidhnës kundër batalionit turk që ishte vendosur me qendër në fshatin Arras.
Me pas, ai së bashku me kushëririn e tij, Shaban Lusha, mori pjesë në “Luftën e Shkodrës”, të udhëhequr nga Selman Alia kundër synimeve grabitqare të pushtuesve malazeze e serbe.
Në këtë luftë kushëriri i tij Shaban Lusha u shqua për guxim e trimëri duke dhënë edhe jetën për çlirimin e Shkodrës.
Riza Lusha mori pjesë në luftën e Kolosjanit të vitit 1912, që bënë luftëtarët dibranë nën udhëheqjen e Selman Alisë kundër ushtrive serbe. Në shtator-tetor 1913 ai përsëri mori pjesë në luftimet që bëri populli i Dibrës, i udhëhequr nga Selman Alia, Elez Isufi e Halil Kaloshi kundër pushtuesve serbë.
Selman Alia po rri mendue,/Po i hazrohet për Gur t’Shpue,/Po hazrohet për Shqipni,/Me ba vendi Iliri,/Ke ferra e Pashës lidhet besa,/Hidhen trimat si rrufeja,/Dha sinjalin Riza Lusha,/Bini male e bini fusha,/Ka hap krahët fort Selmani/Ngjyrë ari xhamadani/Bini burra, t’marrim hak/Se nuk ka liri pa gjak,
Riza Lusha ka qenë një nga anëtarët e komitetit të luftës që u zgjodh nga Kuvendi i Arrasit për organizimin dhe drejtimin e kryengritjës së gushtit të vitit 1920, kundër serbëve. Në shtëpinë e tij më 12 korrik 1920 u vendos, filloi e vazhdojë veprimtaria deri më 17 gusht 1920, prefektura e Drinit ( me prefekt, Riza Bëj Dibrën), këtu u bë e ashtuquajtura ” Qeveria e Arrasit”, ku u krijua komiteti i luftës, kujtojmë këtu që ishte pikërisht Riza Lusha që dha sinjalin i pari me pesë të shtëna pushkë.
Riza Lusha. Ai iu bashkua krahut demokrat të kohës, qe përbëhej nga Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Aqif Pashë Elbasani, Elez Isufi, Mustafa Kruja, Hamit Toptani, “për demokratizimin e vendit”, siç ishte lëvizja e Marsit 1922 e udhëhequr nga Elez Isufi dhe “revolucioni demokrat-borgjez”, i qershorit të vitit 1924 i udhëhequr nga Fan Noli.
Në lëvizjen e Marsit bashkë me Elez Isufin, Ramiz Dacin, Sufe Xhellin, më 4 Mars 1922 nisën lëvizjen nga Lura në drejtim të Tiranës, morën nën kontroll ndërtesat qeveritare dhe me ndërhyrjen e ambasadorit anglez, me 11 Mars u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi nëpërmjet Elez Isufit dhe Ahmet Zogut.
Për veprimtarinë kundër qeverisë të Ahmet Zogut u dënua me varje por në presion e opinionit publik Dibran, pas 7 muajsh burg, u fal nga Ahmet Zogu. Riza Lusha është vrarë në 1930 nga një atentat.
(Ergen Alia)
Jashar Erebara, anëtar i Shtabit të Luftës, gusht 1920
Jeta e Jashar Erebarës është mbushur me ngjarje tragjike, si vetë jeta e popullit dhe kombit tonë. U bë gazetar me emër, i shtyrë mbase jo aq nga talenti i lindur, sa nga dhimbja dhe zjarri i dashurisë për atdheun. Me origjinë nga Podujeva, lindur më 1875 (mbase në Mostar të Bosnjës, ku shërbente i ati, Sadik Fejzullahu, përfshirë nga vala e muhaxhirllëkut mysliman të Luftës e të Pasluftës së 1877-1878-s dhe përfundon në Dibër, ku së pari i vdes i ati, i përndjekur në male, më pas e ëma dhe e motra nga tuberkulozi të mbetura rrugëve të muhaxhirllëkut, së fundi vëllai, që humbi në kurbet drejt Turqisë e që nuk iu dëgjua më zëri, as emri. Fati e shpuri Jasharin, këtë fëmijë të mbetur midis katër rrugëve në familjen dibrane Erebara (të Sejfulla Erebarës), prej së cilës në shenjë respekti mbajti mbiemrin. Pastaj sa andej-këndej: nga Dibra në Manastir, nga Manastiri në Stamboll e më 1891 në Elbasan.
Formimin e parë shpirtëror e arsimor – kulturor, shpirtëror e politik e mori në Dibër. Pati për mësues Sait Najdenin në Dibër dhe Nikolla Naçon në Bukuresht, bashkënxënës Dervish Himën, Asdrenin, Kristo Luarasin dhe bashkëpunëtorë Ibrahim Temon e Jani Vreton. Më 1902, sëbashku me Ismail Qemalin, Dervish Himën merr pjesë në Kongresin e xhonturqve në Paris. Eshtë njëri nga firmatarët e kartës drejtuar Sulltanit për të drejtat e kombit shqiptar.
Veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, publicist, diplomat, burrë shteti i spikatur që e shtrin aktivitetin nga fundi i shek. XIX – gjysma e parë e shek. XX. Eshtë bashkautor i shumë protestave dhe thirrjeve drejtuar fuqive të mëdha për mbrojtjen e çështjes shqiptare. U ropat nëpër kryeqytetet e Evropës e të Ballkanit për 27 vjet me radhë, me bukë e pa bukë, me strehë e pa strehë, por i paepur. Vështirësitë ekonomike nuk qenë gjë përpara ndjekjeve, internimeve dhe burgosjeve. Vraponin veprimtarët shqiptarë nga njëri kryeqytet i Evropës në tjetrin për çështjen shqiptare, zëvendësonin njeri tjetrin. Kur qëllonte që politikanët e Evropës t’i takonin për së dyti veprimtarët shqiptarë, i pyesnin me habi: “akoma nuk ju kanë vrarë?”.
Më 1902-1906 nxjerr në Beograd gazetën “Albania”. Pas shpalljes së Hyrrietit (korrik 1908) dërgohet në Kumanovë ku krijoi Klubin shqiptar dhe hapi një shkollë në gjuhën shqipe. Më 1911-1912 është në Shkup, ku nxjerr gazetën “Shkupi”, e para gazetë në gjuhën shqipe në trevat e Kosovës e të Shqipërisë Lindore. Më 1913 vjen në Vlorë, ku bën pjesë në administratën qeveritare. Më 1914 në Durrës dhe 1914-1915 në Vjenë ku bashkë me të tjerë boton organin “Biblioteka Zëri Shqipërisë”. Ndiqet nga bullgarët dhe internohet 18 muaj në Karlovo. Ishte ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.Pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet që sollën Pavarësinë, ngritjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar duke filluar me Bukureshtin, Beogradin, Vjenën, Parisin, Sofjen, Shkupin, Vlorën e 1912-s, Durrësin e 1914-s, Tiranën e 1920-s e të 1924-s. Patriotizmi i tij të mahnit për shkallën e sakrificave. Asdreni në një letër që i dërgonte, shkruante: Gjithmonë kur jam duke folur me një mik ose atdhetar për mundimet dhe përpjekjet e kohës kur luftonim për një rilindje të atdheut, kujtoj vazhdimisht edhe emrin tënd.
ISUF XHELILI (NDREU)
Lindi në vitin 1862. Hija e Elez Isufit kishte errësuar në një farë mase namin e Suf Xhelilit. Suf Xhelili u shqua si luftëtar e udhëheqës madh popullor. Kishte pamje të hijshme të një luftëtari atlet. Ishte i pajisur me vetitë më të mira të një njeriu model: trim,besnik,fjalëpak, gojëmbël, bujar, i respektueshëm, i durueshëm deri në vdekje,por dhe shpërthyes i papërmbajtur. Suf Xhelili mori pjesë në kryengritjet kundërosmane të viteve 1909-1912 dhe në të gjitha kryengritjet kundërserbe 1912-1921. Ai dha një kontribut të pamohueshëm, përkrah xhaxhait të tij,Elez Isufit,për demokratizimin e vendit. Mori pjesë gjallërisht në triumfin dhe mbrojtjen e Revolucionit të Qershorit 1924, ku dhe ra heroikisht, më 17dhjetor të atij viti. Isuf Xhelili ishte i biri i Xhelil Ndreut, vëllai i Elez Isufit i cili njëkohësisht mbantedhe mbiemrin Isuf Ndreu nga familja e Ndrejve të Sllovës (Peshkopisë)
Dan Shem Cami, komandant cete dhe anëtar i shtabit të Luftës 1013 – 1920
(N’qoftëse vdes, do vdes shqiptar)!
Ka lindur në vitin 1875 në fshatin Sepetovë të Dibrës së Sipërme. Lindur dhe rritur në një mjedis patriotik , pranë xhaxhait Mahmutit dhe kushurijve të tjerë . Shtëpia e tij u shëndrrua në një bazë të sigurtë për të gjithë aktivistët e luftëtarët e lirisë.
Anëtar i klubit patriotik “Bashkimi” të Dibrës së Madhe (1908-1910). Ka kontribut të çmuar në futjen e arësimit shqip në zonën e Dibrës së bashku me Eqerem Camin, Mersim Demën, Sheh Sulën e Selim Demën dhe si pjesëmarrës aktiv në luftimet kundër turqve e serbëve në perudhën 1912-1913. Ai ishte një nga prijësit e luftës në drejtimin Selishtë-Ura e Spiles- Strugë të vitit 1913 kundër serbve , luftë e cila ka patur prijës të përgjithshëm Elez Isufin si dhe në të gjithë luftimet e viteve 1915, 1918, 1920 duke u shquar si një ushtarak i aftë.
Përveç bashkëpunimit me kushërijtë e tij patriotë ka patur bashkëpunim edhe me Aqif Pashë Elbasanin, Hoxhë Moglicën, Sheh Sulën etjKa ndihmuar në shoqërimin e delegatëve të Dibrës për në Kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, në zhvillimin e Kongresin e Lushnjës, kongres i cili i besoi edhe detyrën e komandanit të xhandarmërisë.Vdiq në Sepetovë më 25 prill 1933. Për shërbimet që i bëri atdheut është dekoruar me Urdhërin “Për veprimtari patriotike” Klasi I.
Murat Kaloshi, anëtar i shtabit të luftës së Dibrës, gusht 1920, i plagosur në këtë luftë
Lindur nëKandër më 1880. Pari e Dibrës në kohën e vet. Njeri i pasur dhe i fuqishëm. Ka drejtuar cetën e tij në luftrat kundër turqve dhe serbve. Ka marrë pjesë në Luftën e Shkodrës 1912-1913, në Luftën e shtatorit 1913 në Dibër, në luftrat e viteve 1913-1918, në luftën e vitit 1920 dhe në betejën përfundimtare kundër serbve në Lanë Lurë në vitin 1921. Është plagosur në Luftën e Dibrës, gusht 1920. Pas vitit 1921 deri në vitin 1939 shquhet si përkrahës i Mbretit Zog.
Llan Destani (Ndregjoni), Lukan, Katër Grykët, luftëtar dhe komandant në Luftës së Shkodrës, Anëtar i shtabit të luftës së Dibrës, gusht 1920
Lindi në vitin 1880, në fshatin Lukan të zonës së Katër-Grykëve, nga një familje me tradita të shquara patriotike.Ai qe mbështetësi kryesor i nipit të tij, Dine Hoxha. Të dy, krah për krah njëri tjetrit, u përfshinë në luftërat kundër pushtuesve të vendit si ato turq, serbo-sllav, austro-hungarez e ato italian, si brenda zonës së Katër-Grykëve e jashtë sajë, ku për një dekadë ai nuk e lëshoi pushkën nga dora në luftë kundër okupatorëve, duke mos bërë asnjë kompromis me ta.
Ndër luftërat jashtë zonës së Katër-Grykëve atë e gjen të përfshirë në atë të Kakarriqit të Lezhës kundër forcave malazeze dhe në atë të fshatit Topojan të zonës së kundër forcave serbe. Ai u shqua dhe në luftën e zhvilluar në Kodër Myrkë të Muhurrit, ku së bashku me Dine Hoxhën, Hasan Menën etj. u vunë në krye të 400-500 forcave luftëtare dibrane kundër pushtuesve serb. Krahas luftërave jashtë zonës, ai, përmendet në pranverë të vitit 1919, kur organizoi pritën kundër forcave të ushtrisë serbe në majë të Shullanit të lagjes Shtek të fshatit Murrë (majë Bugës). Në fund të muajit tetor të vitit 1921, ai, organizoi pritën po kundër forcave serbo-sllave, në krye të fshatit Lukan, ku dhe u plagos në këto përpjekje.
Llan Destan Ndregjoni, së bashku me Dine Hoxhën, qenë iniciuesit kryesor që ngritën në këmbë të gjithë luftëtarët e fshatrave të Katër-Grykëve, të cilët, pasi shkatërruan garnizonin austriak të vendosur në Qafë-Murrë i përzunë ato për në fshatin Lis të Matit e nga këtu u larguan përfundimisht nga Shqipëria.
Me çlirimin e plotë të vendit, Llani u inkuadrua me forcat e komanduara nga Ahmet Zogu në mbrojtje punimeve të Kongresit të Lushnjës.
Me vendosjen në Tiranë të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, Llani u përfshi në tubimin e mbi 150 vetëve (xhandarë e civilë), të cilët u vendosën në fshatin Arras të Çidhnës, për të krijuar Prefekturën e Dibrës, me prefekt Ramiz Bej Dibrën. Nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë tubim, Llani u përzgjodh si flamurmbajtës dhe printe përpara tyre. Edhe në momentin solemn të fillimit mbledhjes në Arras, ngritja e flamurit u bë nga Llan Destan Ndregjoni. (Qazim Prejsi)
Destan Puca i Grykës së Madhe, anëtar i Shtabit të Luftës, gusht 1920
Në historinë e Dibrës, konkretisht në atë të Grykës së Madhe, Destan Puca është një protagonist i saj dhe zë një vend të veçantë. Veprimtaria e tij patriotike dhe atdhetare shtrihet në vitet 1890-1930. Bashkëkohës me Elez Isufin, Mersim Demën, Dan Camin, Sheh Sulën, Jakup Canin, Sulë Hupin, Dalip Karajin, Mehmet Duriçin, Liman Alliun etj, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër Perandorisë Osmane, për pavarësinë e Shqipërisë, mbrojtjen e saj nga shovinistët serbë e bullgarë, austriak si dhe në atë për demokratizimin e jetës së vendit 1921-1924.
Destani lindi më 1870. Në fëmijëri u dallua ndër moshatarët për zgjuarsi natyrale. Në odat e Grykës së Madhe vinin të freskëta episodet e luftës kundër Hajredin Pashës, të Fejzë Bulqizës, Lam Dacit. Ishin dëshmitarët e gjallë të atyre luftërave që përcillnin tek brezi i ri heroizmin e Grykës së Madhe, Bulqizës dhe Dibrës, kundër Perandorisë Osmane.
Destani e rriti dashurinë për atdheun, por më shumë iu shtua urrejtja kundër ushtrisë turke, që hasej në fshat për të mbledhur taksa, nizamë, armë etj.
Lufta për mbrojtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e patriotit të ardhshëm. Shije mjaft të hidhur i kishin lënë ndjekja, vrasja, burgosja e veprimtarëve të Lidhjes së nga ana e autoriteteve turke, prandaj ndonëse në një moshë të re mori rrugën e mërgimit. Gryka e Madhe mërgonte kryesisht në Stamboll. Babai i Destanit, Hyseni ishte njeri prej tyre, ndërsa Mehmeti, i vëllai, emigroi dhe nuk u kthye më në vendlindje.
Kontakti me patriotët shqiptarë në Stamboll, ndërmjet tyre edhe dibranë, u bënë një frymëzim për Destan Pucën. Destan Puca më 1896 takoi në Stamboll Dervish Himën. Tashmë ai kishte fituar pjekurinë e një atdhetari. Kish ardhur koha që t’i përkushtohej çështjes kombëtare dhe nuk u shkëput asnjëherë prej saj. Një lëvizje e tillë u organizua në Grykën e Madhe kundër rekrutimit të ushtarëve për luftën e Jemenit më 1898. Autoritetet ushtarake turke sulmuan Grykën e Madhe dhe konkretisht Sofraçanin si porta hyrëse e Valkalisë për të dalë në Qafë të Buallit. Rezistenca e Grykës së Madhe dhe Bulqizës u kthye në një pengesë serioze, prandaj dërguan ushtri për kapjen e “rebelëve”. Përplasja u bë në Zall të Shupenzës. Besëlidhja e Dibrës më 1899 i dha një hov të ri lëvizjes antiosmane në Dibër, u rritën kërkesat ndaj perandorisë siç ishin ato për autonominë e Shqipërisë nën mbikëqyrjen e Sulltanit, bashkimi i trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, administratë me nëpunës shqiptarë, hapjen e shkollave shqipe, mbrojtjen me çdo kusht të trojeve shqiptare etj. 4)
Qëndrim aktiv Destan Puca mbajti ndaj bandave serbo-bullgare, duke mbështetur patriotët e Dibrës së Madhe Sefedin Pustina, Bilal Ballanca, Tahir Tola etj.
Më 1905 u krijua Komiteti i fshehtë i Manastirit për lirinë e Shqipërisë.
Numri i çetave erdhi duke u shtuar. Çetave të armatosura të Destan Pucës, Sheh Sulës, Mersim Demës që mbanin të shkruar në qylaf “ja shahit, ja gazi”(vdekje ose fitim), iu shtuan edhe ato të Jakup Canit, Liman Alliut, Dan Camit, Hoxhë Moglicës, Kurt Ballës, Hysen Destanit etj.
Në ditët e para të marsit 1909 sulmohet kulla e Hazis Xhekës në Gjoricë me 400 ushtarë nën komandën e Can Aliut. Malet e Dibrës u mblodhën tek varret e Shupenzës dhe vendosën të hyjnë në luftë me turqit për mbrojtjen e Hazizit.
Destan Puca dhe Jakup Sofraçani morën pjesë në mbështetje të forcave të Mersim Demës në frontin mbrojtës Ura e Çerenecit-Viçisht, duke ruajtur me kujdes kodrat e Shupenzës dhe Sofraçanin, portën hyrëse të Grykës së madhe.
Në Kuvendin e Dheut, në Gropat e Ukut, çetat vullnetare të Grykës së Vogël, të Grykës së madhe, të Bulqizës, malësorë nga e gjithë Dibra u mblodhën në ditët e para të majit 1912 dhe i shtruan disa kërkesa Portës së lartë në Stamboll. Ajo lëvizje njihet në historinë e Shqipërisë si” Lëvizja e plugut”.
E tronditur nga themelet Qeveria turke u detyrua të tërhiqte nga Nëntë Malet e Dibrës gjithë ushtrinë e oficerët duke lënë disa karakolle në pika strategjike , të vendosura në kohën e Turgut Pashës(1910) në Reç, Arras, Homesh, Ostren, Valikardhë.
Destan Puca, Haxhi Karaj, Osman Zeneli në qershor 1912 sulmuan në Valikardhë postën e xhandarmërisë-6), duke larguar ushtarët e oficerët turq, morën paisjet, armatimet dhe ua shpërndanë luftëtarëve të çetave. Ishin ushtarët e fundit turq që u larguan dhe nuk u kthyen më në teritoret e Dibrës.
Në shtator 1913 Destan Puca do të merrte pjesë në luftë për çlirimin e Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe, një fitore e rëndësishme por e përkohshme sepse siç dihet Serbia i ripushtoi në saj të forcave të mëdha ushtarake në njerëz e teknikë luftarake.
Me bashkëvendasit e tij Hajredin Shehu, Ramiz Alliu, Riza Shehu, Sadik Kamberi, mbështeti me forcë përpjekjet e Sheh Sulës për funksionimin e shkollës shqipe në Zerqan. Ramiz Daci më 1915 organizoi një kurs për mësimin e gjuhës shqipe me disa të rinj nga Gryka e Madhe e pjesëtarë të familjes Puca-8).
Një dritë jeshile u shfaq pas pushtimit austriak. Në vitin 1916-1917 u rihap shkolla në Zerqan dhe një shkollë në Sopot. Erdhën mësuesit Riza Shehu, Ramiz Alliu e Osman Moglica.
Më 1918 Destan Pucën e gjejmë të angazhuar në luftën për mbrojtjen e Martaneshit kundër serbëve, në mbështetje të patriotit Ali Llanit, por edhe në Fushë-Bulqizë tek kulla e Shabës në Dragu me Mehmet Duriçin, gjithnjë kundra ushtrisë serbe.
Ardhja në Arras e administratës së Prefekturës së Dibrës, në ditët e para të muajit gusht 1920 ishte një shpresë për patriotët dibranë, prandaj Destan Puca me Jakup Canin nuk vonuan me luftëtarët e tyre vullnetarë.
Destan Puca mori detyrë të mbrojë bashkë me çetat e Grykës Madhe frontin Ura e Çerenecit-Viçisht. Çetat vullnetare të Tërnovës, Bulqizës e Sopotit të udhëhequra nga Osman Zeneli, Mehmet Duriçi e Destan Puca u shkaktuan humbje të mëdha forcave serbe në Vorre të Vrame në shtator 1920-9).
Viti 1921 do të shënonte fitoren përfundimtare të luftëtarëve dibranë kundër ushtrive serbe në Lanë-Lurë. Në muajt gusht-tetor 1921 Destan Puca nuk u shkëput nga Elez Isufi në betejat e Qafë Gëlqeres dhe Lan-Lurës, që shënojnë fitoren e madhe përfundimtare të luftëtarëve dibranë kundër pushtimit serb. Në vitin 1922 familja e Destan Pucës erdhi në fshatin Zall-Sopot. Ajo u bë një familje e madhe me shumë meshkuj e burra luftëtarë.
(M.Murra, Ushtima e Maleve, Z.Lleshi, Rruga e Arbrit, I.Puca , kumtesë për 100 vjetorin e luftës së Dibrës)
[1] Prof Zaho Golemi, kumtesënë Ash për 100 vjetorin e Luftës së Dibrës
Sakip Cami, “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë” 2022