Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. As. Dr. MSc. Artan XH. Duka: Gjithçka përveçse demokratë!

Në perëndimin ku jemi nisur me aq qejf, sa herë ka zgjedhje ka edhe dorëheqje nga ai që humbet apo nuk arrin objektivat. Keni dëgjuar ndonjë dorëheqje pas 11 majit tek ne? I bie të mos ketë humbur asnjë e të kenë fituar të gjithë e me këtë rast po ashtu edhe votuesit pa dallim dhe hajde pastaj nuk është demokracia jonë për t’u patur zili! 

Po dikush ka humbur pas 11 majit se ajo karrike tek kryeministria aq nxë e nga dritarja kokën vetëm Rama po e nxjerr deri tani ndaj dhe bota kruan kokën e nuk i jep hiç dum rebusit unik politik shqiptar ku ndërsa të gjithë bërtasin për fitore pas 11 majit, vetëm Rama e ka bërë kryeministrinë çel e mbyll si shtëpi të dytë (pa taksë ama). 

Por zgjedhje pa humbës nuk ka e tjetër emër veç humbjes nuk ka qoftë kur nuk arrin shumicën në Kuvend vetë apo si koalicion, qoftë kur nuk merr numrin e deputetëve të premtuar për një parti të re apo qoftë edhe kur nuk di të mbrosh votën nëse ajo bën firo rrugës! Më Ramën majë “fikut”, të tjerët i bie të jenë nën hijen e tij ndaj dhe dorëheqjet e drejtuesve partiakë pas 11 majit duhet të ishin “domino”. 

Duke filluar nga PD e partitë aleate të saj që hiqen sikur kanë nga ’90 që fitojnë rresht, por që herë pas here ua hedhin dhe ua vjedhin fitoren pa mbeten edhe poshtë fikut e deri tek partitë e reja që kanë rastin të demostrojnë frymë të re edhe në qarkullimin e drejtuesve partiakë. 

Trishtueshëm, sjellja e drejtuesve opozitarë është gjithçka përveçse demokratike. E si të mos mjaftonte Berisha që njihet si “fitues” serial por që ia marrin fitoren në tavolinë, po na poftisen tani një mori parti të rejash që, ndërsa u kërkojnë llogari PS e PD për krijimin e mitit të të pazëvëndësueshmit e pandëshkueshmit njëkohësisht në politikë, po na shpien pas në kohë teksa po klonojnë të njëjtat shëmbëlltyra politike që i dhanë tranzicionit nam aq të keq. 

E re vetëm në “gunë

Nëse janë e reja në politikë, ato duhet t’a dëshmojnë këtë gjë me dorëheqjet nga kreu i partisë përkatëse. Përveçse dinjitoze, këto dorëheqje janë edhe një vlerë e plus zgjedhor për zgjedhjet e ardhme se votuesi sheh e vlerëson. Dorëheqja nga kreu nuk është dorëheqje nga politika dhe kontributi i çdokujt mund të vijojë edhe më tej, por në tërësi partia respektohet dhe kjo mund të bëjë dallimin në zgjedhjet e rradhës.  

Ajo që vërehet nga partitë e reja nuk është ajo që pritet. Kanë kapur nga një apo pak vende në Kuvend dhe e trumbetojnë si sukses me dorëheqjen që as nuk i shkon mëndja askujt. Edhe kjo shpesh me sherre për emra e rradhë mes tyre, ankime pas ankimesh, ditirambe patetike për njërin apo tjetrin që sapo kanë dalë nga veza nga servilat e rradhës etj. Me dashje apo padashje, kanë mësuar apo janë ndikuar aq shumë nga Rama e Berisha sa habitën votuesin kur e treguan veten me aq ngut si të pabesueshëm për të qënë e reja dhe e ndryshmja ndaj tyre. 

Është pikërisht ky konglomerat fosilesh të 90 e aguridhesh “moderne” që mundësojnë që Rama të qeverisë sikur nuk ka opozitë dhe demokracia t’i mbajë të gjitha “vezët në një strajcë” apo ndryshe laj-thaj të shpresojmë e varemi nga ajo si gdhihet, humori e si ia ndjen tjetrit atje lart në pushtet.  

E hajde t’u vesh pas tyre që këtej shpallin fitore dhe arritje objektivash (vetëm nëse objektivi është humbja me të brëndëshme nëpër këmbë) e andej qaraviten se ua vjedhin ndonse ca kanë edhe numëruesit e tyre në tavolinë. Që edhe nëse qoftë kështu, prapë është një tjetër arsye më tej për dorëheqje si të pazotë të mbrojnë vullnetin e votuesit e besimin tek vota e lirë. 

Nga ç’shohim e dëgjojmë i vetmi i humbur i vazhdueshëm në këto dekada demokraci mbetet qytetari që detyrohet t’i thotë derrit dajë dhe demokracia vetë. Ndryshe nga perëndimi ku ka rrotacion të vazhdueshëm në parti e politikë, standarti demokratik tek ne ende mbetet ku të thërret qameti dhe sjellja e partive të reja dhe e brezit të ri të politikanëve në to deri tani nuk është ogur i mirë për më tej. 

Sheh rrushi rrushin e thartohet!

Ajo që zhgënjen disi, sepse pritet më shumë, është reagimi i perëndimit. Mesa duket për të gjeopolitika vlen më shumë se standarti demokratik dhe kur shohim se edhe atje autoritarizmi po bëhet normë me atë që po ndodh në disa vënde të BE, për të mos përmëndur politikën përtej Atlantikut e efektin Trump, mbase kjo e bën disi “normale” e të kapërdishme edhe demokracinë tonë. 

Demokracia BeRama e pardesy-bardhëve të 90 u provua të jetë ujë i vakët; as të ngroh e as të ftoh duke bërë që edhe retorika kundër monizmit të jetë e pavlerë. Një demokraci që nuk i shërben qytetarit por garanton vijimësinë politike të një takëmi që janë “mbret” në mbretëri të pashpallur dhe kur ia dalin të zgjidhen njëherë e bëjnë si Papa e nuk shkulen më, vetëm ngre hamëndje plot. Nisen nga interesi vetjak, tundimi për pasuri e nam, frika se mos japin llogari për bëma e abuzime të kaluara, të detyruar nga interesa okulte të treta gjeopolitike etj, dreqi e di, vetëm retorika e përbetimi i tyre se rrinë aty ku janë pafund për të mirën e demokracinë nuk pi më ujë.   

Dorëheqja si “letër lakmuesi”

Dorëheqja është sot tabu në politikë. Nuk ndodh as kur humb, pale kur fiton si në rastin e Ramës që edhe nëse është aty me hak, prapë është bërë bozë! Për të mos thënë që fitoret vetjake, falë ujdisë 2008 me Berishën për ligjin zgjedhor, i merr vetëm në tavolinë dhe kur humbi, me apo pa të drejtë më 2009, nuk u dorëhoq por priu turmat në fushata “Hapni kutitë” e greva absurde urie.  

Në perëndim japin dorëheqje edhe kur e teprojnë me fitoret, boll rasti Merkel që këta tanët e kanë kaq merak, Toni Bler me laburistët. Rama po e humb shansin e drejtuesit epokal se të tillë nuk të bëjnë numrat e mandateve, qofshin ato edhe rrjesht, por mënyra si bëhesh drejtues, si drejton dhe si ikën nga i tillë. Ai do të mbahet mënd gjatë që njëlloj si Berisha më parë, përforcoi kultin e individit, imazhin e të pagabueshmit pavarësisht zig-zageve ditën për diell, unikut, të rënit nga qielli pa të cilin bëhet kiameti etj që i shkojnë për shtat çdo sistemi por jo demokracisë. 

Por ndërsa nga BeRama nuk presim ndonjë të re, shpresa ishte se partitë e reja do të jepnin shëmbullin ndryshe nga ata. Deri tani nuk po ndodh dhe sa kohë nuk ka rrotacion brënda këtyre partive për dështimin për të siguruar mbështetjen e duhur në 11 maj, sa kohë ata nuk marrin inisiativën për reformim radikal të ligjit zgjedhor duke promovuar atë mazhoritar që jep hakun të zotit dhe më kryesorja partitë të mos marrin më para nga buxheti dhe vota të numërohet nga qytetarë profesionistë, sa kohë ata nuk ndërmarrin inisiativa për referendum për çështje madhore, përfshi edhe ligjin zgjedhor etj, t’a harrojnë se do marrin më shumë mbështetje, aq më tepër që i shpie në pushtet, në zgjedhjet e rradhës. 

Qytetari dëshiron të shohë kurrizin e dyshes së vjetër BeRama e jo të mbështesë klonimin që garanton vetëm agoninë demokratike për një tjetër brez në vijim. Deri tani, e vjetra dhe e reja në politikë nuk dallojnë, të paktën kur vjen puna tek dorëheqja pasi vota bën të sajën dhe humbja shitet si fitore. E nëse asgjë nuk ndryshon, e sa kohë nuk ka një tjetër mundësi reale, vota për inerci shkon tek “origjinali”.