Bledar Koçi: LALÁ
– Gjyshit –
S’mbaj mend ku të humba Lalá.
Të ndoqa breg më breg, e mbi një hon të thirra me gjuhën e tim eti.
M’u ktheve jehonë.
S’e di në ç’lugje fshihesh…
*
Ti, baritón vuajtjesh të çmendura, përhumbe mes këngësh – më thanë.
Eh, ç’këngë!…
Dalldiseshin gunës dhe ato të mjera tek dilnin e ngriheshin si pëllumba të egër…
boj’ hiri kraharorit tënd.
*
Qylafin e zi ende ta shoh, si një shqipe që vete e vjen asaj ane.
Vetull e sy, t’i pashë dhe ato,
harqe ylberi një mali që ndizej…
*
Veç zemrën.
Trokitur s’ta ndjeva
mbi lugje të verdha, Lalá.