Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmir Lela: Një jetë mes tingujve që nuk duhet të harrohen

“Na digjet shpirti për muzikën që po ikën bashkë me ne”


Intervistuar dhe përgatitur nga Kozeta Zavalani.
Në një mbrëmje të ngrohtë vere, midis zërave të qeshur dhe tavolinës së mbushur me ushqime tradicionale, Fatmir Lela na rrëmbeu me tingujt e bagllamasë së tij. I veshur thjesht, me një buzëqeshje të sinqertë dhe një pasion të dukshëm për muzikën popullore, ndërsa tingujt e bagllamasë përhapeshin si melodi kujtimesh në një verandë me pamje nga çatitë e gurta, ai shndërroi natën në një festë të kujtesës dhe emocioneve. Fatmir Lela na rrëfeu historinë e një jete të ndërtuar mbi trashëgiminë muzikore të familjes së tij. I ulur përballë nesh, me një buzëqeshje modeste dhe një pasion të pashuar për muzikën popullore, ai na ftoi në një udhëtim emocional, të rrallë dhe frymëzues.
“Ne vijmë nga një trung që ka rrënjë të thella në muzikë”
“Kam vetëm një vajzë,” – nis ai me thjeshtësi, pas pyetjes sime se a e ka trashëguar i biri talentin e tij – “por nga vëllezërit kam shumë nipër që trashëgojnë talentin tonë.” Familja Lela ka origjinë nga Përmeti – një krahinë ku muzika nuk është vetëm argëtim, por mënyrë jetese. Babai i tij, i lindur në vitin 1902, ishte vreshtar dhe një virtuoz i lahutës, që luante në Janinë së bashku me të atin. Pas ardhjes në Tiranë në vitin 1942, filloi punë me sazet e vjetra në Radio Tirana dhe u bë pjesë e një kapitulli të rëndësishëm të muzikës shqiptare.
Në vitin 1943, Ministria e Kulturës së Italisë realizoi një pllakë gramafoni ku përfshihej edhe muzika shqiptare. Pikërisht atëherë, gjyshi Myslym dhe xhaxhai i Fatmirit vendosën të ndjekin rrugën e mjeshtrit Jonuz Lamçe. Djaloshi Remzi, ende adoleshent, mori klarinetën dhe u dëgjua për herë të parë nga mjeshtrat e muzikës popullore. Filloi një epokë e re për familjen Lela – ajo e një familjeje që do të krijonte një emër të skalitur në historinë e muzikës shqiptare.
“Unë jam rritur me muzikën, ajo është gjaku im”
Pas ushtrisë, Fatmiri iu bashkua ansamblit muzikor të ushtërisë dhe shumë shpejt u dallua si udhëheqës artistik. “Çdo të shtunë shkoja në Hotel Dajti, ku vini punonjës nga ambasadat e ne luanim muzikë evropiane. Ishte si një shkollë e heshtur për mua,” tregon ai me nostalgji.
Në vitet ’70, pas një performance në festivalin e Gjirokastrës, grupi “Lela” u kontaktua nga një kompani franceze që organizonte turne ndërkombëtare. “Në vitin e dytë të turneve, realizuam një album që ngjalli interes të madh. E gjithë muzikologjia europiane u interesua për ne”.
Ai ështē autor, kompozitor dhe interpretues i mbi 320 këngëve. Ka shëtitur në më shumë se 180 vende, duke përçuar tingujt e Shqipërisë së Jugut në skena botërore, gjithmonë me një përulësi që e karakterizon: “Edhe pse më i vogli, isha drejtues, sepse e njihja mirë bagllamanë, lahutën, kitarën. E ngrita nivelin e instrumenteve tona popullore, i përpunova, dhe ndihmova shumë të rinj t’i mësojnë”.
“Kam 6 mijë albume në shtëpi – por kujt po i duhen”?
Zëri i tij thellohet kur flet për të ardhmen e muzikës shqiptare: “Më djeg shpirti për këtë. Ne nuk kemi më muzikë qytetare të mirëfilltë. Është lënë pas dore, nga mungesa e pedagogjisë, nga moskujdesi institucional. Unë kam 6 mijë albume në shtëpi – thesare të vërteta – por a i merr dikush? A i shpërndan Ministria? Kjo është një pasuri kombëtare që rrezikon të humbasë”.
Në sytë e tij lexohet jo vetëm dashuria për muzikën, por edhe një trishtim i thellë që shoqëron ndjesinë se një epokë e tërë po perëndon pa lënë pas gjurmë të mjaftueshme.
“Bagllamaja është zëri i shpirtit tonë. Na thërret, por pak kush dëgjon”
Fatmir Lela nuk është thjesht një muzikant. Ai është një kujtesë e gjallë, një arkiv i pashkruar i tingujve të traditës sonë. Ai është provë që muzika popullore nuk është relike, por një gjuhë universale që duhet ruajtur, studiuar dhe shpërndarë me dashuri e përkushtim.
“Do ikim edhe ne, por historia mbetet. Këngët tona kanë një peshë që nuk mund ta përkthesh – janë dhimbje, janë gëzim, janë popull”.

Fatmir Lela – Muzika si trashëgimi dhe si rrugëtim shpirtëror

Intervistë nga Kozeta Zavalani

Fatmir Lela është një emër që nuk mund të shkëputet nga konteksti i një familjeje me rrënjë të thella artistike. Nga gjyshi, tek mbesa Eda Zari – e njohur ndërkombëtarisht për kontributin e saj në përhapjen e muzikës tradicionale shqiptare në botë – kjo familje ka jetuar përmes tingujve. Por Fatmiri nuk është thjesht një hallkë në një zinxhir – ai është një zë i veçantë, një krijues që ka ndërtuar stilin e vet me dinjitet, autenticitet dhe përulësi ndaj artit.
“Muzika është më shumë se zanat. Është mënyra se si i kuptoj njerëzit, dhimbjen, dashurinë”.
Në bisedat tona, Fatmir Lela më la të kuptoj që për të, muzika nuk është as ambicie, as karrierë e pastër. Është më shumë si një dialog i heshtur me të kaluarën dhe me vetveten. Ai nuk flet me fjalë të mëdha, por mendimet e tij janë të pastra, të thella dhe të pasura me ndjeshmëri.
E ndjej që vini nga një familje ku muzika është trashëguar. Si është të rritesh me një gjuhë që është muzikë para se të jetë fjalë?
“Është privilegj, por edhe përgjegjësi. Nuk më ka munguar kurrë nxitja për të eksploruar. Gjyshi im më mësoi të dëgjoj jo vetëm notat, por edhe heshtjen mes tyre. Eda – mbesa ime – është një burim frymëzimi për mënyrën si i ka dhënë muzikës shqiptare një shtrirje ndërkombëtare. Por për mua ka qenë e rëndësishme të gjej zërin tim mes gjithë kësaj trashëgimie”.
“Në kitarë ka diçka njerëzore, thuajse të gjallë. S’është vetëm tingull, është frymë”.
Fatmiri është kitarist, por nuk e sheh kitarën si një objekt. Ai flet për të si për një partner që e ndihmon të kuptojë botën.
Kur filluat të luani kitarë?
“Nuk e mbaj mend si moment. Ka qenë gjithmonë aty, në duart e dikujt në familje dhe thjesht një ditë, pa e kuptuar, u bë pjesë e trupit tim”.
Keni një teknikë që e konsideroni ‘tuajën’?
“Unë mendoj se çdo teknikë vlen vetëm kur shërben për të shprehur ndjenjën. Nuk jam i fiksuar pas virtuozërisë – më shumë më intereson çfarë ndjen dikush kur dëgjon atë që luaj”.
“Midis tingujve të së kaluarës dhe zërave të sotëm”.
Në kompozimet e tij, Fatmir Lela ndërthur me finesë elementet e muzikës tradicionale shqiptare me një estetikë moderne, shpesh intime, ndonjëherë edhe introspektive. Ai nuk përpiqet të jetë komercial – dhe kjo është ndoshta ajo që e bën të veçantë.
Kur krijoni, mendoni për publikun apo për veten?
“Fillimisht për veten. Krijimi është një proces i brendshëm. Por pastaj, kur muzika nis të marrë formë, pyetja natyrshëm është: ‘A do e ndjejë dikush tjetër këtë që ndjej unë’? Nëse po, atëherë muzika e ka arritur qëllimin”.
Ju shoh që ruani një lidhje të fortë me rrënjët shqiptare e ato familjare në muzikë?
“Po. Ka diçka shumë të veçantë në mënyrën si shqiptarët i shprehin emocionet përmes muzikës – dhimbjen, mallin, krenarinë. Unë mundohem të mos i humbas ato ngjyra, edhe kur i vendos në një kontekst më bashkëkohor.
Kujtoni filmin “Gjeneral Gramafoni” ku kompozitori e di mirë rolin e Kabasë: ajo është paliative, është e aftë të lehtësojë simptomat pa u marrë me shkakun.
Ndaj Peçi zgjedh pikërisht për këtë skenë tingullin dhe interpretimin e vëllait tonë Remzi Lelës, i njohur si Çobani, mjeshtri i Kabasë që qep çdo shpirt të ndarë”.
“Më shumë se famë, dua ndikim. Qoftë edhe te një njeri i vetëm”.
Si e përjetoni performancën në skenë?
“Është ndoshta momenti më i vërtetë. Kur je në skenë, nuk ke ku të fshihesh. Është emocioni në formën e tij më të pastër. Nuk ka maskë”.
Ka pasur një koncert që ju ka prekur më shumë se të tjerët?
“Po, një koncert i vogël, me shumë pak njerëz në Berat. Një zonjë fisnike qe jeton ne Itali
Vitore Stefa më tha pas performancës: ‘Më dukej sikur më fole për fëmijërinë time’. Ajo është arsyeja pse bëj muzikë”.
“Trashëgimia nuk është për t’u kopjuar, është për t’u vazhduar”.
A keni menduar për një bashkëpunim me Eda Zarin?
“Mund të jetë shumë bukur. Jemi të ndryshëm në stil, por kemi të njëjtën frymë. Do të ishte një dialog mes brezave, mes traditës dhe universales”.
Nëse do të mund të lini një melodi si trashëgimi, çfarë do të përpiqeshit të thoshit me të?
“Që ne jemi rrënjë dhe degë në të njëjtën kohë. Që nuk duhet të harrojmë nga vijmë, por as të kemi frikë të bëjmë hapa të rinj. Një melodi që flet me mall, por ecën përpara”.
Fatmir Lela nuk ka nevojë të bërtasë që të dëgjohet. Muzika e tij flet me zë të ulët, por prek thellë. Në një botë ku shumë bëjnë zhurmë për t’u dalluar, ai zgjedh qartësinë dhe sinqeritetin si mënyrën më të fortë për të qenë i pranishëm.
Kuptova se muzika nuk ka nevojë të jetë e ndërlikuar për të lëvizur shpirtin.
“Më shumë se famë, dua ndikim”.
Çfarë doni të lërë pas muzika juaj?
Nëse një ditë një i ri do të marrë kitarën dhe do të luajë një fragment timin, pa e ditur as kush jam, do ta konsideroj veten me fat. Muzika duhet të jetojë më gjatë se ne – kjo është mrekullia e saj.
Një bashkëpunim ëndërr?
Pse jo, një bashkëpunim me Eda Zarin në një projekt që bashkon jazz-in me muzikën tradicionale shqiptare, me kitarë, vokal dhe elemente moderne elektronike. Do ishte një rreth që mbyllet bukur.
Dhe së fundi…
Nëse do të mund të lini vetëm një melodi si trashëgimi, çfarë do të përpiqeshit të thoshit me të?
Do të përpiqesha të përmbledh ndjenjën e të qenit shqiptar – jo si etni, por si frymë. Një melodi që flet për rrënjët, për dhimbjen, për krenarinë, për dhembshurinë. Sepse në fund, muzika është ajo që na mban njerëzorë.