Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Valbona Kolaveri

MENOPAUZË

Menopauzë
Zerohet dita
Nën klithmat dëshpēruese
Të filizava që nuk janë më
Shtigjeve ku pyjet
Buzëqeshnin

Menopauzë

Derdhet shpirti vargjeve
Meduzë
Shtangen barqet
Nuk po ka pranverë
Të blertë më

Dheu s’po plehërohet më
Filizat zunë rrënjë
Gjetkë

Kurorë e luleve
Po bjen nē vjeshtë
T’pērhershme
Tokës sime

Që mbet djerrë
N’menopauzë
Të ngrohtë

Po pres dhembjen
Shtatit
Mbulojë
Për një strehë

MENOPAUZË


Diagramë në rënie vijë pikë

Pip, pip, pip…
Udhët e mia
Nuk po kanë më zë

Po pres të shndris
Në ripērtërime të tjera
Konvencionesh
Der në infinit

Monopauza
Diagramē vijë drejtë
Pip, pip, pip…

N’kētë vjeshtē gjethe e rēnë
Tokēs sime
Humus…

KU JE?

Ku je?
Në cilën britmë
Të pabërtitun
Të frymēs së mekur
Po merr e jep
Me veten

Ku e ke cakun?

Ofshan në shkretëtirë
Të zemrës së djegur

Prush në mangall
Të shpirtit po fikesh

Nuk di për mu a t’mbet
Ndonjë shenjë
Me ta lëmu plagën

Ku je?
S’ta pashë dehjen
E tërbume të dashnisë

Kur po vjen në thellinë
Të synit?

Du me të dasht
Tu t’pa

OSHËTIMË

Të vi pranë
Bregut të zemrës
Çdo natë

I flas qiellit tënd
Me të mijat re
Të thërras

Oshëtimë
Shkreptimë

Më jep pak diell
T’mos shkrep rrufe

Ti shpirt nën qiej
Rebelon
Timin shpirt

NUK MUNDEM PA TY

Mblidhi ashklat e inatit
Mos më ther me sy
Shpirti më mbeti në lak
T’trishtimit

Nuk mundem dot pa ty

Mos më ndryj
Në grykë të idhnimit
Kur rebele jam

Ashtu di me të dashte
Pak e nga pak

Mos më ler
Në gur t’harresës
Udhës larg e larg

Unë të shoh në bisht të syrit
Edhe kur s’të kam pranë

Fati po bën rreng
Bashkë me ne të dy

Zemrën ta lashë peng
Nuk mundem dot pa ty…

N’TRAZIME PA VLERË

Sukuj mendimesh
Ma rrokullisën ditën

Të mbahet
Në paterica huqesh

T’më rrëzojnë hera-herës
Në dyshekë dyshimesh
Të vetes

Me pyetjen
Si mund tē lartësoj shpirtin
Në trazime pa vlerë

Shkurt
Në zbërthime pozitive
Kompleksesh negative

DIEJ

Në thesin e lutjeve
E shtrydha shpirtin
Si shegë

Të kuqe flakë
E kisha pritjen

Me duar shtrënguar
Rreth vetes

Qafuar zemrës
Shenjtorë

Lëmuar hollë
Në ditēt e zgripeve

Vetja tretej
Në shërbesat
E vakteve pa zotër

Ku shpirti
S’konvertohej
Me asgjë tjetër
Veçse me diej

MAJË GISHTASH

Në refleksione sysh
Pasqyrojmë projeksione
Të ndryshme nga vetet

Mpakem tek luajmë
Në shfletime të shpejta
Shpirtrash

Qē bien ngadalë
Pingul të na therin
Zemrat
Po skuqen udhët e mallit

U harruam pa dashtë
Horizontesh
Lidhur majë gishtash

CINGRIMË

Cingërimat e kohës
Mi cingërisën eshtrat
Në shtretër netësh të ftohta
Pa mbulojë zemre

E në cingrime të marra
Mi grisën mendimet
I zhbënë në
Letra pa vulë
E libërlidhje

Ku vijēzimet
E holla paralele
Të së nesërmes
U prenë hera-herës
Në degëzime udhëkryqesh
Ku demonët
Hodhën valle me dreqër
E shpirtin ma degdisën
Në male idhnimi
Pa emër

Ku ngjitjet e shpirtit
Ishin në lodhje pa lot
Se dihatjet ishin kyçur
Në kështjella guri, vetmie

Por se heshtjet më kënduan
Këngën, puth qiej
Fal veten e të tjerë
Paqtohu me veten
E rilind sërish me diell..

MË THUAJ

Në zbërthime të gjata
S’të kuptova
Në cilën vlerë vjen

Më thuaj
Nëse në shëndërrime të reja
Më ke gjetur

Thjeshtuar
Më është shpirti
Zëvëndësimesh
Të pavlera fjalësh

Kohë pa kohë
Ku e tëra
Mu thërmua
Pjesë-pjesë

E dritës për tek unë
I ndërron kah
Si një vektor
Çorientuar dashurisë

Më thuaj
Se në cilat prerje
A bashkime
Jemi unë dhe ti

Të lutem
Më thuaj…

TETORI I VRUGËT I DATËS 8

Të gjitha zjarret
I dogja

Me të kuq i lyeva
Qiejt e shpirtit flakë

Tetorit të vrugēt
Datës 8 nē kalendar

Që lagte muret e zemrës
Me piklima dashurie

Të ngjizura
Me heshtjen e syve

Që rrotullonin epshe
Mbarë e mbrapshtë

Në shikime rrufesh
Që shkreptinin gacë

E thërmoheshin ngadalē
Viteve

Ku hiri i mbetur me kujtime
Të kthehet në bumerang

Me shaminë e lotēve
Hedhur lumit
Këmbyer nusesh

Fatesh të vulosura
Qiejsh
Që nuk flenë
Aspak

BASTARDËT

Pezmatime gjuhēsh
Rënkojnë mendimesh

Ç’të flasin
Kur s’dëgjohen

Nxijnë vetullat e kohës
Ditë që s’mendojnë
Për mirë

E përflasin të tashmet
Se të djeshmet i shkelën

Me gjurmë
Që s’kanë shenjë

T’i nxijnë
Pa mëshirë

Se s’kanë ç’tē kujtojnë

Drutharët
Të tëra i dogjën
Se nga hiçet erdhën
E u lartësuan maleve

Tek hiqen si heronjtë e heshtur
Vitesh

Pa bëma
Bastardët

ORËT E MIA

Orët e mia
Rrotullohen herë majtas
Herë djathtas

Në rrotullime që këndet
I kanē tē harbume

Ndalesat
Marrin frymë thellē

Nē të disatat e sekondave
Kur venat e zemrës
Më dëgjojnë

Pēr një shtrirje
180 gradë
Të shtriqem
Në mund të ëndërroj
Sadopak

Vetet në rrotullime
Të panjohura

FLOKËT

I kreha flokët e kohës
Ngadalë
Të mos më dhembin

Ngatërruar fijesh
Ditë e vite
Më trazuan ca

U desh kohë e gjatë
T’i shtrija
Mbi supet e halleve

Më lodhi mundi
Tek mbaja kokën lart
T’i tërhiqja drejt vetes

Me krenarinë
E të pathyeshmes
Por s’qe e thënë
Se shumë mu këputën

Rrokopujë ngatërruar
Fateve

Disa më rrëshqitën
Krehërit të dhembjes

S’i mbajta dot
Më rënduan sa malet

Mbi shpatullat
E vetme

Ato që mbetën
Pa rënë

Butësisht
Ia fala lutjeve

Se ia këndova këngën
Qiejve

E t’m’i ruante
Nga plakja
Të bukur

SA KISHA DASHT


N’perëndime të largëta
T’mendova
Dhe aty shpirtin
E treta

Me rrezet e fundit
Të diellit
Të grimcume
Bri natës së lume

Me dritat
Buzë liqenit të fjetun
Me shpirt në rrjedhë
Të Bunēs
Frymoj në fllad të erës
E vij ngadalë tek ti

Me andrrën
E shplodh zemrën
E ngushun
Në malle të cungume
Ditësh rebele

Ah dashnia ime
Sa kisha dasht
Me ken me ty

HARBIM VJESHTE

Vjeshta po harbohet
N’fluturime gjethesh
Shpirtrash
Që regëtijnë hapsirave
Tē molepsen reve

Erë e fortë mendimesh
Po marrin turr të përplasen
Për s’di se ku
Ndoshta për tek ti
Kujtim i largët
Ndoshta kuturu

Ku pasqyrimi im
Do fle gjatë
Dimrit të acartë
E pret tē shkrijē
Në pranverë
Me vesën e parē

KËNDOJ

Nata këndon në heshtje
Këngën e yjeve tē vetmuar
Këmbanat këndojnë
Jehonën e zotave
Drejt qiellit

T’u kthehet paqtim
Mureve të qytetit

Unë i kēndoj vetmisë
Vetmuar në vete
Më duaj fort vetja ime
Kam shumë nevojë për ty

TË PATHËNAT

Tehu i natës ishte i mprehtë
Thikë që ndau kufijtē
E shtratit të zemrës
Që furfulisej me veten
E rrotullohej në anën tjetër
Ndërkohë që numëron
Ditët e vitet e lëna peng
Në sitën e hënës
E rēnkonte të pathënat

Gjumi po pikturon veten
Nëpër hije muresh të vjetra
Mendimesh
Zallamahi kohësh
Të kapura fort në shpirt
E po presin të zhgrryhen çarçafësh
Si tē përdala
Ku askush si sheh
Për t’i gjykuar
Der të lodhen e të flenë
Gjithë dertet

Ndërkohē unë një kufomë
Që sapo ka dhēnë shpirt
E po pret ti hap sytē
Në agun e një dite plot dritë
Në një kohë tjetër
Ku sytë takojnë veç diellin

VJESHTË PA TY

Po vjen dhe kjo vjeshtë
Pa ty
Si vjen udhëtari
Shtegut të largët

Udhët do të mbushen
Plot me gjethe kujtimesh
Zverdhur nga malli i zbrazët

Po vjen kjo vjeshtë pa ty
Po vjen

Kurse unë
Do të pres e përcjell
Mes pengjesh
Të mos përmbyset
Diga e zemrës
Nga shirat e lotëve
Të mungesës

GJYMTYRËT E MENDJES

Pasditja po mbahet mbi paterica
I theu minutat dhe orët
Me heshtjet memece
Tē mbrapshtat po marrin
Tatëpjetën
E mbrēmjes së përgjumur
Jam me sy picërrues
Kah dritës
Memorizimi i vetes
Ështē stampuar në mur
Si një mumje
Ku lēmshet e angështisë
Presin të rrokullisen
Në lotë krokodili
Që po pret
Të hajë babëzisht veten
Të njëjtat
Kanë filluar të grinden
Në boshet e shpirtit
E t’më mërzisin
Do t’u vë vizën e ndryshores
Që tē ndryshmet
T’më gjallërojnë
Gjymtyrët e mendjes

ASNJËHERË

Çdo ditē marr me mend
Një gjysēm udhë

Nën dhēmbë
Me njē gjysëm zë
Tē flas

E plotē jam
Por
Copash
Malluar cungimesh
Nē shpirt

Tē vështroj së largu
Dyfish

Tek ty
Kurrē s’mujta me i mbrrit
Ofshamat
Ndër buzē të kafshume
Ku askush mos tē ma njihte hallin

Me t’i diftu gjymtimet e mia

Se dimensionet po luajnë

Largesat nuk maten
Me gjysma udhësh
As fjalësh
A sysh që tresin larg

Të kapērdijnē dyfish hapsira

Zemrës s’ka metër
Që ia mat mungesën
Shtrëngesat e barkut
I pērpijnë largesat
Me dihatje që tē mpakin

Me dēnesa frymēsh
E përlotjesh
Ku tē mos shohē askush

Asnjëherë…

TË ÇMENDUR

Isha dy hapa larg
Tē çmendem
E s’u çmenda

Janë dy hapa larg
Të më çmendin
Të çmendurit
E nuk më çmendin

Se çmendjet
Kanë filluar tē çmenden
Me mua

Të çmendur
Flijeni mendjen
Nē çmendurinë tuaj
Tē marrē

Se çmendjet e mia fatlume
Janë moskokēçarjet

Hijeve të tyre
Si të çmendur
Ju do iu viheni pas

E këndojuni gjer nē vdekje
Pangopësisē maniake
Të vetvetes
Atje
Në zullumin e çmendjes
Sē çmendurisë suaj
Të çmendur…

TRAJTË

Ndihem si një varg
kërmill i mbështillem vetes
e paplotë

Trajtë e thyer
me emërues
Dashurinë

Që çdo ditë
në lëkurë
i pres një kufizë të re

Të shndrisë
vetëm

LUTJE

Të thirra s’di sa herë Zot
Pandeha të më dëgjoje

Ish një mal i madh ndërmjet

Të thirra Zot
Sot si asnjë ditë tjetër

Në më pyet si jam
Kur ndër lutje sërish rrëfehem
Nëse malin ma shtyn
Të të ndiej

E sigurt do të ndihem më mirë

TESHAT E SHPIRTIT

Më mungojnë
Hera- herës kapsat
Për të nderë në telat e jetës
Teshat e shpirtit

Disa në bririn e kujtesës
Janë tharë
Nga era e fortë e kohës

I heq me ngadalë
T’i stivoj në rafte
Pa kapakë zemre

Vazhdoj e ndej ato të lagurat qull
Nga shirat e netëve
Nën vaj
Ku kolla e thatë e burrit
M’i tremb nga pakë dhe lotët

I pres që të thahen
Nën një ditë me diell eshkë vere
Ku gjinkallat bërtasin fort