Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Pango: MIQËSIA NË PRAG-VDEKJE

…ajo kafeja që gjerbim në shoqni… e ai muhabeti që ju mungon aq shumë emigrantëve andej… e që ne i kemi me bollëk… dihet, janë shumë më tepër se kaq..

…se veç bla-blave e thashethemeve, e të mbledhurit bashkë qoftë edhe për të rrufisur së bashku atë pak lëng…

…pak-pak… por aty është përzjerë bashkë me ujin e lëng-kafen veç thjesht lezetit… edhe kënaqësi intelektuale, debat, politikë, rrahje idesh… qarje hallesh – a në ca raste edhe më shumë: Miqësi… të pish kafe me mikun. Rit më vete…

…Njeriut, kësaj qënie aq sociale… duket se sot po i mungon… shpesh e gjithnjë e më tepër se ç’mendon: Miqësia… a në mungesë të asaj me gërmë të madhe… po i mungon edhe ca më e pakta: shoqëria… apo edhe minimumi… thjesht prania e të tjerëve…

…jo pak njerëz këtu e në botë… po jetojnë e vdesin vetëm…

…të shkruaj sot mora shkas nga rasti i votimit për shkarkimin e kryetarit të bashkisë e nga reagimi i “miqve” të tij dje…

…por jo për t’u marrë me shkarkimin, “shkarkuesit”, a të shkarkuarin… por me diçka shumë më të rëndësishme se këta, me Miqësinë…

…ta nisim nga e mira e e bukura, miqësia a miqësitë e jetës e ta mbyllim me atë të hidhurën… miqësinë në fund, atë në perëndim të jetës… atë zeher… si kafja e vakive… pas-vdekjeve…

…e kam fjalën për miqësinë… atë tamam… atë pa përkufizime e kufizime… ç’është e ç’përmban aty brenda miqësia, e sidomos ajo, miqësia e gjatë, e thellë, e vërtetë…

…shumë gjëra mban… kujtime; emocione; përshtypje, hidhërime… dije… nostalgji… qëllon mban brenda edhe një jetë të tërë… me mikun… miqtë në paçi më shumë… mban mendime të përbashkëta… siç i ndanim ne që në fëmini me Maks Blushin, mikun tim më të ngushtë, në atë miqësinë që zuri fill atëhere, vijon sot e do vijojë sa të jemi…

…e na ndodhte aq shpesh tek bisedonim, të na dilte njëheraz nga goja edhe e njëjta fjali… dmth mendim i përbashkët… telepati a osmozë e miqësisë… ndoshta..

…miqësia, ajo e vërteta ka brenda besim; respekt; por edhe shpirt e materie… kur ka nevojë miku t’ja japësh… jo doemos njëlloj a baraz nga të dy anët: po si të vijë… ai që ka mundësi më shumë, bën më shumë: …se është e pamatshme e mira e mikut, nuk krahasohen të mirat… e as nuk llogariten..

…miqësinë, mikun si dhe dashurinë e gruan… i zgjedhim vetë… dhe i ushqejmë po vetë… që të rriten…

…Miqësia, ajo tamam, është edhe mbështetje; ndihmë kur ke nevojë e jo braktisje në rrezik a vështirësi (a sidomos kur shumica të kthejnë kurrizin…)

…madje ka miq të rrallë që çohen për të të mbrojtur edhe sikur të të jetë vënë tërë bota kundër (…më ka ndodhur…

-MIqësi eshte te kesh dikë që shfaqet kur ke nevojë për të edhe pa e kërkuar…

…e kur je keq edhe thjesht prania e mikut mjafton…

-në miqësi ndan gëzime e përvoja të paharruara bashkë, që e bëjnë kohën e kaluar me mikun të bukur…

… takimin me mikun kur ke ca kohë pa të, mezi e pret…

…të bën të ndjehesh mirë edhe thjesht duke pi një kafe, duke ngrënë një drekë a duke ecur vrapuar, notuar a pirë qoftë edhe “nji dahon bashkë”… me mikun…

…është ndryshe kur udhëton me mikun a miqtë, shijon e ndan përshtypje, ndjesi, entusiazmohesh së bashku…

-Miqësia të zbukuron jetën e të bën të ndjehesh ndryshe…

…sikur të smadhon dimensionet, e bëhesh a ndihesh si më i madh… …në të kundërt pa të, je shumë më i vogël e ndjehesh grimcë, thërrime, në barkun gllabërues të kohës pa fund… kokrrizë rëre në hapësirë të pa matë…

…po që kur je vetëm, ndjehesh shpesh e më shpesh i sëmurë… e bëhesh edhe hipokondriak e të duket sikur të gjithë sëmundjet e botës bien mbi ty… a e di?!

——-

…në aspektin më psikologjik apo edhe fizik… a të shëndetit…

…miqësia të jep edhe mirëqënie emocionale… hove, optimizëm… vlen edhe si antistres (i vetmuari që rastis e takon e të gërget-nuk ka faj: është nën stres e mendime të liga vetmie… hipokondrie…)

…miqësia të forcon e rrit identitetin, në raportin miqësor kupton më mirë kush je… veteksplorohesh…

…po ndan dhe ide-e gjeneron ide të reja nga përplasja e mendimeve… e je dhe më kreativ…

…miqësia… (gjithmonë ajo e vërteta), është edhe antidepresant për njerëzit e sidomos vetmitarët me prirje depresive…të mban më në formë e të ruan shëndetin e veçanërisht atë mendor… për rrjedhojë të zgjat jetën…

-miqësia a miku-mik.. .të le të jesh vetja e të pranon edhe me të metat që ke…

…Miqësia është ndjesi, komfort por edhe pasqyrë ku sheh veten… keq a mirë duke komunikuar me mikun të reflekton për çka je…

…E megjithë këto vlera që ka ky thesar i vyer-miqësia… jemi ne, të këtij vendi, ata që e prishim atë më lehtë… aq lehtë… pothuaj si fëmija lodrën… e flakim tej…

…e edhe mburremi nëpër tryeza si ja dh… si ja bëtë atij tjetrit (edhe për hiç gjë, për një fjalë a zënkë… lere pastaj të tjerat… ndonjë lek…)

….e nuk pyetët fare( ka qenë miku juaj)…

…e pastaj rastis edhe pendoheni… keni nevojë… tepër vonë… qelqi i thyer, (“osht gastare, thyhet e s’njitet mo” thonë tironcit)… e kur është goxha miqësi: kristal i bërë cop’ e çikë… e nuk bëhet më kristali…

——-

Epilog…

…dhe natyrisht pyet… po ç’ndodh me njeriun… atë social, c’ndodh me miqësinë… kur jeta sa vjen e perëndon…

…dy shembuj therës:

…ka ndodhur me babanë e një mikut tim, tejet të moshuar e në prag-vdekje…

…pas disa muajsh lëngimi në shtrat, duke e ndjerë që fundi po vinte… por po zvarrisej e po zvarrisej… si torturë për veten e për të tjerë… thërret të birin, (burrë në moshë tashmë) pranë: “…dëgjo mor bir… unë e di ç’do me thënë me jetu… se kam ditë me e jetu jetën… e kjo copë e mbetun… nuk asht jetë…

…por mbi gjithçah, edhe me ndodhë ndonji mrekulli e me vazhdu me jetu… çka me jetu… mu më kanë vdekë gjithë shokët… ç’me jetu ma…”.

…mbylli gojën e nuk pranoi të fuste më asgjë… pas dy ditësh dha shpirt… pat vdekur ditë… kohë më parë… si qenie sociale… si miqësi..

…një tjetër burrë në prag të vdekjes, jo aq i moçëm sa i pari… aktor i njohur… po e thërret edhe ky të birin pranë e po i thotë:

“Shiko bir… kur të të vijë ajo koha… kur vdekja nuk do jetë larg… e nuk do të ta ketë ma kush nevojen.. .shiko bir… shih mirë aty rrotull tejet… a të ka mbetë ndonji mik… po të pat mbetë kjoftë edhe nji… kjo domethanë se ke qenë burrë i mirë… e po të patën mbetë dy… ke qenë i mirë fare…

…tjetërkund rrihte ky plaku i pragvdekjes së dytë: te miqësia e vërtetë… sa pak miq të vërtetë mbeten (nëse ke pasur) kur jeta aktive ka mbaruar e nevojën s’ta ka më kush… dramë universale kjo…

…edhe ky babë i moçëm në prag-vdekje… duhet ta ketë pasur një brengë…

…sa për atë rastin e votimit për shkarkim të ish-kryetarit në bashki… nga ana e ca “miqve” të vegjël (thjesht meqë e përmenda në fillim… e që u bë shkas për këtë shkrim…) aty, në ato komentet që po bëhen në media sociale… mendoj se ka thjesht një ngatërresë në terma a fjalë…

…ajo çka ndodhi në atë sallë-teatër, nuk ka të bëjë me miqësinë… e as me tradhëtinë… ka të bëjë me një ndjenjë a përçudnim tjetër të njeriut: ka të bëjë me frikën….

…por gjithsesi… ne sërish mbetemi, që mbetemi… një popull trim e i besës…