Petrit Ruka: VË DUART MBI KOKËN TËNDE
Një poezi e panjohur e Petrit Rukës
VË DUART MBI KOKËN TËNDE
(Në vend të një letre, pasi kam lexuar “Ligjërimi i Kurmit” të Janis Ricos, shqipëruar mrekullisht prej mikut tim, poetit Vasil Dilo).
Faleminderit mik dhe poet,
prej të gjitha muzgjeve poetike të rinisë sime,
…Unë isha atëhere një mësues i pluhurosur fshati,
Dhe flija me vargjet e Janit,
Vija si jastëk “Mëhallat e botës”
Dhe arrinte të më zinte gjumi
sepse fjalët e tij
të puthnin drejt e në zemër.
Faleminderit, mik, për “Ligjërimin e kurmit”
Ricosi është vërtet
muzgu pellazgjik më poetik i Ballkanit.
Më ke bërë një çast të lumtur me këtë poemë,
Dhe kam rifjetur me të gjitha vajzat e bukura të vendlindjes,
Të cilat i ëndërrova të ishin të dashurat e mia.
Kam bredhur sot të gjitha kurmet e tyre nëpër këtë poemë,
Dhe ti nuk e di sa i lumtur ndjehem që nuk kam vdekur,
(Si mund të guxoja e të vdisja kaq mëndje lehtësisht)
Duke e lënë pa shijuar këtë këngë,
Që më ka bredhur turbull nëpër trup prej dyzet vjetësh.
Faleminderit Vaso, mik i mirë, prej meje, prej vjeshtës,
Prej vajzave që desha,-poezitë e mia të pashkruajtura,
Dhe mbi të gjitha prej gjuhës sime shqipe,
Mëmëzonjës sonë,
që ndjehet sot edhe prej teje më shumë krenare.
Dhe ja kështu duke m’u mbaruar fjalët
Vë duart mbi kokën tënde dhe të bekoj,
Kudo që të jesh kësaj mbrëmjeje të butë athinjote,
Duke kaluar me këto duar mbi kurmin tënd,
përroin magnetik të dashurisë sime sa shtatë kroje kaonike.
Dhe hiç mos ki turp këtë çast,
As nga përkëdhelja ime dhe as nga molisja e modestisë,
Ngrije kokën dhe thuaj vetes
Jam një krua që mund të këndoj mu në mes të dy gjuhëve.
Duke e kaluar frymën njëherëshi si në një culdyjare…
Petrit Ruka
Tiranë, 7 nëntor 2005.