Ismet Hajrullahu: Mohimi i trashëgimisë kulturore
Manastiri i Deçanit, i ndërtuar në vitin 1335 në rajonin e Dukagjinit, është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë fetare në Kosovë.
Për dekada me radhë, ai është paraqitur si pronë ekskluzive e Kishës Ortodokse Serbe, duke u shkëputur nga konteksti historik dhe etnik i vendndodhjes së tij.
Kërkohet kurajë dhe guxim nga e gjithë shoqëria, veçanërisht nga historianët dhe akademikët që janë strukur, duke preferuar komoditetin në vend të së vërtetës historike.
Burimet osmane dhe dokumentacioni historik dëshmojnë se ky monument ishte ndërtuar dhe përdorur nga shqiptarët ortodoksë të zonës. Defterët osmanë të shekujve XV–XVI, të analizuar nga profesori Selami Pulaha, tregojnë se fshatrat përreth Deçanit kishin popullsi shqiptare të krishterë, me emra të qartë etnikë si Gjon, Kolë, Leka, Bardh, Tanush etj. Historiani Fehmi Rexhepi përmend priftërinj shqiptarë ortodoksë që shërbenin në zonë deri në shekullin XVIII, duke dëshmuar një vazhdimësi fetare që u zbeh vetëm pas islamizimit të dhunshëm të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.
Në Rrafshin e Kosovës, bashkëjetesa mes ortodoksisë dhe katolicizmit shqiptar ka qenë e natyrshme. Qytete si Janjeva, Novobërda, Prizreni dhe Vushtrria kishin komunitete të mëdha katolike shqiptare, të dokumentuara në burime papnore dhe veneciane. Priftërinjtë shqiptarë kryenin shërbesa në shqip dhe latinisht, siç dëshmojnë punimet e profesorëve Jahja Drançolli dhe Kristo Frashëri.
Sipas studiuesit Oliver Jens Schmitt, mjeshtrit ndërtues të Manastirit ishin shqiptarë, dalmatë dhe italianë, ndërsa arkitekti kryesor ishte shqiptari Fra Vita Kuçi nga Kotorri.
Arkitektura e manastirit ngjason me kishat e Lezhës, Tivarit dhe Shkodrës, ku vërehet ndikimi i shkollës romaniko-gotike dhe asaj bizantine , kurse mbishkrimet janë në latinisht dhe greqisht, e jo në serbisht.
Jusuf Buxhovi përmend dokumente raguziane që flasin për furnizime ndërtimore nga qytete shqiptare si Ulqini, Durrësi dhe Lezha.
Një dëshmi e rrallë që lidh Manastirin e Deçanit me trashëgiminë shqiptare është shandani i dhuruar nga Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, i cili ruhet ende në ambientet e manastirit.
Ky objekt liturgjik jo vetëm që dëshmon praninë e shqiptarëve ortodoksë në këtë hapësirë, por edhe vërteton respektin që heroi kombëtar kishte për monumentet fetare të popullit të tij. Prania e këtij artefakti është një fakt i pakundërshtueshëm që sfidon përvetësimin e padrejtë dhe e rikthen Manastirin në kontekstin e tij historik shqiptar.
Pas vitit 1878, Kisha Ortodokse Serbe filloi përvetësimin e monumenteve ortodokse shqiptare dhe jo vetëm. Sipas profesorit Pëllumb Xhufi, ky proces përfshiu zëvendësimin e klerit vendas, ndalimin e gjuhës shqipe gjatë liturgjive dhe ndërtimin e një qasjeje të re etnike. Schmitt e cilëson këtë si zhvendosje të kujtesës historike, një formë e institucionalizuar të përjashtimit kulturor. Studiues të tjerë përmendin serbizimin e institucioneve fetare pas vitit 1912, përfshirë emërimin e klerikëve serbë dhe përjashtimin e klerikëve shqiptarë nga strukturat kishtare.
Edhe pse Manastiri i Deçanit është shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO, mënyra e menaxhimit të tij ka qenë e njëanshme.
Dosja e UNESCO-s e përfshin si pjesë të monumenteve mesjetare serbe, pa përfaqësim lokal shqiptar, duke mos zbatuar parimin e përfshirjes së komunitetit që e ka ndërtuar këtë monument për nevojat e veta dhe e ka ruajtur ndër shekuj.
Kjo qasje nuk është neutrale, por diferencuese dhe me pasoja të drejtpërdrejta në kujtesën kulturore dhe të drejtën historike.
Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur qëndrime alternative brenda historiografisë serbe, nuk rezulton të ketë studiues serbë që e kundërshtojnë hapur qëndrimin zyrtar për Manastirin e Deçanit. Kjo mungesë e diversitetit akademik tregon për një qasje të centralizuar dhe të politizuar ndaj trashëgimisë kulturore.
Nga ana tjetër, studiues si Valter Shtylla e lidhin arkitekturën e Manastirit me shkollën dalmato-arbërore dhe mjeshtërinë shqiptare, duke e pozicionuar si pjesë të traditës kulturore shqiptare të bregut lindor të Adriatikut.
Manastiri i Deçanit, padyshim, ishte dhe mbetet manastir i shqiptarëve ortodoksë të zonës.
Çdo përpjekje për ta shkëputur nga ky kontekst përbën deformim historik dhe mohim të kujtesës së një komuniteti që ka qenë pjesë aktive e kësaj trashëgimie.
Rikthimi i përfaqësimit shqiptar nuk është thjesht çështje politike, por domosdoshmëri për të rivendosur të vërtetën historike dhe për të respektuar identitetin e atyre që e ndërtuan dhe e ruajtën këtë monument.
Gafat politike të bëra nga vendorët dhe të huajt kanë kontribuar në falsifikimin e historisë. A duhet të mbajë dikush përgjegjësi për këtë naivitet të klasës intelektuale, politike dhe akademike, të cilët gjatë negociatave ia falën gjithçka Serbisë?
A iu është bërë ndonjëherë veting këtyre politikanëve që ishin pjesë e negociatave për trashëgiminë kulturore, të cilët kryen transaksione kaq të dëmshme në kurriz të shqiptarëve?
A jemi ne shqiptarët e Kosovës aliene të ardhur nga kozmosi, pa trashëgimi në hapësirat ilire, siç pretendon historiografia shoviniste serbe, apo autoktonë dhe pasardhës të ilirëve?!
Bëj thirrje për të gjithë intelektualët, historianët,njerëzit e shkencës , artit e kulturës, që të ndërgjegjësohen e të ngrehin zërin për t’i rishikuar ato procese që kanë bërë që objekte të trashëgimisë sonë kulturore të emërtohen si trashëgimi serbe. Jemi persëri në një udhëkryq historik, ku duhet të jemi syhapur e të mendojmë për të ardhmen e vendit dhe brezave që do të vijnë.