Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Shqiptarët në Kampet Naziste të Përqëndrimit; a do të përsëritet historia?!



Në vitin 1994, pasi unë dhe familja ime u vendosëm në Gjermani, babai im Misto Marko, si shkrimtar i njohur dhe me emrin Mirosh Markaj, më la si amanet të hulumtoj për fatin e vëllait të një mikut të tij. Emri i tij ishte Thoma Kolë Kuqali. Thoma Kuqali ishte vëllai i Gjikë Kuqalit.
Gjikë Kuqali ishte shumë i njohur në Shqipëri në kohën e komunizmit. Emri dhe fotografia e tij dilte gjithmonë në televizion sidomos në festimin e 5 Majit, ditës të dëshmorëve. Vargjet e letrës që Gjikë Kuqali i kish dërguar të dashurës së tij: ”Unë e dua Partinë time, ty të dua po ta duash Partinë”! citoheshin vazhdimisht nga televizioni, ishin pjesë e programeve mësimore në shkolla e kudo; në gjithë jetën propagandistike të komunizmit. Vëllain e Gjikës, Andon Kuqalin, petagog në universitetin e Tiranës, mikun e babait tim edhe unë e njihnja personalisht. Gjatë kohës që isha student të Tiranë e kam takuar shpesh, madje e kam vizituar edhe në shtëpinë e tij që ish pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, atje ku studioja në atë kohë. Por vetëm në vitin 1994 mësova një anë të fshehtë të historisë së familjes Kuqali:
Babai i Gjikë Kuqalit ish i pasur, pronar i minierës së Krrabës, megjithatë, të gjithë fëmijët e tij ishin aktivistë të lëvizjes komuniste. Thomai, vëllai i Gjikës ish po aq aktiv, po aq i vendosur sa edhe Gjikë Kuqali. Për këtë arsye edhe u arrestua dhe dërgua në Kampet Naziste të shfarrosjes. Gjikë Kuqali u pushkatua në Kampet e Përqëndrimit. Për kontributin e tij u quajt hero. Për vëllain e tij Thomain unë nuk dija asgjë. Për atë nuk thuhej asnjë fjalë jo vetëm në propagandën komuniste, por as babai im dhe as Andon Kuqali nuk i kisha dëgjuar ta përmendin Thomain, qoftë edhe rastësisht. Emrin e tij unë e dëgjova për herë të parë në vitin 1994 kur babai më tregoi historinë e mëposhtme:
Në vitin 1946 isha në Tiranë në shtëpinë e Kol Kuqalit, babait të Gjikës. Isha aty kur familja morri një lajm shumë të gëzuar. Një i njohuri i tyre i njoftonte nga Beogradi: “Thomai u kish mbijetuar Kampeve Naziste. Bashkë me shqiptarë të tjerë që kishin mbijetuar, me tren kish arritur në Beograd. Ishte shumë mirë me shëndet”.
Disa ditë më vonë babai i Gjikë Kuqalit arestohet dhe vdes në burg si pasojë e torturave. Thomai nuk u kthye më kurrë nga Beogradi. Aktiviteti i tij në lëvizjen komuniste, aktivitet që shkaktoi arrestimin dhe dërgimin e tij në Kampet e Përqëndrimit Naziste u harrua…
Menjëherë shkova në arkivat qëndrore në Germani, por nuk munda të gjej asnjë të dhënë. Për më tepër ligjet gjermane janë të tilla që nuk lejojnë personat privatë të kenë mundësinë e hulumtimit në arkiva. Megjithë përpjekjet tona asnjë institucion nuk na ndihmoi.
Disa vite më vonë gjatë një vizite në Kampin e Përqëndrimit të Dachaut rastësisht gjeta të dhënat për Ali Kuçin. Një personalitet me përmasa të jashtëzakonshme. Marcus J. Smith, mjeku që u caktua nga ushtria amerikane për tu kujdesur për shëndetin e më tepër se 32 mijë personave që kishin mbijetuar në Kampn e Dachaut, në librin e tij “The Harrowing of Hell: Dachau” më tepër se dy kapituj ia përkushton figurës dhe veprës së Dr. Ali Kuçit. Pikërisht ky dëshmitar i besuesueshëm shprehet me fjalët: Dr Ali Kuçi është një fenomen gjenial i rezistencës antinaziste. Këto fakte të pakundërshtueshme i solla menjëherë në Shqipëri. Kisha bindjen se të gjitha institucionet kombëtare do t’i merrnin këto të dhëna dhe do të rifitohej koha e humbur. Kujtoja se do të fillonte një kërkim themelor institucional për këtë temë dhe do të dilnin në dritë shumë të vërteta, edhe e vërteta për Thoma Kolë Kuqalin.
Ndodhi e kundërta. Vetëm pak vetë ishin të interesuar për të nxjerrë të vërtetën. Madje dhe ndihma e sinqertë e Xhafer Peçit nuk mundi ta thyejë murin armiqësor të heshtjes së mohimit:
Disa, që thoshin se ishin komunistë, na kundërviheshin sepse Ali Kuçi na paskesh qënë ballist. Nga ballistët, nuk doli askush të ndihmonte e të vlerësonte një person i cili vlerësohej lart kudo që shkonte. Me të shkuar në SHBA, madje dhe kur ish sëmurë rëndë, me sëmundjen ngjitëse të tuberkulozit, në senatoriumin në Denver të Kolorados, gazetarët shkonin dhe e intervistonin dhe i jepnin artikujve të intervistave me Ali Kuçin një vend qëndror në gazetat e tyre. Kurse në Shqipëri, heshtje dhe harresë, madje dhe më keq:
Së fundi dëgjova se disa e akuzoni Ali Kuçin se na kish qënë bashkëpuntor i nazistëve, madje agjent i Nazizmit!
Pra, Nazistët i dërgonin në Kampet e Përqëndrimit, në Kampet e Shfarrosjes agjentët, dhe pikërisht këta agjentë organizonin rezistencën në Kampet e Përqëndrimit dhe mblidhnin dokumentat që provonin krimet e vetë nazistëve. Në librin për Ali Kuçin kam nxjerrë dokumenta që vërtetojnë se Ali Kuçi ka qënë një nga personat që ka mbledhur dokumenta e fakte të cilat u përdorën për vërtetimin e krimeve të Nazistëve. Këto dokumenta u përdorën ne gjyqet kundër tyre. E megjithatë ka edhe sot persona që përsëritin refrenin e vjetër propagandistik: Ali Kuçi na paska qënë agjent i Nazizmit!
Kam pothuaj 30 vite që bëj hulumtime në këtë drejtim. Kam patur mundësinë të mësoj fakte edhe për shumë persona të tjerë, nga familjarët e personave që kanë qënë të burgosur në Kampet e Naziste të shfarosjes, nga familjarët e personave që kanë mbijetuar. Nga familjet e personave që janë liruar nga këto kampe nga ushtria Amerikane ose nga Ushtria Sovjetike. Kur janë kthyer në Shqipëri shumica e tyre, praktikisht të gjithë ata që unë kam takuar, ose që kam marrë informacion në mënyrë indirekte, janë cilësuar nga regjimi komunist si armiq e agjentë të okupatorit nazist. Familjet e tyre janë persekutuar gjatë gjithë kohës. Ajo që të zhgënjen më tepër se gjithçka është reagimi i institucioneve kombëtare. Ato nuk reaguan as pas dëshmive dhe përpjekjeve të sinqerta të Xhafer Peçit, as pas dokumentacioneve të pakundërshtueshme të publikuara nga Eljan Tanini, Ledjan Zeqollari, Artin Halili etj.
Gjatë gjithë kohës, që nga viti 1994 kam hulumtuar rreth të vërtetës: kur ish gjallë babai im kam biseduar me të e me persona të tjerë. E vërteta në fakt është e qartë, shumë vetë e dinë, por problemi qëndron në faktin se nuk guxojnë të thonë publikisht. Unë po e them:
Kur ardhi pushtimi fashist doli thirrja që populli të ngrihet në luftë pa dallim feje krahine e ideje në luftë kundër okupatorit; dhe populli u ngrit. Por Partia Komuniste Jugosllave dërgoi Dushan Mogushën e të tjerë të cilët nxitën vëllavrasjen midis shqiptarëve. Detyra e tyre ish që të zhduknin të gjithë ata komunistë që kishin ide kombëtare. Përveç vrasjeve prapa shpine, organizimit të pritave ku vendoseshin në vende të rrezikshme e pa rrugëdalje personat që duheshin zhdukur, etj, një nga metodat që u përdor ish denoncimi tek nazistët i atyre personave që konsideroheshin si të rrezikshëm për Jugosllavinë e synimet e tyre aneksioniste. Duke njohur mizorinë e Nazistëve besonin se këta persona nuk do të mund të ktheheshin gjallë. Dhe për shumë kështu ndodhi, por disa mbijetuan. Pasi u çliruan kampet naziste kthimi i ish të burgosurve organizohej në shumicën e rasteve me trena. Rruga e kthimit për shqiptarët kalonte nga Beogradi. Për Thoma Kol Kuqalin kemi dëshminë e familjes së tij si dhe të babait tim se ata morën lajm për mbërritjen e tij në Beograd, por që aty ai u zhduk pa asnjë gjurmë. Pastaj filloi propaganda institucionale e drejtuar nga shteti komunist që viktimat i quante kriminelë dhe kriminelët heronj e viktima. Sot nga familja e Kol Kuqalit, i cili kishte 5 fëmijë, nuk ka mbijetuar asnjë pasardhës. Për këtë çështje kam pyetur Xhafer Peçin, madje para kameras, filmonte nipi i tij Maksut Çallo. I kam thënë tekstualisht: Komandant, kam të dhëna, të cilat nuk mund t’i verifikoj deri në fund, se shumë shqiptarë antinazistë që janë çliruar nga Kampet e Përqëndrimit, kanë arritur shëndoshë e mirë deri në Beograd, pastaj që aty për ata nuk ka asnjë gjurmë. Numuri i tyre sipas llogarive të mia duhet të jetë rreth 150 vetë. Përgjigjja e tij ishte: Janë më tepër se 150. A ka mundësi të verifikohen këto fakte, a ka mundësi që të gjenden provat e pakundërshtueshme për këto krime makabre? Sigurisht që po! A e kanë për detyrë institucionet kombëtare të kohës së demokracisë të rishikojnë faktet, të nxjerrin në dritë të vërtetën? Sigurisht që po! Megjithatë ne mund të dëshmojmë se për çështjen e të vërtetës rreth shqiptarëve që kanë qënë të burgosur në Kampet e Përqëndrimit Naziste institucionet kombëtare nuk kanë vepruar. Ky është një fakt që nuk mund të mohohet. Madje ka edhe zëra që thonë se persona të caktuara brenda tyre punojnë në drejtim të kundërt dhe madje zhdukin provat. Nuk janë të paktë ata që janë të bindur se kjo vjen nga persona të cilët drejtohen dhe urdhërat e tyre vazhdojnë t’i marrin drejtpërdrejt nga Beogradi. A është kjo e vërtetë? Nuk mund të nxjerrim fakte as ta vërtetojmë e as ta mohojmë. Por kjo heshtje kaq e gjatë, ky pasivitet për gjithë këto vite përballë gjithë këtyre fakteve si mund të shpjegohet?
Ky pasivitet, kjo mospërfillje, nuk është vetëm një krim kundër viktimave dhe familjeve të tyre. Ky është një krim kundër kombit dhe shkon deri në përmasat e një krimi kundër njerëzimit. Për më tepër tragjedia është se kjo heshtje insticionale ndaj këtyre fakteve të historisë u hap rrugën përgatitjes të krimeve të ngjashme në të sotmen dhe në realizimin e planeve gjenocidale kundër popullit shqiptar në të ardhmen. Për t’u bindur për këtë fakt mjafton t’i drejtojmë sytë nga Kosova, t’i drejtojmë sytë nga ajo që po ndodh sot në gjykatën e Hagës.
A do ta harrojë populli shqiptar Hashim Thaçin dhe heronjtë e Luftës Çlirimtare të Kosovës, ashtu si u harruan Ali Kuçin e shumë të tjerë? A do të pranojmë ne që këta heronj të damkosen me akuza të padrejta?
A do të lejojmë ne që Hashim Thaçi e udhëheqësit e tjerë që sot gjenden në bangën e të akuzuarve, vendosen në të njëjtin rang si Millosheviçi e Karaxhiçi?
Për të penguar këtë fakt duhet të veprojnë institucionet, mekanizmat qeveritare.
Një gjë duhet ta kemi të gjithë parasysh: Në qoftë se Serbia arrin qëllimin e saj dhe bën të mundur që Gykata e Hagës të cilësojë dhe të dënojë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e drejtuesit e tjerë të UÇK njësoj si Millosheviçin e Karaxhiçin kjo bëhet jo thjesht për të dënuar këta persona. Në radhë të parë kjo bëhet për të hapur rrugën e për të justifikuar moralisht gjenocidin kundër shqiptarëve që Vuçiçi e klika e tij planifikon për të ardhmen.
Dikush mund të thotë: Le të kemi kujdes, le të jemi të mënçur, të mos ta zemërojmë Komunitetin Evropian. Nuk duam konfrontime.
Kjo lloj mençurie është mençuria e skllavërisë.
Historia tregon se ata që nuk guxojnë të kërkojnë e të luftojnë për të drejtat e tyre mbeten gjithmonë skllevër e persona të gradës së dytë. Po të kish ecur sipas kësaj logjike Kosova kurrë nuk do ta kish fituar pavarësinë.
Një komb që injoron e harron heronjtë e tij, një komb që injoron e harron ata që sakrifikuan e vunë në rrezik jetën e tyre për lirinë e kombit, si mundet që ky komb të shpresojë ta jetojë e ta gëzojë lirinë?
Gjergj Kastrioti, Skëndërbeu mbreti i Shqipëtarëve, në fjalimin e tij në ditën e çlirimit tha: “Lirinë nuk ja u solla unë, po e gjeta në mesin tuaj”!
Nuk mund të presim të na nderojnë e respektojnë të tjerët kur ne nuk nderojmë e respektojmë vetveten e njëri-tjetrin, sidomos heronjtë tanë.