Albspirit

Media/News/Publishing

PËLLUMB QAZIMI, GJENERALI DHE DIPLOMATI PËR LUFTËN DHE SHQIPTARËT

(Promovimet e librave janë promovime vlerash, pasi filozofi i madh i botës Sokrati thoshte: “Ka vetëm një të mirë në jetë dhe ajo është “Dituria”. Dituria e një jete njerëzore e depozituar në trurin intelektual, në “arkivin lëvizës”, natyrshëm shkruhet, tregohet e publikohet, për një jetë intensive dhe të dinjitetshme. Ushtaraku madhor, ambasadori, intelektuali Pëllumb Qazimi po jep një shembull të mirë duke e shkruar dy vëllimet e para: “Histori e ushtrisë shqiptare: 1912-1991” dhe libri më të ri “Lufta dhe shqiptarët”. Gjenerallejtënant dhe Ambasador Pëllumb Xhafer Qazimi, është vlerësuar me dhjetra dekorata dhe urdhëra ushtarakë, me titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”, por dhe nga SHBA me Medaljen “Legjioni i Meritës”).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Drejtues Pëllumb MOLLA

Për librat e rinj dhe jo vetëm, latinët kanë lënë një shprehje të pakontestueshme nëpër shekuj se, “Habent sua fata libelli/ Librat kanë fatin e tyre”. Kështu edhe dy librat e gjeneral Pëllumb Qazimin janë një qasje e re dhe një mendim profesionist në tregun e librave të sigurisë dhe mbrojtjes. Pas librit të tij të parë “Histori e ushtrisë shqiptare: 1912-1991”, që realisht ishte një sukses i plotë pasi ka pasur një konsulencë të gjerë shkencore si dhe një “usta” të kalibrit ndërkombëtar, sikurse ishte mentori dhe udhëheqësi shkencor, një kolos i mendimit albanolog Aleksandar Stipčević ilirolog, historian, arkeolog dhe studiues arbëresho-kroat.

Autori i librit i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake në mënyrë të “ngeshme”, me besim dhe vendosmëri. Pëllumb Qazimin nuk e zgjodhën, por e përzgjodhën për të drejtuar nivelet më të larta të lidershipit ushtarak, për aftësi dhe erudicion, intelektual ushtarak profesionit, që u rrit dhe formua me bazë “zbulues” në akademitë më të mira ushtarake të vendit, por edhe në shkollat dhe akademitë e perëndimit si dhe ato diplomatike.

Ky formim dhe vështrim i raliteteve e shtroi dhe e përqasi aty ku e ka vendin në fakt në anën e studjuesve të historisë ushtarake, të doktrinave dhe strategjive, të luftës dhe të vështrimit mbi historinë e shqiptarëve. Ambasador Ditmir Buashti (ish-Ministër i Punëve të Jashtme, 2013-2017 dhe Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, 2017-2019), në parathënien e librit më të fundit të Pëllumb Qazimit, “Lufta dhe Shqiptarët”, e klasifikon si kontribues dhe personalitet më të shquara të fushës së sigurisë dhe diplomacisë, që ka sjellë për lexuesin, “analizë në mënyrë shteruese të raportit të luftës me ne, shqiptarët, duke i qëndruar fort argumentit se kombi shqiptar asnjëherë nuk ka qenë komb agresor, por nga ana tjetër, vendi ynë ka qenë arenë lufte apo fushëbeteje për palë të tjera ndërluftuese”.

“Lufta dhe shqiptarët” jo një libër për stoli bibliotekash

Pak ditë më parë nga shtëpia botuese “M&B” ka publikuar librin më të ri të gjeneral Pëllumb Qazimit, që vjen në këtë libër pas shumë viteve të vrullshme dhe më të pjekura në fushën e mendimit ushtarak, por dhe diplomatik që nuk mund të shikohen të shkëputura nga mendimi dhe shkencat e tjera të studimit.

Fati i këtij libri është i parashkrur sepse aparati konceptual i librit, ka sjellë atë me çfarë janë “ushqyer” shekujve, por jo vetëm shqiptarët por mbarë planeti ynë u ka folur shekujve më shumë për histori luftrash se sa paqe apo për histori ekonomike. Lufta kjo shkencë dhe art i shkatërrimit të njerëzimit ka prekur sipas analistëve e historianëve në rreth 5500 vitet e fundit, vetëm 300 vite kanë qenë paqe. Pjesa tjetër është vetëm Luftë, dhe kjo ka qenë shqetësimi dhe motivi për të shkruar pikërisht këtë libër për luftën, këtë fantazmë shfarrosëse që shqiptarëve u ka mbirë në prag nga lindja dhe nga perëndimi. Autori Qazimi vjen në këtë libër, me një ndjenjë sigurie për të thënë fjalën e vet për të shkuarën shqiptare në dymbëdhjetë krerë. Më konretisht përmes mendimeve të koncetruara flet për: “Lufta”, “Shqipëria në paleoluftën”, “Tre zhvillime  të luftës së ftohtë”, “Arsye të mosdukjes së Shqipërisë”, “Kombi shqiptar, jo komb agresor”, “Paleolufta dhe neolufta, të përbashkëta dhe dallime”, “Domosdoshmëria e Forcave të Armatosura”, “Zhgënjimi ndaj ushtrisë”, “Diplomacia dhe roli i saj”, “Transforimi  ushtarak, proces i vijueshëm”, ku përveç krerëve të plotë në 318 faqe, libri përmban edhe aparat shkencor të pasur 194 libra e litaratyrë ku dominon literatura në gjuhë të huaj. Libri përmban hyrje, parathënie të një diplomati të spikatur shqiptar të shkruara nga këndvështrimi i  një diplomati karriere, një hyrja të sinqertë të kohës që jetoi në kohën e paqes së kërcënuar duke sjellë definicione rreth “paleoluftës, luftës së ftohtë dhe neoluftës”, si dhe mjaft material të pasur që meritojnë vëmendjen e studjuesve dhe sidomos historianëve ushtarakë.

Depërtimi në misteret e historisë së luftave të shqiptarëve

Gjeneral Pëllumb Qazimi si njohës edhe i figurave të albanologjisë dhe gjuhëtarisë dhe ja vlen të sjellim një shprehje të Eqrem Çabej, kur flitet për luftrat / ”grindjet”: “Shqipëria është trualli në të cilin grindja e gjatë ndërmjet botës romane-perëndimore dhe ballkanike-bizantine, është shprehur në mënyrën më të spikatur… ky qëndrim i ndërmjetmë midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë, që nuk mundi ta fshijë as sundimi romak, as bizantin dhe as osman… Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa nga fqinjët e saj”.

Kjo përputhet me konkluzionet e autorit dhe këndshikimin e tij për luftën dhe iliro-arbërorë-shqiptarët. Nga ana tjetër kjo përkon edhe me atë që thotë poeti i madh i rilindjes sonë kombëtare Naim Frashëri se: “Zhvillimi i Shqipërisë i përket modeleve socialkulturore perëndimore”. Objekti i studimit të gjeneral Qazimit lidhet, me mbijetesën shqiptare gjatë shekujve, edhe përballë furive të makinerive luftarake nga më të rëndat e pushtimeve, u kanë mbijetuar planeve djallëzore, platformave Naçertanie dhe Megaliidea, mbijetesën përballë Traktatit të Shën Stefanit, Berlinit, Londrës, Parisit etj. Ndërkohë që për luftrat e shqiptarve vlen të citohen fjalët e arta të Çabej, “si në kohën antike, edhe më vonë, ky popull malësor i fortë jep gjakun e tij për mbrujtjen e kombeve të reja ballkanike, jo vetëm me anë të përzierjes etnike, por edhe në pikëpamje politike, si kasta luftëtare me armë në dorë”, por edhe më tej ka qenë kasta luftëtare e mbarë Evropës me stradiotët e shquar shqiptarë.

Analiza e luftrave për shqiptarët e sjellë nga Pëllumb Qazimi është për miqtë, për “vëllezërit e gjakut”, për kundërshtarët e shekujve, për diplomacinë shqiptare të mbi një shekulli, për sakrificat e panumërta në lufta dhe në paqe, për orekset e shtuara e deri tek “vrasjet e orkestruara të shqiptarëve”, sikurse ishte ekzekutimi i mbi 3500 shqiptarëve në Masakrën e Tivarit që meriton rishqyrtim dhe analizë serioze bazuar në dokumente.

Në këtë drejtim vëmendje merr veprimtaria antiandarte më 1913-194, por dhe viti 1940, edhe lufta e parë dhe e dytë botërore, viti i sulmeve monarko fashistëve fqinjë jugorë më 1949, ligji i luftës, lufta 9 vjeçare e dibranëve, lufta e Koplikut, por dhe mjaft incidente mbi trupin e Shqipërisë në periudha komplekse historike.

Gjeneral Qazimi përmes studimit ka njohur miqtë dhe armiqtë në Ballkan dhe jo vetëm, në pikëpamje të kapaciteteve të makinerive të tyre luftarake, por dhe nga aspekti i formatit politik, ekonomik, social, diplomatik, gjeopolitik etj. Autori na jep një panoramë të gjerë e të larmishme mbi momentet kyç ku e kaluara, rrugëtimi historik i ngritjes së shtetit, por dhe për periudhat epokale të shkatërrimit, kur kombi shqiptar nuk ka qenë kurrë një komb agresor, ndërkohë që lidhshmëria me traditën, të drejtën zakonore, kodifikimet dhe përmbajtja e tyre, kur flitet për “rregullat e jëtës dhe të vdekjes”, për të dhënë konsideracione të shumta mbi të djeshmen shqiptare. Ai ka sjellë të skalitur në muret e kujtesës sonë historike një prurje të re me vlerë që i shërben jo vetëm frymës patriotike, intelektualizmit por mbarë shqiptarizmës .

Shifra dhe fakte nga historia shqiptare. “Pa të shkuar nuk ka të ardhme”

Të flasësh për shifra e fakte duhet të depërtosh thellë në arkiva, të njohësh të djeshmen e kombit dhe të hedhësh vështrimin edhe në të ardhmen e tij. Në libër gjenden me shumicë “shifra e fakte”, që meritojnë edhe studjues të tjerë që të pasurojnë historinë tonë edhe me të dhëna të tjera më të bollshme arkivore, ndërkohë që tashmë rrugët e arkivistikës brenda dhe jashtë janë bërë edhe më të lira. Ato janë në fakt edhe më të hapura. Më vështirë në këtë fushë është të punosh me arkivat e fqinjëve veriorë dhe jugorë ndërkohë që për arkivat e tjera në botë flitet gjerësisht dhe rrugët në fakt janë “autostratë”. Prandaj edhe maksima proverbiale spanjolle thotë se “..rrugët janë bërë duke ecur”.

Autori Qazimi ndalet në librin e tij edhe tek aleancat, dje dhe sot, tek luftrat hibride, tek armiq të njohur dhe të panjohur, tek teknologjia e re e luftës, tek aktorët e faktorët, tek kompleksiteti, sjell raste nga përtej rajonit, nga konflikte dhe ligji i konfliktit të armatosur, nga Bosnja dhe Kosova, nga teatret e luftës, paqeruajtësit e paqebërësit. Gjeneral Qazimi sjell fakte reale por dhe definicione nga kolosë të mendimit sikurse janë Makiaveli, Karl Fon Klauzeviçi, Kolin Pauell, Samuel Hantingtonit, Ajzehauer, të rajonit, të Evropës dhe të mbarë planetit, veçanërisht të SHA-së. Një ndër vitetet më të vështira shqiptare ishte 1997-a vit i mbrapshtë që e sollën vetë shqiptarët dhe e çuan shtetin në buzë të greminës. Koshient për këtë gjëmë shqiptare vijnë edhe mendimet e gjeneral Qazimit por pasiguria politike e shoqëruar me shkatërrimin e ushtrisë, 600 mijë armë të lehta dhe automatike, 200 mijë pushkë, një milionë mina, 38 mijë pistoleta…, 770 gryka zjarri, 560 milionë fishekë, 3 miljonë granata… një arsenal që lidhet me 1300 depo ushtarake. Shifrat nuk kanë të sosur dhe mbi të gjitha ishte një pasuri e çmuar e shqiptarëve. Kjo jo vetëm kërkon analizë të thellë dhe përgjegjshmëri. Politika duhet të japë llogari në radhë të parë para popullit. Dje, sot dhe nesër vetëm interesat tona kombëtare janë të trashëgueshme historikisht. Ndjenja e devocionit daton thellë në histori dhe i ka rrënjët tek frymëzimi dhe pasioni atdhetar me rrënjë iliro-arbërore, që ka në thelb shqiptarizmën.

Shpresat e fikura të shqiptarëve i ndezi që në shekullin e XV Gjergj Kastrioti në motin e madh të Arbërit dhe më tej Rilindasit e mëdhenj, idealistët e Kombit për të mbritur në shekullin e XX ku pavarësia shqiptare ishte fryt i vet shqiptarëve dhe i miqve ndërkombëtare, edhe pse të paktë ishin për tu nderuar e respektuar, duke shprehur mirënjohje. E megjithatë kombi shqiptar do të eci dhe përparojë me dituri dhe vetëm me dituri.

Nuk është e rastit që gjeneral Qazimi i mëshon intelektualizmit dhe progresit pasi edhe fatet e këtij libri i ka projektuar në cilësinë e mendimit dhe produktivitetin që e bën lexuesin të vëmendshëm ndaj ngjarjeve më madhore të kombit. Gjeneral Qazimi i apasionuar që në rini pas leximit, kishte përvetësuar ndër të tjera edhe artin e lënë nga filozofët e mëdhenj sikurse ishte Sokrati, që thoshte në mënyrë kaq të spikatur: “Ka vetëm një të mirë: “Dituria” dhe ka vetëm një te keqe “Padituria”. Prandaj si erudit i ndriçuar me dituri dhe i apasionuar për të qenë në avangardë të grupit shoqëror që i përkiste u bë udhërrëfyes dhe këto i ka dokumentur me vepra. I tillë është edhe libri që sapo ka parë dritën e botimit, si një libër me vlerë.

Autori ndjek edhe zhvillimet aktuale të politikanëve botërorë që po e çojnë njerëzimin në një rrugë pa krye, ndërkohë që vetë dobësimi i marrëdhënieve euro-atlantike nuk është një ogur i mirë për Ballkanin Perëndimor, ku SHBA-të shihen si garant të perimetrit të sigurisë. Përdorimi i forces demonstrohet pa kriter në botën e sotme dhe zjarrvënësit kanë qenë gjithmonë “hazër-xhevap” duke qenë larg paqebërjes dhe paqeruajtësve, duke injoruar parimet e pallatit të qelqtë njujorkez. Çdo ditë kur lexojmë vepra me vlerë që të ngelen në mendje, një maksimë e përbotshme na kujton Johann Ëolfgang von Gëte, kolosin e mëndjes, shpirtit, penës, sintezë e veprës, dritës që bekon deri në frymën e fundit: “Dritë, më shumë dritë”. Kjo dritë është një llambë e ndezur për dritë për gjithë studiuesit. Për paralele historike e tillë është vepra plot dritë nga historia jonë, që shkruan gjeneral Qazimi, një vepër që ndriçon epokat luftarake të shqiptarëve. Autori ka synuar dhe ja ka arritur, që në librin e tij të bëjë përpjekje madhore për ta ndriçuar jetën dhe dimensionet luftarake të shqiptarëve. Librat për gjeneral Qazimin nuk shërbejnë si një stoli intelektuale dhe as për të zbukuruar bibliotekat. Ato janë pasuri që duhen lexuar për të zbukuruar mendjen njerëzore.

Libri ka qenë dhe ka mbetur bashkëudhëtar i Gjeneral Pëllumb Qazimit, në një udhëtim të gjatë ushtarak, në një botë me shumë të panjohura, por ai diti të eci në imagjinatën e tij, me këmbëngulje e dashuri për profesionin duke i dhënë shpresë e dritë ditëve të vështira të shërbimit nën armë, duke përzënë monotoninë dhe mërzinë dhe duke e mbushur jetën me pasuri e trashëgimi intelektuale dhe për më tepër në vitetet e fundit i dha edhe dimension nga fusha e diplomacisë.

Maksima proverbiale popullore shqiptare që thotë “pa të shkuar nuk ka të ardhme”, është tashmë e vërtetuar, edhe pse historiani dhe analisti ushtarak dhe diplomatik nuk mund të jetë as shenjt dhe as hyjnor, por trashëgues i mençurisë të kultivuar në dekada, fryt i një të shkuare plot djersë e pasion për librat, që e shikon librin si thesar të çmuar duke pasuruar botën e brendshme të njeriut, veçanërisht për të kultivuar edhe më tej vlerat e dijes, kulturës dhe qytetarisë, edhe si kontribut i fuqishëm në kulturën kombëtare ushtarake shqiptare. Autori Qazimi ka një të shkuar të sukseshme dhe ka shumë për të treguar nga shkolla Skënderbej dhe më tej Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerave dhe më vonë edhe Akademia e Shtabit të Përghjithshëm. Autori është produkt i shkollës, trupës pedagogjike dhe komanduese, vetdisiplinimit. Rreshti, kapanoni, “çohu”, “shpejt”, “tranazh”, “rekrut”, “gati-tu” kanë qenë për ushtarakët sinonim i jetës, si dhe formimi i gjithanshëm lidhej me “Shkollën e burrërimit” të parakohshëm.

Pëllumb Qazimi ka qenë student i Shkollës së Bashkuar por që arriti shpejt të bëhej elitarë në studime dhe më tej një oficer i talentuar dhe oficer i përkushtuar të ushtrisë popullore. Në atë periudhë kur në bankat e shkollës ishte Pëllumb Qazimi, meritokracia nuk kishte nevojë as për miq dhe as për shokë e mbi të gjitha nuk pranonte “furka”, për t’u mbajtur në këmbë. Ose do të ecje me këmbët e tua ose do rrëzoheshe dhe do të “thyeje kokën”. Me tempin e një studiuesi të apasionuar gjeneral Qazimi vijoi gjithë trajnimet dhe kualifikimet, për t’ja mbritur në publikimin e librave-vlerë sikurse është edhe libri i tij më i ri “Lufta dhe shqiptarët”. Autori Qazimi pulson me jetën qytetare shqiptare, shqetësohet për instrumentet e sigurisë sot, për çështjet e sigurisë që nuk mund të nënkontraktohen, për mbrojtjen e sovranitetit që kërkon jo vetëm ushtarë dhe buxhet mbrojtjeje që “kafshon” rëndë buxhetin e shtetit, si dhe diplomaci si faktor shumëfishues i sigurisë kombëtare.

Pëllumb Qazimi për 34 vite (1972-2006) ka qenë nën uniformë dhe me karrierë të gjatë drejtimi ushtarak, por dhe për 16 vjet si Ambasador i Shqipërisë në Kroaci e Slloveni, me fuqinë e intelektit dhe analizuesit historik ka sjellë një udhërrëfyes mbi pikëpajet ushtarake, diplomatike, të ekspertizës në çështjet e sigurisë, vështrime përreth rajonit e më gjerë në historinë dhe politikbërjen, mbi diplomacinë e kulisave dhe mbi të gjitha mbi “lesson learned”, mbi ndryshimet e tashme dhe të pritshme në ambjentin gjeopolitik, mbi vizionin e së ardhmes shqiptare, mbi sjelljet e qëndrimet politike e diplomatike, përballimin e sfidave dhe përmbushjes së pritshmërisë së publikut. Fakt është që vizionarët kanë qenë dhe kanë mbetur të rrallë, politikbërësit janë të shumtë, por ne kemi vetëm një Atdhe, në këtë botë globale kaq të paqëndrueshme. “Lufta dhe shqiptarët” i autorit Pëllumb Qazimi me recezentë të Ditmir Bushatit dhe Marenglen Kasmit vjen për lexuesin nën redaktimin plot elegancë të botuesit të shtëpisë botuese “Naimi” të redaktorit Naim Zoto, ashtu si dhe publikimet e njohura të kësaj shtëpie botuese.

Rrënjët stërgjyshërore dhe një karrierë sinjifikative e Gjeneral Pëllumb Qazimi

Pëllumb Qazimi është lindur më 21.10.1957 në fshatin Çepan të Skraparit. Ai erdhi në jetë në një familje të Skraparit, një trevë e njohur me ngjarje e kontribute në historinë tonë kombëtare. Pëllumbi lindi “rastësisht“ në Çepan, pasi babai i tij, Xhaferi, ishte me shërbim si oficer kufiri në Sarandë dhe së bashku me nënën e Pëllumbit, Florien dhe djalin e madh, ndodheshin me disa ditë pushime në Çepan. Kështu, Pëllumbi, fëmijë i vogël, qëndroi rreth tre muaj në Çepan dhe mandej së bashku me prindërit dhe vëllain e madh shkuan në Zminec të Sarandës, ku babai i tij shërbente si oficer kufiri.

Bazuar në të dhënat dokumentare, por dhe burimet gojore, të parët e fisit Qazimi të sotshëm, flitet se janë vendosur në Çepan të Skraparit rreth viteve 1820-1825. Gjyshërit Sali dhe Karafile kanë qenë njerëz fjalëpak, por punëtorë të ndershëm dhe të sakrificës. Familja e madhe është marrë me bujqësi, blegtori, si edhe me ndërtimtari. Gjyshi, ashtu si bashkëfshatarë të tij, gjatë viteve 1943-1944, ka ndihmuar partizanët përmes transportit të ushqimeve e municioneve. Të njëjtën gjë, pavarësisht se ishte vetëm 13-14 vjeç, ka bërë edhe babai i Pëllumbit, Xhaferi. Familja e madhe e gjyshit, Saliut, krahas punës për të mbajtur familjen dhe pavarësisht pamundësive është shquar edhe për dëshirën që fëmijët të arsimohen sa më shumë. Pëllumb Qazimi është pjesë e një familje ushtarakësh. Babai, vëllai i madh dhe motra e madhe kanë shërbyer në radhët e ushtrisë. Po ashtu edhe një nga xhaxhallarët dhe të afërm të tjerë. Edhe pse u lind në Çepan, Pëllumb Qazimi në fshatin e origjinës së prindërve shkonte vetëm gjatë pushimeve të verës. Pesë vitet e para Pëllumbi i kaloi në fshatin Zminec të Sarandës dhe mandej deri në moshën 15 vjeç në Llongo të Dropullit të Sipërm, Gjirokastër dhe mandej në qytetin e Gjirokastrës.

Lëvizja lidhej me detyrat që kryente babai si ushtarak kane ndikuar edhe në arsimin e Pëllumbit. Kështu arsimimin fillor e kreu në vitet 1964 – 1968 në gjuhën greke në shkollën fillore të Llovinës, Dropulli i Sipërm, ndërsa shkollën 8-vjeçare e kreu po në gjuhën greke në shkollën tetëvjeçare në Llongo të Dropullit të Sipërm, Gjirokastër. Më tej vijoi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë (1.9.1972-30.7.1976), shkollë që e përfundoi me rrezultate të shkëlqyera. Të sillet në vëmendje se Pëllumbi në Shkollën “Skënderbej“ njihej si skënderbegas Pëllumb Fodulli, pasi “Fodulli“ ishte mbiemri i familjes së madhe deri atëherë dhe në ato vite mbiemri ishte ndryshuar në “Qazimi“. Në moshën 20 vjeçare, më 1.1.1977 deri më 30.7.1980 vijoi studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në specialitetin “Zbulim”. Në vitin 1981 titullohet oficer dhe shërbeu në ish shkollën e zbulimit të ushtrisë si komandant toge dhe instruktor stërvitje. Pas përfundimit të Akademisë së Mbrojtjes në vitin 1991 u emërua instruktor i zbulimit me trupa në Drejtorinë e Zbulimit në Shtabin e Përgjithshëm. Në vitet në vijim ai është emëruar shef i degës së zbulimit me trupa në Drejtorinë e Zbulimit, zëvendës drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Informativ Ushtarak dhe shef i Zbulimit Ushtarak për të mbërritur deri në detyrën madhore dhe shumë të përgjegjshme të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, në dy mandate, në periudhën shtator 2000 – tetor 2006.

Në vitin1992 kapiteni I-rë Pëllumb Qazimi me urdhër të kryeministrit u ngarkua me detyrën e kryetarit të komisionit ndërministror për refugjatët, detyrë që e ushtroi për 6 vite rresht dhe që lidhej me përgatitjen e vendit për pritjen e refugjatëve në rast të një konflikti të mundshëm në Kosovë. Gjatë krizës së vitit 1997, me ardhjen e trupave ndërkombëtare për vendosjen e qetësisë në vend, pala shqiptare organizoi një strukturë të veçantë, e cila koordinonte e bashkëpunonte me shtabin drejtues të operacionit “Alba“ dhe kolonel Pëllumb Qazimi u emërua zëvendës komandant për palën shqiptare. Pëllumb Qazimi nuk është vetëm një ushtarak i spikatur dhe një profesionist i diplomacisë por edhe një studiues serioz i letrave veçanërisht i fushës së mendimit ushtarak e diplomatik. Ai është autor i një varg studimesh dhe artikujsh në shtypin ushtarak shqiptar e të NATO-s dhe i kumtesave të mbajtura në veprimtari shkencore brenda e jashtë Shqipërisë. Ai ka qenë anëtar i Redaksisë së Fushës së Zbulimit dhe të Ushtrive të Huaja të FEUSH-it. Me vullnet dhe këmbëngulje arriti që të mbrojë doktoraturën në përiudhën kur ka qenë ambasador në Kroaci dhe që është inkurajuar e këshilluar nga një kolos i mendimit, ilirologu dhe albanologu Aleksandar Stipčević (ilirolog, historian, arkeolog dhe studiues arbëresho-kroat), si edhe nga albanologu i njohur Zef Mirdita. Pëllumb Qazimi ka publikuar: “Histori e ushtrisë shqiptare: 1912-1991”, që është një vepër tërësore, ku autori Qazimi i ka bërë një paraqitje të gjallë të historisë së ushtrisë sonë.

Së fundi gjeneral Pëllumb Qazimi ka sjellë librin e tij më të ri “Lufta dhe shqiptarët”. Natyrshëm planet publikuese do të vijojnë, pasi lexuesi ushtarak dhe diplomat do të donin edhe më shumë për përvojën, si dhe mendimin ushtarak dhe diplomatik të Pëllumb Qazimit. Është fakt se ushtaraku madhor Gjenerallejtnant Pëllumb Qazimi është një figurë e dashur ushtarake dhe diplomatike e jo vetëm nga strukturat e mbrojtjes dhe diplomacisë por edhe më gjerë. Gjatë karrierës së gjatë ushtarake nuk punoi kurrë për dekorata dhe vlerësime, por ato janë të natyrshme dhe të domosdoshme për një forcë ushtarake serioze dhe për më tepër anëtare e organizatës më të madhe të sigurisë në botë, NATO-s. Mban dekorata të larta të shërbimit ushtarak dhe më gjerë. Në nëntor 2024, Gjenerallejtnant dhe Ambasador Pëllumb Qazimi, është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”, nga Këshilli Bashkiak i Skraparit.

Nga skeda e dosjes gradimet e gjeneral Qazimit e kanë fillesën me gradën Kapiten i I-rë (urdh.nr.110 dt.27.11.1991), mandej major (8.12.1992), nënkolonel (7.7.1993) dhe kolonel (17.1.1995). Me marrjen e gradës gjeneral brigade në 14 shtator 2000, disa ditë më pas ai, me dekret të Presidentit të Republikës u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, duke marrë gjatë asaj periudhe trevjeçare edhe gradën gjeneral major (14.11.2001). Në shtator të vitit 2003 Pëllumb Qazimit me dekret të Presidentit të Republikës iu dha mandati i dytë si shef i Shtabit të Përgjitshëm, përfshi edhe gradën gjeneral lejtnant (me dekret nr.3952 dt.30.9.2003). Gjeneral Pëllumb Qazim është i martuar me Fatbardha Qazimi dhe kanë tre fëmijë, dy djem Irisi dhe Albi si dhe një vajzë Alisia.

Arsimimi i gjeneral Qazimit: 1964-1968, përfunduar shkollën fillore në gjuhën greke në Llovinë, Dropulli i Sipërm, Gjirokastër; 1968-1972, përfunduar shkollën tetë vjeçare në Llongo, Dropulli i Sipërm, Gjirokastër; 1972-1996 përfunduar shkollat ushtarake në Tiranë: Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej“ në vitin 1976; Shkolla e Bashkuar e Oficerëve-Akademia Ushtarake në vitin 1980, diplomuar në vitin 1981; Akademia e Mbrojtjes në vitin 1991; Kolegji i Mbrojtjes në vitin 1996; 1999-2000 përfunduar studimet pasuniversitare për siguri globale-diplomaci e mbrojtjes në Kolegjin Ushtarak Mbretëror, Universiteti Cranfield, Mbretëri e Bashkuar; 2001 fituar nivelin master “Msc”, në gjuhën angleze, për temën “Studim për bashkëekzistencën në Kosovë në krahasim me raste të tjerë”, Kolegji Ushtarak Mbretëror, Universiteti Cranfield, Mbretëri e Bashkuar; 2012 Doktor i Shkencave, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Zagrebit, mbrojtur në gjuhën angleze për tezën “Historia ushtarake shqiptare dhe influencat e huaja, 1912-1991”. Trajnime dhe kualifikime: 1992 ndjekur kursin ndërkombëtar për “Refugjatët”, Hungari; 1993 ndjekur kursin për “Ligjshmërinë Ndërkombëtare për   Refugjatët”, Itali; 1994 ndjekur kursin për “Orientimin dhe planizimin e operacioneve”, Turqi; 1995 ndjekur kursin tre mujor “Zbulimi Strategjik”, SHBA; 1996 ndjekur kursin e NATO-s “Oficer shtabi për operacionet”, Hollandë: 1998 ndjekur kursin per “Ligjin e Luftës”, Itali; 2018 ndjekur kursin katër  mujor të diplomacisë ekonomike për Shqipërinë, Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar, Universiteti i Harvardit, SHBA. Publikime, etj. 2002-2023 publikime në revista e botime shqiptare dhe të huaja, kontribute në seminare dhe konferenca brenda dhe jashtë vendit; 2007 bashkëautor i studimit: “Këndvështrim nga Shqipëria-Studim për vlerësimin e kërcënimeve të sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”; 2012 autor i librit në gjuhën angleze “Albania, the Military and the Foreign Influence, 1912-1991”, botuar në Zagreb; libri i përkthyer e botuar në gjuhën kroate në Zagreb në vitin 2013 me titull “ALBANIJA – vojska i strani utjecaji 1912. – 1991.“; libri i botuar në gjuhën shqipe në Tiranë në vitin 2013 me titull “Histori e Ushtrisë Shqiptare 1912-1991”, ribotuar me të njëjtin titull në vitin 2024; libri i botuar në gjuhën shqipe në vitin 2025 me titull “Lufta dhe Shqiptarët“; përkthyer nga gjuha angleze në gjuhën shqipe i librit të autorit slloven Peter Štoka, botuar në vitin 2024, me titull “Shqiptarët e Lashtë dhe Krijimi i Istrias”; Ligjërata në konferenca e institucione të ndryshme në Shqipëri, Gjermani, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Slloveni, Kosovë.  

Pëllumb Qazimi ka pasur një karrierë ushtarake mjaft të sukseshme. Kështu në 1980-2000 ka kryer detyra të ndryshme në Ushtrinë shqiptare; 1992 Kryetar i Komisionit Ndërministror per Refugjatët; Shtator 2000 – tetor 2006 (gjeneral brigade, gjeneral major, gjeneral lejtnant) Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë; Dhjetor 2006 konsulent për sigurinë në Institutin për Demokraci e Ndërmjetësim (IDN), Tiranë dhe kryetar i bordit botues të Revistës “Çështje të Sigurisë – Security Issues”, botim i IDN; Gusht 2007-2014 ambasador i Shqipërisë në Kroaci; 2008-2010 ambasador i Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë (jo rezident); 2014-2023 ambasador i Shqipërisë në Slloveni. Gjeneral Qazimi nuk punoi kurrë për dekorta, medalje e urdhëra. Ndërkohë që në këtë periudhë gjeneral Qazimi e vendosi “me kokë lartë” problematikën e vlerësimit me urdhër për dekorimet, ndërkohë që është vlerësuar me këto: Medalje e Punës (urdh.5152 dt,28.2.1974) nga Presidiumii Kuvendit Popullor, dy Medalje te Shërbimit Ushtarak, Medalje e Mirënjohjes, Medalje e Artë e Shqiponjës, Medalje e Karrierës, dy Medalje të Shërbimeve të Shquara, Medalja e Urdhërit të Skënderbeut, Medalja e Legjionit të Meritës (SHBA) si dhe Urdhëri i Dukës Branimir  (Kroaci). Pëllumb Qazimi është një njohës i shkëlqyer i gjuhëve anglisht, dhe  greqisht.

Burimet e studimit: Dosja personale “Gjeneral Lejtnant Pëllumb Qazimi” në QPR, MM, Tiranë; FEUSH, Prishtinë, 2020, faqe 734; Kujtim Halili, Fjalor Biografik Ushtarak, Tiranë, SHb Emal, 2006, faqe 141, Zaho Golemi, Kush e ka drejtuar SHP, Ilmi S. Qazimi, Çepani, Monografi, 2015, periodike të gazetave të përditshme, “Telegraf”, “Panorama”, “Sot”, “Revista “Mbrojtja”, Gazeta “Ushtria”, publikime në dy dekada; Të dhëna arkivore AQFA, Buletini Arkivor Ushtarak, etj.