Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: RREZMË


Cikël poetik

TORBË

Të moshuarat ngjiten
ngadalë në kodër
dalëngadalë

me gjysmë fryme
fryme të cokët
secila hall.

Më pak ato
u besojnë kërcinjve
tremben
mos u rrëshqet
noj popël gjymtyrëve,

shkopit të lutjeve i besojnë
shkopi vet i çalë
herë – herë
atyre
s’u bindet

do t’i lerë mbëdhe, ngjis tutje?

Të moshuarat
pa u ndi
fiken pak nga pak
kodra tëposhtë zbret
gjelbërimin e saj nur,
plot frymë
heshtja mëditëse
afër rrugëmbarë

ajo … korbëzeza
hirtë e hijshme
tani për tani
brum jo guvë…

Të moshuarat ngadalë
dal’ngadalë ngjiten
përpjetë në kodër
me shkopin e lutjes
dhe torbën e hijes
me hijen pupël
popël…

LUHATJE
1.
E qara mbi det… mbi det e qara…
mbi kuvertën e anijes që digjet
digjet nuk shuhet, ani, krejt,
mbi krye i rri e e mbron
një shenjt’ i ri lutur
thirrjeve të para

duke shkundur rrufetë.

E qara mbi tokë, loton mbi bar,
milingona hypin zbresin
nga shpina e trilleve
të hirnosura
qyshkur
mijëra dashurive
dhe atyre që janë duke ardh’.
2.
Gulçet e qara, gulçet ëmbël, s’klith,
e qara përpëlitet, përtërihet
bisk e qara, dhimbja
degë në lis.

Dallga dëshiron t’i afrohet
sa më shpejt gjibregut
bari pupulitës eshtrës
mbin për të mirë
pa të keq,

Njeriu dallgon prehur
me milingonat në shpinë
mijëra dashuri mbirë thellë…

TJETËR DIHATJE

Ç’është ftohja e këmbëve?
…kacavjerrje…
gjarpër me zile,
pulpat squllin
shputat sikur
pijnë baltë
gjymtyrët
treten

të gjitha, dikur, frut i bimëve.

Krisja e gishtave ç’është
gishtat si me gunga arre?

Rrëmbehet koka prej duarve
ecjeve rrëmbehen gjymtyrët
(ato ndërruan vend
shpejt përfare?)

Ç’është ftohja e tyre,
dikur gjithçka
frut i bimëve,

tani përhitje, shumë ngathët,

krisja e ditëve
me thelpinj
ngjarjesh
arrë gungëçarë është

ç’është gjarpër?

RREZMË

Drurët i gjenden
pranë njëri – tjetrit,
në cikmë
afrojnë gishtat
i puqin të ngrohen,
ujërat e tepërta
thithin
në përmbytje,
rrezet
ia shpërndajnë
njëri-tjetrit njësoj

asnjëherë nuk grinden
për foletë e pëllumbave.

AFËR, PËRQARK
1.
Drurët nuk i mbajnë fatkeqësitë,
fytyra e të ndjerit duket sikur
nga të tijtë ende s’ka ikur
sikur rreth tij fjalosen
akoma t’afërmit
e shtëpisë.

Drurët janë t’dhimbsur me të ndjerin
gjethe shkundin mbi fytyrën e tij
perëndim përlotjeje qetëvrapthi,
befas duken sikur mes tyre
ata njihen qyshheri
përqafuar diellorë
sy nër sy prej fari.

Jeta të dhembshurit afron
i le pas të ngathëtit.

2.
Përhera drithërohemi kur shohim fytyra të dhembshura tek drurët,
drurët i ndjellin
thellë frymë
të gjelbër
të ndjerit
sakaq,

sa të duket sikur heshtja
pendohet, cicëron
edhe në gjumë
mbi të fjeturin
që mund të jetë
secili prej nesh
vonë o tani
afër tutje
përqark…