Kujtim Nuro: Janina në dokumentet osmane
Përgatiti: Ayten Ardel
Redaktor i projektit: Edib Agagjyshi
Përktheu nga turqishtja: Ermal Nurja
Redaktor gjuhësor: Petrit Bezhani
Botuesi: Fondacioni ALSAR nën drejtimin e Mehdi Gurrës, Tiranë, 2022
-Dy fjalë për autoren e përgatitjes së këtij botimi-
Ayten (Ajten) Ardel është lindur në qytetin e Mitrovicës, Kosovë, me origjinë nga babai, shqiptar dhe nga nëna, me origjinë turke. Ajo ndjehet gjithmonë krenare, e cila është lindur, edukuar, rritur dhe ka jetuar në mejdisin familjar të dy kulturave aq të pasura në hapsirë kohore dhe gjeografike. Mbi të gjitha, ajo ka trashëguar nga dy prindërit e saj, të cilëve iu është gjithmonë mirënjohëse në jetën e saj, edhe të dy gjuhët: shqipen dhe turqishten. Arsimimin deri në shkollën e mesme e ka kryer në vendlindje dhe duke parë edhe dëshirën e prindërve, studimet e larta i ka përfunduar për Orientalistikë në Universitetin e Prishtinës, e cila është e para studente, e specializuar në këtë degë. Studentët e Univeristetit të Venedikut dhe të Sarajevës, kanë qënë të previligjuar, që e kanë patur Ayten Ardelin, pedagoge të gjuhës turke, një mësimdhënëse e rrallë e kësaj gjuhe. Gjithashtu, duke u kthyer në Stamboll, ajo ka punuar afërsisht për tre dekada si specialiste në Arkivin Osman të Stambollit. Ndjente gëzim kur ajo shikonte që në këtë arkiv të vinin për të hulumtuar edhe historianë të hapsirës shqiptare, e cila iu ka dhënë një ndihmesë të çmuar në kërkimin e dokumenteve në turqishten e vjetër (osmanisht), që iu perkisnin historisë së trojeve dhe personaliteteve të kësaj hapsire. Sot, Ayten Ardel, edhe pse ka dalë në pension, është bërë një hulumtuese e palodhur për t’i dhënë sa më shumë dritë thesarit, që ruhet në Arkivin Osman të Stambollit për historinë shumëshekullore të krahinave tona, të cilat kanë qënë deri në vitin 1912, nën administrimin e Portës së Lartë.
Katallogu: Janina në dokumentet osmane
Pjesë e botimeve me mjaft vlerë për historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare të fondacionit “ALSAR” dhe të autores Ayjten Ardel, krahas botimeve te tjera, është edhe katallogu lidhur me dokumentet, të cilat ndodhen në arkivin e lartëpërmëndur për Janinën dhe krahina të tjera shqiptare, ashtu siç ndodhen edhe për vilajetin e Kosovës, Manastirit dhe të Shkodrës.
Ky katallog dhe katallogë të tjerë që studiuesja Ayten Ardel ka përgatitur, janë rezultat i një pune të gjatë kërkimore, të palodhur dhe këmbëngulëse, që ajo ka bërë në këtë arkiv, aq të pasur me dokumente, afërsisht,160 milion. Dokumentet e shkruara në gjuhën e vjetër turqisht (osmanisht), të cilat japin një histori të plotë për vilajetin e Janinës dhe qendrën e saj, janë aq të shumta sa që për studimin dhe botimin e tyre, nuk mjaftojnë vetëm disa specialistë, por me dhjetra – dhjetra specialistë dhe që të kenë dëshirën, vullnetin, pasionin dhe njohjen e gjuhës, siç e ka specialistja e mirënjohur Ayten Ardel. Prandaj, në numrin e pafund të këtyre dokumenteve, ajo ka zgjedhur vetëm disa prej tyre. Katallogu shoqërohet nga një hyrje e shkruar nga Edip Agagjyshi si edhe nga një parathënie, e shkruar nga përgatitësja Ayten Ardel. Me mjaft interes është edhe përshkrimi i hollësishëm që kjo autore i ka bërë historisë së Janinës, duke u mbështetur në dokumentet osmane, në të dhënat e shkruara nga udhëtari kronikan turk, Evlija Çelebi, kur ai ka vizituar Janinën në vitet 1669-1670, në vjetarët statistikorë osmanë, të cilët filluan të botohen që nga viti 1847, etj. Sipas udhëtarit Evlija Çelebi, Janina në fund të shekullit XVII-të, kishte 4000 banesa, 18 lagje të besimit mysliman, 14 lagje të krishtera, 4 lagje hebrenj dhe një lagje të komunitetit rom. Kurse, Henry Holland ka shkruar se në vitin 1812, Janina kishte një popullsi prej 30 mijë banorësh, 16 xhami, 7-8 kisha dhe popullsia përbëhej nga shqiptarë, turq, grekë dhe hebrenj. Të dhëna më të plota jepen në vjetarin statistikor të vilajetit të Janinës, viti 1890. Duke u mbështetur në këtë salname(vjetar), vilajeti banohej nga një popullsi prej 512.812 banorësh, prej së cilës, 223.885 banorë ishin të besimit mysliman, ku përfshihen edhe shqiptarët e këtij besimi, 129.517 shqiptarë të besimit ortodoks, 118.033 ortodoks grekë, 37.767 vllehë, 3.517 hebrenj dhe 93 banorë të besimit katolik. Qyteti i Janinës, -shkruan autorja-, u muar nga ushtria greke me 6 Mars 1913, pas nje rrethimi gjashtë mujor, ku forcat shqiptare, të cilat mbronin qytetin, kishin komandant Esat Pashën. Si përfundim, Janina u bë pjesë e mbreterisë greke.
74 dokumentet, e përzgjedhura në këtë katallog nga autorja Ayten Ardel, hedhin dritë për gjendjen politike, ekonomike, ushtarake,organizimin administrativ, institucionet arsimore, fetare dhe sociale të vilajetit të Janinës, në një shtrirje kohore nga viti1481 deri në vitin 1914. Për secilin nga këto dokumente është dhënë një faksimile e tij si dhe përmbajtja në dy gjuhët: turqisht dhe shqip. Specialistja e mirënjohur, Ayjten Ardel, për t’iu arrdhur në ndihmë studiuesve të periudhës osmane, ka dhënë edhe treguesit arkivorë me qëllim që t’iu bëjë të mundur atyre gjetjen në një kohë sa më të shkurtër. Katallogu fillon me përmbajtjen e një regjistri, i cili i përket datës, 3 Maj 1481. Ky regjistër jep të dhëna lidhur me të arrdhurat dhe shpenzimet jo vetëm të sanxhakut të Janinës, por edhe të sanxhaqeve të tjerë si të Dukaggjinit, Prizrenit, Selanikut, Shkodrës, Shkupit, etj. Këta sanxhaqe, në vitin e lartëpërmëndur, përfshiheshin në ejaletin e Rumelisë. Një vend të veçantë në katallog zënë edhe regjistrat për sistemin e timarit, regjistrimin e popullsisë së besimit mysliman dhe kristian si për sanxhakun e Gjirokastrës, mbledhjen e taksave te ndryshme, vakëfet dhe të arrdhurat e tyre, mbrojtjen e kalave, ankesa të popullsisë, emërime të nëpunësve në administratën lokale, kujdestarëve të vakëfeve dhe të dhëna për Ali Pashë Tepelenën. Me vlerë historike janë edhe dokumentet për emigrimin e popullsisë së Shkodrës dhe të Janinës në Amerikën Jugore (1907) si dhe për sistemimin dhe kujdesjen e muhaxhirve të arrdhur në Janinë po nga krahina e Shkodrës, shpenzimet financiare të të cilëve do të përballoheshin nga vetë vilajeti. Shkak i emigrimit të popullsisë së Shkodrës në këtë kohë do të ketë qënë edhe tërmeti shkatërrimtar, që ka rënë në këtë qytet, në vitin 1905. Ky tërmet shkatërroi qindra shtëpi dhe shumë njerëz ndërruan jetë dhe u plagosën, përveç dëmeve të tjera materiale. Administrata e vilajetit te Janinës, një vëmëndje të vecantë iu ka kushtuar edhe dhënies së ndihmës banorëve të dëmtuar nga tërmeti, i cili ka rënë në vitin 1902, në Ajdonat, Berat, Margëlliç dhe Prevezë si dhe në Vlorë dhe Lushnjë, në vitin 1905. Grup tjetër, përbëjnë dokumentet lidhur me ndërtimin e spitalit në qytetin e Janinës, ndërtimin e shkollave (Labovë e poshtme-kazaja e Tepelenës, viti1906) ndërtimin dhe rindërtimin e urave, të rrugës nga Janina në Prevezë dhe riparimin e rrugës Manastir -Janinë(1909). Me mjaft interes janë edhe telegramet e shqiptarve të Janinës, të cilët shkruajnë se janë të gatshëm të japin jetën e tyre për të ndaluar që vatani i tyre t’i anksohej shtetit grek nga ana e fuqive europiane (1880), etj.
Njëkohësisht, katallogu është ilustruar edhe me harta të ketij vilajeti dhe fotografi të ndryshme, të cilat i përkasin qytetit, lagjeve, ndërtesave, xhamive të qytetit të Janinës. Por, ndërmjet tyre janë edhe fotografia e Ali Pashë Tepelenës, pallatit, kalasë dhe varrit të tij, që ndodhen po në Janinë. Vendosja në katallog e këtyre fotografive ia rrit edhe më shumë vlerën e tij me karakter shkencor.
Katallogu do të jetë një udhërrëfyes i rëndësishëm për të gjithë studiuesit gjatë kërkimeve të tyre në arkivat osmane, të cilët do të ndërrmarrin punime lidhur me historinë e vilajetit të Janinës gjatë administrimit të saj nga Porta e Lartë e Stambollit. Por, ai do të jetë edhe një model për specialistët e rinj gjatë punës së tyre të përgatitjes së katalogëve të tjerë me burime osmane për tema dhe provinca të ndryshme, të cilat kanë qënë nën vartësinë e Perandorisë Osmane. Përveç mirënjohjes që Ayten Ardel e meriton për punën e madhe që ka bërë për përgatitjen e këtij katallogu, një mirënjohje të veçantë e meriton edhe fondacioni “ALSAR’’ dhe drejtuesi tij, Mehdi Gurra, që kanë botuar një botim me vlera shkencore në fushën e historisë dhe i kanë dhënë lexuesit, njëkohësisht, edhe një botim me një cilësi të lartë.
Burimi: Ayten Ardel-Janina ne dokumentet osmane.