Dr. Eduard A. Skufi: Meditim mbi magjinë e valëve
(Nga ditari profesional “Mozaik impresionesh në dy jetë”)
Fragment
…Me vargjet pikante të një kolegut tim, nisa rrugëtimin e “padëshiruar” në ato vite…
VLORA, zemra Labërore
Dritë më jep në ëndërri
Parajsa jonë shpirtërore
Edeniada plot shkëlqim…
…Për mua nuk ishte e lehtë të ndahesha nga Vlora, ta lija atë. Mora çantën, ngrita jakën e xhakaventos dhe duke dalë nga spitali, një borie makine më ndaloi. Ishte Ndrekua, shoferi i autoambulancës dhe miku im, “Dotore, në ambulancë”, më tha. Unë duke hipur në makinë, në “Ujë të ftohtë”, iu përgjigja, me një buzëqeshje politese. Shikoja nga makina imazhet që ndryshonin shpejt, por që nuk më shuheshin. Gjatë rrugës nuk shkëmbeva asnjë fjalë, por ai e dinte, më kishte lexuar… Unë po shkoja për t’u përshëndetur me detin, para se të largohesha prej tij. Kur mbërritëm, Ndrekua më tha: “Të të pres doktor”… Ik, i thashë pa e parë në sy, faleminderit.
Më ishte përlotur shpirti, por nuk doja ta shfaqja, zbrita nga rruga tek “shkëmbi i Doktorit”, (koincidencë apo alegori, sepse dhe unë tashmë si një cop shkëmbi qëndroja mbi det, si mbi një dilemë morale). Ai tashmë ishte i braktisur nga zërat e të rinjve, që hidheshin në det. Era e detit që frynte, i ngrinte dallgët në tallaze, ato përplaseshin furishëm nëpër shkëmbinj, në një muzikalitet aq të dashur për mua, në harmoni e kontraste ngjyrash të spektrit të kaltërt, me zhvensosje nuancash të shpejta kameleonike. Aty kishte brenda romantizëm, idile, fshihte dramë e tragjedi, e megjithatë mbetej apoteozike. Deti ishte e vetmja skenë madhështore natyrale, që fshihte spektaklin akoma më magjepës e misterioz, brënda në të. Por çuditërisht, megjithëse simbol i të kundërtave, zotëronte një efekt të fuqishëm relaksues, psikoterapeutik dhe po aq hipnotik. Mendimi më çoji tek aforizmi i Platonit të madh “Deti mjekon gjithë sëmundjet humane” dhe po në atë frekuencë vendoset dhe Euripidi: ”Deti mund të pastrojë gjithë të këqiat e njerëzimit”. Kjo në sajë të vitalitetit, energjisë së pagjumë, që vazhdimisht lëkundet e rreh, si një zemër e madhe, deri në pavdekësi.
Nuk doja t’i drejtohesha sensit filozofik, por a nuk është vetë kompozicioni i qënies njerëzore që noton në ujë, ashtu si dhe deti, asaj krijese të gjallë paradoksale ?! Por lidhja me detin shkon me larg se limitet fiziologjike, ajo konsiston në një lidhje meditative, “psikosintetike”… Ishte kjo arsyeja që u ndodha pak para largimit tim, pranë tij…

Shkëmbi i Doktorit
Ngarkesa emocionale, nostalgjia, “lamtumira” kërkonin “shkëmbin e doktorit” mbi det, simfoninë e valëve, skalitësin e portretit tonë. Je vetëm ti dhe deti pranë, por ti nuk ndjehesh vetëm… pasi deti është spiranca vizuale dhe emocionale, në rezonancë shpirtërore me ty. Era, aroma e tij më godisnin në fytyrë, përkëdhelje apo qefmbetje… Ai të magjeps e të mban lidhur për jetë, me fuqinë magnetike, duke u bërë pjesa jote genetike, me efektin e tij multisensorial. Aty në dallgët e tij pasqyroheshin, shikimi i babait, buzëqeshja e nënës, kujtimet, gjurmët që unë lë pas. E mblodha jetën time në një pikë loti dhe e derdha si kristal në det. Aty doja të lija peng shpirtin tim, jo vetëm si një “thalasofil”, por dhe si një detyrim, ndaj asaj embleme aq të veçantë. Me ato valë ritmike me aritminë e tyre, një simfoni e pakompozueshme, ai simbol i lirisë së pafund, atë liri që i mungonte jetës tonë, (se dhe jeta si deti është, por pa lirinë e tij dhe që ne e kërkonim si Diogjeni). Ai det që të fluturon, e të fut në një dialog intim shpirtëror, të çliron nga ankthi dhe mëdyshja, duke i zhytur ato në dallgët e tij, në një “katharsi” atipik. Ishte një ndërthurje polifonike, poetike, midis nesh dhe detit. Një shkrirje e shpirtit të tij romantik, me shpirtin tonë “në mbijetim”, që të mbushte me optimizëm, të detoksifikon, veç nostalgjia nuk shuhej.
…Dhe tani mbas këtij “rrëfimi”, në bisedë konfidencionale me detin, po përgatitesha të hapja velat e një rrugëtimi të panjohur, mes ëndrrave dhe shpresës, por mua më duhej “bekimi” i tij i shenjtë, tingujt e detit, asaj melodie, që flisnte në zemër dhe në shpirt. Ajo madhështi, mes legjendash dhe mitesh, simbolikisht e lidhur me inspirimin hyjnor aq mbresëlënës, që do të mbetej përjetë “Itaka” ime, apoteoza ime…
Prill 2025.