Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Albana Ndoja Deda: Iris Halili dhe libri “Eleganca e lotëve”

Do ta nis këtë përjetim (pasi kështu mendoj se është ky shkrim, përjetim më shumë, se analizë) me një poezi të Frederik Rreshpes, që mendoj se përmbledh komplet tonin, imazhin, ndjesinë që gjendet në librin më të ri të Iris Halilit “Eleganca e lotëve”.

Kështu gjithnjë

Je dukë pas luftave, anës shesheve të betejave,

Mes tymit të armëve të moçme, nën kështjellat pellazgjike,

Me rubën e zezë mbi sy, ti vije

Në heshtjen e mbasluftës, mbramjeve

Dhe thurje ngadalë, nën mjegullën e hollë që endnin yjtë,

Elegjitë epike.

Elegjitë epike me konstrukt të fortë

Si shpellat e viseve shqiptare.

Kështu u ngrite ti mbi karvanin e thinjun të bardëve,

Mbi kohnat e errëta plot krisma dhe klithma,

Me kangët e tua prej nane.

(AJKUNA, Duke kërkuar Itakën, Frederik Reshpja, Princi, 2016.)

Imazhi i Ajkunës, të cilën Frederik Rreshpja në këtë poezi e shkëput nga një kornizë me simbolikë kolektive të fiksuar, dekonstruktohet për të rindërtuar një simbol të ri me thelb human deri në dhembje. Është pikërisht kjo ndjesia që më mbeti në psihë, pasi lexova librin më të ri të kritikes e studiueses së mirënjohur dr. Iris Halilit.

Publiku e njeh zonjën Halili pikërisht nga botime të mëparshme të saj, të cilat kanë pasur të bënin me kritikë letrare, teori letërsie, apo edhe çështje që lidhen me lidershipin si koncept e si praktikë.

Botimi i fundit i saj “Eleganca e lotëve” është komplet i veçantë, për nga lloji e për nga ndërtimi. E themi këtë se, pavarësisht që ky tekst përbën një rrëfim intim, sipas saj (Këtë libër ia dedikoj asaj, gjyshes Ganimet Gjilani Fratari, të cilën përgjatë gjithë jetës e thirra “nëna” dhe kështu do ta quaj edhe në këtë rrëfim intim...), mendojmë se ky tekst i kalon caqet e një libri familjar kujtimesh (memuaristik), pra të një libri me narracion jo fikshën, bazuar në histori të vërteta të kujtimeve personale të autorit, pasi këto kujtime janë dëshmi e gjallë e një kohe historike, që do të mbahet mend në historinë tonë si holokausti i shqiptarëve, në përgjithësi e veçanërisht shtresës, për të cilën flitet në këtë libër, në veçanti.

Ky libër përbën në thelb kronikën e një kohe të marrë, të parë nga një ndërthurje zërash narrativë, nëpërmjet të cilëve dalin jo vetëm fakte reale familjare si dëshmi historike, po këto të fundit ndërthuren me analiza politike, sociologjike, psikologjike, psikanalitike, teologjike etj., të cilat të endura me një kanal specifik, ku nuk mungon ngarkesa figurative, duke e kategorizuar veten në atë që me të drejtë vëren edhe Visar Zhiti në parathënien e tij si “Letërsi e sirtarëve”.

Teksti organizohet në pjesë të veçanta, të cilat renditen sipas një koherence jo thjesht kronologjike, pasi në të nuk mungojnë analepsat e në raste të caktuara edhe prolepsa që projektohen në të shkuarën, të cilat në shumicën e rasteve janë mjeti ndërtues i kontrasteve kohore, psikologjike etj.

Nga pikëpamja e personazheve, natyrisht pika lidhëse e të gjithë këtyre pjesëve është nëna dhe familja, apo familja që nënkupton nënën, një lidhje metonimike e pazgjidhshme jo vetëm e kushtëzuar nga koha, po dhe e induktuar qëllimisht nga nëna/familja, si një institucioni i vetëm që siguroi mbijetesën fizike deri diku, po mbi të gjitha garantoi mbijetesën psikike në atë absurd dantesk .

Citoj “Familja është vendi ku thuhet çdo gjë, duhet çdo gjë dhe pranohet çdo gjë dhe ku çdo gjë jashtë mureve të saj është adaptim. Padashur apo me dashje gjyshja na rrënjosi dashurinë për familjen si institucioni i parë nga ku buron dhe duhet të mbijetojë dashuria dhe sinqeriteti. Ne ishim të persekutuar nga sistemi, por nuk persekutonim veten në familje, ishim të sinqertë dhe besnikë brenda saj dhe besoj se mbi shumë të tjera vlera që do t’i rrëfej më poshtë në këtë libër dedikuar nënës, kjo është trashëgimia më e madhe që kam nga ajo dhe për këtë e falënderoj çdo moment”.

E natyrisht që mizanskenat kryesore kanë lokacion shtëpinë e njerëzit e saj, të cilët autorja i paraqet përmes krahasimeve të renditura në një varg enumerativ me tone adhurimi ekstrem kështu: “Shtëpinë e kam parë gjithmonë si muret ku janë gdhendur gjithë kujtimet e jetës, dyshemetë ku kanë ecur të gjithë njerëzit e dashur, dyert ku shpesh kanë hyrë dhe dalë njerëzit e dashur apo të padashur, divanet ku janë bërë bisedat më të sinqerta, shtretërit ku janë parë ëndrrat më të bukura, apo janë formësuar trashëgimtarët që përcjellin gjakun e familjes”.

Po kush kishte qenë shtëpia dhe kush ishte tani ajo. Kontrasti jepet në një mënyrë mjaft origjinale, kur krahason arredimin në shtëpinë në Tepelenë edhe reliket e fundit të madhështisë së dikurshme të saj, me jetën e ofruar më pas.

Ndjesia e një sarkazme drithëruese, megjithëse e kamufluar me perceptimin e fëmijës, është therëse. Megjithatë kjo e fundit nuk perceptohet si mllef, po jepet me mjaft elegancë si fakt i gërshetuar me analizën e tij, duke kërkuar prej këtij procesi të gjejë të mirën mes së keqes dominuese: “E në të gjithë këtë varfëri dhe monotoni nuk di si nëna ime gjente të bukurën dhe fliste për të bukurën.” -thotë Halili.

Po vërtet ku e gjenin forcën për ta bërë këtë gjë këto gra, që kishin ngelur fare të reja me fëmijët, në kushte ekstreme?

Mendojmë se ky vitalitet stoik është tipar i qenies shqiptare e veçanërisht gjinisë femërore të saj. Ashtu si Lokja e Mjedës, që në momentet e humbjes së fëmijës gjen forcën të ngushëllojë të bijën, duke i referuar një realitet biblik, për ta zbutur traumën e saj e të vetes, ashtu edhe këto nëna me stoicizëm të paimagjinueshëm u përqendruan te ajo e bukur që nuk vriste, ose të paktën vriste më pak, të qepja e gatimi, pra te dedikimi absolut ndaj familjes.

Të dyja këto procese organizoheshin në shtëpi dhe u jepnin mundësi atyre të mos humbnin  kontaktin me botën jashtë, e cila ishte dhe e domosdoshme për t’u njohur e për të zbutur sado pak refuzimin.

Nga ana tjetër, ishin pikërisht këto zeje, nëpërmjet të cilave nënat përçonin finesën e jetës së shkuar dhe edukonin brezin që vinte, me traditën familjare dhe finesën femërore të grave dhe familjeve të kultivuara.

Ishin këto gra që nëpërmjet kultivimit të traditës familjare, përçimit të memories së saj dhe insistimit për studim, u munduan të shmangnin depersonalizimin dhe konvertimin në “njeriun e ri” të kohës , pjesëtar të fermës së re të kafshëve, të përgatitur me aq mjeshtëri nga diktatura nën diktatin e varfërisë e demagogjisë. Citoj: “Kjo varfëri i shkonte për shtat regjimit, pasi, kur njerëzit nuk kanë me çfarë të mbushin barkun, ata nuk kanë asnjë interes për të plotësuar nevojat e tjera psikologjike, intelektuale apo materiale”.

Po nënat si nëna Ganimet nuk lejuan që të paktën nipat e tyre ta kishin këtë fat. E këtë e arritën, veç të tjerash, nëpërmjet induktimit të dhimbsurisë e empatisë. Citoj : “Ato përralla ndërtuan personalitetin dhe karakterin tim, por mbi të gjitha nëna ime mes tyre ndërtoi tek unë atë që ajo e kishte aq shumë te vetja – edukimin e shpirtit me ndjeshmërinë më të lartë”.

E pra ajo kishte arsyet e gjithë botës që si Ajkuna e Eposit të mallkonte e shante ata, që e kishin lënë pa burrë në një moshë shumë të re, me djalin që sorollatej nga një burg në tjetrin pa asnjë faj, po thjesht se ishte pinjoll i një babai që përkrahu ideologji tjetër, e me një vajzë e dy mbesat, me të cilat rropatej nga një burg në tjetrin, në udhëtime që i ngjanin pelegrinazhit epik të hebrejve në shkretëtirë.

Jo ajo nuk e bëri këtë,- pohon Halili, po kishte gjetur një rrugë tjetër: dedikimin absolut ndaj familjes, sepse ndëshkimi i përkishte Zotit:“Nga toka e keqe ik, se po nuk prodhoi nuk ka për të prodhuar. Nga njeriu i keq mos ik, se e gjen nga Zoti!”-thoshte nëna.

Skena gati surrele, ku tri femra udhëtojnë më çanta të qepura vetë nga një burg në tjetrin, zbutet stilistikisht nga  fokalizimi i zërit tregimtar te Irisi e vogël e perceptimit fëminor të saj, megjithëse ky përzihet shpesh me perceptimet e Irisit të rritur.

Në këtë kontekst, me elegancë e fisnikëri në libër kornizohet një realitet alla Benini (te “La vita e bella”), ku një vajzë e vogël me çantë në shpinë, ngjitet malit për të shkuar në Qafë-Bari te daja. Gjatë kësaj rruge të pambarimtë ajo, veç dhimjes e cfilitjes, është e prirur të admirojë bukurinë e egër të natyrës, apo të interpretojë poezi në dhomën e takimit dajës për ta gazmuar atë.

Ndjesia e marrësit, pa diskutim një sarkazëm e tmerrshme, që besojmë se është bërë pjesë e trashëgimisë traumatike të këtyre brezave, pasi siç thotë Irisi: “Unë besoj se çdo trashëgimi është e vlefshme, se mbart brenda saj dashurinë, historinë dhe kujtesën e njerëzve të dashur”.

Në thelb teksti organizohet më së shumti në kuadrin e pasqyrave narcistike, ku sublimohet e mira dhe e keqja. Në rastin e parë ato janë pasqyrat koliqiane, ku Irisi “kërkon me u pasqyrue”. E në këto pasqyra ajo rreshton jo vetëm nënën, dajën, mamin, motrën, babin e pjesëtarë të tjerë të familjes, po edhe Sadikun , rojen e burgut që nuk futej në dhomën e takimit, shoferin e skodës që i çonte te burgu i radhës, apo timonierët e trenit të mallrave, që i morën në lokomotivë.

Në këto pasqyra pasqyrohen edhe personalitete mjaft të shquara të kësaj kohe, të burgosur dhe të internuar, të cilët vijnë me përmasat e tyre njerëzore të reflektuara nëpërmjet perceptimit konceptual e koheziv të fëmijës.

Kështu, në këtë galeri gjen  At Zef Pllumin si prifti që i jepte karafila dhe e mbante mend edhe xhupin prej pellushi, që ajo kishte veshur në takimet me dajën, apo Drita Kosturin si shoqja e nënës, që pinte shumë duhan dhe tregonte historitë e luftës, Musine Kokalarin si refuzuesen e diktatorit, Pjetër Arbnorin që vinte ta vizitonte nënën çdo festë, pasi ajo i kujtonte nënën e tij, që e kishte humbur… etj. etj.

Natyrisht që në memorjen e fëmijës ishin edhe imazhet e Thanasit, shokut të dajës që kishte dëshmuar kundër dajës në gjyq. Madje titulli i pjesës (Xhaketa e Thanasit)  shfaqet si karrem policesk dhe, vetëm pasi mbaron pjesa, ajo receptohet si sarkazmën therëse, që sjell tradhëtia e shokut të ngushtë (Ditën e gjyqit të dajës, Thanasi që dëshmonte kundër tij, kishte veshur xhaketën, që ia kishte falur daja).

Po çfarë ishte gjithë ky mllef, gjithë kjo xhelozi. Natyrisht që nëna dhe të tjerët e dinin se komunistët kishin ardhur me moton “Ia marrim tjetrit që ta kemi vetë!”, megjithëse në popull proklamonin “barazitimin” , po nënat ishin aq të zgjuara, sa të kuptonin e t’u thoshin fëmijëve: “Barazitizmi nuk është humanizëm, këtë mos e harro. Ata nuk ishin humanë, ishin xhelozë e smirëzinj dhe këtë moral vendosën. Ndaj edhe rreth vetes frymëzuan njerëzit e tillë se sistemi jep modelin, më pas njerëzit përshtatin apo jo karakterin e tyre me të”.

Me shumë qartësi Halili dedukton atë fakt vrastar që edhe sot e kësaj ditë nuk është kryer, mungesën e faljes publike nga persekutori: “Edhe kur komunizmi u përmbys teorikisht në Shqipëri, këta ideatorë dhe familjet e tyre asnjëherë nuk shkruan një frazë pendese. Përkundrazi, deklaruan krenarë deri në fund se lufta e tyre e klasave kishte qenë e drejtë, ndonëse prej saj kemi trashëguar një shoqëri eksperimentale, e cila kopjonte çdo makabritet të kampit socialist, por që bëhej edhe më krijuese në aplikimet pa limit të formave që të shokojnë për nga forca dhe se deri ku mund të shkojë ligësia te qenia njerëzore”.

E fatkeqësisht fakti që komunizmi u përmbys vetëm teorikisht është lehtësisht i perceptueshëm akoma dhe sot. Jetojmë në një kohë kur është rritur niveli varfërisë në mënyrë të skajshme. Shoqëria jonë pothuajse nuk e njeh më shtresën e mesme, po veç atë të varfër dhe atë shumë të pasur. Korrupsioni galopant po gërryen financat e shtetit e shoqërisë. E gjithçka mbulohet me demagogji, e cila fatkeqësisht nuk ruhet të artikulojë edhe në mënyrë të hapur steriotipet e diktaturës si riaktivizimi i njësive, që vijnë nga ky kontekst ideologjik diktatorial si: “shok/shoqe”, “komandant” etj.

Simbolet komuniste shfaqen herë në kuadrin e lapsusit (siç është rasti i vënies së emrit të ish diktatorit në personalitetet e muajit tetor nga Parlamenti aktual), e herë hapur (shteti është barazuar me partinë, është ngritur në piedestal kulti i individit dhe nuk ka demokraci të brendshme partiake, Kryetari i Gjykatës së Lartë shkon në festa që evokojnë komunizmin dhe mban shallin e pionierit, simbol të turmave të shplara mentalisht nga demagogjia, kryetari dhe sekretari i Akademisë së Shkencave janë ish-funksionarë të lartë të diktaturës, kryeministri aktual deklaron në Parlamentin Shqiptar se është krenar për prindërit, që kanë qenë në anën e duhur të historisë etj. etj. etj.).

Ndërkohë pasardhësit e të persekutuarve zvarriten dyerve të gjykatave për pronën e pamarrë, apo dëmshpërblimin e saj, ose rrugëve të botës për mbijetesë.

Në këtë kontekst, mendojmë se libra të tillë kanë një vlerë të pamohueshme dhe janë të domosdoshëm në çdo kohë, veçanërisht për shoqëri të tilla të brishta e të traumatizuara deri në arketip si kjo e jona. Ato janë jo vetëm dëshmi historike, po edhe precedentë parajmërues se ku është arritur, në mënyrë që të parandalohet përsëritja.

Imazhet të tilla si nëna janë modele stoicizmi e humanizmi, që kanë garantuar vazhdimësinë e genit vetiak e atij kolektiv përmes mëshirës dhe dashurisë për qenien, pasi siç pohon me të drejtë Iris Halili: “Besojmë se njerëz të tillë, me një shkallë superiore të inteligjencës emocionale, është fat t’i kesh pranë vetes, pasi ata nuk janë të shumtë dhe janë si të zgjedhur të Zotit pranë njerëzve; janë orakujt e dikurshëm, janë profetët e kohëve moderne”.