Harallamb Fandi: In memoriam, Dionis Qirzidhi!

Trishtim i thellë: Dionis Qirzidhi e mbylli odisenë e tij.
Lajmi erdhi nga Athina së pari nga Dr. Eduard Skufi:
“Nuk do të doja të isha unë lajmëtar i një të hidhure që e prisnim, po nuk po e besonim: Shpirti i Nisit tonë të dashur na përshëndet sot nga qielli. Erdhi më në fund dhe epilogu i maratonës së një njeriu të pathyer”.
Dionisi u nda nga jeta pas 17 vitesh dergjur në shtrat nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Ai ishte më shumë se një njeri. Qyteti i tij i ilndjes, për arritjet e shumëanshme si mësues, shkrimtar, poet, studiues i mirëfilltë i historisë dhe letërsisë, gazetar e veprimtar i palodhur për përhapjen e kulturës, e ka nderuar me titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”. Dionisi ishte i dashur dhe i lartësuar si personalitet poliedrik, jo vetëm për shokët e miqtë në Vlorë, po dhe anembanë Shqipërisë. Të panumërt e plot dhimbje janë shqiptarët emigrantë në Greqi, që ai në shumë raste i ka ndihmuar si të ishin pjestarë të familjes së tij. Ne që jemi rritur me të e kemi patur Dionisin gjallërinë e përhershme të shoqërisë e rrezatues të rrallë mirësie. Spontaniteti energjizues i tij u bë shpejt proverbial. Dionisi u veçua fillimisht për talentin e tij, sidomos në reportazhet e bëra në çdo cep të Shqipërisë, po dhe jashtë saj dhe do të mbetej vit pas viti në kujtesën e të gjithëve për shumë veprimtari promovuese të letërsisë e historisë sonë në Greqi e Itali. Befasitë e bukura të tij në këto raste ishin përherë të mirëpritura, por edhe dëshmuese të kërkimeve të paprera prej një njeriu, figura e të cilit dallohet veçanërisht për shkëndijimet e saj. Nuk harrohen përpjekjet e Dionisit për një letërsi e art pa kufizime. Poezia e tij, nga që ishte e lirë dhe për lirinë, në kushtet e rënda të diktaturës u vu në shënjestër të plenumeve famëkeqe të PPSH-së.
“…Kur filloi gjuetia ndaj gjithë kulturës e sidomos poezisë, – ka shkruar poeti e miku i ngushtë i Dionisit Hiqmet Meçaj- krahas me goditjet kundër meje e Shefqet Tiganit për krijime revizioniste u godit edhe Dionisi për poezine “Jam gjaku i një zarigoge”. Po temperamenti i tij e bënte të mos dorëzohej, duke ndikuar edhe te ne me gjallërinë dhe entusiazmin karakteristik, për të na shkundur çdo plogështi. Ai qe mik i ngushtë i shumë artisteve, që shiheshin me dyshim dhe ishin në shënjestër të Partisë dhe Sigurimit të shtetit, si Skender Kamberi, Nestor Jonuzi , Aleksander Babe, Avduraman Meçaj, Astrit Xhaferri, Faslli Haliti etj. Që në rininë e tij të hershme, Dionisi rrinte pranë e mbeti i pandarë tërë jetën me shokët e fëminisë Nestor Jonuzin, pikturën e të cilit e admironte pa masë si dhe me shkrimtarin Aleksandër Babe, që përsëriste vazhdimisht: “Nisi ishte dhe mbeti pjesë e shpirtit tim të trazuar. Për këdo që e njohu dhe e kuptoi, ai ishte një meteor…”.
Eshtë vështirë t’ia numërosh shokët dhe miqtë, që i shtonte vazhdimisht me lidhjet e tij, sidomos me ata që i lidhte veprimtaria e tij e shumanshme. Në librin plot dashuri e vlera me 550 faqe, “Vëllai im Dionisi”, të shkruar nga Spiro Qirzidhi përmenden shumë emra miqsh, shqiptarë dhe të huaj. Vetëm emrat e shokëve të fëminisë dhe të rinisë së tij zënë mbi një faqe libri, po gjatë leximit spikatin edhe shumë të tjerë, shumica personalitete të shquara shqiptare dhe te huaja. Gjithsesi, “Piktorin e Popullit” Nestor Jonuzin, Dionisi e kishte “pikë të dobët”. Për të ai u bë shpeshherë edhe nxitës e organizator i ekspozitave tepër të suksesshme në Shqipëri e në Greqi. Vlen të theksohet edhe që streha e përhershme, ku bëheshin diskutime të zjarrta artistike e letrare mes shokësh të besuar, ishte për Dionisin si dhe për dhjetra të tjerë nga ne, papafingoja e shtëpisë së të paharruarit Aleksandër Babe .
Dionisi ishte ndër të parët që iu bashkua lëvizjes demokratike për përmbysjen e diktaturës. Lapidare mbetet përgjigjja e tij kur e pyetën se përse u fut në grevën e minatorëve, që ngriti në këmbë gjithë vendin . “Sikur të mos isha pjestar në të, gjithë artikujt që kam shkruar për minatorët do të ishin hipokrizi” u shpreh ai në ato ditë të stuhishme.
Pa asnjë dyshim, Dionisi u bë për të gjithë që e njohën personifikim i një pishtari maratonomak. Ky cilësim, që s’na duket aspak i tepëruar, mbështetet dhe te citimet e shumë përfaqësuesve të letrave dhe të kulturës së Shqipërisë, po dhe të vendeve fqinjë, nga të cilat po publikojmë vetëm me disa prej tyre:
Luan Çipi, shkrimtar dhe biograf i shumë personaliteteve të shquara e sidomos i miqve të tij të jetës, në librin “Portrete miqsh” shkruan:
“Dionis Qirizidhi, i lindur në vitin 1943, ishte djali më i madh i Koço Zengjinit, një shofer kamioni, ardhur prej kohësh nga Janina në Vlorë, ku mori një emër të mirë dhe u dallua sidomos për profesionalizmin, burrërinë dhe karakterin e tij. “Zengjini” ishtë nofka e vendosur për të nga vlonjatët, për të shprehur pasurinë e shpirtit të tij bujar e paqësor”. Shtëpia e Qirzidhëve në Vlorë ishte ‘pa dyer’. Ajo ishte e hapur për të gjithë, sidomos për shokët e shumtë të djemve: Dionisit, Spiros që, si ai, u bë shkrimtar dhe piktor i pasionuar, Vangjelit, mjeshtrit gjithnjë buzëgaz të riparimit të televizorëve, djali i të cilit, Kristi, falë shëmbullit të Dionisit u bë violinist, po ashtu dhe Thanasit, solistit të mrekullueshëm të oboes, më pas Profesor i muzikës në Liceun e Pireut, me një bandë muzikore që gjallëronte festat e gjithë Athinës .
“Dionisi, – vazhdon Luan Çipi,- qysh në të ri ‘më bëri për vehte’ brënda një kohe të shkurtër, kur të dy punonim në Fermën e Llakatundit dhe udhëtonim çdo ditë për atje nga Vlora, në të njëjtin autobuz. Megjithëse mësues dhe intelektual i mirfilltë, Dionisin shpesh mund ta gjeje në mes të komunitetit të punëtorëve, të pleksur pa ndrojë me shtresat më të varfëra e më të pazhvilluara, duke kontribuar për emancipimin dhe zhvillimin shoqëror, kulturor e sportiv të tyre. Si përgjegjës i veprimtarive kulturore ai u bë programuesi dhe drejtuesi i një sërë shfaqjeve teatrale, korale, gjimnastikore e futbollistike, që e vendosën Fermën e Llakatundit në ballë të disa konkurseve të kohës edhe në shkallë vendi… Pas përmbysjes së diktaturës, duke e pasur edhe gruan minoratare, Dionisi emigron ndër të parët në Greqi. Gjatë një vizite pune, në maj të vitit 1993, në një takim që organizohej prej Bashkisë së Qytetit Grek Trikalla, shoh Dionisin në sallë me dorën të ngritur lart që kërkonte me insistim të merrte fjalën. Ai foli gjatë, në një greqishte të pastër, të rjedhshme e plot pathos: Kishte ardhur i malluar nga Kallabaka posaçërisht, sepse kishte marrë vesh për ne, vlonjatët e tij. Në fund deklamoi edhe një poezi të bukur malli, të përgatitur shpejt e shpejt për këtë rast ku siç pritej, fliste për bukuritë , dashurinë për Vlorën e mrekullueshme bregdetare, qytetin e tij të lindjes, si dhe për Shqipërinë, atdheun e tij të shtrenjtë, tashmë të munguar prej disa vjetësh. Dionisi, burrë i pjekur dhei rrahur me vështirësitë e jetës, ishte berë edhe më i njohur, jo vetëm për vlonjatët, po edhe për shqiptarët e tjerë emigrantë në Greqi, njëherësh edhe për studjues e personalitete të shumta. Kohën e lirë ai e kalonte në sallat e bibliotekave dhë të arkivave, sa në Janinë, në Athinë e në Selanik, e më së gjati te Biblioteka e famshme amerikane ‘Gennadius Library’, në gjurmim të lashtësisë së Shqiptarëve, të lidhjeve të hershme më grekët, të kontributit të tyre për çlirimin e Greqisë dhe të Shqipërisë nga zgjedha pesqindvjeçare otomane. Zbulon kështu të dhëna historike të panjohura deri tani nga Histriografia Shqiptare, fakte të reja për veprimtaritë e arvanitasve të shquar në luftën për pavarsinë e Greqisë, për Ali Pashë Tepelenën, për shtegtarin e lirise, Lord Bajronin, për Ismail Qemalin dhe për Fan Nolin. Dionisi, hulumton e shkruan për ta, si një shqiptar i vërtetë, me dashuri dhe me besim e shpresë se po kontribuonte për shtimin dhe forcimin e marrëdhënieve dhë të miqsisë së mirë midis dy popujve më të vjetër të Ballkanit”.
Nuk janë rastësi vlerësimet e bëra për punën e frytshme të Dionisit nga akademikë, shkrimtarë dhe artistë në zë.
Profesori i merituar Marios Byron Raizis, Presidenti i Shoqërisë Helenike të Bajronistëve dhe Bashkëpresident në Këshillin Ndërkombëtar, ka thënë për veprën e Dionis Qirizidhit:
“Pavarësisht madhësisë së tij (350 faqe), libri “Lord Bajron-Shtegtari i Lirisë”i Dionis Qirzidhit do t’i dhurojë kënaqësi lexuesit shqiptar dhe, nëse përkthehet në anglisht, vendi i tij në bibliografinë gjigande të Bajronit do të jetë i pakrahasueshëm”.
Poetë nga më të njohurit e Greqisë si Patriqios, Vajenas, Liontaqis, Kesmeti etj., që u bënë brenda një kohe të shkurtër miq të afërt me Dionisin, e çmonin atë si studiues e poet të talentuar, të ngrohtë, të shqetësuar e energjik, të mbushur me një ndjenjë dhimbsurie e energjie pasionante.
Akademiku shqiptar Prof. Dr. Kristo Frashëri ka shkruar:
“Me librin ‘Shtegtari i Lirisë’ Dionis Qirzidhi më riktheu të Bajroni, më rifreskoi dhe më plotësoi ato që kisha shkruar para 50 vjetësh në një trajtesë të shurtër për të. Veprimtaria dhe krijimtaria letrare e Bajronit kanë qenë pak të njohura në opinionin shqiptar, po me këtë vepër thellësisht të dokumentuar Dionis Qirzidhi e ka ndriçuar me objektivitet jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë letrare të këtij “shtegtari romantik të pavdekshëm” si dhe formimin kulturor që ai kishte në kohën kur vizitoi Shqipërinë. Në libër ndriçohet edhe kontributi i Bajronit në Revolucionin çlirimtar grek si dhe vendi që vepra letrare e tij zë në universin europian”.
Poeti dhe studiuesi Dr. Moikom Zeqo, është shprehur për dy nga librat voluminozë të Dionis Qirizidhit ku, ndër të tjera, thotë: “ Pata shkruar për librin “Pasqyrat e Afërditës” se ishte sui generis e i çuditshëm, ndërsa për librin “Shtegtari i Lirisë” mbi Bajronin, shpreh vlerësimet e mia të merituara për punën substanciale shumë të rëndësishme të kryer prej tij”.
Në vitet e fundit të jetës, kur ishte duke përfunduar biografinë e Ismail Qemalit si dhe një vëllim tjetër me poezitë e tij, që krahas me mbi 800 reportazhe i kishte të shpërndara, do ta gjeje shpesh në Sarandë te poeti-mik Agim Mato, që bashkë me Xhoxhi Vasilin ishin botuesit e tij. Po ai vinte edhe më shpesh në Tiranë, për t’u takuar e për të diskutuar për librat me shkrimtarin Pandeli Koçi, shok i ngushtë i tij që nga fëminia, me Timo Fllokon, “shok armësh” në poezi e në arte, njëherësh dhe kushëri, me të madhin poet Fatos Arapi e sidomos me atë që e quante “vërtet vëlla” jete e poezie, Xhevair Spahiun. Dionisi nuk ikte nga Tirana pa pirë kafe te bari pranë Galerisë së Arteve, ku do të gjente grupin e madh të shokëve të vjetër vlonjatë, që mblidheshin pranë vendit të punës së të paharruarit Petraq Karaja. Aty ai ishte si në shtëpinë e tij e diskutonte shpesh e gjithnjë me entusiazmin që e karakterizonte edhe për librat e tij. Ne gëzoheshim pa masë bashkë me të, kur lexonim në shtyp e në libra vlerësimet për gjithçka që ai kishte bërë e shkruar. Ja disa prej tyre:
Nestor Jonuzi:
“Dionisi ishte mes nesh si një qënie me shpirt poetik të kompletuar, me një pasion të jashtëzakonshëm për të filluar e mbaruar një punë që ai kuroherë e dashuron me gjithë fuqinë e shpirtit. Sa e bukur dhe me kuptim të lartë është jeta kur lufton për të qënë njeri! Ja kjo është mrekullia e dallueshme dhe vazhdueshme e Nisit”.
Fatos Arapi:
“Libri ‘Pasqyrat e Afërditës’ është një nga dhuratë shumë e çmuar për mua dhe rrezaton bukuri sa herë më venë sytë dhe e shoh me kënaqësi te biblioteka ime”.
Aleksandër Babe:
“Dionisi është pjesë e kurmit tim. Gjatë gjithë jetës sonë i kemi dhënë e marrë njëritjetrit atë çka na duhej, pa asnjë lëkundje. Për mua dhe për cilindo që e kuptonte, ai ishte një meteor.”
Timo Flloko:
“Kur isha i sapoardhur në Shqipëri e në Vlorë nuk dija asnjë fjalë shqip. Dionisi kishte durimin që të merrej me mua si të ishte vëllai imi madh, me ato pak gjëra që mund të komunikonin në fillim kur shkoja në shtëpinë e tij. Më pas unë e mora veten dhe bashkë me shokët e mi të vegjël, krijuam edhe teatrin tonë në lagje. Dionisi jo vetëm që nuk ishte indiferent, po erdhi dhe u bashkua në një nga shfaqjet tona, duke i rënë fisarmonikës…Tani që po shkruaj poezi, them me bindje se ai ndikoi te unë katërcipërisht për formimin tim kreativ poetik”.
Petrit Stefa:
Dionisi ishte nje brilant qe e njohin shume pak. Sepse ai ka bere shume pune dhe vepra te shquara . Miqesia per ate ishte vlere njerezore dhe zemra e Nisit kishte gjiihnje vend per miqesi te reja pa ua zene vendin te vjetrave.
Nestor Nepravishta:
“Libri ‘Pasyrat e Afërditës’ i nxënësit tim nga më të dashurit, është një mozaik mjaft interesant. Në të gjen gjithçka për mitet, por autor iderdh në faqet e librit edhe një mori përshtypjesh, kujtimesh, përjetimesh, ndjenjash, parandjenjash, dëshmish, citimesh e përkthimesh, që e habisin lexuesin me shumllojshmërinë dhe shumanshmërinë e tyre”.
***
Dionis Qirzidhi ishte personifikim i inkandeshencës. Kushdo që do të lexojë shkrime nga Dionisi, do të bjerë pa kuptuar në valët e emocioneve të përcjella prej tij, do të zbulojë një dëndësi informacionesh, do të gjejë shumë dashuri, gëzime po dhe dhimbje për fatin e tij të keq.
Duke lexuar gjithçka që ka shkruar, cilido ndjen të bëhet si pa kuptuar mik edhe me miqtë e Dionisit, duke e zgjeruar kështu rrethin shoqëror me njerëz që i do dhe me siguri do të të duan, sepse ai që t’i bënte të njohur e të dashur, nuk ishte kurrë një njeri i vetëm. Dionisi “ishte shuma” e atyre për të cilët fliste. Vëllezërit i kishte shokë, shokët vëllezër, ndërsa miqtë nuk ia numëroje e nuk ia numëron dot.
Dhe të gjithë vazhdojnë të thonë e do të thonë përherë: “I paharrueshëm je, Dionisi ynë”!
2 shkurt 2026.