Arben Iliazi: Mbi krijimtarinë e Ilirian Zhupës
“Gjithë jetën
Si një barrë të rëndë
Qiellin e mbajmë mbi shpinë,
Po nuk e dimë,
Gjersa na rrudh dhe na thinj”.
Kështu shkruan Ilirian Zhupa në poemën “Ati im”. Një filozofi e thjeshtë reflektimi. Një qëndrim i thjeshtë agnostik, që kumton shumë mendime, ndjesi të mjegullta dhe të vetmuara. Ato shërbejnë që lexuesi t’i zhbirojë ato ndjesi në thellësinë e tyre. Ajo që sot quhet personalizëm nuk është aspak një risi. Personalizmi është një filozofi. Personalizmi i kohëve tona i bashkangjitet një tradite, që lindi dhe u kultivua më herët në poezinë shqipe.
Me këtë personalizëm poeti Ilirian Zhupa ndërkalli parime të veçanta në letërsinë shqipe, që në fillimet e tij në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Si rrallëkush në atë kohë i hyri aventurës së një lirie të përgjegjshme, duke e kundruar universin poetik si univers të njeriut. Kjo solli një krijimtari të begatë dhe të përkryer.
“Ç’më thua ashtu me zhurmë, lumi im, ç’më thua ashtu me heshtje,
Me zhurmën tënde tronditëse e të mirë e të ndershme,
Me heshtjen tënde prej loti e prej dhimbjeje e prej vdekjeje?!
(Lumi im)
Duke operuar mbi parime abstrakte të veprimeve konkrete. Kjo fanepsje poetike, si komunikim dhe si pjesëmarrje, shënonte një akt të lartë poetik për kohën dhe një grishje ndaj gjumit të rëndë vegjetativ dhe plot molisje, që kishte kapitur poezinë bashkëkohore. Kur u shfaq poeti I. Zhupa, miqtë e mi Xhevahir Spahiu, Teodor Keko, Perikli Jorgoni, Rinush Idrizi, Anastas Kondo etj, e lexuan atë si një talent të epërm, antikonformist, një talent jo të zakonshëm, që ishte takuar me çastin krijues si një kushtrim personal që lindëte nga jeta e përkorë, në rrafshin e përpjekjes njerëzore.
Poeti Zhupa nuk erdhi në poezi të dashuronte me një dashuri përzgjedhëse, me një rravgim platonik, as të trumbetonte kthimin tek Pakoha. Ai i dha vetes të drejtën për të “mëkatuar”, për të mos pranuar fatin e një poeti socrealist, por të mishëronte poetikisht vlerën shëlbuese të veprës njerëzore, me një përdëllim lirik. Si njeri që vinte nga katakombet e vuajtjeve, ai kishte ndjenjën e dinjitetit të qenies njerëzore, që herë – herë sillte trazim në rendin e patrandur dhe thjeshtonte realitetin e gjallë të njerëzve të përjashtuar nga koha dhe nga vetëvetja. Poezia e tij vinte përmes abstragimit nga një ide, përmes një aftësie të pamasë për të shumëfishuar në mënyrë të papërcaktuar aktet e veçanta të dashurisë së vet. Indi i tij poetik ishte një ndërthurje e shumë pjesëmarrjeve të disa realiteteve të përgjithshme, një tërësi e pandashme, që ngrihej mbi shumësinë dhe hidhte rrënjët te absolutja, duke i dhuruar njeriut liri të ngjashme me të vetën dhe duke ia shpërblyer bujarinë me bujari. Ekzistenca e lirë do të ishte një cilësi që poeti e mbante thellë brenda shpirtit, një shpërthium origjinal, një shpikje e përjetshjme e vetes nga vetja. Liria ishte për të një krijim me peshë universale.
Ajo ishte arsyeja që shpikte motivet, vlerat. Të shpikte veten dhe botën. Dhe poeti shkruante papushim. Frymëzimi transhedent ishte një pështjellim, një mohim i unit të botës së mbyllur. Pa këtë dëshirim do të përhumbte dhe nuk do të shkonte shumë larg, do të binte në nivele modeste.
Por sido që të ishte, nuk mund të maskohej, nuk mund t’u shpëtonte dot dhëmbëve të censurës. Kjo marramendje e thellësive të mëdha ishte në fokus të “patronazhistëve” të letërsisë. Mjaft të përmendim poemën “Lumi im”, këngët e së cilës censura i bëri lëmsh, por nuk ua zbehu dot vlerën dhe tingëllimin.
Poeti ishte thirrur nga rastësia, të ishte i lirë. Si i tillë parapëlqeu ta grishte njeriun, që ta piqte lirisht shoqërinë e traumatizuar të kohës.
Ja cfarë shkruante në poezinë “Manekinët”, vëllimi “Mos më pyet ku kam qenë”, 1988.
“Rrimë në vitrinë…
Na veshin,
Na zhveshin,
Na fshijnë.
Ne presim të qetë dhe heshtim,
Se jemi manekinë.
Vrapojnë në rrugë nga shiu
Këmbë burrash,
Grash
dhe fëmijësh.
Ne s’lagemi kurrë…(Mjerë njeriu,
Që s’njeh qetësi manekinësh!)
Shikojmë andej nga na thonë,
Qëndrojmë ashtu si na vënë,
Buzëqeshim, përherë pozojmë,
Përballë,
profil,
me një këmbë.
Dhe s’nxehem kurrë, s’bërtasim,
Sikur bota të kthehet përmbys,
Mjafton të na veshin e mbathin,
Që ne të pozojmë sërish”.
I. Zhupa sillte në poezi të vërtetën e vet të lidhur me gjithë të tjerët, me një reflektim që nuk ishte vetëm një shikim i brendshëm, i kthyer nga vetja dhe pamjet vetiake, por edhe një qëllim, një projektim i vetes. Vetëdija e tij nuk ishte një dhomëz e izoluar.
***
Poeti është kudo i pranishëm sot, por nuk gjendet askund atje e ku e kërkojnë enklavat letrareske, të dalë nga lëvozhgat ezoterike. Ka preferuar të kthehet në një substancë të fshehtë të sjelljeve tona, duke regjistruar nuancat shpirtërore të kësaj bote.
“Hap sytë dhe përballem me gjërat e thjeshta,
Nga dimri te vera, nga pranvera te vjeshta.
Vetëm katër stinë ku vërtitet gjithë jeta.
Katër cingla ku është ngritur gracka,
Me të fshehta të turbullta e imazhe të pastra,
Brenda thesit të ajërt të horizonteve të kaltra.
Qiell pa fund e pa anë,
Ç’bën vallë mbi ne?
Që natën ndez zjarre
E ditën i fsheh”.
(Natën të shoh, ditën s’të njoh)
Në botimet e tij të rralla shoh se koncepti i tij për metaforën është bërë më universal. Për poetin çdo pasion, që nuk është krijesë apo ëndërrim, është i gabuar.
“Fate të trishtë
…dhe qenia ime as loz, as çmendet…
Kanë ikur shpirtrat,
kanë ngelur sendet…”
(Fate të trishtë)
Poezi e Zhupës, si rezultat i përkorjes, mbetet një poezi elitare postmoderne, plot bukuri e laryshi të pafundme kënaqësish, pa rënë pre e nostalgjisë së shkuar:
“Burri ka dalë nga zjarri, mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret,
dhe është ndjerë i vetëm, në këtë botë të qelqët, duke lënë shenja zjarresh
përqark.
Ato shenja zjarresh, janë bërë qenie të tjera përmes klithmash, misteresh,
dhe lozin me atë që kanë At.
Kështu të stepur nga nata, ndezim zjarrin që zgjohet e zbukurohet te flaka,
e djeg qenien tonë”.
(Burri ka dalë nga zjarri)
Dikur Anastas Kondo e ka quajtur “Dhëndërr të poezisë”, unë do ta quaja “Princ i letrave shqipe”. Uroj që saga e poetëve të tillë të mos mbyllet kurrë”.
Biografia
Lindi në Tepelenë në vitin 1957. Studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe.
Punoi disa vjet minator dhe mësues në vendlindje.
Më pas gazetar në gazetën “Zëri i rinisë” (1985-1988); shef i redaksisë së poezisë, dramës dhe kritikës letrare në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” (1989-1993); bashkëthemelues i gazetës së parë pluraliste “Rilindja Demokratike” (1990-1992); bashkëthemelues i gazetës “Dita Informacion”, 1993; themelues i gazetës “Populli PO” dhe Shtëpisë Botuese “Faik Konica” (1993-1996); Konsull i Përgjithshëm në Janinë (1998-2003); Konsull i Përgjithshëm në Selanik (2003-2006); specialist dhe drejtor i Akademisë Diplomatike dhe Drejtor i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2006-2016).
Krijimtaria
“Diell mbi kasketë”, 1978;
“Poezi”, 1985 – nderuar me Çmimin e Republikës;
“Mos më pyet ku kam qenë”,1988 – vlerësuar si Libri më i Mirë Poetik për të Rinj;
“Pema e ëndrrës”, 1990, Rilindja, Prishtinë – nderuar me çmimin Libri Poetik më i Mirë i Vitit;
“Të gjallë dhe të vdekur”, 2015 – nderuar me çmimin Poeti i Vitit 2015, Fondacioni Harpa;
“Një ambasador në vetë të parë”, 2016, botim monografik.
Në tetor 2016, për kontributin në fushën e letrave, u nderua me çmimin e artë Aleksandri i Madh në Greqi.
Ka botuar shumë shkrime analitike dhe eseistike.
Poezitë e tij janë përkthyer në mjaft gjuhë të botës.