Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Trashëgimia pellazge si themel i kulturës helene


Dodona është një nga vendet më të famshme të lashtësisë, e njohur si orakulli i Zeusit. Shumë studiues e kanë paraqitur si një qendër greke, por ka argumente shumë herë më të fuqishme e që tregojnë se Dodona ishte pellazge. Ky vend i shenjtë ndodhej në Epir,një territor ku ne shqiptarët e shohim veten me të drejtë si pasardhës të tyre. Kjo e bën të pamundur ndarjen e mitologjisë greke nga trashëgimia pellazge dhe ilire. Dodona është një dëshmi mëse e qartë se kultura e lashtë e Ilirikumit ka qenë një themel për formimin e Greqisë klasike. Herodoti thekson se pellazgët ishin një popull i lashtë, autokton në rajonin e Egjeut, që ruante një gjuhë të veçantë, jo greke. Kjo mbështet idenë se Dodona dhe rrënjët e mitologjisë greke lidhen tërësisht me kulturën pellazge.
Mitologjia greke është e pamundur të kuptohet pa u kthyer tek rrënjët pellazge. Gjuha shqipe edhe sot ruan gjurmë të kësaj trashëgimie. Fjala “Zot” është një shembull i qartë. Ajo lidhet drejtpërdrejt me emrin e Zeusit, perëndisë kryesore të pellazgëve. Betimi “për Zotin” që përdoret ende sot nga ne shqiptarët nuk është thjesht një shprehje e zakonshme, por ky betim na lidh shpirterisht me kultin e Zeusit dhe me traditën mijëravjeçare të pellazgëve.
Poezitë homerike janë një tjetër dëshmi. Ato përmbajnë fjalë arkaike që nuk shpjegohen plotësisht në greqishten e mëvonshme, por që disa studiues i kanë krahasuar me shqipen dhe kanë vënë re se marrin kuptim më të qartë. Homeri si poet, tek i cili disa fjalë marrin kuptim më të qartë kur krahasohen me shqipen, është një shembull i lidhjes së hershme mes gjuhës pellazge dhe shqipes. Një studim filologjik serioz do të ndihmonte në kapërcimin e shumë vështirësive të interpretimit dhe do të nxirrte në pah rolin e shqipes në formimin e kulturës helene.
Po ashtu, duhet të themi se folklori shqiptar është një tjetër dëshmi e fuqishme e trashëgimisë pellazge. Figura si dragoi, zanat dhe orët jetojnë ende në kulturën popullore shqiptare. Në Greqi, këto figura janë muzealizuar. Kjo tregon se mitologjia greke nuk është një krijim i izoluar, por gjithsesi një përpunim i një trashëgimie më të gjerë pellazge. Shqiptarët e kanë ruajtur këtë trashëgimi në mënyrë të natyrshme, duke e mbajtur gjallë në folklor dhe në zakonet tona. Straboni pohon se orakulli i Dodonës ishte ndërtuar nga pellazgët dhe se banorët përreth ishin jogrekë, duke e lidhur Dodonën me fiset epiriote të etnisë ilire. Kjo e forcon tezën se Dodona nuk ishte greke, por pellazge.
Ky debat e bën edhe më të thellë identitetin kulturor të shqiptarëve. Të pranohet se mitologjia greke ka rrënjë pellazge do të thotë të pranohet se shqiptarët janë trashëgimtarë të një prej kulturave më të lashta të Evropës. Kjo nuk është një çështje e thjeshtë, por një e drejtë që duhet të rivendoset në vendin e duhur në historinë e qytetërimit shqiptar. Shqiptarët gjithsesi nuk janë një popull i vogël në Ballkan, por pasardhës të një tradite që ka ndikuar fuqishëm në themelet e kulturës europiane.
Dodona, Homeri dhe folklori shqiptar janë tre shtylla që e mbështesin këtë tezë. Dodona si vend i shenjtë pellazg, Homeri si poet tek i cili disa fjalë marrin kuptim më të qartë kur krahasohen me shqipen, dhe folklori shqiptar si trashëgimi tregojnë se mitologjia greke nuk mund të ndahet nga pellazgët. Kjo është mëse e vërtetë, por që duhet rikthyer në qendër të vëmendjes. Studiuesit shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë, duhet patjetër ta marrin përsipër këtë sfidë, sepse ajo mund të ndryshojë mënyrën si e shohim historinë e lashtë.
Kur shqiptarët thërrasin “për Zotin”, ata nuk po bëjnë vetëm një betim të zakonshëm, por po ruajnë me fanatizëm një kujtesë mijëravjeçare, një lidhje të drejtpërdrejtë me Zeusin e Dodonës, me Homerin dhe me themelet e qytetërimit të lashtë. Ky betim është një dëshmi se trashëgimia pellazge jo vetëm që nuk është zhdukur, por jeton ende fuqishëm në gjuhën dhe kulturën e lashtë shqiptare.
Prandaj, ka ardhur koha që kjo e vërtetë jo vetëm të pranohet, por edhe të studiohet me një seriozitet më të madh. Mitologjia greke nuk mund të ndahet nga pellazgët. Homeri nuk mund të kuptohet pa shqipen.
Folklori shqiptar është një pasqyrë e nje trashëgimie të lashtë që ka mbijetuar deri sot. Ky është një fakt i pa kundërshtuëshem për të rivendosur pasardhësit e ilirëve – shqiptarët – në vendin e tyre të merituar në historinë e qytetërimit të lashtë europian.