Ruzhdi Gole: PULS I BLERTË
Cikël poetik
NUHATJE
O pyll…
shpëtofsh
prej njeriut!
O pyll…
ti, ndërkohë
njerëzorin shpëto!…
FLUTURIMI
Më lëvdonin mua…
tani më lëvdojnë kapelen
s’m’i shohin zogjtë që ende
më fluturojnë shpejt nga duart.
E heq kapelen,
e fluturoj në ajër
zogjtë e marrin
për strehë
ditën e diellit e të shiut,
O njerëz,
kokën mos
ma lëvdoni mua
lëvdoni zogjtë që
fluturojnë ende
nga gishtat e njeriut.
FLUTURIM LOTI
Një pëllumb vërtitet
rreth kokës sime
më çukit në kafkë
lehtë m’i puth sytë,
m’i çukit gishtrinjtë
si të kem thërrime
më çukit në puls..
Kraharon
ky pëllumb
hovshëm
me plisin më të blertë,
don t’shkoj atje
ku bota s’ka
thonj,
ku njeri s’e vret.
SHAKA E QETË
Oooo, kam frikë se nuk vdes.
Po nuk vdiqa
ca macezeza
në vesh do më mjaullijnë,
lëkurën e thatë
(dikur membranë rimtë)
do ma vyshkin sëmundjet pabesisht.
Lëkurën e artë të moçmërisë.
Sot, blertë veshur nga kodra…
ndër fjalë përtërihem
nesër pasnesër
s’jam i shtëpisë
ndoshta…
Kam frikë se (nuk) vdes.
PËR T’U SHPLODHUR
Sa herë çel sytë era, era në mjedis
përpara sheh flutura të ndjera
dhe plehëra
kujt t’ia kallzojë me gisht?
Sa herë rrëmbehet shiu
shiu jo aq i pabesë
sheh kishën
prej njeriu
kokën e rrufesë.
Sa herë lëndohen lulet
era qan në mjedis,
begatojmë
pastërtisht nga kryet
dikush, në rrënjë, na bën pis.
BEFTË
Mbrëmë fluturoi
pëllumbi yt i gjelbër…
Njitash, në mëngjes
fluturimi qetoi
habie beftë.
Për krahun e k’putur të zogut
ejani të mbajmë zi,
të thërrasim lulet
bletët haretë,
hareja u përlot
ndjell e ndi
vinte nga një festë…
Tek bleta nektari u ngjeth.
Lulja në shi u mbyt
n’ajri iu këputën
sytë.
Guri që qëlloi zogun
drithmoi u thërrmua,
njeriu që qëlloi zogun
dhe qiellin
s’ka lotë
me heshtjen e tij te fshehtë
mua më kërcënon sot
në mos
është duke më kafshuar…
PËRMENDJE
Drurët roje janë, s’janë roje,
degët dashje padashje
era i merr në duar,
degët përhapën krahët
sa u përmenda shiun
mbrojnë çka
ne duam.
Nuk i fshihet erës asnjëherë
droja, ngrohur më shpejt
nga gjithë ledhatimet,
sa përmenda erën
më shumë nisa
të rroja
shi i ngazëllyer
plot farëra vetëtime…
TEK KULLA ANZHUI
Harlisen gishtat, ledhin mëngjesin
ishullin e ri të së bukurës, harlisin
kodrën me kopshtet frutikulturë.
Mëngjesi në kodër
thith ajër,
ajër,
ajër,
qyteti ynë tëposhtë
majave krenohet
shpesh grabit
nga tanët.
Nën kodrën djeg’ gjysmë
qyteti s’ngopet
me ajër…
Megjithatë, ky mëngjes
ndjehet ishulli i ri i së bukurës,
kodra vë në gjumë farin jo kullën.
RREZMË
Drurët i gjenden
pranë njëri – tjetrit,
në cikmë
afrojnë gishtat
i puqin të ngrohen,
ujërat e tepërta
thithin
në përmbytje,
rrezet
ia shpërndajnë
njëri-tjetrit njësoj
asnjëherë nuk grinden
për foletë e pëllumbave.
SKULPTURË DYRRAHASE
Gishtat ende xixojnë
me hope dhe droje
durim e daltë
rrembat bubullima
korifeu, kori, rojet
mpihen acartë.
Acari i ri rrebeshëm
sosje nuk soset
vrenjtet vrujim,
pendët e territ
shkunden
me hope
teatri vishet me sqimë.
Skulptura
të rënda, të lehta
plot rrokullima në fyt,
qyqe qyqesh
të vërteta
Qyqe, afrohu, m’u hiq sysh!
FALJE
Kjo pëllëmbë
të lëndon
ledhaton…
falja detit,
falja ishullit
plot sy
që vrojton
ta mbaj mbi vetull
të shkund retë
shira shëndeti.
Kjo pëllëmbë
të nxeh ftoh
në palcë…
Jepja gurit,
të thërrmoj
me një popël
peshkun e artë
tjetër fat
dinak truri.
Kjo pëllëmbë
shpërndan
gishtrinjtë
te një hark,
diku tjetër
short,
nëpër pyll harlisen
njëqind sëpata marrëzisht
për drurët e njomësht në gjoks.
Ku i ke sytë, oh, o Njeri
për kurorën flokë Art?
Ti, as veten tënde
më s’e prin
as e mbart.
Jetë, ç’të bëjmë fli, o jetë…?
pyllin që qan, urtinë
më të gjelbërtin
alfabet?