Albspirit

Media/News/Publishing

Dy tregime nga Shpëtim A. Emiri

“MARRËVESHJE” MIRËKUPTIMI ME HAJDUTËT!

Thirrja “Po vjen Don Koradoja” ishte lajmi më i gëzueshëm në zyrat e firmës që po ndërtonte kishën katolike në Fier, në vitin 1992. Punonjësit nxitonin të dilnin tek dritaret që shihnin rrugën. Të vendosura në lartësi, mbi katin përdhes, shijohej më së miri ardhja gazmore e klerikut nga Belgjika, veshur thjesht, pa shenjat dalluese të uniformave fetare me jakën e mbyllur.
Dikujt i pëlqente mënyra e shkujdesur e ecjes, tjetrit stili i tundjes të trastës së rëndomtë, sajuar nga cohë thasësh me thurje shiritash sintetike ngjyrë të bardhë, aq shumë praktike e të lakmuara për psonisje. Thuajse patën rënë në “dashuri” me Don Koradon! Vilsonit, inxhinierit të situacioneve, nuk i hiqej nga mendja fërshëllima e tij në ecjen çakërqejf, duke e përcjellë melodinë me shikimin e përhumbur nëpër horizont.
Ibrahimit, inxhinierit të degës teknike, që komunikonte lirshëm italisht, nuk i mbahej gazi teksa shihte bishtat e qepëve në pranverë apo të preshve në vjeshtë të lodronin, dalë jashtë trastës tundu-shkundu në dorën e belgut. Pas njoftimit “Po vjen Don Koradoja!”, dëgjohej pyetja e ethshme: “Me trastë, apo pa trastë”?! Sepse trasta ishte kryefjala! Për firmën e ndërtimit mjaftonte të vinte trasta, qoftë edhe pa Don Koradon! Sa herë rastiste të ndodheshin në zyrë, u qe bërë refleks drejtuesve të dilnin vetë tek dritarja, ta shikonin me sytë e tyre nëse gjelbëronte apo jo trasta.
Dhe duket paksa e çuditshme…

Keq për qepë në verë e presh në dimër kish mbetur firma?!…

Aaah! Sigurisht që jo! Gjethet e preshve dhe qepëve ishin pjesë e maskimit, njëlloj si gjethurinat mbi veshjet e ushtarëve në front. Brenda trastës, të mbështjella me gazetë të zhubrosur mos më keq, ishin pakot e monedhave në vlerën e situacionit mujor bashkë me dokumentin financiar që do të firmoste Mira, shefja e financës.
Vetë Don Koradoja, prifti katolik diku tek të pesëdhjetat, ishte pjesë e maskimit! Po, po! Në vend që të zgjidhnin një person që nuk binte në sy, e patën caktuar atë qëllimisht si person që tërhiqte vëmendjen. Aq sa mund të duket e habitshme, po aq ishte e mirëmenduar. Me sjelljen e tij gazmore, kurrkujt nuk i shkonte mendja se ai transportonte shuma jo të vogla për ato vite, kur pagesa “kesh” ishte zgjidhja më praktike.
Dhe ia kish arritur t’i shpëtonte syrit të keqbërësve. Ishte pra një tip mjaft i dashur, i afrueshëm, i komunikueshëm, përveçse mjaft i ditur e i kulturuar. Për këto cilësi, jo veç të vegjlit, por edhe të rriturit, prindërit, e donin dhe e respektonin shumë Don Koradon e mirë, që u mësonte fëmijëve, nxënës shkollash, muzikë, këngë, si dhe të luanin në instrumente muzikore si flaut, violinë etj.
Ishte po aq i dashur, në mos më, për ndërtuesit e firmës. Ata “kërcenin”, kur vinte Don Koradoja si bletë e plotë. Për ta ishte gjithherë i dobishëm e ndonjëherë jetik me “bishtaqepët” jeshiluese mbirë në trastë.
Një ditë të bukur maji, plot diell e freski flladi ledhatues, u dallua qysh së largu, sapo u shfaq në krye të rrugës tek nxitonte, veçse i tjetërsuar. Në kontrast të plotë me natyrën, ishte vrenjtur, kokulur dhe asnjë shenjë nga shprehja e zakonshme e tij, madje-madje sikur po turfullonte.
Shqetësimi duhet të ishte shumë i madh, të arrinte ta bënte të fliste me vete!
Të hutuar nga pamja e trishtë e atij njeriu të mirë, nuk patën kohë të jepnin lajmin, para se ai të hynte vrullshëm tek ndërtesa e zyrave. Ngjiti shkallët, trokiti dy herë dhe pa pritur përgjigje hyri në zyrën e drejtuesve e në vend të përshëndetej gëzueshëm, si zakonisht, shpejtoi të qajë hallin që e brengoste.

– Ju lutem shumë, – u tha, – duhet të vini të shikoni apartamentin tonë të banimit!

– Ka rënë zjarr… apo ndonjë çarje tubi uji…?! – pyetën gati në një zë ndërtuesit, që hamendësuan çfarë mund t’i kishte shqetësuar kaq shumë të huajt, banorë në një apartament të katit të parë të pallatit pesëkatësh në lagjen “29 Nëntori”.

– Jo, – u përgjigj ai, – por unë dua nga ju të më shikoni apartamentin brenda!

– Kur?! Ta lëmë punën, të vijmë menjëherë?

– Jo! Faleminderit shumë! Pret puna për pasdite, por ama patjetër!

– Çfarë mund t’u ketë ndodhur? Përse nuk na sqaroi, po na e la mizën në kësulë? – iu mbeti varur enigma, që ishte e rëndësishme sigurisht, por e kushtëzuar të zbulohej kur të shkonin në vendngjarje.
I priste tek hyrja e pallatit. I shoqëroi nëpër shkallë dhe sa hynë në apartament, e mbylli derën me shul, ndofta si forcë zakoni kur qëndronin brenda. Pas korridorit të vogël ndërtuesit u gjendën në ambientin e ditës, që me sa kuptohej, përdorej si klasë mësimi. Po vrojtonin të zbulonin atë çfarë kish ndodhur, por qe e pamundur. Asgjë e veçantë! Orenditë ishin krejtësisht të zakonshme dhe të vjetra, siç mund t’i gjeje në çdo banesë mbas rënies së regjimit, përjashtuar karriget me tepricë, shtatë-tetë copë.
I ftoi të uleshin dhe pasi i hodhi një sy derës së jashtme të sapombyllur nisi rrëfimin.

– Në apartamentin tonë kanë hyrë hajdutë! – e deklaroi si një hata dhe i shikonte ngultas në sy të lexonte tek ata tmerrin që përjetoi vetë në momentin e konstatimit.
Të dy ndërtuesit qëndruan seriozë, por nuk e kënaqën pritshmërinë e klerikut. Dihej, vjedhjet ishin shtuar me rënien e shtetit, por, meqë nuk dalluan dëme, vazhdonin të prisnin çfarë hataje kishin bërë.
Trupi energjik me shtat nën mesatar i Don Korados lëvizte nëpër dhomë dhe dukej se nuk mund të qëndronte në një vend, ecte dhe fliste i tensionuar. Fytyra e bardhë nën flokët biondë ngjyrë të çelët dukej më e zbardhur nga tronditja që pat kaluar dhe vazhdonte ta përjetonte i traumatizuar me shqetësim. Përshkruante veprimet e vjedhësve, hapjen e derës, kontrollin e ushtruar në të gjitha raftet, sirtarët, jorgan, dyshek, dollap rrobash… gjithçka, sikur të kish qenë i pranishëm në aksion. Arsyetonte se kishin qenë dy ose tre vetë.

– Vjedhja ka ndodhur ditën në një kohë shumë të shkurtër. Në apartament nuk ishte brenda asnjeri nga tanët dhe nga fqinjët nuk është ndjerë asnjë zhurmë. Policia erdhi menjëherë pas njoftimit, kontrolloi dhe u mbajt dokumenti i verifikimit. – citonte ato që kishte deklaruar para policëve.

– Çfarë dëmi ekonomik real ju kanë shkaktuar, çfarë konstatoi policia, çfarë u shkrua në dokument?

– Për fat, dëmi real nuk është i madh, një sasi e vogël lekësh dhe disa pajisje, që nuk kanë për t’u hyrë në punë, – e theksoi këtë fakt si një lloj hakmarrje që kish bërë vetë Zoti, të mos e gëzonin hajdutët prenë.
Ndërtuesit e dëgjonin me vëmendje dhe u përmbajtën të qeshin, kur shikonin se tronditja e mikut të tyre belg nuk i përgjigjej aspak dëmit material, thuajse simbolik, aq më tepër se nuk pati përplasje fizike me keqbërësit. Kjo po, që do të kishte qenë me pasoja të rënda!
Megjithatë ata ishin thirrur për ndihmë dhe po mendonin se çfarë masa sigurie shtesë do të kërkohej t´u bënte firma e ndërtimit në këtë apartament.

– Don Korado, ne na vjen shumë keq që ju ka ndodhur juve ky veprim i shëmtuar e i dënueshëm. Ju dhe gjithë grupi juaj bamirësish jeni të huaj, jeni miq këtu dhe kurrsesi nuk duhej të ndodhte. Veç të tjerash dhunimi i banesës tuaj është shkelje e rëndë e normave morale të trashëguara brez pas brezi tek ne shqiptarët. Ne ndihemi si të jemi pjesë e fajit, por duhet t’u themi se fenomene të tilla të vjedhjeve kanë filluar tani, mbas 90-ës, që shteti është i ri, i porsakrijuar, i dobët e me mjaft mungesa. Keqbërësit e shfrytëzojnë këtë situatë. Ju na thoni se si mund t’u ndihmojmë!

– Unë nuk mund të qëndroj më këtu, në këtë apartament. – e preu menjëherë ai. – Më duket se nga momenti në moment mund të më vijnë përsëri vjedhësit. Ju lutem, më ndihmoni të gjej një apartament tjetër me qira. Ju banoni këtu dhe keni njohje të mjaftueshme për të zgjedhur, veç, do t’u lutesha shumë, jo në këtë lagje. Dua të largohem patjetër që këndej dhe sa më larg, – tregohej i paduruar ai.
Apartamenti i tij ishte veshur me hijen e frikës. Ndërtuesit po e përjetonin shqetësimin e mikut të tyre të huaj, që ishte ende nën trysninë e ngjarjes terrorizuese, por ndërkohë ata e dinin se këto veprime ishin sporadike e të paparashikueshme dhe nuk mund të gjendej një zonë e mbrojtur nga ndodhi të tilla.

– E keni gabim zoti Korado! – zë plotë e me ton të ngritur e këshilloi kryeinxhinieri, duke marrë një qëndrim serioz dhe autoritar, për t’iu imponuar atij. – Ju tani nuk duhet të lëvizni as nga shtëpia e as nga lagjja! – i tha prerë duke i ndarë fjalët qartë nga njëra-tjetra.
Don Koradoja kishte ndaluar dhe po e shikonte me vëmendje.

– Hajdutët që veprojnë në këtë lagje e kanë “krehur” mirë apartamentin tuaj. Ata nuk kanë pse vinë dy herë rresht tek i njëjti apartament. Po shkuat në lagjen tjetër do trajtoheni se nuk i keni shlyer “detyrimet” ndaj hajdutëve të asaj lagjeje. Ata nuk kanë dijeni për ç’u ka ndodhur këtu. Për ata do të jeni një klient i ri. Do t’u mirëpresin.
Don Koradoja kishte ngrirë në mes të dhomës. Po dëgjonte me vëmendje. Nuk po kundërshtonte. Pas një çasti, si u përmend, hodhi sytë nëpër dhomë dhe rifilloi lëvizjet që tregonin kundërshtim. Pamja e ambientit të apartamentit i riktheu hijen e frikës. Vazhdonte të tundte kokën mohueshëm. Tronditja që kishte pësuar Don Koradoja nuk mund të kapërcehej thjesht me një këshillë praktike. Po qëndronte i heshtur në mëdyshje. Mbizotëronte ideja për t’u larguar.

– Në qoftë se e keni ndarë mendjen për të lëvizur prej këtu, do të na duhet të gjejmë, përveç apartamentit në një lagje tjetër, edhe një zgjidhje që të parandalohen vjedhjet e mundshme, – e trajtoi si në parim problemin kryeinxhinieri.

– Për shembull? – kërkoi sqarime Don Koradoja.

– Të interesohemi, të gjejmë mënyrën të kontaktojmë me hajdutët e lagjes tonë e t’u marrim një dokument, ku të deklarojnë se apartamenti juaj është “inspektuar” e nuk ka arsye për inspektim të dytë. Ta varim tek dera e jashtme e apartamentit tjetër, që të mund ta lexojnë hajdutët e rinj para se të hyjnë brenda, – po vazhdonte në linjën e vet inxhinieri.
Don Koradoja i mirë buzëqeshi, e kuptoi se brenda shprehjes me humor kishte një të vërtetë të madhe që nuk duhej injoruar…

U qetësua!…

E miratoi e ra dakord të mos lëvizte! U mjaftua me ndërrimin e bravës. Pranoi të keqen më të vogël dhe fati nuk i turpëroi miqtë e tij.
Nuk u përsërit më “krehje” tjetër në atë banesë. Hajdutët që na turpëruan me vjedhjen e parë, na nderuan më pas…
Hajdutë po, por jo budallenj!

MIRËSI E PAÇMUAR ITALIANE


Vitet e para pas ‘90-ës, vitet e humbëtirës, kur nuk dinim ku kishim kokën, na kapën me fëmijët të vegjël. Duhej menduar për të ardhmen e tyre, kur nuk kishim asnjë siguri për të tashmen. Të dhënat fillestare premtuese të sime bije, teksa ndiqte shkollën e muzikës “Andon Xoxa” në Fier, me mësuesen hungareze Marie Rafael, e dhanë shpejt rezultatin.
Si fituese e çmimit të parë në konkursin kombëtar të “CICAL”-it në Durrës, në vitin 1992, në moshën 10 vjeç, e ftuar dha 45 koncerte në Itali në zonën e Brindizit dhe Barit përgjatë një muaji.
Vlerësimet aq të larta për një vogëlushe e bënë me krahë, por në vend të fluturonte u ngul edhe më mbi instrumentin magjepsës. Zbuloi mundësinë e artë për të shtuar një orë studimi në pianon e shkollës. Me pastruesen shkonte që në orën gjashtë të mëngjesit dhe çelësat e shkollës i mbanin herë pastruesja, herë vetë, siç e bënin me llaf kush do shkonte e para.
Na vuri me shpatulla për muri! Duhet t’i siguronim piano në shtëpi! Kjo u bë alarmante pikërisht atë vit, kur rënia e shtetit zgjoi instikte që mendohej se kishin humbur përjetë. Shkatërrimet anë e mbanë vendit, përgjithësisht të orkestruara, nuk mund të linin jashtë vëmendjes xhamat e dritareve nëpër shkolla, “fat” që i takoi dhe klasës me piano, ku mund të luhej vetëm me dorashka! Ndaj vajza nuk harronte të merrte me vete plitkën e kafes të ngrohtë duart në dimër, pa i shkuar dot nëpër mend të na merrte leje, teksa na hiqte mundësinë të pinim kafen e mëngjesit…

Fëmijë pra!
…E mirëprita ftesën për vizitë në Milano nga miqtë e mi, vëllezërit Sal e Lul Vogli të Kavajës dhe shkova, veçse i ngërthyer prej objektivit. Nuk duhet të kthehesha pa zgjidhur problemin e “pianistes”! Pavarësisht drojës, kryefjala – pianoja – ishte refreni i bisedave të mia. Ama gjetja, blerja dhe sidomos transporti i pianos nga Italia në Shqipëri deri në Fier, ku banonim, nuk ishte një fjalë goje!
Madje një pamundësi e garantuar!
Në ato fillime, kur rrinim gojëhapur se çfarë do të na binte nga qielli, përveç “Çekut të bardhë”, trumbetuar se me të do të na “mbyste” Amerika, emri i një italiani të mirë prej zonës së Barit kish nisur të bëhej mjaft i njohur në Fier.
Shpirt njeriu! Të gjente qumësht dallëndysheje e ta sillte nga Italia ku ta doje…

Përshkrimet për mirësitë e tij ishin mbresëlënëse, madje, kaluar gojë më gojë, ku fantazia e secilit linte gjurmë, nuk kish perëndi as t’i ndalonte, madje vështirë dhe t’i besonte!
Ore! Ç’i do llafet?! Një njeri i mirë i ardhur nga perëndimi përbënte kryelajm…
Në zonën e Fierit, buzë lumit Vjosa, ky italian i çuditshëm sapo kishte montuar dhe vënë në shfrytëzim një linjë të fuqishme larjeje e fraksionimi inertesh. Në mirëbesim me porositësin nga Shqipëria ai kishte kryer punën me një minimum pagese dhe priste diferencën të shlyhej në vazhdim, kur të ardhurat do të siguroheshin nga shitja e materialit të larë e të fraksionuar, të prodhuar nga impianti. Pra, kish bërë një lloj kreditimi të investimit, ama thjesht në mirëbesim, pa asnjë lloj garancie ligjore. Kurajë e madhe e tij buzë riskut…
Dukej sikur i kishin bërë magji me cilësitë e tyre vendasit…!
Me pak fjalë, siç i hynë shqiptarët detit më këmbë drejt perëndimit të detyruar prej hallit të madh të mbijetesës, ashtu edhe disa italianë, i hynë detit në drejtim të kundërt me anije, duke shpresuar bashkëpunim serioz me interes të dyanshëm.
…Numrin e telefonit të këtij italianit, Piero Dormit, të siguruar që në Shqipëri, e përdorëm para se të niseshim nga Milanoja për në Bari me tren. Qëllimin e vajtjes sime ia patën bërë të ditur që në Fier dhe kish marrë përsipër zgjidhjen.
Tepër korrekt na mirëpriti në stacion dhe rrugës, pasi na dha drekë në një restorant buzë detit, ku unë nuk kisha mide të shijoja lloj-lloj midhjesh të freskëta, të cilat si aperitiv i hanin të gjalla direkt nga guaskat, na çoi të shikonim linjën e prodhimit të fabrikave të betonit të porositura nga klientët.
Njëherësh kjo do të ishte edhe reklamë për ndërmarrjet e para private të ndërtimit tek ne. Ça të shihje! Në oborrin pjesërisht të mbuluar të një shtëpie private pamë impiantin në proces formimi! Uaaaa!
Të ashtuquajturat “Fabrika betoni” u prodhokëshin kaq lehtë! Mjafton të merrje në tregun e lirë motorët, panelin elektrik, peshoren, rulat, rripin e transportierit dhe sakaq realizohej montimi, lyerja…
Nuk kishte si të mos më bënte përshtypje të thellë kjo!
Aq sa i thjeshtë ishte prodhimi i një fabrike betoni, po aq i pamundur kishte qenë për një shtet të tërë si yni, ndërsa kishim industri mekanike mjaft të zhvilluar, me kapacitete për të prodhuar çudira deri tek koronat speciale të sondave të shpimeve të thella, instrumente matës etj., etj.
Ç’mendjengushtësi absurde e drejtimit, kur mendoje se gjithë kompleksi gjigand industrial i Fierit (TEC 100 MW, TEC 60 MW, tri uzina plehrash azotike dhe URE-je, rafineri nafte) dhe një pjesë e vetë qytetit, plus fabrika e uzina të tjera, komplekse të shumta blegtorale etj. etj., u realizuan përgjatë 30 vitesh në kushte primitive nga një nyje betoni me pesë betoniera të vogla ruse të viteve ’50-të, të kthyera nga kantieri i H/C Bistricës. Dhe me çfarë sakrificash njerëzore e përgjegjësi teknike për cilësinë e betoneve…?!
O Zot!
Më pas, në kërkim të pianos, na gjezdisi me makinën e vet në disa qyteza në rrethinat midis Barit dhe Brindisit, në Fasano, Ostun… ku dëshpërimin se i gjetëm mbyllur dyqan-pavionet e pianove të reja që vetëtinin nga shkëlqimi, e kapërcyem sapo iu lexuam çmimet që “nxinin” sterrë. Edhe po t’i kishim gjetur hapur ato ambiente tregtare, zor se do të hynim brenda tyre!
Ashtu, të pikëlluar, por me të vetmen shpresë përfunduam në Monopoli tek dyqani i veglave muzikore të përdorura. Na u hap syri! Çfarë nuk kishte?! Lloj-lloj të ekspozuara shndritshëm, ku mbizotëronin pianinot, por dhe piano me bisht.
Ja pra, më në fund kisha mundësinë të realizoja ëndrrën. Madje të zgjidhja mes një pafundësie pianosh. Të zgjidhja po, por si ta zgjidhja se?! Të ishte vetëm një piano, do ta kisha shumë të lehtë. Këtë siklet nuk e kisha parashikuar. Nuk e imagjinoja se një dyqan i vetëm mund të kishte një det të tërë pianosh. Krejtësisht i paditur mund t’i çmoja thjesht nga pamja e jashtme, që pak a shumë ishin të ngjashme, ose nga vjetërsia e mobiljes, apo bojëlyerja, shkëlqimi. I vetmi favor lehtësues ishte se përjashtoheshin nga interesi ynë pianot me bisht. Edhe po të kishim liretat e nevojshme, nuk kishim ku ta çonim. Në dhomat e vogla të apartamenteve tona, po të mund të vendosej pianoja me bisht, të zotët e shtëpisë duhet të dilnin jashtë!

– Ja sheshi, ja mejdani! – nuk kishte më vend për naze.
“Zgjidhe pianon e mos e zgjat”! – iu përvesha hutimit.
I kaluam nëpër duar pothuajse që të gjitha, por më kot!
Sekush prej nesh iu ra më qafë tastierave, derisa më në fund qëndrova diku.

E zgjodha! I vura gishtin tregues asaj, tingulli i të cilës m’u dëgjua më i plotë e më i ëmbël. Por jo vetëm, edhe stampa e shndritshme ngjyrë floriri e markës ma mbushi synë. “LONDON”, jo shaka! “E prodhuar në Londër për anglezët, doemos që do na bëjë punë edhe ne, shqipove”! – po ndërmendja. Emri i firmës prodhuese “JOHN BRINSMEAD & SONS” nuk përfaqësonte asgjë për mua. Boll e kisha Londrën! Madje më tepronte!
Pavarësisht të gjithave, vendimtare në përzgjedhje ishte sigurisht çmimi. Shumën e liretave që kisha mundur të siguroja dhe ta ruaja të pacenuar që nga Milanoja nëpër Itali, unë e kisha deklaruar. Tek e fundit unë doja aq mall sa lireta pata. Le ta ndanin pianon përgjysmë, ose tre çerek, si të donin! Unë pa një shenjë pianoje nuk kthehesha në atdhe, sikur qielli me tokën “të vazhdonin të rrinin takuar”, siç kishin ndenjur gjithë jetën! E kisha ndarë mendjen, paçka se orari i kthimit me traget na rrinte gijotinë; të mbërrinim në portin e Barit gjallë-vdekur para orarit, ndryshe na hante dreqi me duar në xhepa nëpër Itali!

– Kjo po! Kjo më pëlqen! – gjithë kurajo iu shpreha pronarit, i cili u shtang për momentin. Çmimi në etiketën mbi piano ia kalonte “thesarit” tim. U syndërsynë pronari me Pieron. Pëshpëritën mes tyre. Ndofta si prindër kujtuan çfarë iu tregova i entuziazmuar për time bijë. Do t’u qe dukur e çuditshme, gati e pamundur, që në atë Shqipëri të varfër, ku gjysma e popullsisë u qe vërsulur kufijve tokësorë e detarë për të ikur nga sytë këmbët, të mund të kishte pasur edhe shkolla muzike, fëmijë të talentuar e prindër të përkushtuar.
Dhe ja tani, befas, përpara tyre qëndronte një asojsh që kërkonte të blinte piano. Ekstremisht e pabesueshme! Ndofta qesharake! Habia nuk iu shqitej nga fytyrat, ndonëse përshtypja e gabuar për shqiptarët e kish filluar shkërmoqjen në Itali, plus komunikimi jonë me italishten e kulluar e me gramatikë perfekte të Lulit, që i la pa mend.

– Ta gëzosh! – tha italiani. – Paguani aq sa keni!
Gjithë qejf kryem veprimet, mora në dorë kopjen e dokumentit e ndërkohë pasiguria që na kish përfshirë si popull e nxori kokën sapo m’u boshatisën xhepat. Mos i humba ato të shkreta kursime?! Pianon e pagova, por si mund ta çoja në Shqipëri? Unë e kisha të pamundur. Kësaj i thonë: “Shkruaje në kartë dhe prite në të ardhtë”!

– Po deri në Shqipëri si…?! – belbëzova dhe fytyra bëri detyrën, të transmetojë pa miratim ndjenjën e frikës që më përfshiu.

– Javën që vjen do ta sjell unë me traget. Në Fier do më shoqërojnë shokët tuaj, ata që më porositën! – tha ai.

– Si do ta transportoni? Në detin me dallgë, a nuk ka rrezik të përmbyset?! – nuk u përmbajta ta shfaq nxitimthi merakun. Isha bërë i tëri “pyetje”, kok’ e këmbë!

– Mos u merr me atë punë! – qeshi dhe kur pa se nuk po çlirohesha, më sqaroi. – Do ta lidh mirë, të mos lëvizë brenda fugonit dhe vetë fugonin do ta fiksoj në dyshemenë e tragetit. Pa merak! Nuk e kam për herë të parë!… Madje, rrezikun më të madh për përmbysje e ka në rrugë, jo në traget! – shtoi buzagaz.
Nuk di në u skuqa prej turpit nga pyetja ime prej fëmije. Sqarimi i tij ishte i panevojshëm për çka duhej ta përfytyroja edhe vetë, falë profesionit.
Iku kjo punë, shkoi kohë, ndofta njëzet vite, deri diku pas 2010-ës, kur thuajse u harrua, teksa rastësisht u përballa me barezin, Saverion, tek zyra imobilare e mikut të tij Lul Vogli në Tiranë. (Lul Vogli, që më ftoi në Milano, prej dy vitesh punonte suksesshëm infermier në spitalin qendror në atë superqytet)
Tiranë. U përshëndetëm hareshëm, u pyetëm si ngaherë dhe nuk m’u durua ta konsumoj miqësisht çka vazhdonte të më brente në kujtesë.

– Më ka mbetur merak, dua të rifalënderoj një italian nga Monopoli. Zemërmirë e dorëmbarë! Nuk di a ia ke dëgjuar kund emrin? Nëse nuk e njihni, mund t’ju jap numrin e tij të telefonit. Piero Dormi quhet.

– Ku e njeh ti Pieron? – kërceu aq i habitur, sa shtangëm.

– Ooh, ku e njoh, thotë ky?! Po, unë jam i bredhur në Itali, – doja t’i mburresha, – e nuk ka pse çuditeni, se unë mund të njoh italianë që nuk i njihni as ju! Italia është aq e
madhe…

– Oh, sigurisht, sigurisht inxhinier, mund të më ndihmoni edhe mua në Itali, sidomos me atë italishten tuaj…! – më qesëndisi hidhur siç e meritoja. Po sa e ëmbël, kurta bën një mik dashamirësisht.

– Më ka bërë një nder të madh ky person, Saverio. Më ka sjellë nga Italia pianon për vajzën time. Me fugon nga Monopoli, me tragetin Brindisi-Vlorë, dhe prej aty në Fier deri tek pallati.

– Inxhinier, po ta takosh, a e njeh Pieron?!

– Ndonëse kanë kaluar shumë, shumë vite, besoj se po! – i thashë me bindjen se atë fytyrë unë e kisha të skalitur, ashtu të qeshur, entuziast, bamirës, punëmbaruar…

– Ja, ku e ke Pieron! – më tregoi shokun ngjitur.
Të them “u befasova” është shumë pak. Nuk gjej fjalë ta përshkruaj. U ngjesha me forcë tek kolltuku, duke ia ngulur shikimin italianit tjetër.

I tronditur po mendoja: “Mos vazhdon të tallet ky dreq?! Do t’i ketë shkuar mbarë biznesi kësaj radhe” – imagjinoja, ndërsa mundohesha të gjeja gjurmë të fytyrës së para dy dekadave përballë meje.

Jo! E pamundur! Kishim gjysmë ore ballë njëri-tjetrit në atë zyrë dhe unë nuk e kisha dalluar dot. Trupi i Piero Dormit po, i pakët, shtat nënmesatar, fytyrëprerë ngjyrë bronzi. Por jo, absolutisht jo, ajo shëmbëlltyrë! Ishte tjetërsuar, prishur, ligur, për më tepër mjaft i mërzitur, i zymtë…
Sa më trishtoi ajo gjendje! Mosha, natyrisht, kishte bërë punën e vet, por jo, jo për pamjen kokëvarur. Sa do të doja ta shikoja të gëzuar!
Piero-ja e dëgjoi emrin e tij, dëgjoi Monopoli, Bridizi, Bari, Vlora, Fieri, por qëndronte indiferent, moskokëçarës, si të mos flitej për të. Pra as ai nuk më njohu.
Sapo ia shpjegoi Saverio-ja, italiani bri tij u ngrit i tjetërsuar, u përqafuam me respekt e me mall dhe pak nga pak u kthye në Pieron që pata njohur unë. U prek, ndryshoi plotësisht, ndofta u mallëngjye…
Harroi ç’e mbante aq të trishtuar. Veçse nuk i kujtohej fare ajo që unë e ruaja si ngjarje jete. Piano, piano…! Po si dreqin nuk i përfytyrohesha as si pamje?! Si nëpër mjegull po mundohej ta risillte ndërmend, ama i habitur nga mirënjohja ime e beftë…
Më kishte bërë një nder të madh, pavarësisht se për atë ishte një punë rutinë, teksa me fugonin, qoftë edhe bosh, ai vente-vinte shpesh në linjën Itali-Shqipëri.
Eeeh! Po kushedi sa ndere të ngjashme kishte bërë ai tip bamirësi…?!
Çfarë rastësie e çuditshme për Pieron! Ndërsa nuk po merrte hakën e punëve të kryera në Shqipëri, po vlerësohej për një punë që nuk ishte i sigurt në e kishte bërë vërtet…
Në pamundësi të shprehesha lirshëm në gjuhën e tyre, nxitova t’i ftoj për drekë:

– Çohuni, do shkojmë siç jemi së bashku për drekë! – e teksa lexohej mospranimi i ftesës iu sula: – Jo, mos e diskutoni, nuk ka naze, as justifikime! Tani!

– Inxhinier, jo! E kemi të pamundur! Faleminderit shumë! – dhe me dorën ngritur lart, për të dhënë sinjalin “Ndal”, tundte biletat e avionit. – Tani po nisemi për në Rinas.
Atëherë, për kënaqësi, në ato pak minuta para përcjelljes, u tregova vazhdimin e peripecive të pianos. Nuk ishte asgjë transporti i pianos nga Italia në Shqipëri sa ç’ishte peripecia me rreziqe e ngjitjes së saj nga oborri i pallatit në lartësi nëpër shkallët e banesës. Pesha e pianos tonë ishte afër 400 kilogramë!
Tek pallati në Tiranë, ku u vendosëm përfundimisht, u desh të ngjitej në katin e shtatë. Na ka shpëtuar Zoti nga ndonjë aksident! Unë fatmirësisht nuk e përjetova vetë atë torturën e ngjitjes nëpër shkallë. Kur u ktheva nga kantieri i ndërtimit të objektit “Dogana në Qafë Thanë” e gjeta të vendosur aty ku e kishim planifikuar brenda apartamentit.
Time shoqe dhe vajzën i gjeta të ngazëllyera sa s’ka, por nuk iu dilte nga mendja këshilla e Sazanit, përgjegjësit të grupit të gjashtë montatorëve: “Kur ta martoni çupën, mos bëni gabim, t’ia jepni pajë pianon! Ne, jo! Nuk e marrim më përsipër lëvizjen e saj! Por askujt tjetër mos ia kërkoni! Mund të vriten”.
Qeshën italianët me detajet e jetës sonë ende primitive, të cilat ne i tregonim sinqerisht, si t’i takonin epokës së kaluar, ndonëse kishin kaluar vetëm dy dekada.
Vite më vonë, kur vajza vazhdoi studimet në Budapest, do të shikonim se transporti, lëvizja e pianove, ishte specialitet i veçantë. Jo vetëm grupi i transportuesve mjaft të fuqishëm, por edhe mënyra e kapjes me rripa specialë, të lidhur fort krahë-qafë, rrethuar në mesin e secilit, si dhe pikat ku kapej pianoja, ishin një teknologji më vete!
Mbërriti makina që do t’i çonte në Rinas. U ndamë miqësisht me urimin të uleshim së bashku, kur të vinin herën tjetër. Piero-ja bënte çmos të sillej gëzueshëm. E ndoqa me sy largimin e veturës, por ishte e pamundur të largoja nga mendja gjendjen e rënduar shpirtërore të italianit. Përse të ikte aq i mërzitur nga Shqipëria?!
U interesova. Mirësia e tij e rrallë ra viktimë e mosmirënjohjes. Ndihej i prerë në besë nga ca vendas me të cilët bashkëpunoi. Ndofta dhe na urrente! Unë e vuajta, madje si shqiptar po ndihesha pjesë e fajit. Përveç mosmirënjohjes, aq të shëmtuar, atij i qe shkaktuar dëm ekonomik. Kësaj i thonë: “Bëj nder, të pësosh qeder”! Nuk duhej të ndodhte kurrsesi! Dhe mund të mos ndodhte, mjafton të mos kishte lëshuar pa duar mirësinë ai vetë.
Mirësi pa kufij mund të bëjë vetëm Zoti, nëse ekziston…!