Albspirit

Media/News/Publishing

Polifonia shqiptare përmes studimeve shkencore dhe shtrembërimi i të vërtetës për të…

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Në studimet, hulumtimet, referencat shkencore dhe ato të burimeve etnologjike shqiptare ka mjaftueshëm kontribute të vendit dhe të huaja për të vërtetuar origjinalitetin dhe autenticitetin e dy fondamenteve më të rëndësishme të Veriut dhe Jugut, homofoninë dhe polifoninë, si krijime origjinale shqiptare dhe që vijnë që nga kohët e hershme deri në ditët tona. Polifonia, për të cilën po flasim në këtë rast, është një nga dëshmitë më të hershme dhe më aktive që Jugu i Shqipërisë në një shtrirje të madhe, ka pasur dhe vazhdon ta ketë dhe në ditët tona.

Polifonia, ka një burim të hershëm, ka një lidhje bashkëjetese me shpirtin e një popullsie autoktone dhe e dëshmuar me një traditë të mrekullueshme që herët me këngët, vallet, ritet, zakonet, të drejtën zakonore dhe një lidhje të fortë me burimin e saj, i cili nuk ka ndryshuar kurrë. Nëse në Labëri ka ngjarje, luftëra, njerëz të historive të ndryshme, marrëdhënie që kanë referuar kohët nëpër të cilat ajo ka kaluar, e vetmja gjë që ka vijuar udhëtimin e saj, duke krijuar një komunikim jashtëzakonisht të rëndësishëm nga koha në kohë ka qenë polifonia.

Polifonia në njëfarë kuptimi ka qenë dhe mbetet një libër ku janë përfshirë dhe “shënuar” njerëz dhe luftëra, vdekje dhe lindje, dasma dhe trimërira, kaçakëri dhe mjedise baritore, natyrë dhe marrëdhënie mes njerëzve, por ajo që nuk ka ndryshuar kurrë është thelbi i saj, ajo ka shërbyer si një mjet i rëndësishëm i komunikimit mes njerëzve dhe kohëve dhe pse në të gjendet ndonjë ndjesi qiellore apo të një natyre tjetër, siç ndodh dhe në kohët moderne, ku shpjegimi i botës, shpirtit dhe materies është i njohur mirë.

Polifonia siç kuptohet është një krijim njerëzor, është një sjellje në një moment të caktuar shoqëror me natyrën dhe njeriun, dhe për ta kuptuar thelbin e saj, atë duhet ta kërkosh në zbulesën historike të marrëdhënieve shpirtërore të njeriut dhe në asnjë sajesë tjetër jashtë kësaj praktike njerëzore. Duke parë dhe vëzhguar në trashëgiminë më të hershme të saj, këngë që në shumë raste kanë mbetur vetëm në “fosilitetin” e tyre, prania e një mbetjeje paganizmi, lidhet kryesisht me natyrën njerëzore të saj, pa u marrë me mjetet artistike dhe estetikën, e cila në mjaft raste është një petk i veshur i saj. Thelbi i polifonisë në aktin e parë të krijimit të saj është realiteti praktik-shpirtëror i njeriut- lab.

Në pjesën më të njohur, po të shohësh arkivin e saj, ajo ka ndjekur fatin njerëzor, aty ku ka lindur dhe ka jetuar dhe jeton ende. E ashpër, e padhënshme, e virgjër, e sertë, sa primitive po kaq sociale dhe bashkëkohore, si ajo “lulja mos më prek”, polifonia e Labërisë, mbetet një krijesë, fuqia e së cilës ngjizet tek origjina e saj, tek primitiviteti dhe burimi njerëzor i saj, ndryshe atë e përdhos, i humb identitetin dhe arsyen e mbijetesës. Çështja e origjinës dhe origjinalitetit të polifonisë ka qenë objekt i rëndësishëm më herët sesa janë shfaqur dhe janë marrë gjurmime e studime të thella brenda dhe jashtë vendit, madje dhe në mënyrën dhe formën e saj si iso- polifoni nga UNESKO, një gabim i rëndë nëse polifonia kërkohet të identifikohet me iso- polifoninë greke dhe kjo e fundit të përfaqësojë polifoninë e Jugut.

Kushdo që ndërmerr iniciativa të tillë duhet të jetë ose një injorant në fushën e etnologjisë dhe folklorit, ose përçon politika të errëta, që janë të njohura dhe në fushën e folklorit dhe të etnokulturës me Shqipërinë dhe shqiptarët. Më së pari, polifonia e Jugut nuk ka dalë nga meditimet apo raportet mitologjike që mëtojnë se ajo është raporti me perënditë greke, por është një marrëdhënie e hershme e njeriut (ndoshta njeriut të mendimit parak) me natyrën, dhe kjo është kaq e vërtetë, pse ajo ka një lidhje të çuditshme me shiun. Kemi dëgjuar shpesh, se polifonia sjell shi, por pa e kuptuar thelbin dhe marrëdhënien që polifonia si burim i hershëm ka me shiun. Në këtë rast, kemi të bëjmë praktikisht me një ndërmjetësim të njeriut me natyrën, dhe kjo thuhet qartësisht në pjesën më të rëndësishme të studimeve shkencore dhe praktike të polifonisë, duke hequr çdo kontakt që buron nga mitologjizmi i sirenave greke.

Polifonia labe, mbart në ekzekutimin e saj një përvojë kolektive, ku çdo zë i saj (d.m.th. shumëzërëshi, si thuhet ndryshe) mbart një shprehje të caktuar, pra nuk është i rastësishëm, është një zë më vete, dhe pse është pjesë e harmonisë që kërkon kënga polifonike. Në praktikën e vet, polifonia është plotësuar nëpër kohë dhe përftimin që ajo ka marrë, nga dy zësh-i te shumë- zëshi. Një shenjë emërtore e polifonisë labe buron nga vetë emërtesa që ajo ka marrë nga vendi ku ka lindur dhe ekzekutohet, duke ndihmuar mjaft mirë studimet dhe interpretimet akademike si polifoni labe dhe duke rrëzuar me një thjeshtësi të habitshme emërtesat e tillë si iso- polifoni greke, ajo në Labëri quhet “labçe vençe”. Mjafton ky term, kjo emërtesë, e cila buron nga burimi i saj, pasi një lab kurrë nuk do të pranonte që kënga e tij të quhej iso- polifoni (greke), ndryshe ai nuk do të këndonte kurrë nën këtë emërtesë. “labçe- vënçe” mbart në vetvete të gjithë atë që thotë në të gjithë tematikën e gjerë polifonia labe. Kjo emërtesë popullore, e tabanit popullor, ata që e krijojnë dhe ata që e dëgjojnë, pasi kënga labe në të shumtën e herës krijohet në çast dhe përbën bazën identitare dhe origjinën e saj.

Një nga “gjetjet” në shtrembërimin e trashëgimisë së polifonisë si iso- polifoni është ajo që lidhet me muzikën e saj, duke e “virtualizuar” atë me muzikën e iso- polifonisë greke, por me thjeshtësinë më të madhe (sipas asaj që shënon dhe Huffmani, 1993), polifonia labe në këtë anë bazike të saj, ngjan mjaft mirë me modelin natyror, intuitiv, duke krijuar dhe një bazë të qëndrueshme zëri (Tirta.M.2004), me ç’rast iso përmes zanoritetit që ajo ka zakonisht merr funksionet e saj. Isu-a (dhe jo iso-ja) është si një pantonimë horizontale, e cila i bën më të dukshëm dhe më të dallueshëm zërat pjesëmarrës në një harmoni të kësaj natyre, ku natyrisht janë imitime të natyrës, që nga gurgullimat, oshëtimat, natyra, fishkëllima e erës, zërat e thellë, shpellat etj.

Termi apo emërtesa “labçe – vençe” lidhet mjaft mirë me temperamentin e njeriut- lab, çfarë do të thotë se ai e jeton këngën që këndohet, duke krijuar një zonë të epërme energjie kur kënga arrin pikën e saj më të lartë, ndryshe çdo lloj polifonie tjetër që ekzekutohet në Ballkan apo dhe në Evropë. Një element tjetër, një praktikë me traditën e origjinës së saj, është se kënga polifonike lind në praktikën e përditshme njerëzore, në jetën blegtorale a zakonore, gjatë punës apo veprimtarisë njerëzore, pra është pjesë e një sinkretizmi të lashtë, prandaj shprehja e studiuesve të saj, se: “Polifonia mësohet dhe këndohet duke qenë pjesë e ekzekutimit të saj, ajo ndjehet dhe nuk mësohet me shkrim!”, përbën një nga arsyet që nuk ngjan dhe as është një iso- polifoni greke, por një polifoni Labërie.

Le t’iu kthehemi argumenteve shkencorë për polifoninë labe, identitetin dhe origjinën dhe ruajtjen e një identiteti të tillë, pavarësisht ndikimet dhe ngjashmëritë që kanë dhe në popujt e tjerë. Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike e vitit 1962, e cila ishte thirrur nën temën “Polifonia jonë popullore” shënon një ngjarje akademike, shkencore, studimore, hulumtuese dhe nën një këndvështrim të gjerë, me ç’rast dijes shqiptare për këtë trashëgimi të lashtë, i jepej një argument i ezauruar plotësisht nga pikëpamja e lashtësisë, origjinalitetit, koncepteve muzikore dhe gjendjen e saj.

Në botimin me natyrë të plotë shkencore “Çështje teorike të estetikës dhe kulturës” (Tiranë, 1986, f. 274) të akademikut Alfred Uçi, ndër të tjera shkruhet: “Ndikimin e veçantë etnik muzika polifonike dhe homofonike e ushtrojnë edhe në popuj të tjerë, por muzika jonë polifonike e homofonike është origjinale, ajo me specifikën intonative, melo- ritmike, modale- harmonike etj., shpreh veçoritë e mendimit, të ndjesisë estetike shqiptare, të historisë, të psikologjisë, të jetës e të traditave artistike të bashkësisë sonë etno- kombëtare”. Është krejtësisht e qartë dhe me një aktualitet të parashikuar atë që argumenton studiuesi i njohur i estetikës dhe kulturës popullore shqiptare, çfarë nënkupton përvojën e marrëdhënies që popujt për aspekte të veçanta, veçmas të kulturës shpirtërore, por pa prekur thelbin e tyre dhe identitetin. Polifonia shqiptare në këtë këndvështrim ka identitetin e saj, të lindjes dhe atë që mbart dhe sot e kësaj dite.

Dija e kulturës popullore shqiptare është marrë me një çështje të tillë, duke botuar në periodikët e saj studime të studiuesve të fushës, veçmas të polifonisë dhe homofonisë, specifikisht të folklorit muzikor. Në botimin “Folklori muzikor shqiptar” (Tiranë, 1965, f. 124) shkruhet qartësisht: “Muzika jonë popullore nga pikëpamja melo- harmonike ndahet në dy dialekte kryesore: Homofoni në Veri dhe Polifoni në Shqipërinë e Jugut.”, një koncept dhe përfundim shkencor që është konfirmuar dhe mbështetur pa ekuivokë dhe në Konferencën e Parë të Studimeve Folklorike (1972), në Konferencën e Studimeve Kombëtare të Etnografisë (1976), duke e konsideruar shkencërisht në institucionet shkencore një çështje të ezauruar.

Në rrjedhat e debatit, ku kurrë nuk ka munguar një shovinizëm i hershëm dhe i glorifikuar në rangje akademike në ditët tona, kryesisht në fushën e muzikës dhe polifonisë, për ta zyrtarizuar atë në rang ndërkombëtar në institucionet e pasurisë botërore si iso- polifoni, si një kulturë greke e adaptuar nga shqiptarët, babëzia e qarqeve të caktuara greke arriti që polifoninë e Labërisë, duke ia propozuar UNESKOS si pasuri botërore ta regjistrojë si iso- polifoni, d.m.th një pasuri muzikore greke e ardhur në Shqipëri.

Në mbrojtje të polifonisë së Jugut është vënë e gjithë dija shkencore muzikore shqiptare, dhe pjesa akademike intelektuale, duke iu drejtuar institucioneve të kulturës dhe diplomacisë, madje dhe UNESKOS për një korrigjim të nevojshëm në vlerësimin e Polifonisë si Iso- polifoni, të propozuar nga akademiku i fushës së muzikës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Vaso Tole. Në fakt, ky është një gabim i rëndë, për shkakun e thjeshtë, në pjesën shkresore që i drejtohet UNESKOs ka gabime, manipulime, shtrembërime dhe motivim (argument) të gabuar mbi polifoninë, duke e paraqitur si iso- polifoni.

Studiuesi Fitim Çaushi, si dhe mjaft studiues, etnologë, folkloristë e muzikologë të tjerë i janë drejtuar gjykatës për të nxjerrë të vërtetën në dritë. Në argumentin për një çështje të tillë, studiuesit e njohur kanë sjellë në vëmendje opinionin shkencor të Konferencës së Parë të Studimeve Albanologjike “Polifonia jonë popullore” (1962),; Konferencën e Parë të Studimeve folklorike (1972); opinionin shkencor të muzikologut të shquar Ramadan Sokoli, i cili mendoj se duhet shënuar në këtë opinion për një çështje të tillë: “Meqenëse në muzikologji, mbizotëron mendimi se grekët dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngën polifonike, është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës ballkanike është me prejardhje të lashtë dhe ka mbijetuar deri në kohën tonë, apo kemi të bëjmë me diçka të ardhur nga vendet e largëta? (Romë, mars 2004); Piro Misha, Artisti i Merituar Limoz Dizdari, i cili shënon: “Si misionar Xhevdet Avdalli është përfaqësues i këngës polifonike gjirokastrite”; prof. dr. Aleksandër Peçi; prof. Sokol Shuko; Zhani Ciko (Mjeshtër i Madh), i cili ndër të tëra shënon: “Në vitin 1999, një grup i televizionit francez erdhi në Tiranë të shikonin muzikën shqiptare pas atyre që ndodhën në vitet 1997-’98. ata donin të shkonin në Vlorë të takonin grupet polifonike. Kisha besim që Polifonia nuk mund të humbiste në Vlorë, as në konfliktet më të mëdha…”.

Mbrojtjen e polifonisë shqiptare nga denigrimet e pohojnë edhe studiues të tjerë të fushës së kulturës e dijes siç është “Promemoria” në sesionin shkencor, organizuar në Festivalin Polifonik të Bylisit (2013) nga rreth 40 profesorë, doktorë, Mjeshtër të Mëdhenj, studiues dhe historianë të fushës. Në mbrojtjen e Polifonisë së jugut është vënë një numër i madh kontribuesish të dijes, duke afruar për institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare një dëshmi të rëndësishme mbi origjinën dhe identitetin e Polifonisë si Polifoni dhe jo si iso- polifoni. Iso- polifonia mund të jetë greke por jo shqiptare. Në këto rrethana, iniciativa dhe gënjeshtra, manipulimi dhe përdorimi dhe i disa institucioneve përgjegjëse shqiptare të dijes dhe të shtetit, që kanë mundësuar që një dosje e tillë e manipuluar dhe me të pavërteta shkencore t’i vendoset në tavolinë, madje të miratohet nga UNESKO, e kapërcen çështjen kulturologjike të trashëgimisë, ajo mban erë të vjetër nacional- shovinizmi kulturor.

Në këtë opinion jam i prirur të merrem me çështjen madhore të fenomenit dhe tendencës për t’i hequr kulturës dhe trashëgimisë shqiptare një fondament të përjetshëm dhe jetik të identitetit kulturor. Mendoni të përpiqesh t’i zerosh shqyrtesën shkencore dhe hulumtuese akademikut të njohur Alfred Uçi këtë zbulesë, e cila ka një vizion universal të dijes folklorike: “Në komunën primitive folklori dhe mitologjia ngërtheheshin në mënyrë të pandarë. në këtë shoqëri mitologjia përbënte bërthamën e jetës shoqërore. Ndërsa mitologjinë e lindën kërkesat e komunës primitive, vlerat folklorike në shoqërinë e me klasa, ishin përmbushje e kërkesave të reja, për art për krijimtari artistike kolektive.” (A. Uçi, “Mitologjia, folklori, letërsia”, Tiranë 1982, f. 166-167), ndërsa këtë koncept e gjerëson kur shpjegon lindjen e krijimtarisë folklorike, ku shënon: “Përgatitja e bashkësisë për punë e gjueti, festat pranverore të ringjalljes së natyrës lindën nevojën për këngë e këngëtarë, për valle e valltarë dhe aktorë, që shprehin gëzimet dhe hidhërimet e fisit, që i frymëzonin për vepra të dobishme…” (Po aty, f. 166), një kontekst i rëndësishëm që lidhet dhe me lindjen dhe natyrën që mbart në thelbin e vet polifonia labe.

Muzikologu i shquar Ramadan Sokoli, ashtu si dhe studiuesi Piro Misha kanë thënë shumë gjerësisht atë që nënkupton polifonia, të cilën e emërtojnë “Polifonia jonë popullore”, emërtesa popullore nënkupton atë që ajo është në të vërtetë. Këtë gjurmim të thellë e kanë realizuar edhe studiuesit tanë të shquar Beniamin Kruta e Spiro Shituni, në botimet e tyre monografike: “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë së Jugore”, apo “Polifonia labe”.

Shfaqja e akademikut Vaso Tole është një incident i rëndë në zonën më të thellë dhe më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar, i cili me këtë rast ka arritur të përdorë institucionet shtetërore dhe atë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, çfarë nënkupton mos-koherencën e Ministrisë së Kulturës, mos-koherencën e Akademisë së Shkencave, mos-koherencën e zyrës përgjegjëse në marrëdhënie me institucionet ndërkombëtare të kulturës në Ministrinë e Jashtme, po ashtu dhe të grupit të punës që ka hartuar dosjen për në UNESKO, duke i shkaktuar kulturës sonë kombëtare një dëm të madh lidhur me identitetin e Polifonisë së Jugut.

Lidhur me këtë situatë, e cila nuk duhet nënvlerësuar, shtrembërimi dhe keq- interpretimi që i është bërë polifonisë së Jugut, jo vetëm akademikun Vaso Tole, por gjithë bashkëpunëtorët: e tij janë vënë përballë opinionit shkencor të një gjerdani të artë të dijes shkencore si Beniamin Kruta, Alfred Uçi, Ramadan Sokoli, studiuesit e huaj si Kaufman dhe Tardo, Spiro Shituni, Zhani Ciko, studiuesit: Lefter Çipa, Haxhi Dalipi, Zeno Jahaj, Fitim Çaushi, Naxhi Kasoruho, një armate të këngës polifonike dhe disa konferencave shkencore, të cilat i cekëm në këtë opinion. Përfundimisht, një gjë është e vërtetë, polifonia nuk ka lidhje fare me koralet kishtare, siç përpiqet ta përqasë Vaso Tole, siç ndodh me tekstet liturgjike, ajo mbart marrëdhënien e njeriut me natyrën, qoftë dhe kur shfaqet një raport me Zotin apo Perëndinë, që siç duket është një lidhje që ai ka përmes këngës polifonike siç ndodh me shumë këngë popullore në përgjithësi.

Tiranë- Vlorë, mars 2026.