Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Armenida Qyqja

Prana e ditëve të mia

Me pranën e dashurisë rroj,
Ushqim dhe ilaç!
O Zot sa i thyeshëm
U bëka njeriu gjatë rrugës,
Sa shumë e vriska dhe heshtja!

Imuniteti qenka veç një gënjeshtër
Që i themi me vendosmëri vetes çdo ditë,
Teksa fashojmë plagët
Dhe pikturojmë buzëqeshjet…

Ç’do të bëja pa pranën tënde?-
Pyet gjaku ende i dashuruar
Kaq fort me jetën…

Prill 2026.

Kurorë e vyshkur

Ishte kohë pafajsie atëherë
Kur në një shtrat luledelesh shtrihesha,
Teksa nëna më thurrte me to një kurorë…

Lëndinë e bardhë drite
Dhe unë bijë e saj me sytë plot ëndrra,
Princeshë ilire…

Nën betonin e ftohtë u tkurr lëndina,
Vitet mërguan larg e më larg,
Ëndrrat s’janë më të virgjëra…

Ndiej se kam ngecur diku
Në kapërcimin e dhimbshëm të pragut…
Kurora mu vyshk në krye,
A mos qenka jeta veç pritje?

Prill 2026.

Kohë e mbrapshtë…

Mes dy vetullave
Koha shkruan e shkruan
Me lapsin e saj të vrazhdë
Memuaret e saja,
Gjëra për të cilat t’i s’do të flasësh…

Nuk flasim,
Nuk kemi nevojë të flasim,
Buzët e mia dinë t’i lexojnë
Hieroglifet e dhimbjeve…

Kohë e mbrapshtë
Dhe lëkura e shpirtit tënd kaq e butë
Për majën e saj të plumbtë…

Prill 2025.

O bir Amant!

U rrit Zeusi dhe e mposhti babanë tiran,
Zeusi që me qumështin e Amalteas u ngi,
Bririn e bollëkut në shenjë mirënjohje i dha,
Begatinë për Amantët anembanë…

Ç’e bëre bririn në shekuj o Amant,
Pse t’u harrua emri pak nga pak në histori,
Pse udhët e botës ke marrë sot
Me torbën bosh, plot lot dëshpërimi?

Nën këmbët e tua i ke tërë thesaret
Dhe bririn, aty nën rrënjë lisash pleksur,
Bekimin kërko nga të parët, megjithë zemër,
Krenar të ecësh në gjurmët e tyre!

Mars 2026.

Vulëhumburit e shekullit njëzet e një

Dheu im, do të doja kaq fort të besoja
Në disa gënjeshtra të bukura,
Le të ishin vetëm përralla, sajesa,
Të paktën të mund t’i besoja në budallëkun tim!

Sikur, përshembull, e keqja të ishte një bar i egër
Që mund të shkulej nga trupi yt
Të lulëzonte prapë toka,
Të të ktheheshin prapë gjëja e gjallë
Që ne shfarosëm të babëzitur,
Të të ktheheshin zogjtë që trembem
Me plumbat me të cilët njëri-tjetrin vramë!

Dhe ne su kthefshim më ne
Vulëhumburit e shekullit njëzet e një,
Të paktën zogjtë të të ktheheshin!

Do të doja të besoja,
Por janë mbaruar tashmë dhe gënjeshtrat
Tani jemi ne fazën e snobizmit dhe qeverisjes me dhunë…
Perdet e grisura kanë rënë përtokë
E as kush nuk çan kokë,
Në parlament nuk luhet më as teatër…

Prill 2026.

Aq shumë!

Në koridoret e kujtesës kundërmojnë
Parfumi yt dhe dëshirat e mia,
Që bëjnë sikur u binden frerëve,
Tek flirtojnë me gjendjen statike të ajrit,
Elektrizimin e pashmangshëm të trupave…

Kujtesa, kujtesa luan me ndjenjën
Dhe e kalon në nivelin e dytë lojën,
Duke zgjuar frymëmarrjen e rënduar,
Urinë e fshehur nën lëkurë…

Pré e saj, kam rënë tashmë,
Dhe ajo s’ka më nevojë,
Më lart se kaq ta ngrejë lojën…
Më mungon shumë, aq shumë,
Sa s’dua t’i thërras më botës racionale…

Prill 2024.