Çamëria, meraku i madh i vëllezërve Frashëri
“E kush e bëri Morenë (Greqinë)?! Gjithë shqiptarë qenë! S’ish’ shqiptar Marko Suli? (Marko Boçari), Xhavela e Mjauli?! Shqiptar, bir shqiptari!, me armët e Shqipnis, iu hodh themeli Greqis‘” – Naim Frashëri *
15 vitet e Naim Frashërit në Çamëri
Naim Frashëri kaloi mbi 15 vjet në Çamëri si student në Janinë, si drejtor i doganës në Sarandë, dy vjet për klimë në fshatrat e Çamërisë dhe disa vjet në kryeqendrën e vilajetit tonë të jugut, në Janinë. Çamët dhe Çamëria kishin hyrë thellë në shpirtin e Naimit, ishin pikë e dobët e tij. Naimi e dinte me themel nëndialektin e Çamërisë.
Tek “Bagëti e Bujqësi”, kur i drejtohet dallëndyshës: “Eni vjen prej Çamërie …me milëra fjalë e me gluhë perëndie” ai vetëm sa çel siparin. Për gati dy dekada ai i ra kryq e tërthor Çamërisë dhe ky është nëndialekti që dëshmon, më shumë se çdo gjë tjetër, lashtësinë e gjuhës shqipe e sa kishte hyrë thellë tek Naimi.
Për llogari të albanologut francez Ogyst Dozon, Naimi do të mbledhë fjalë të urta përfshi dhe proverba çame. Naimi do të punonte sheshit e me dëshirë të zjarrtë nga Janina, kryeqendra e Vilajetit të Jugut në dobi të çështjes shqiptare, të pavarësisë. Këtë na bëjnë me dije konsujt e huaj të akredituar aty. Naimi do të ketë si mësues në Stamboll bashkë me të vëllanë, Samiun, çamin Hoxha Tahsin, rilindësin tonë të njohur. Në Stamboll ai do të ishte në kontakt me mikun tjetër të Frashërllinjve dhe të Hasan Tahsinit e Abedin Dinon, Ismail Qemal, beun vlonjat.
Shtatë vitet e Sami Frashërit në Janinë për të mbrojtur Çamërinë
Sami Frashëri, vëllai i Naimit do të kalonte 6-7 vjet në Janinë dhe në kohën, kur ndodhi agresioni për marrjen e Çamërisë me zbarkimin në fshatin Lëkurës të Sarandës në fillim të vitit 1878 Samiu u ndodh në krah të Abedin Dinos dhe bashkë me Hoxha Tahsinin e të tjerë i bënë ballë ndërhyrjes greke. Sami Frashëri përreth një vit qe sekretar i Komisionit të Rekrutimit pranë Abedin Dinos. Është po ky Sami që në Enciklopedinë e vet gjashtë vëllimëshe flet gjerë e gjatë për çamët e Çamërinë, për Thesprotinë e lashtë, për Epirin, për suljotët, për Vilajetin e Janinës, duke na dhënë një informacion të begatë për vendet e personalitetet e trevës tonë më jugore.
Në zërin për shqiptarët në enciklopedi, ai përmend dy dijetarë, një çam, Hoxha Tahsinin dhe një kosovar, Ali Efendi Jakova si më përfaqësuesit e shqiptarëve.
Ta nuhaste tragjedinë që do të ndodhte më vonë…krahinave? Të jetë kjo thjesht një rastësi? Zaten kurbani i krahinave shqiptare kish filluar që në të gjallët e tyre: Sanxhaku i Nishit si pjesë e Vilajetit të Kosovës dhe Sanxhaku i Thesalisë, bashkë me qytetin e Artës, u morën me dhunë e me diplomaci nga fqinjët grabitqarë të veriut e jugut. Samiu me Naimin qenë nxënës të Hoxha Tahsinit dhe miq të ngushtë me Abedin Dinon dhe Ismail Qemalin. Faktet që i provojnë këto janë të panumërta dhe njeriu s’di ç’do verë më parë në një kumtesë si kjo.
Abdyl Frashëri, si e çoi Çështjen Çame në kancelaritë e perenedimit
Abdyl Frashëri, vëllai i madh mbodhi farën e atdhetarizmit, të lirisë gjithandej në trojet shqiptare. Ai shkoi në kabinetet e Europës për të mbrojtur Çështjen Shqiptare, sidomos të Epirit, bashkë me Mehmet Ali Vrionin, e duke pasur mbështetje të fortë birin e Çamërisë, Abedin Pashë Dinon. Në udhëtimet e tij në Europë për të mbrojtur Çamërinë, ai shkriu 7 barrë flori, kurse kryetari i Lidhjes Shqiptare për Jugun e Shqipërisë, Abedin Dino, shiti 2000 hektarë tokë dhe paratë e nxjerra i përdori për nevojat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Rilindësit tanë dikur prishën pasurinë për të bërë Shqipërinë, shtetin shqiptar të pavarur dhe s’pyetën për çifligjet e tyre, kurse sot, me ndonjë që e gjeti Shqipërinë të hazërtë nga gjaku i derdhur e sakrificat e panumërta të bëra, po na ndodh e kundërta, për të mbushur xhepat e tyre. Abdyli ishte ai që me ndihmën e Abedin Dinos firmosi letrat e përfaqësimit në Çamëri dhe në krye të një delegacioni prej levendesh, të dalë nga Kuvendi i Dibrës, u ngarkua për t’i paraqitur Sulltanit kërkesën për një autonomi territoriale administrative të Shqipërisë. Nuk ka memorandum, sidomos në Jug, në mbrojtje të Çamërisë, që të mos jetë në krye firma e Abdyl Frashërit. Ishte po ky Abdyl që bashkë me Abedin Dinon ju kundërvunë në Mbledhjen e Prevezës të 1879 e bënë të dështojnë grekët me pretendimet e tyre shoviniste për të grabitur Çamërinë. Në saj të tij, të Abedin Dinos, të Hasan Tahsinit Çamëria dhe Janina edhe për 35 vjet të tjera mbeti në duart e shqiptarëve. Meritat e Abdylit për Çështjen Çame janë të pakontestueshme. Abdyli ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Hoxha Tahsinin jo vetëm më 1878 në Komitetin e Stambollit, por edhe në përpjekjet për krijimin e Shqipërisë Diturake të Stambollit. Ndërsa me Ismail Qemalin ka qenë në bashkëpunim në vitet 1876-1877, kur ishte deputet në parlamentin osman, në Komitetin e Stambollit e në një varg veprimtarish të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
* Marrë me shkurtime nga një intervistë me dr. Laurent Bica.