Albspirit

Media/News/Publishing

Gara për të kapitalizuar ndryshimin e politikës së jashtme të SHBA në Ballkan

Ditët e fundit në Washington është zhvilluar një takim i 68 anëtarëve të Koalicionit Ndërkombëtar kundër ISIS, i kërkuar ky nga sekretari i ri i Departamentit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Aktivitetet e këtij takimi i ka përcjellë gjerësisht edhe ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili ka marrë disa kontakte. Kështu ai ka pritur në ambasadën tonë në Washington, sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, akt ky që flet për rëndësinë e Shqipërisë në një rajon që po nxehet sërish. Po kështu, Bushati ka informuar mbi riaktivizimin e grupit mbështetës për Shqipërinë në Senatin amerikan, në krye të të cilit do të jenë senatorët, Gary Peters Joni Ernst, të cilët vijnë nga zona ku banojnë qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare. Bushati po ashtu ka takuar edhe senatorin Mçain, i mirënjohur për qëndrimet e tij, me senatorin Chris Murphy dhe kongresmenët Ed Royce dhe Eliot Engel.

Mirëpo këto takime, që kanë padyshim rëndësi, nuk sqarojnë se a do të ndryshojë apo jo politika amerikane në Ballkan dhe ndaj Shqipërisë. Sigurisht që çdo ndryshim që mund të ndodhë nuk lidhet ekskluzivisht me vendin tonë që peshon pak në punët e kësaj bote, por tonet, ngjyrat, vëmendja dhe disa nuanca ngrenë peshë, sidomos në një politikë që përdor çdo deklaratë në mënyrë instrumentale. Nga kjo pikëpamje mund të thuhet se vizitës së Bushatit i mungoi një takim i veçantë me sekretarin Tillerson, kundërparti i tij, ndonëse një shtrëngim duarsh pati, ndërkohë që sot që përfaqësues të opozitës flasin për një tur në SHBA.

Një tjetër dritare për të kuptuar më shumë, jo qëndrimin amerikan të administratës Trump, por përpjekjen për ta shfrytëzuar rotacionin e pushtetit në SHBA, e jep minsitri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili ishte për një vizitë dyditore në SHBA. Në një diskutim me gazetarët Kotzias ka folur disi një hollësi për takimin me Tillerson, duke sqaruar se është folur shumë për situatën në Turqi, për të cilën siç tha ai “ofrova analizën time të mirënjohur”, por edhe për “problemet me fqinjët tanë veriorë”.

Nuk fola në veçanti për Shkupin, por i shpjegova çështjet e stabilitetit në rajon, ai referoi paqëndrueshmërinë që ekziston në fqinjët tanë veriorë dhe përpjekjen tonë për t’i stabilizuar ata…Ai e përqëendroi vëmendjen në ato forca që në opinionin tim, po destabilizojnë rajonin”, tha Kotzias.

I pyetur se cilat janë këto forca, ministri grek u përgjigj: “Po ua lë këtë për detyrë shtëpie”.

http://www.mfa.gr/en/current-affairs/top-story/foreign-minister-kotzias-statements-to-journalists-following-his-meeting-with-us-secretary-of-state-rex-tillerson-washington-13-march-2017.html

Po kështu ai ka deklaruar se në leximin e tij, politika e administratës së re amerikane po shikon rrugë të reja. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për “prioritetet e administratës së re në rajon”, ai tha se tashmë bëhet fjalë për një politikë më të balancuar në dhënien e mbështetjes.

Mendoj se administrata e re po kërkon rrugët për të fuqizuar rolin dhe rëndësinë e politikës së jashtme amerikane në bashkëpunimin – për aq sa kuptoj në një mënyrë tjetër nga ajo që ka qenë deri më tani, më intensive dhe e barabartë – me shtete të cilat ka marrëdhënie shumë miqësore”, tha Kotzias.

http://www.mfa.gr/en/current-affairs/top-story/foreign-minister-kotzias-statements-to-journalists-on-completion-of-his-visit-to-the-usa-14-march-2017.html

Sigurisht që ministri grek është politikan dhe do të kërkojë të marketojë arritjet e veta, por çështja që shtrohet në qëndrimet e tij intereson edhe në Shqipëri, sa kohë nuk ka një kontakt të nivelit të lartë që të davarissë dyshimet: a do të jetë mbështetja e SHBA-së për Shqipërinë si më parë, apo jo?

Disa vende në rajon janë ankuar jo rrallë për atë që e quajnë “preferencë të shqiptarëve nga perëndimi dhe SHBA”, duke shpresuar tek administrata Trump. Kjo preferencë në fakt është diçka e ekzagjeruar, pasi asnjëherë nuk ka munguar realizmi në politikën e jashtme. Sot që flasim qasja amerikane në Maqedoni mbetet e njëjta, pavarësisht se ambasadori Bailey është nën furinë e akuzave. Po kështu retorika e zgjedhjeve për Rusinë ka ndryshuar shumë në SHBA, ndërkohë që Serbia vijon të ketë privilegjin e lojës me dy porta. Për Shqipërinë mbështetja ka qenë reale, përherë më e lexueshme në kontekstin e takimeve personale, por asnjë “paudhësi” nuk është toleruar.

Në këtë  kuadër ceremonia e Vitit të Ri Iranian me përfaqësues të opozitës iraniane, mund të shihet si një përpjekje për të dërguar mesazhe në Washington, tani që paqartësia është rritur. Përpjekje që nuk ka dhënë edhe aq fryte për Bushatin. Riaktivizimi i grupit mbështetës për Shqipërinë mund edhe të lexohet se koha është që lobimi të institucionalizohet sërish sa kohë që disa gjëra edhe mund të kenë ndryshuar.

Tillerson ishte një dëgjues shumë i mirë”, tha disa herë Kotzias. Një aspekt ky që ka rëndësi, pasi na thotë se dyert e administratës për politikanët shqiptarë nuk do jenë më aq të hapura dhe këtu mjafton të shihet edhe përpjekja për ushtrinë e Kosovës. Në çdo rast raporti me SHBA po hyn në një fazë të re, një fazë ku Shqipërisë i duhet të provojë jo gatishmërinë e politikanëve të saj për të thënë po për çdo gjë, por për të provuar se çfarë vlere ka. Dhe kjo ndoshta ka për të qenë diçka më e vështirë sesa loja e zakonshme me e-maile.

Please follow and like us: