Albspirit

Media/News/Publishing

Roland Lami: Zgjidhja përtej LSI

Ditët e fundit përfaqësuesit e partive të ashtuquajtura të vogla kanë intensifikuar deklaratat, duke krijuar një kakofoni mesazhesh, të cilat më shumë krijojnë mjegull sesa zgjidhin ngërçin politik. Nëse analizon me ftohtësi se çfarë propozojnë dy forcat politike të ashtuquajtura të vogla, LSI dhe PDIU, si alternativa për të dalë nga kriza kupton që propozimet e tyre në rastin më të mirë nuk ofrojnë asgjë, në rastin më të keq janë sugjerime që më shumë i shërbejnë interesit të tyre politik se sa kontribuojnë në zgjidhjen e ngërçit politik.

Nga pikëpamja politike kjo sjellje duhet mirëkuptuar pasi vëmendja nuk mund të mbetet e fokusuar vetëm te dy partitë kryesore PD-PS, ku skena politike është më shumë se dypolare. Aq më shumë që jemi futur në fushatë zgjedhore dhe çdo subjekt politik shfrytëzon çdo moment për të evidentuar identitetin politik, peshën elektorale, influencën në zgjidhjen e krizës, si dhe aftësinë për të përfituar nga situata e krijuar. Këtë prirje e ka më të dukshme LSI se sa PDIU dhe kjo lidhet me peshën elektorale që ka subjekti ne fjalë.

Ditët e fundit janë shtuar zërat që mbrojnë tezën se LSI është subjekti i vetëm që mund ta zgjidhë ngërçin politik. Mirëpo, përsëritja e skenarit me miratimin e Reformës në Drejtësi, ku LSI-së iu faturua në publik merita si forca politike e cila detyroi dy forcat e tjera që të miratonin Reformën në Drejtësi më shumë do ta faktorizonte këtë forcë politike sesa do t’i shërbente zgjidhjes së situatës. Ashtu si ndodhi me Reformën në Drejtësi, ku aktorët politikë unanimisht miratuan në parim shtatë pikat e Reformës në Drejtësi, dhe sot që po flasim reforma në fjalë është futur në krizë, e njëjta gjë mund të ndodhë me situatën parazgjedhore në të cilën jemi futur. Pra, LSI të marrë rolin e ndërmjetësuesit për të zgjidhur situatën politike dhe ngërçi politik të rikthehet përsëri. Përsa kohë dy forcat kryesore nuk gjejnë kompromisin mes tyre pasi kanë humbur besimin te njëra-tjetra, çdo ndërmjetës që vetofrohet ose i jepet ky rol për t’u luajtur më shumë i rrit shanset vetes për të fituar kapital politik se sa realisht e zgjidh krizën e krijuar mes PD dhe PS.

Reforma në Drejtësi tregon se nëse njëra nga forcat kryesore nuk respekton pikat e marrëveshjes për të cilat palët kanë rënë dakort, reforma mund të dështojë pavarësisht qëndrimit që mban LSI. E njëjta gjë mund të ndodhë dhe me marrëveshjen që mund të mundësojë përsëri LSI për qeverinë teknike ose qeverinë e besimit. Mjafton njëra nga palët të shkelë marrëveshjen e negociuar nga LSI dhe situata futet përsëri në ngërç. Në këtë rast LSI thjesht merr meritat si palë negociuese në këtë proces, ndërsa koston e marrin dy forcat kryesore dhe ajo që është më e rëndësishmja, problemi mbetet përsëri i pazgjidhur.

LSI nuk mund të luajë rolin e negociuesit në rastet kur pozicionimi i saj në favor të PD i heq mundësinë PS-së të mbajë pushtetin dhe të fitojë zgjedhjet; as në rastin kur pozicionohet pro pushtetit, pra PS duke qenë se bëhet palë me qeverinë dhe i rrit shanset kësaj të fundit të rifitojë dhe një mandat tjetër, as në rastin kur qëndrimi i saj është mbi palët, pasi nuk kanë pse i faturojnë meritën e zgjidhjes së ngërçit LSI-së kur zgjidhjen mund ta sigurojnë vetë ata me njëri-tjetrin.

E parë nga kjo prespektivë gjykoj se zgjidhja për të dalë nga ngërçi i mbetet dy forcave kryesore politike. Kryeministri i Shqipërisë duhet të ulet për të biseduar me liderin Basha për të diskutuar mbi mënyrën e daljes nga kriza. Ai duhet të bëjë publike paketën e masave që do të ndërmarrë qeveria e tij për t’i kthyer besimin opozitës që të futet në zgjedhje, nëse realisht e ka këtë shqetësim opozita. Çdo vonesë nga ana e kryeministrit për t’u takuar dhe biseduar me z. Basha krijon mundësi për protagonizëm të aktorëve të tjerë, ofrim propozimesh nga ana e partive të ashtëquajtura të vogla, që jo detyrimisht e zgjidhin situatën për të mos thënë e komplikojnë më shumë atë dhe njëkohësisht kufizohet ndjeshëm mundësia që ndryshimet të bëhen në kohë dhe zgjedhjet të mbahen me 18 Qershor. Dy forcat kryesore duhet të dëshmojnë se kanë një shqetësim real, që është ai për të dalë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve me standarde të pjesshme dhe nuk kanë si shqetësim kryesor joshjen e LSI për ta bërë aleate të koalicionit parazgjedhor. Eksperienca qeverisëse e PD gjatë 2009–2013 dhe aq më shumë e PS në 2013–2017 mjafton për të kuptuar që LSI të zgjidhë çështjen e sigurimit të qeverisjes dhe të groposë nesër cilësinë e qeverisjes. Le të guxojnë dy forcat kryesore politike që zgjidhjen ta shohin përtej LSI, pasi dhe tregu politik është diversifikuar dhe aktorë të tjerë kanë dalë në tregun politik. Dhe për LSI do të ishte më mirë pasi do të kishte mundësinë të testonte realisht forcën e saj dhe nesër të riformulonte pretendimet e saj, qoftë dhe për të pretenduar postin kryeministror.

*pedagog i Shkencave Politike UET

Please follow and like us: