Arsim Sinani: Kaosi në Maqedoni
Në vendin e quajtur Maqedoni, IRJM, FYROM, asesi të paqtohen qytetarët e saj. Konfliktet vazhdojnë dhe kurrsesi s’merren vesh partitë mes vetes, një kaos që kërkon të sqarohet, gjithsesi. Po kujt në të vërtetë i konvenon mjegulla në këtë vend të vogël, por me shumë probleme.
Ky vend, i cili u krijua në Jugosllavinë e fundit, atë të Titos, Republika e Maqedonisë, lindi nga vetë krerët e saj komunistë. Që nga ekzistenca e saj, Maqedonia e ka ngritur flamurin e saj mbi vuajtjet e shqiptarëve në këtë vend. Të gjitha eksperimentet që doktrina serbe i bëri në të kaluarën, më së pari i testoi në Maqedoni. Që nga krijimi I saj hilet filluan të duken duke u forcuar Republika, një nga një krerët shqiptarë komunistë eliminoheshin me këtë edhe të drejtat e shqiptarëve. Pavarësisht se për shqiptarët gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare në Jugosllavi, me Kushtetutën e vitit 1974, problemet e shqiptarëve në këtë vend nuk përfunduan. Problemet, si ai me shkollat shqipe, që ishin në numër të vogël, fillore dhe të mesme, asimilimi u provua me fakultetet që ishin në gjuhën sllavomaqedone, si një përpjekje e dështuar pasi këtë boshllëk e plotësoi Universiteti i Prishtinës. Alergjia ndaj mësimit në gjuhën shqipe vazhdoi edhe në Maqedoninë e pavarur, kur me kushtetutën e re shqiptarët e humbën statusin e përdorimit të gjuhës shqipe e me të edhe të drejtat e tjera që gëzon në njëfarë mase. Paralelet e përziera me nxënës shqiptarë e maqedonas dhe ku gjuhë e përdorimit të mësimit ishte gjuha maqedone, ishte një test i dështuar për të vazhduar me asimilimin gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Edhe Universiteti i Tetovës përjetoi të njëjtin fat për vite me radhë, pasi qeveria në Shkup e ku gjithnjë kishte një parti shqiptare në të, nuk e njohu si institucion arsimor. Por le të kthehemi se çka po ndodh sot dhe pse gjuha shqipe është e papranueshme që të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni.
Sllavomaqedonasit e sotëm e ngritën shtetin e tyre mbi parimin se ata janë themeluesit e shtetit të ri maqedonas dhe ku shqiptarët i përjashtuan me kushtetutë. Gjuha shqipe shihej si një rrezik, ndërsa do thoja se ishte një vrer që e kishin krijuar ndër vite strukturat antishqiptare që dominonin politikën në këtë vend. Nacionalzmi sllavomaqedonas është ngritur mbi kontestimin e gjithçkaje që është shqiptare. Kjo është bërë për arsye sepse doktrina e tyre vlerëson se në këtë mënyrë rrezikohet qenia e shtetit sllavomaqedonas dhe në këtë mënyrë do e ruajnë vetëm atë që ka të bëjë me sllavomaqedonasit. Kjo doktrinë e ka gjenezën në Beograd pasi është vazhdimësi e Nacertanjës sërbe dhe e politikës që sërbët kanë ndjekur ndaj shqiptarëve. Mbi këtë dogmë shteti i ri sllavomaqedonas e i vjetër për nga mentaliteti dhe doktrina ndjek modelin sërb, model i cili përdor metoda të sofistikuara për të luftuar atë që është shqiptare. Edhe lidhjet familjare kanë ndikuar në masë të madhe pasi e dimë se në këtë aspekt eksistojnë lidhje farefinsore mes një pjese të sllavomaqedonasve dhe sërbeve që është një ngarkesë më shumë në problemet mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Përpjekjet kanë qenë të kota në të kaluarën që të zgjidhen problemet, pasi elementet shqiptare janë hequr pa asnjë diskutim, pa asnjë miratim, pa marrëveshje me shqiptarët, thjesht është ngritur një mur i rrejshëm, duke e prezantuar shtetin e ri puro sllavomaqedonas. Edhe shtëpia simbol i familjes Bojaxhiu është prishur në Qendër të Shkupit dhe aty sot po ndërtohet një hotel, që flet se idea ka qenë që në mënyrë graduale të bëhet spastrimi dhe koncentrimi i shqiptarëve në anën tjetër të Shkupit. Kjo ka funksionuar në mënyrë shumë perfide me projektin Shkupi 2014, ku fatkeqësisht politikanët shqiptarë ishin të paaftë, të pavëmendshëm dhe e pranuan projektin që ngriti murin e ndarjes në Shkup.
Mbi këto premisa, Maqedonia, FYROMI, IRJM është ngritur duke ndërtuar një identitet dhe duke e varrosur identitetin e shqiptarëve dhe kjo më së miri shihet në Shkup. Prandaj gjuha shqipe është pengesë, sepse mendojnë se gjuha shqipe albanizon institucionet. Duke harruar se shqiptarët janë popullsia me numër më të madh në këtë vend dhe sipas një logjike shkon deri në 40%.
Kriza në Maqedoni ka disa dimensione:
- I pari është dimensioni i mosimplementit të marrëveshjes së Ohrit;
- I dyti, dimensioni etnik sllavomaqedonas që e konteston vetveten brenda vetvetes një luftë e ashpër për pushtet dhe dominim;
- I treti, dimension i mosartikulimit të mirë të ligjeve të cilat janë bërë mollë sherri nga partia VMRO që konteston gjithçka për të mbijetuar politikisht;
- I katërti, mungesa e dialogut politik dhe ndërinstitucional pasi janë kapur institucionet nga partia VMRO dhe përdoren për konsum politik;
- I pesti, nebulozat se shteti lipset të jetë vetëm i sllavomaqedonasve dhe të tjerët të jenë në plan të dytë;
- I gjashti është dimensioni i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin që e ka sjellë buzë greminës Maqedoninë.
- I shtati, shteti autokratik ku një grup njerëzish e kontrollojnë sistemin, shembulli më i qartë është “presidenti kukull” Ivanov që çon inat pasi partia e tij e ka humbur pushtetin.
Pak a shumë, kriza në Maqedoni është shumëdimensionale, por problemi nuk qëndron në raportet mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve, por problemi ka emër dhe mbiemër është kryeneçësia e kreve që që e mbajnë peng shtetin, pushtetin, qytetarët dhe demokracinë. Diagnoza e këtij kaosi ështe e qartë, ikjes së përgjegjësisë i vendos disa dimensione, i nxjerr njerëzit në rrugë, konteston numrat në parlament, bllokon institucionet, vazhdon abuzimi dhe djegia e aferave që ndodhën në të kaluarën dhe largimi i butë i qytetarëve normalë, sepse nuk shohin perspektiva. A thua kujt i konvenon ky kaos në planin e brendshëm të udhëheqësisë së VMRO në planin gjeopolitik të Rusisë, sepse e mban Maqedoninë në kaos dhe në kthetrat e veta.